| E shtune, 29.09.2012, 09:51 AM |
Bujar
Balliu erdhi në udhën e letrave thjesht e natyrshëm, siç kthehet djali
plangprishës në shtëpinë e vet. Kur studenti i fakultetit të letërsisë në Universitetin
e Tiranës, botonte në shtypin e kohës, me inicialet B.B në rrethet letrare
poezitë e tij u komentuan prurje interesante afër botës së brendshme të njeriut
dhe sentimentit të tij.
Atëherë pakkush
e mori vesh të vërtetën.
Vite më vonë,
tashmë në moshë të pjekur, botoi librin,“Nobel”, përmbledhje dinjitoze me ese
dhe jetëshkrimet e njëqind e shtatë nobelistëve të letërsisë. Vëllimi u prit me
kërshëri nga lexuesit, veçanërisht të rinjtë dhe studentët. U vlerësua nga njohës
të rrjedhave letrare e krijuesit. I erdhën
përgëzime
nga pena të njohura, shumë syresh e quajtën koleg.
Libri i
radhës, eseja e gjatë “Hapësirat rrallohen prej dhimbjes” ngërthen vështrimin
filozofik të shkrimtarit mbi dukuritë e sotme në fushën e letrave.
Ndër të tjera
kredon e tij letrare:
“Të shkruash…
Intrigë si
droga, kumari, zhbirim në hapësirat e shpirtit të së djeshmes e të sotmes. I
vetmi shpërblim, lexuesit, të bëjnë të mendosh se shkrimësia nuk është dhe aq
marrëzi. Do të doja që të mos thahen nga erërat e kohës…”
Herët a
vonë në jetën e një shkrimtari vjen koha kur ai dyshon për ato që ka bërë, por
sidomos për ato që nuk i ka bërë. Të shkruash është të punosh. Kur një piktor e
ngrys ditën duke menduar për pikturën, ai nuk pikturon më.
Kurorëzim
i dyshimeve të gjata dhe nevojës për të derdhur në letër brengat, që e mundojnë
prej kohësh, vjen vëllimi me tregime “Heremit”. Copëza të shumta
impresionesh,mbresa të afërta dhe të largëta, ngecur diku në thellësi të kujtesës,
vërshojnë të paprekura nga dhuna e harresës nëpër
vite. Shumë nga prozat e këtij vëllimi kanë qenë të gatshme, formësuar nëpër kohën e thinjur, përgjumur thellë nënvetëdijes, përpara se të vendoste të botojë libra.