E merkure, 24.04.2024, 06:43 PM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Shahu: Artan Fuga kërkon shumë

E diele, 30.09.2012, 09:35 AM


Profesor Artan Fuga kërkon shumë

Nga Rexhep Shahu

Profesor Artan Fuga shkruan bukur e saktë si askush tjetër rreth vendimit të autoriteteve të fesë katolike për shkishërimin e atyre që vrasin dhe shpifin se vrasin gjoja në emër të Kanunit.

Vrasjet që kanë ndodhë në këto dy dekada në Shqipëri janë në masën mbi 90 përqind vrasje mafioze dhe jo vrasje në bazë të rregullave të arta të kanunit.

Krahas vrasjes së njerëzve, krahas privimit të lirisë për gratë e fëmijët e ngujuar, krejt antikanunore, ata që kanë bërë vrasje në këto dy dekada kanë therë me thikë me helm edhe vetë Kanunin e Lekë Dukagjinit, këtë vlerë të pallogaritshme të trashëgimisë sonë kombëtare. Sa here është vrarë një njeri gjoja në emër të kanunit, aq plumba i janë ngulë edhe Kanunit.

Po aq herë sa plumba janë derdhë mbi njerëzit në emër të Kanunit, aq plumba janë derdhë në fytyrën e në zemrën e Kishës katolike, urës që lidh shqiptarët me qytetërimin perëndimor.

Mendoj se këto vrasje në këto dy dekada, siç kanë ndodhë, përveçse kanë marrë jetë njerëzish, janë ngujuar fëmijë e gra, kanë pasuruar biznes-negociatorët dhe biznes-shoqatat e pajtimit-nxitjes-pajtimit-nxitjes së gjakmarrjes, kanë shëmtuar jo pa qëllim dy gjera thelbësore të qenies së shqiptareve: Kanunin e lashtë shqiptar dhe Kishën katolike.

Ky shëmtim, nuk me bind dot askush ndryshe, ka qenë krejt i qëllimshëm, krejt i financuar, krejt antishqiptar, krejt i studiuar e programuar me platformë antishqiptare.

Sepse Kanuni shqiptar është themel i trashëgimisë sonë, kushtetutë që bind edhe dreqin se shqiptarët kanë jetuar me ligje, rregulla e kode perfekt që shumëkush nga kombet e mëdhenj ua kanë zili. Dhe sepse Kisha katolike ka qenë urë e pashembshme që ka lidhë shqiptarët me qytetërimin perëndimor. Ndaj duhen përdhosur e shkërmoqur si Kanuni ashtu edhe Kisha katolike. E sidomos Kisha katolike, kjo urë që lidh shqiptarët me perëndimin. Ndaj shumica e vrasjeve, shumica e shëmtive në emër të Kanunit të Lekë Dukagjinit kanë ndodhë në pjesën katolike  të Shqipërisë.

Ky konstatim që po bëj, ose që po artikuloj, pasi s’është vetëm i imi, nuk është thirrje apo nxitje që sponsorizuesit e gjakmarrjes e biznesi i gjakmarrjes të shtrijnë aktivitetin e tyre të biznesit kriminal edhe në zonat myslimane apo ortodokse shqiptare. Jo, por është vetëm kujtesë dhe argument. Kujtesë për Kishën katolike që duhet ta mendojë thellë se pse vetëm në trevat ku ajo vepron bëhen vrasje, dhe argument për të pohuar se duke goditur zonat katolike me vrasje të shëmtuara, duan të godasin e të shembin urën e shqiptarëve me perëndimin.

Profesor Artan Fuga apelon për gazetarët që nuk arritën të informojnë e të ndriçojnë në thellësi aktin madhështor apo vendimin që morën autoritetet kishtare për shkishërimin e atij që vret.

Profesor Fuga po kërkon ca si shumë. Gazetarëve tanë u pjell lopa dy herë në vit profesor. Jam pjesë e atij komuniteti, por më duhet ta pranoj se gazetarëve tanë ju pjell lopa dy herë në vit.

Veç pyetjeve të shumta që duhet të bënin gazetarët, siç ua tregon profesor Artan Fuga, unë po shtoj edhe një tjetër.

Gazetarët shqiptarë duhet tua bënin në vijim autoriteteve kishtare edhe këtë pyetje : Pse kaq vonë, pas kaq humbje jetësh njerëzore, u mor ky vendim nga Kisha.

Shteti tani gjeti aleat Kishën më në fund. Kisha të shkishëron. Lum kush nuk e provon këtë ndëshkim. Flasim gjithmonë për njerëzit. Shteti duhet të ndryshoje ligjin : kush vret të dënohet me burgim të përjetshëm, pa alternativë tjetër, pa asnjë nen, paragraf apo nënparagraf tjetër, pa i  dhënë mundësi asnjë gjyqtari apo prokurori të bëjë interpretime, pa i dhënë mundësi asnjë institucioni të bëje falje apo amnisti asnjëherë për të paktën 100 vjet, deri në 200 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë. Dhe të harrohet e ndalohet me ligj për avokatët, prokurorët e gjyqtarët e të gjitha niveleve deri në Strasburg apo në hënë po deshe, shprehja se edhe krimineli ka të drejtë…

Jam thellësisht i bindur tani që u aktivizua Kisha, se po të ndryshohet urgjent kodi penal, duke vënë taksativisht nenin se kush vret në emër të gjakmarrjes, siç e cilësojnë gazetarët kur ndodh vrasja në Veri, apo të hakmarrjes kur ajo ndodh në Jug, dënohet me burgim të përjetshëm, të padiskutueshëm, të paapelueshëm, të pafalshëm, të paamnistueshëm nga asnjë individ, institucion apo gjykatë, vrasjet në Shqipëri do të ndalen.

Se shqiptarët qe vrasin nuk janë as aq trima e as aq budallenj sa duken.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora