E premte, 29.03.2024, 02:01 AM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Bisedë me Prof. Asoc. Republika Çulli

E shtune, 29.09.2012, 11:53 AM


Letërsia më ka pasuruar vazhdimisht jetën…

Bisedë me Prof.Asoc. Republika Zeka Çulli

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Prof. Asoc. Republika Zeka Çulli është një ndër gratë e shquara intelektuale shqiptare.   Prof. Çulli është me origjinë nga Arrëz e Madhe e Tepelenës.  Me punën e saj këmbëngulëse dhe inteligjente ka arritur që të jetë profesore e Letërsisë në Universitetin “Eqrem Çabej” ne Gjirokastër.  Edhe pse ka qenë një rrugë jo e lehtë për të fituar titullin e lartë Profesore në botën akademike, profesoresha ja arriti me zotësi dhe dinjitet për t’u ngjitur në mediume, për të dhënë leksione në audiotoret universitare ku ka fituar repsektin dhe dashurinë e studentëve dhe të kolegëve të saj.

Puna e saj shkencore është tejet e pasur por ne po japim vetëm disa nga kumtesat që ka mbajtur në evenimente ndërkombëtare:

1. For one europian  dimention on the teacher training in Albania. [Për një dimension evropian në përgatitjen e mësuesve në Shqipëri] (rreth përvojës së sistemit arsimor në Hollandë dhe mundësive të zbatimit të saj në Shqipëri), anglisht, mbajtur në stafin drejtues të Roehampton Institut, Rotterdam, tetor 1996, me bashkautorë: R.Çulli – Gjirokastër, A.Ballhysa – Elbasan, L.Shllaku – Shkodër.

2. Some problems in teacher training at our university (Disa probleme në përgatitjen e mësuesve në Universitetin tone) mbajtur në sesionin shkencor të Universitetit të Gjirokastrës, Elbasanit dhe Shkodrës, organizuar në Shkodër pas përfundimit të projektit Tempus JEP 09763, qershor 1998.)

3. Dukuri strukturore në diptikun romanor: “Vajza e Agamemnonit” dhe “Pasardhësi”, mbajtur në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Ismail Kadareja dhe vepra e tij” maj 2006.

4. Refleksione rreth ciklit poetik “Dhimbjet e karvanit”te vellimit “Pelegrini I vonuar”te D.Agollit, ne Konferencen Shkencore Nderkombetare te universitetit “Eqrem Cabej”, tetor 2011.

Profesore Çulli, ju jeni me origjinë nga Arrëz e Madhe e Tepelenës, mund të na thoni dicka për origjinën tuaj dhe si i keni mbajtur lidhjet me traditën e bukur të atij vendi aq piktoresk si dhe me intelektualë të tjerë, që fatmirësisht janë disa?

Faleminderit, zonja Kozeta, që më dhatë mundësinë të komunikoj me një auditor të veçantë për mua ne USA, pasi aty kam edhe djalin tim student, me bashkatdhetaret e mi, lexues të gazetave, dëgjues dhe ndjekës të Alba Life në New York.  Eshtë e vërtetë që babai im ka qenë nga fshati Arrëz e Madhe e Tepelenës dhe aty janë rrënjët e mia.  Ndërsa unë vetë jam lindur, arsimuar dhe rritur në qytetin e Gjirokastrës.  Pasi mbarova këtu  gjimnazin "Asim Zeneli" ndoqa studimet në Fakultetin Histori- Filologji në Tiranë, dega gjuhë letërsi shqipe.  Më pas gjithë jeta ime ka rrjedhur në Gjirokastër.  Kështu që në karakterin dhe formimin tim kanë ndikuar sa tradita familjare, aq edhe tradita dhe kultura gjirokastrite.  Arrëza e Madhe është gjithmonë brenda meje si një kujtim i bukur i fëminisë, me natyrën e mrekullueshme dhe Ujin e Ftohtë të Gurrës që të ngrinte duart, vecanërisht me njerëzit e thjeshtë, punëtorë dhe shumë mikpritës.  Gjirokastra dhe sidomos universiteti yne, duke qenë shumë afër me Tepelenën, i ka patur të vazhdueshme lidhjet me këtë qytet të vogël, por plot kulturë dhe fisnikëri, nëpërmjet veprimtarive shkencore të zhvilluara. Unë jam krenare që një pjesë e mirë e pedagogëve, që japin mësim në auditoret e universitetit tonë, janë nga Tepelena dhe na nderojnë me nivelin dhe përgatitjen e tyre akademike.

Ju keni mbrojtur doktoraturën me studimin kritik që keni bërë për shkrimtarin e shquar Sterjo Spasse, cilat janë disa nga mbresat tuaja për këtë material shkencor?

Shkrimtari Sterjo Spasse është një nga shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe.  Merita kryesore e tij është se ishte i pari që i hapi rrugën romanit social në gjuhën shqipe, me romanin” Pse?!”, duke bërë hopin cilësor të kalimit të romanit shqiptar prej fazës sentimentale në atë realiste sociale duke i dhënë  prozës shqipe një frymëmarrje të thellë shoqërore e filozofike, që i kishte munguar plotësisht  në të shkuarën.

Ai emancipoi dhe revolucionarizoi kështu romanin shqiptar, që deri atëhere kishte mbetur në kuadrin e një përmbajtjeje historike, nacionale e zakonore, me tematike nga e kaluara.  Menjëherë pas botimit të këtij romani do të pasonin romane të tjerë me përmbajtje të fuqishme sociale dhe me tematikë aktuale, si “ Sikur të isha djalë” e H.Stermillit, “ Gremina e dashurisë “ e M.Greblleshit etj.

Qoftë edhe vetëm për këtë, S.Spasse  duhet të zërë një vend të veçantë në panteonin e letërsisë shqipe.  Paradoksi më i madh ishte që kjo vepër nuk u përfshi në botimin e veprës së plote të autorit më1980.

Klima politike dhe kulturore e kohës la gjurmët  e veta në këtë krijim rinor të shkrimtarit, që ishte vetem 23 vjeç kur e shkroi.  Në vepër reflektohen ndikime të fuqishme botëkuptimore, filozofike e stilistike nga rrjedha e traditave më të fuqishme europiane: nga mendimi filozofik i antikitetit grek, nga pesimizmi filozofik i Shopenhaurit, nga  dilemat, vuajtjet dhe fundi tragjik i Verterit të ri, të cilin Gëtja e kishte shkruar gjithashtu në moshën 24 vjeçare, nga stili i Niçes në veprën “ Kështu foli Zarathustra”, nga konceptet dhe botëperceptimi për shoqërinëtë heroit kryesor të romanit të L. Tolstoit “Sonata e Krojcerit”, etj...

Në këtë veper, për herë të parë në prozën e gjatë shqipe, artikulohen në gjerësi dhe thellësi probleme të natyrës ontologjike (Ç’është qenia, uni, raporti me botën etj), të natyrës obsesive (vetmia, vdekja, impulset instiktive, trysnia e kodit moral kolektiv, opozicioni me kolektivitetin etj), të natyrës ekzistenciale, që do të shpërthenin më fuqishëm se kurrë nga fundi i Lufës së Dytë botërore në Veprën “Ekzistencializmi është humanizem” të ZH.P.Sartrit ( c’është liria idividuale, liria si perspektivë, dashuria rinore, e vërteta dhe si fitohet ajo, domosdoshmëria për një lëvizje mendore) etj.

Për gjykimin tim, pikërisht për shkak të kontektstit historik kur u shkrua dhe në mungesë të kufizimeve  arbitrare që iu vunë krijuesit në procesin e tij krijues të mëvonshëm, në rrjedhën e letërsisë socrealiste, ky roman mbetet romani më i mirë i tij. Natyrisht që nuk mund të mohoet kontributi i tij me dhjetë romanet e tjerë që botoi me pas:”Afërdita”,”Ata nuk ishin vetëm”,”Afërdita përsëri në fshat”,”Buzëliqenit”,”Zjarre”,”Zgjimi”,’’Pishtar ë”,”Ja vdekje ja liri”,”Kryengritësit” dhe “O sot, o kurrë”.  Këto vepra konsoliduan realizmin në letërsinë shqipe, konturuan fizionominë e romanit të ri shqiptar të pasluftës dhe janë pasqyrë dhe dokument artistik i një epoke të caktuar historike dhe letrare të vendit tonë.  Ato kanë vlerën e pakontestueshme si dëshmi e nje procesi letrar, që pati vlerat dhe kufizimet e saj, të cilat hyjnë në trashegiminë tone letrare të së kaluarës.

Keni pasur rastin të takoheni me të afërm të shkrimtarit Sterjo

Spasse?

Po, jam takuar me djalin e shkrimtarit, Ilindenin,i cili më ka ndihmuar jashtëmase me kujtimet për të atin.  Përfitoj nga rasti ta falenderoj edhe një herë për gatishmerinë dhe mirësjelljen e jashtëzakonshme.  Sinqerisht, unë shihja tek Ilindeni modelin e përkryer të njeriut, intelektualit dhe krijuesit të atit të tij.  Një ndihmë shumë e madhe në aspektin biografik ka qenë monografia e tij,”Im atë, Sterjo” e shkruar me aq dashuri e përkushtim.

Ju keni pothuajse një jetë që jepni mësim në Universitet, cilat janë disa nga magjitë e profesionit të mësuesisë?

Edhe ju jeni mësuese, prandaj dhe flisni për magjitë e këtij profesioni.  Unë e kam ushtruar pa ndërprerje mësuesinë, që kur përfundova studimet universitare, për rreth katër dekada. Duken kaq shumë vjet, por unë nuk jam lodhur kurrë së dhëni mësim dhe cdo orë mësimi për mua ka qenë plot frymëzim dhe energji të reja.  Kjo ka ndodhur, sepse ndoqa pasionin tim qysh në zgjedhjen e degës për studime universitare në radhë të parë, por edhe për shkak të faktit të rastësishëm jetësor, që i ngjita shkallët e profesionit gradualisht,duke dhënë mësim në shkollën 8- vjeçare, të mesme dhe së fundi në shkollën e lartë.  Magjitë e këtij profesioni janë të dyanshme dhe të pandashme: nxënësit dhe disiplina që kam zhvilluar.  Kam eksploruar vazhdimisht botën e fëmijëve dhe të të rinjve, ku kam gjetur, zbuluar dhe zhvilluar vlera morale dhe intelektuale, në një proces të ndërsjelltë marrjeje dhe dhënieje.  Kam marrë shumë nga sensibiliteti dhe rinia e studentëve.  Ndërsa disiplinat: gjuha shqipe dhe veçanërisht letërsia, sic dihet, janë të ngjizura në vetvete me magjinë e artit.  Letërsia më ka pasuruar vazhdimisht jetën me një dimension të fuqishëm shpirtëror, që i jep analizave dhe interpretimeve të mia më shumë ndjenjë e pasion gjatë mësimdhënies.

A janë studentët të interesuar në leximin dhe interpretimin e Letërsisë Perëndimore, po të traditës?

Studentët janë shumë të interesuar për njohjen e letërsisë perëndimore.  Ndërsa në lidhje me letërsinë shqipe preferojnë  të lexojnë autorë bashkëkohorë më shumë nga autorë të traditës dhe kjo është normale, se kjo letërsi përgjithësisht është më pranë realitetit aktual dhe problemeve jetike me të cilat ata përballen.

Si i inkurajoni dhe evidentoni studentët që kanë prirje për të shkruajtur dhe për studime shkencore?

Nuk është vështirë të dallosh këto kategori studentësh, përmes detyrave të kursit apo në seminare.  Me këta studentë natyrisht që bëhet një punë e diferencuar.  Përsa i përket krijimtarisë letrare të studentëve ajo është më pak e dukshme dhe e kapshme, sepse është një veprimtari intime dhe subjektive.  Në rastet kur studenti kërkon ndihmë, çdo pedagog është i gatshëm t’i bëjë sugjerimet e duhura për çdo krijim të tij. Ndërsa studentët me prirje për studime shkencore angazhohen në veprimtaritë shkencore të departamentit të gjuhës dhe letërsisë ose në asistencë të punimeve të ndryshme të pedagogëve sipas prirjeve të tyre.

Ku i publikojnë studentët tuaj materialet shkencore dhe krijuese?

Universiteti ynë boton disa buletine apo revista shkencore mbi bazë fakultetesh.    Edhe fakulteti ynë ka nje të tillë ku edhe studentët mund të botojnë punimet e tyre shkencore, të cilat përgjithësisht janë në bashkëpunim me pedagogët.  Përsa i përket krijimeve letrare, nuk kemi një organ të tillë, pasi dhe numri i studentëve me talent të mirëfilltë krijues letrar është i vogël.

Si i shikoni programet mësimore, janë të përshtatshme për kulturën e studentëve?

Në periudhën e demokracisë janë bërë ndryshime shumë të mëdha në curriculat e degës sonë.  Është rritur numri i disiplinave mësimore dhe janë pasuruar gjithashtu programet mësimore.  Studenti pajiset me njohuri filologjike të afërta me ato të studentëve të universiteteve evropiane.  Një ndihmë shumë të madhe kanë dhënë në këtë drejtim programet e BE për kualifikimin e pedagogëve, përmes bursave në universitetet më të mira të Evropës, si p.sh ato të programit TEMPUS, që i kanë përfituar pothuaj të gjithë pedagogët.

Sa vend zë disidenca e letërsisë në programet mësimore dhe a ka vend për më shumë?

Përfshirja e autorëve disidentë, si dhe e autorëve të mohuar dhe anatemuar në diktaturë, në programet tona mësimore ka qenë përparësi e punës sonë qysh në vitet e para të demokracisë.  Natyrisht që ky është një proces permanent që është performuar çdo vit e më mirë, përmes një njohjeje dhe analize më të thelluar, e kushtëzuar nga botimet dhe publikimet e veprës së tyre.  Disa nga këta autorë kanë qenë gjithashtu objekt i veprimtarive tona kërkimore shkencore.

Janë hequr vepra të shkrimtarëve padrejtësisht nga programet mësimore si pasojë e ndikimeve politike dhe, në se po, si mund të evitohen?

Kjo gjë nuk mund të ndodhe kurrë në universitete, ndërsa mund të ketë reminishenca të këtij fenomeni në programet e sistemit parauniversitar, programet e të cilit hartohen nga Ministria e Arsimit, që nuk mund t’i shmangë plotësisht ngjyrat politike, edhe pse sistemi arsimor është i depolitizuar.  Kështu mund të prishet raporti i vendit që zënë në këto programe autorë të ndryshëm nga një këndveshtrim apriori politik.  Në universitete kemi liri dhe pavarësi të plotë akademike, kështu që çdo pedagog i harton vetë programet e lëndëve dhe më pas miratohen në departamentin përkatës.  Ministria vendos parametrat thelbësore dhe unike për gjithë universitetet në lidhje me ngarkesën e përgjithshme të studentëve.  Duhet të theksoj që kriteri bazë i Departamentit të letersise është ai i vlerave estetike- letrare të veprave të autorëve të ndryshëm.

Sa ka ndikuar Gjirokastra si një qytet antik në botëkuptimin tuaj si profesore e Letërsisë?

Sikundër e thashë edhe në fillim, Gjirokastra ka ndikuar shumë në prirjet e mia, në pasionin tim për letërsinë.  Po ju them një hollesi mjaft domethënëse ne lidhje me këtë. Kur mbarova gjimnazin,mesuesi im i kimisë, i ndjeri prof. Vaso Bilushi, që ishte edhe drejtori i shkollës duke parë ecurine time shumë të mire në lëndën e tij, më thirri në drejtori dhe më këshilloi të ndiqja studimet për mjekësi.  Unë këmbëngula në kërkesën time.  Më pas pasioni i letërsisë u ndoq edhe nga pasioni i mësuesisë.  Kjo më ka bërë të ndjehem e realizuar në profesionin tim.

Si e vlerësoni shkrimtarin Kadare dhe a ka polemika brenda seminareve që organizoni me studentët?

Kadareja është gjeniu i letrave shqipe dhe kontributi më i madh i kombit tonë në universin letrar botëror.  Këtë e pohojnë gjithë kritikët që janë marrë me veprën e tij, të përkthyer në më shumës e 40 gjuhë të huaja, duke e përqasur me shkrimtarë të mëdhenj si: Markezi, Xhojsi, Prusti, Kafka, Orwell etj.  Në veprën e tij materializohet artistikisht sa idenditeti kombëtar, aq edhe ai universal ballkaniko-europian, me shtresimet arkaike mitiko- legjendare, si edhe me traditat më të mira përkatëse letrare. Ai ka reflektuar jo vetëm talentin e lindur  artistik të mishëruar në një korpus jo të zakonshëm krijues, që e ka bërë autorin disa herë objekt diskutimi për çmimin Nobel, por edhe një maturi e pjekuri me qëndrimet e veta në situata kritike për Kombin tonë.  Gjithë vepra e tij shpreh në mënyra të ndryshme dhe me gjuhën e artit një tonalitet të fuqishëm demokratik.  Patosi i lirisë është në themel të frymëzimit për çdo vepër të tij. Forca dhe densiteti i kësaj frymëmarrje natyrisht që është e ndryshme në dy etapat e krijimtarisë së tij, në diktaturë dhe në demokraci.  Në diktaturë  ajo shprehet e kamufluar dhe në mënyrë parabolike, përmes subjekteve kryesisht historike, ndërsa në demokraci ajo pëlcet fuqishem dhe ritmikisht në cdo vepër, në një menyrë shumë të rafinuar, të veshur përsëri me gjuhën mjeshtërore artistike të simbolit.  Me krijimtarinë e tij, ai ka ndikuar në ngjizjen shpirtërore të bashkatdhetareve me dashurinë për liri e demokraci dhe kundër diktaturës. Më të fuqishmet në këtë ndikim kanë qenë “Përbindëshi”, “Pashallëqet e mëdha”, “Pallati i ëndrrave “,”Qorrfermani”.   Ndërsa në veprat e shkruara pas ndryshimeve demokratike subjektet zhvendosen në kohët moderne, por autori nuk heq dorë nga magma antike mitiko-legjendare, që zjen vrullshëm e tashmë me hapësira të pafundme brenda tyre.  Do të veçoja këtu, për forcën e patosit të Lirisë, romanet “S.P.I.R.I.T.U.S”,”Shkaba”,” Lulet e ftohta të marsit”,”Përballë pasqyrës së një gruaje”.

Studentët mund të them që kane një interesim të jashtëzakonshëm për veprat letrare të Kadaresë.  Por duhet të pohoj gjithashtu se kanë edhe vështirësi në kapjen dhe zbërthimin e mesazhit të disa prej veprave tëtij, në krahasim me veprat e autorëve të tjerë shqiptarë, për shkak të fuqisë abstraguese kulturore dhe artistike të vepres së tij. Me gjithë këtë është një kënaqësi e veçantë të orientosh studentët në zbulimin dhe qartësimin e labirintheve të universit letrar Kadarejan.

Ju faleminderit Profesore Culli!

Ju faleminderit ju znj. Zylo dhe gjithë bashkatdhetareve që do më lexojnë.

Shtator, 2012

Staten Island, New York



(Vota: 7 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora