E premte, 29.03.2024, 09:41 AM (GMT)

Kulturë

Dy libra të rinj nga Gani Qarri

E diele, 30.09.2012, 07:43 AM


Gani Qarri, me dy libra të rinj në prag të festës së 100 vjetorit të pavarësisë

Edhe dy vepra të reja, të cilat pasurojnë literaturën tonë kombëtare me tematik historike dhe ndjesi të thella atdhetare, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

"Krijuesit e Historisë dhe "Vrasje Idealesh" janë titujt e dy librave të botuara këtë vit,nga autori,të cilat kanë tematik historike ku përshkruhet jeta dhe vepra e heronjve kryesor të cilët luftuan dhe u përpoqën deri në fund për gjuhën,kombin dhe arritjen e lirisë së shqiptarëve.

Vet titujt e librave, që në fillim sikur paralajmërojnë jehonën e historisë sonë etnike dhe emrave më të dalluar të saj e cila përshkon në mënyrë brilante përmbajtjen me përshkrime të përzgjedhura biografiko-historike mbi figurat tona më të njohura kombëtare.

Personalitetet nga më të mëdhatë të kohës, të cilët ishin në gjendje të epnin çdo gjë,qoftë edhe jetën për Gjuhën,Kombin dhe Atdheun e shqiptarëve,përgjatë shekujve XIX, XX dhe XXI,pjesë të këtyre dy të fundit edhe ne i jetuam dhe jetojmë në liri, si fryt i punës dhe përpjekjeve të tyre më sublime.

Duke u nisur nga libri poetik i tij, "Mallkim shekujsh", botuar vitin e kaluar, në të cilin historia jonë vjen e shtjelluar në vargje, dy librat tjerë, si; "Krijuesit e Historisë" me nëntitull; "Nga lindja e ëndrrës për liri,deri te realizimi i idealit për pavarësi", dhe ky i porsa-botuari "Vrasje Idealesh" ,i cili doli nga shtypi më 17 Gusht të këtij viti,nën përkujdesjen e Shtëpisë Botuese "Vllamasi"në Tiranë ,konsiderohen si zgjerim dhe shtrirje në prozë e një periudhe të zgjedhur të historisë shqiptare dhe figurave tona më të ndritura kombëtare.

Derisa,autori në librin "Krijuesit e Historisë" i cili ka mbi 300 faqe,kryesisht shkruan për heronjtë e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit dhe atyre të arritjes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës, që nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri,Mic Sokoli, Mehmet Shpendi,Dedë Gjo Luli, Isa Buletini,Hasan Prishtina,Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali e shumë të tjerë mbi 20 sosh, deri te heroizmi i Familjes Jashari, edhe në librin e posa-botuar, "Vrasje Idealesh" me rreth 350 faqe, shkruan për mese 25 emra tjerë të heronjve dhe luftën me pushkë dhe pendë që ata bënë për çështjen shqiptare.

Emrat e tyre nuk përfaqësonin vetëm luftëtarët e një populli të robëruar, por vetë idealet e ëndërruara ndër shekuj të shqiptarëve,me vrasjen e të cilëve, armiqtë përpiqeshin të vrisnin edhe shpresat e tyre të shenjta,për gjuhë dhe liri kombëtare,që nga Dervish Cara i cili i pari nga personalitetet tona historike dhe e gjithë hapësira e etnisë sonë,do të kërkonte shtetin autonom shqiptar.

Shqipëria dhe trojet shqiptare në tërësi si pjesë e Ballkanit të trazuar,pothuajse gjithmonë u vërshuan nga luftërat grabitqare për okupim, copëtim dhe aneksim trojesh të saj, nga vendet hegjemoniste fqinje, të cilat për arritjen e qëllimeve të tyre pushtuese ,së pari duhej eliminuar patriotët më të devotshëm të gjuhës dhe kombit, përmes vrasjeve ,kurtheve të përgatitura dhe helmimeve të mistershme, në të cilat rolin kryesor e luante patrikana dhe kisha ortodokse greke me klerikët e saj,duke helmuar dhe masakruar patriotët më të devotshëm të kombit si Naum Veqilharxhi,Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi e shumë patriot të tjerë të besimit ortodoks shqiptar, të cilët ishin bërë pengesë e asimilimit me dhunë të bashkëkombësve të tyre në grek.

Libri" Vrasje Idealesh" fillon me shkrimin për luftën dhe veprën e Dervish Carës, trimëritë e Oso Kukës,përpjekjet e Naum Veqilharxhit,Papa Kristo Negovanit, Petro Nini Luarasit ,për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe,luftën e Shotë dhe Azem Galicës, Çerçiz Topullit,Marie Shllakut, Prof. Ymer Berishës,aktet e larta kombëtare nga Haki Taha e Halim Spahija,mbytjen në burg të Bedri Pejanit, veprën e madhe dhe vdekjen e dyshimtë të Mithat Frashërit dhe shumë shkrime të tjera mbi heroizmat e pa harruara dhe veprat e mëdha e të pa zëvendësueshme të heronjve tanë kombëtare që bënë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë,Kosovës ,Iliridës dhe të gjitha trojeve etnike shqiptare, edhe pse nuk u arrit e gjitha ajo për të cilën me mish e me shpirt për kohë të gjatë ata u përpoqën dhe luftuan.

Ndaj, këto vepra me tematik të zgjedhur historiografike,autori i ofron si margaritar,për lexuesit dhe arkivën kombëtare të letrave bashkëkohore shqipe, mu në kohën e vigjiljes së 100 vjetorit të shtetësisë shqiptare,dhe rrumbullakimit të një Shekulli Pavarësie të Shqipërisë.

Ani-pse e arritur me shumë punë, mund e gjak dhe pas mese 500-600 vjet robërie,pavarësia edhe në shekullin XXI mbetet e pa realizuar për të gjithë shqiptarët,derisa pjesë të konsiderueshme të kombit dhe toka bukur të mëdha të tij,pa të drejtë mbahen edhe sot nën sundimin e shteteve të huaja.

Ky është libri i tretë i autorit i cili në vitin 2011,botoi librin e parë me poezi "Mallkim Shekujsh" të cilin kur e lexon jo vetëm se bindesh nga afër,por edhe ndjenë thellë në zemër me tërë qenien njerëzore, dashurin kombëtare që kumbon në çdo varg poezie të shprehur me aq përkushtim …duke shkuar deri në mallkim kohërash,të cilat ai i matë me data, muaj, vite e dekada dhe periudha shekujsh, të cilat si mallkim për kombin, lanë shqiptarët e ndarë,kurse trojet tona të copëtuara me një pjesë bukur të mirë të tyre ende nën pushtim.

Përmes përshkrimit me besnikëri të jetës dhe veprave kombëtare të figurave tona kryesore historike, ai sikur peshon me dhembje kohërat e rënduara dhe vuajtjet e përjetuara nën robëri e pushtim që shqiptarët i kaluan pothuajse pa asnjë të drejtë njerëzore e kombëtare si pa dritën e diellit të cilën pushtuesit edhe atë përpiqeshin ta pengonin që të mos ndriçonte lirshëm edhe mbi trojet tona të robëruara.

Gani Qarri,jeton dhe punon për afro 26 vite në Zvicër,në një vend të njohur për demokraci e ligje të përparuara,drejtësi dhe rregulla të përsosura shtetërore,si rrallë në ndonjë vend tjetër në botë.

Ndaj edhe gjatë analizimit të shkrimeve tij, studiuesit i krijohet përshtypja se këto rregulla janë përvetësuar tërësisht nga autori,i cili me përpikëri dhe në mënyrë të lakmueshme i përmbahet realitetit autentik të zhvillimeve në vend dhe sinqeritetit të fjalës së shkruar shqipe, si në prozë ashtu edhe në poezi.

Në krijimit e ti, ai përqafon me shumë dashuri vëllazërore figurat më të njohura kombëtare nga të gjitha hapësirat shqiptare, të cilat treguan heroizmat e tyre të mëdha nëpër shekuj,për gjuhën,kombin dhe lirinë e atdheut të shtrenjtë.

Autori përshkruan me mjeshtri dhe përkushtim të rrallë shpirtëror njerëz të veçantë, udhëheqës dhe intelektual ,ngjarje të shënuara historike,data veprimesh të mëdha kombëtare si dhe personalitete të dalluara të diplomacisë dhe luftës kombëtare, në mënyrën më origjinale të mundshme, duke i paraqitur me vërtetësi të paanshme, ashtu siç edhe janë zhvilluar gjatë historisë sonë kombëtare, para lexuesit shqiptar.

Edhe pse kohët e fundit nga autorë të ndryshëm shqiptar, botohen shumë libra,në prozë dhe poezi,përshkrimet e shtjelluara në librat e Gani Qarrit, jo vetëm se zënë vend të rëndësishëm dhe shtrihen në një hapësirë bukur të gjerë të historisë sonë kombëtare,por ato këtë vit në mënyrën më të mirë përkojnë edhe me plotësimin e një shekulli-nga shpallja e lirisë sonë kombëtare si dhe festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit Shqiptar, duke përshkruar jetën dhe veprën e personaliteteve kryesore të historisë sonë kombëtare,të cilëve u takon merita më e madhe për këtë Pavarësi që sivjet festojmë.

Duke qenë thellë i dashuruar në traditën e heroizmit dhe luftën e patriotëve të mëdhenj kombëtar e cila shpreh edhe filozofinë e mbijetesës së shqiptarit nëpër shekuj, përshkrimet e autorit janë fund e krye atdhetare,dhe në to shtjellohet jeta dhe veprimtaria e figurave më të njohura historike e kombëtare,që nga jugu në veri, lindje dhe perëndim, nga të gjitha trojet tona etnike, shumicës së të cilëve me dashuri u këndohet edhe sot nga goja e popullit,kudo flitet shqip.

Për autorin dhe përkushtimin e tij të sinqertë ndaj atdheut, dashurinë ndaj të cilit- edhe ai personalisht-sikur e ka të mbjellë përgjithmonë në thellësinë e zemrës së tij, nuk bënë dallim vendi ku ai u lind,por njëjtë si tek figurat kombëtare për të cilat shkruan me aq përkushtim dhe nostalgji në librat e tij me tematik historike, të gjitha trojet tona etnike në të cilat flitet dhe jetohet shqip ,janë edhe atdheu i tij.

Me botimet më të reja,ai arriti ti përjetësoi edhe njëherë më tepër,në mënyrën më të denjë personalitetet e dalluara të popullit tonë dhe ngjarjet e bujshme historike me rëndësi të veçanta për kombin,një e nga një,por edhe të gjithë së bashku si tërësi në dy librat e tij me përmbajtje historike, si tek; "Krijuesit e Historisë" botuar në Mars të këtij viti nga "Jeta e Re" në Prishtinë, ashtu edhe pjesën tjetër të tyre,në veprën "Vrasje Idealesh" botuar këto ditë nga shtëpia botuese "Vllamasi" në Tiranë.

Gani Qarri, arriti që me punë të madhe dhe përpjekje të pareshtura në kujtim të heronjve tanë më të njohur të gjuhës,luftës dhe lirisë së arritur,si dhe në nderim të veprës së tyre të madhe që ata lanë pas, ti botojë këto dy libra,në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të cilën këtë vit-shqiptarët e festojnë më krenar se çdo herë tjetër,në historinë e ekzistencës së tyre kombëtare!

Autori, qoftë si poet apo edhe prozator,në librat e tij reflekton ndjesi të holla njerëzore me frymëzim thellësisht kombëtar,shkrimet e të cilit në mënyrë brilante rrezatojnë patriotizmin e shumë brezave nga të gjitha trojet shqiptare, heroizmi historik i të cilëve mundësoi që përveç Shqipërisë "londineze" së fundi edhe në Kosovë të shijohet liria e ëndërruar shekuj me radhë.

Libri i tij i sapo-botuar,"Vrasje Idealesh" fillon me parathënien e shkruar nga Raimonda Moisiu e cila përmend krijimet e arrira dhe përmbajtjen brilante të kësaj vepre me një kronikë emrash të zgjedhur nga e kaluara jonë jo e largët historike,duke i cilësuar ata si shembullin më sublim të flijimit atdhetar për të gjithë shqiptarët që nuk bënë sa duhet për vendin dhe kombin e tyre të shumëvuajtur.

Përmbajtja e tërësishme e librit plot frymëzime patriotike me bëmat e heronjve më të mëdhenj të kombit të cilët ranë për lirin e atdheut dhe shkrimin e gjuhës shqipe nuk mund të pasqyrohet tërësisht,vetëm me një shkrim si ky, por vlen të theksohet me këtë rast se që të tre librat e tij,si ai në poezi ashtu edhe dy të tjerët në prozë, burojnë nga ndjenjat e çiltra dhe të pastra atdhetare të vet autorit,dhe janë të shkruara me plot rrezatim optimizmi për lirin, çlirimin dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet të përbashkët etnik.

Për arritjen e këtij qëllimi madhor,autori është i bindur se duhet të ndiqen shembujt konkret të heronjve tanë kombëtar të cilët u flijuan për gjuhë, atdhe dhe bashkim kombëtar,duke dhënë çdo gjë nga vetja, dhe rritur shpresën për liri edhe në tokat tona ende të pa çliruara.

Shteti i porsalindur edhe për aq sa ishte, për 100 vjet rresht të ekzistencës së tij, do të bëhej mbështetësi kryesore i mbijetesës së të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë asaj pak Shqipërie, vizatuar nga duar të huaja jo gjithherë dashamirëse ndaj kombit tonë të vogël, pa pjesëmarrjen e shqiptarëve, dhe dëgjimin e zërit të tyre në konferencën e ambasadorëve në Londër më 1913.

Ndaj,edhe në librin "Vrasje Idealesh" të botuar pak kohë më parë, autori tregohet shumë i ndjeshëm ndaj bëmave të mëdha të heronjve,për të cilët shkruan me nostalgji të rrallë, realizëm të veçantë dhe dashamirësi deri në dhembje për fatin e hidhur që i përcolli ata, jetërat e të cilëve gjithmonë përfunduan me vrasje, helmime dhe vdekje të mistershme për ta, nga dora e armiqve tanë,duke arritur që me përmbajtje të shkurtra ,konkrete dhe domethënëse të përmbledhë pjesën kryesore të botës së heroizmave të tyre të mëdha kombëtare.

Veprat e tilla mbi figurat tona më eminente dhe ngjarjet kryesore nga historia jonë,natyrshëm pasurojnë me margaritar të vjetër e të rinj etnik, krijimtarinë moderne shqiptare të kohëve të fundit, vlera e të cilave ka domethënie të veçantë sidomos kur rastisë që ato të vijnë pikërisht në prag festash dhe përkujtimesh të tilla të mëdha gjithëkombëtare,siç është festimi i një shekulli pavarësie të shtetit shqiptar.

Autori përmes shkrimeve të tij,tregon edhe një herë më tepër se edhe ai,sikurse shumë shqiptar të tjerë, bën pjesë në grupin e idealistëve kombëtar të cilët edhe pas 100 vitesh shtetësi..., besojnë thellë se vetëm patriotizmi i shëndosh dhe krijimi i një shteti të përbashkët kombëtar,i cili do të vendoste drejtësi e barazi për të gjithë pjesëtarët e tij dhe garantonte mirëqenie e ardhmëri të sigurt për të gjithë shqiptarët kudo në trojet e tyre etnike, do ti zgjidhte një herë e mirë problemet e pazgjidhura për 100 vite të kombit tonë.

Gani Qarri me krijimet e tij më të reja, dallohet për natyrën e veçantë të shkrimeve dhe dëshmohet si njëri nga penat e talentuara të plejadës së krijuesve modern të kohëve tona në fushën e letrave shqipe, si për artin autentiko-historik ashtu edhe për temat kombëtare autobiografike, mbi ngjarje e persona realë-nga historia jonë kombëtare, të cilët kanë siguruar për ne këtë liri që e gëzojmë dhe ndryshuar jetën e shqiptarëve kudo,ndaj për nga tematika e trajtuar,librat e botuar nga ai,realisht mund të konsiderohen edhe si libra tipik- historik.

Shkrimet e trajtuara në veprat e tij, sjellin fakte të shumta dhe interesante, madje disa prej tyre edhe të panjohura për publikun e gjerë të cilat jo rrallë mund edhe të jenë keqinterpretuar në fushën e letrave shqipe.

Ai na i sjell ato pa ngjyrime politik,fetare a krahinore dhe me një përkushtim të lart atdhetar e përkujdesje të veçantë trajtimi, duke hedhur dritë të barabartë në mënyrë reale dhe të paanshme,ndaj secilit.

Gani Qarri ,u lind më 1962,në fshatin Demjan të Hasit,në Kosovë. Ai shkollimin fillor e kreu në vendlindje,kurse atë të mesëm dhe studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Gjakovë.

Pasi që edhe pas diplomimit për shkaqe politike, atij do ti pamundësohej punësimi në sistemin arsimor të kohës, pas disa përpjekjesh do të largohej nga vendlindja për tu vendosur në Zvicër, ku jeton e punon për afro 26 vite me radhë.

Me shkrime ka filluar të merrej qysh herët por përmbledhjen dhe botimin e tyre e nisi vitet e fundit dhe deri më tani ka botuar tri vepra;

Më 2011 përgatiti përmbledhjen me poezi "Mallkim Shekujsh" të cilën e botoi "Jeta e Re" në Prishtinë.

Kurse në Mars të vitit 2012,librin në prozë me përmbajtje dhe tematikë kombëtare "Krijuesit e Historisë" të cilin e botoi,po-ashtu Jeta e Re" në Prishtinë.

Por i pa kënaqur tërësisht me përgatitjen për shtyp të librit, shtrirjen joprofesionale kompjuterike të shkrimeve,gabimet teknike-si rënie shkronjash ,të cilat përkundër çmimit bukur të lartë,lënë për të dëshiruar, detyruan autorin që të përzgjidhte një ofertues tjetër për librin e tij më të ri .

Ndaj,botimin e veprës "Vrasje Idealesh" me një parathënie të përgatitur nga poetja Raimonda Moisiu,Gani Qarri kësaj radhe ia besoi shtëpisë botuese "Vllamasi" në Tiranë e cila këtë libër e nxori nga shtypi më 17 Gusht të këtij viti.

Pjesë nga parathënia e Librit:

Një derë hyrjeje për në“Labirintin e fshehtësive”

Parathënie

Sa e sa herë “më është marrë fryma” nga ngutja për t’i shkuar sa më parë deri në fund.......dorëshkrimin e ardhur prej një profesionisti mbas vitesh të tëra hulumtimi nëpër biblioteka dhe arkiva, të dëshmuara këto me referenca literaturore, si brenda paragrafësh, ashtu edhe në fund kapitujsh........ të cilat, siç e bëjnë librin tronditës e mësazhpërcjellës, e bëjnë të besueshëm për gjithkënd.

Duke i hedhur një sy biografisë krijuese të autorit, orientohesh se materialet janë shkruar e publikuar në çaste të ndryshme të një vije kohore të gjatë, por në libër ato janë ndërthurur dhe kompozuar si një e tërë.

Kësisoj, ai mund të lexohet si një libër i plotë prej lexuesish kureshtarë, ndërsa për biblioteka studiuesish e hulumtuesish mund të shërbejë për referenca të herëpashershme, duke e përdorur kësisoj si “Lexicon”personash e ngjarjesh.

Jo më kot në faqet e para i bëhet vend i veçantë figurës madhore të Naum Veqilharxhit, siç jo më kot libri mbyllet me portretin e një tjetër figure madhore, atij të Mit’hat Frashërit.

Dhe, po të vazhdonim të shpërfaqnim prurjet me vlera të pakrahasueshme të këtij libri...., do të duhej të ndaleshim në shumë gjëra të rëndësishme, të cilat, me siguri do të bëhen në analiza të veçanta promovuese pas botimi, ndërsa këtu ........ nis zbardhja e shumë vlerave të mbuluara nga pluhuri, apo të keqinterpretuara deri tani të figurave dhe ngjarjeve madhore të historisë sonë kombëtare si Naum Veqilharxhi, Oso Kuka, Petro Nini Luarasi, Shtjefën Gjeçovi, Papa Kristo Negovani, Mit’hat Frashëri, etj, të cilat, më tepër sesa një vlerësim për veprën madhore dhe aktet sublime të tyre, janë një apel në formë“kambane alarmi”..... të vlerave tona kombëtare, si të gjuhës, kulturës, etnosit, etj, prej kujtdo qofshin ata:....... qoftë edhe para një detaji si ky i jetës së monumentalit Naum Veqilharxhi: Edhe pse dihet kompleksiteti i raporteve të tij me fisin,.... Tri vajzave të veta do t’u vinte emrat Miranda, Saranda, Luljeta.

Ndërsa, po të futeshim në trajtesat mbi figura dhe ngjarje madhore të tilla si: Dervish Cara, Kadri Prishtina, Sadik Rama, Iljaz Agushi, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Masakra e Tivarit, Ymer Berisha, Marije Shllaku, Haki Taha, Ukë dhe Shaban Sadiku, Hajdar Maloku, Xhemë Hasa (Gostivari), Idriz Gjilani, Ndue Përlleshi, Bedri Pejani, Halim Spahia, etj, jo vetëm do të ndesheshim me shumë fakte të panjohura, por do të tronditeshim me çfarë është bërë në kurriz të popullit tonë dhe historisë sonë, .... në realizimin e skenave të tilla, shpeshherë bashkautorë me të huajt kanë qenë edhe vetë shqiptarët në kurriz të vëllezërve të vet, ndjesitë bëhen edhe më tronditëse.....

Si i tillë, ky libër, që vjen në vigjilje të Jubileut të Madh të 100 - Vjetorit të Shtetit Shqiptar, do të shërbejë sadopak për të ndriçuar mendjet e shqiptarëve të tanishëm me kujtesë të sterilizuar vetëm në kufirin e propagandës sllavo -komuniste,.......

Dhëntë Zoti të shërbejë si referim edhe për instancat e larta shtetërore që të respektojnë, nderojnë dhe dekorojnë vlerat e vërteta dhe jo ata që kanë përgjegjësi të mëdha për katrahurën që i është shkaktuar historisë dhe burrave të mëdhenj të kombit tonë.

Tiranë, korrik 2012 Raimonda Moisiu

----------

Siç u cek edhe në parathënie, në shkrimet e autorit përfshihen shumë personalitete të njohura intelektuale,politike dhe ushtarake dhe shumë emra nga figurat kryesore të çështjes sonë kombëtare ende të pazgjidhur përfundimisht si dhe data dhe ngjarje me rëndësi historike të cilat i dhanë vulën jetës, fatit dhe të ardhmes së shqiptarëve kudo.

Përpjekjet e autorit ishin të atilla që mundësisht të përzgjidheshin sa më shumë përfaqësues dhe figura të dalluara etnike të cilët me punën dhe përpjekjet e tyre të gjithanshme, arritën të krijonin një imazh tjetër për shqiptarët. Burra të mëdhenj të kombit këta,që kishin për mision ruajtjen dhe shkrimin e gjuhës sonë amtare, çlirimin e të gjitha trojeve tona etnike si dhe krijimin e një shteti të përbashkët kombëtar,me shtrirje në të gjithë hapësirën e ish katër vilajeteve të banuara me shqiptar.

Personalitete që me heroizmin e pashembullt të tyre qysh atëherë bënë të shihej nga larg ardhja e lirisë sonë kombëtare edhe në trojet tona të okupuara.

Gani Qarri,si në veprat e mëparme edhe në librin e sapobotuar, për ndryshim nga të tjerët, personazhet e librit të tij i trajton në mënyrë të dokumentuar dhe krejt origjinale,duke shpalosur me shumë përkushtim historinë e figurave kryesore kombëtare të cilat edhe pse u dogjën si feniksi i legjendave të lashta,nga të gjitha luftërat që ranë mbi këto troje,ata arritën që të mbijetonin, ani pse me shumë plagë, duke mbetur përgjithmonë-dëshmi e pa harruar e një të kaluare të bujshme historike,për brezat e ardhshëm të shqiptarëve, kudo që ata sot jetojnë, në trojet e tyre etnike.

Jo vetëm origjinaliteti filozofik e kombëtar dhe qasja pa paragjykime e autorit e ngritin librin e tij në nivel letrar,por edhe përkushtimi ndaj jetës dhe veprës së heronjve e bëjnë atë shumë të veçantë dhe të admirueshëm për lexuesit dhe studiuesit e tanishëm dhe të ardhshëm shqiptar. Madje edhe vet ndjeshmëria e personalitetit të tij bashkëjeton me vuajtjet dhe dhembjen njerëzore e kombëtare që ndër vite përjetuan shqiptarët.

Ndaj, përveç shkrimeve analitike dhe kolumnëve në shtypin shqiptar,nga Gani Qarri, priten edhe vepra të tjera me tematik të njëjtë dhe të ngjashme atdhetare edhe në të ardhmen, të cilat edhe ato do të përgatiten me gjithë zemër, përkushtim të lartë shpirtërorë dhe plot dashuri kombëtare - ndaj Shqipërisë, Kosovës, Iliridës dhe të gjitha trojeve tona etnike.

Shkrimet si këto ndaj emrave të njohur dhe ngjarjeve të shënuara historike me vlera të mëdha gjithëkombëtare, për të cilat nderimi dhe respekti i të gjithë bashkëkombësve tanë ishte dhe do të mbetet i veçantë përgjithmonë,na bëjnë të gjithëve pa dallim, të ndihemi mirë si popull dhe më të fortë se kurrë më parë, si komb shqiptar - sidomos tani në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora