E enjte, 25.04.2024, 04:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Shpëtim Kastrati?: Dueli

E diele, 30.09.2012, 11:07 AM


Shpëtim Kastrati?

DUELI

Tregim

Ndërsa skifteri garravitej me makthin e tij mbi valët e përhimta e të akullta të ajrit, në majën e drizës tingëllonte ngazëllyshëm bilbili.

Tek derdhej dritë, i përdëllyeri mbushej e mrekullohej nga besnikëria kokëfortë për tu lauruar në lëndinën e ëmbël. Me sigurinë që vetëtinte në një trup topth të imët, të ngjeshur me pendë të verdha të kolmëta, që përndrisnin si të lagura nga lënda e diellit dhe pikonin pingul mbi robërimin gazmor të tij. Herë – herë thërmonte përçmimin e gati bëhej simbolik, duke fryrë pendët e arta e tendosur bishtin me lëvizje rituale të kujdesshme ritmike. Që kordeleshin nëpër muskujt e hollë të hajthëm e të lëndueshëm rreth qafës së hirshme, e derdheshin në melankoni duke mbytur njëherësh edhe të gjithë pikëllimin tim. Sqepi bulëz dyakrepësh i verdhë, si instrument i posaçëm për ëndrrën, lodëronte lirshëm e pa shembuj, duke përtypur imtësisht dritën dhe zanoret që fjollonin pafajshëm e njëzëshëm nëpër laringun e violintë. I lidhur sa delikat dhe magjishëm me kërcellin e fortë e të nejçtur të degës besnike, sikur do të rrëmbente nga rrënjët e sajë vrull që shpërthente në hapsirë mallëngjyshëm. Sytë e myjët të vesët i flakërinin mbi atë shkurre të ashpër dhe të gjembosur mprehtë, që depërtonte pa aritmetikë deri në fshehtësinë e natyrës. Për të shestuar çast mbas çasti kontrastin major midis krijesës zëëmbël të mrekulluar e  gjazës së sertë e të makthët që dukej sikur vetëtërbohej nga kjo kadencë. Për të shkrehur tinëz e befasisht grykësinë, për atë që ishte duke gdhendur e lëmuar paqësisht kohën e ndryshme pashlyshëm, pa enciklopedi e rrjedhshëm, nëpërmjet indeve e pejzave të padukshme ndijore që natyra i ka fal pa ngurim, për të gurgulluar e vërshuar skaj ndërgjegjes sonë për një kudërbim të ri të botëve.

U rrëmbeva dhe desha të kap motivin që shpallej paqësisht, që vëllazërohej e ledhatohej aq fisnikërisht, mbështetur paq në dy fyza si të qelqëta të allta delikate mbi degën e ashpër të kaçultë, që dukeshin të lidhura me njëra – tjetrën si me tela të ndritur prej hekuri. Nga rridhte e refrente pandalshëm rima e pafajshme, që sikur përbetohej e shkrihej si me të qarë, herë e afërt dhe e ëmbël, herë ndrydhej nëpërmjet larmisë së shqisave e pikëllohej çuditshëm sikur kishte shkarë mbi një ëndërr të trishtë, të beftë turbulluese. Ku ligjërimi me lehtësi ritej e përgjërohej nëpër hapsirë për të përthithur shpirtrat e trazuar e të lënduar, në një fllad murmuritës të afërt, duke ngritur e tejçuar fije lëvizëse mirësie që tentonin për të shestuar tek përsosmëria vet. Ndërsa skifteri pak me dhelpëri e pak me ligësi lakohej e gjarpërohej sipër në mbrapshtinë e skrodhët. I ronitur dhe i përçudnuar tek veprimi mortues i grykshëm, i molisur ngushtë  nga lakmia dhe dinakëria, rrethrrotullohej si i dhëmbëzuar në hapsirë, i sunduar frikshëm e tmerrshëm nga tërbimi dhe padurimi. Kishte ngrirë lemerishëm shikimin e shqyer mbi diçka të ngjethët e të zmadhuar, ku fekste një shkëlqim i ngjeshur mbi gjilpëra të ndritura lëpirëse në dritën që zhytej ngadalshëm e përtueshëm nëpër kaçube. Domosdoshmërisht ngecte mbi një ndriçim të sertë zhive, i zvarrur gazavaj për në degën thumbuese, ku misteri dhe zilia e sundonte dhe mundonte verbërisht. Dhe dalngadalë ashtu pashmangshëm po i mbyllej edhe kanali luhatës i dyshimit, tek ulej hajnisht e pandijshëm të mbytej e graçohej nëpër mllefin e vet. Janë çaste kur edhe dinakëria të braktis, e zbehur ligshëm në grykësinë lakmuese, e mërguar tej nëpër tymin mbytës të ngathët, ku mbulohen e hijëzohen të gjitha të çarat dyshuese e vetëm shqisat e myrrëta si gavërza të mekura vihen në veprim fizik.

Kur ritshëm eptohej melodia majole e papërsëritshme, përcjellëse si idil, si prelud i magjishëm që vetëtinte lirshëm në ajrin e hollë të horizontit. Duke shtrydhur ngadalë misterin e dalldisur, për të ngecur ankthin zbehës në degët e gacuara të shumëfishta të kaçubes që ia kishte rrëmbyer aq papritur ajrit të sfungjertë aty përrreth. Ngjiste dhe përhapej e pangjara, e harruara pakujdesisht dhe padrejtësisht, e mashtruara, e gërryera pa moral që mbante peshë habitshëm vetëm në pauzat e pazëshme të bilbilit. Mbetej pezull, ekstazë, duke u lëkundur në një djep të tejdukshëm, të xhamtë ngushëllimi. Si nëpër një përrua psherëtimash të maisura nga ëndrra të largëta, të yjshme, të përqara dhe tragjike në humbjen e tyre. Pas kësaj shpërthente sërish dhimbja që buronte për të kuruar diçka lëvizëse të vërtetë, të ndjeshme. Që luhej në frikshmërinë e vet midis honeve të shpagës për ta shdredhur atë, duke përmbytur një acarim të padurueshëm të brengës, duke i fryrë si me magji, si erë e marrë strehës së fantazmave të fshehura, të ngjeshura, përvajshëm si në buzë të honit. Për të rizgjuar një ninullë besnike që në fillim vjen kërcitëse, e ngurtë, e sertë si hekur, për të bërë korigjime të dhimbshme, të hutuara ose të shtangura, të përhumbura habitshëm, rrëmujshëm aty gjetiu.

Vazhda e qiftosur e zezë e skifterit përthyhej e ngathtësohej nëpër shkallëzat hollake të një zbrazëtire të frikshme. Paralizohej e shprishur dhe bezdisshëm, zhytej tmerrshëm në mynxyrën e ritmit për qëllimin marrak të mbrapshtë. Mjegulla ngjyshëm dendësohej, dhe një tyl i tymosur i zi përlyente lëndinën të ngjeshur e rënduar në gri. Padukshëm krihej një fuqi e errët, e kundërt, e përfundme, që e mbyste ankthi i shtërnguar, që nga çasti në çast pritej të thyhej e copëtohej. Ku djallëzia dhe zilia lidhen pandashëm si nyjë e droçkuar, të ngrira në një boshllëk të shurdhët, të papeshë dhe të papërcaktuar, por të përlyer dhe të izoluar ngutshëm nga llaku ngacmues i egërsirës.

E qeshura e neontë e lëndinës vetëtinte pa shkas e hipokrizi nëpër margaritarët e lëndueshëm, që ngacmonin tmerrshëm ndijimin e egër të skifterit që pritej të përplasej verbërisht skaj koloritit vallëzues e lodërues nën ritmin e çlirët të bulzës së bilbilit. Që përkundej në bardhësinë e hareshme të luleshqerrave, vargëzuar si mulina për tu fërgëlluar ngadalë në kolorin e rubintë të kuqërremtë të tërfilit e për tu harlisur hijshëm nëpër valëzat e arta të vjollcave dhe borzilokut. Ku ngutshëm ngrihej e krijohej një poemë reflektuese aromatike e këndshme, që nusërohej e përbetohej nga manushaqet si metafora të mirzëta, mugulluese e të bafta, shënuar magjishëm si perla nëpër shkurre.

Sqepi i kikët i plumbuar i skifterit, pa nerv, pa ndijim, kacitej e ligështohej nëpër gulçe, gënjehej të zbrazej pandalshëm deri ku nuk mund kthehej, pa prajtur, pa pendesë, si çengeli i shkrehur i piratit në grahmën e fundit. Ndërsa shponte e çirrte pandjeshëm ajrin e hollë, një gropë e errët e zezë spirale përdridhej, përqeshej e thellohej në terrin e lyrosur e të katranosur nëpër çufër. Një botë e bardhë, e shkumtë, e shkëlqimtë, përndiqej e fikej e lënguar, ndërsa një botë e sertë, e frikshme, e skëterrtë, farfaritej në sytë e vajosur të çaplyer. Ku katrani i vluar i cytej nëpër ndjenjën e fundit fizike të trupit me fjollat e tymta dhe avujt e flakës që lebetiteshin bashkë me të. I gozhduar ligshëm nga gjilpëra të panumërta të  cifëlta, djegëse, toksike, që si të verbëra gërronin dhe lakanisnin çdo përpëlitje, ankim apo lutje të vonuar, të largët deri në harrim.

Trazira e ngopur tashmë, me ndodhinë dhe tragjedinë e sajë fërgëllon ende me pajën e vetplaçkitur të rrëmujshme, të shpërndara harrushëm nëpër çufër. Me një flakadan të shuar të zi pendësh, me stërkala të pista gjaku nëpër të, mishra të çarë, të therur e të përzhitur nga lakmia, sy të ftohtë e të dalë nga shtrati i nervit, për të heshtur përgjithmonë në humusin e gjumshëm. Kthetra të patrajtë, të përhumbura në verbërinë e skëterrshme, pendë pa formë – lodra të erës, të pakthimta e të përzëna në moskurr. Vetëm çirrmat e shpërndara në avadan ndjekin njëra – tjetrën, si hije të paformë, pa shëmbëllim, nëpër shpellën e pafund të etertë.

Ndërkaq ka rinisur ëngjëllisht, diku më tej në degët plim, nëpër tinguj të rizgjuar rishtas dhe mallëngjyshëm, domethënia e një ëndërre të re. Të porsakrijuar, e rrjedhshme, e shkathët dhe e vazhdueshme si flakërimë. E ngrohtë, e dlirtë, e përkitur dhe mishëruar në qënien time me shkëndijëza dhe fërgëllimë. Ku çlirohet një premtim i afërt, pa drojë dhe fluturak, nëpër aureolën e përqëndruar të të epërmes shpresë, si rreth drite. Valëzuar në shpinën e butë dhe të pafajshme të lëndinës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora