E premte, 29.03.2024, 09:47 AM (GMT)

Kulturë

Mit'hat Frashëri: Të shprehim nga vehtja jonë

E shtune, 29.09.2012, 09:37 AM


MIT’HAT FRASHËRI (LUMO SKENDO) 1879 – 1949

Gjuha e pastër dhe e pasun, stili i përkryem e poaq i thjeshtë, mençuria e një pinjolli të dijtun i familjes së Frashërllijëve, vlejnë edhe sot. - Daniel Gàzulli

TË SHPREHIM VETËM NGA VEHTJA E JONË

Në këto faqe të vogla  duke kuvenduar me vëllezërit e mij, duke qarë hallet t’anë, gjithnjë kam patur në mënt një gjë : Të përpiqemi që të përmirësojmë vetijat t’ona, të ndreqim të metat t’ona, të lartësohemi dhe të përparojmë vetëm me përpjekjet t’ona.

Të tjerë – dhe të shumtë – kanë mbledhur gjithë kujdesin e tyre në të zbuluar dhe në të numruar fajet e të tjerëvet, të këqijat dhe të padrejtat që na bëhen prej të huajet. Edhe kanë thirur, edhe kanë qarë.

Edhe ne fort mirë i shohim të këqijat që na punojnë të huajtë, fort kulluar na radhitet përpara syvet vargu i ligësivet që na vijnë prej tyre. Po këto të këqija dhe të liga janë aq të shumta sa duam gjithnjë të gjejmë një gjë dhe një shkak më të fjeshtë, dhe rrahim të kërkojmë të metat që kemi ne vetë.

Më duket se çdo gjë ndreqet kur të ndreqemi ne vetë ; çdo së lige i pritën krahët kur të ndreqim të metat t’ona ; çdo së keqje së huaj i pritën këmbët kur të bëhemi ne vetë të zotërit që të mprojmë të drejtat t’ona; që t’u kundërqëndrojmë.

Shëmbëlla ësht : e dijmë që moti na sjell shi, dëborë, breshër, erë edhe shtërngatë ; a ësht mirë që të qahemi nga këto të këqija, a po duhet që të ndreqim pullasin dhe dritoret e shtëpisë ?   -  E dijmë që lumi del, na mbyt arën, na mbush me uj dhe baltë oborë : a duhet që të qajmë dhe të thërresim, a po të bëjmë ledhe e hendekë ?

Me fjalë të tjera : a ësht nevojë që të ndreqim njerëzit e tjerë, a po të ndreqemi vetë ? Kur kemi shumë armiq, kur janë shumë njerës që na bienë në qafë, a ësht më mirë që t’u lidhim duart e këmbët, a po të forcohemi ne vetë dhe të bëjmë botën që të na trëmbet e të na nderojë ?

Edhe kështu kam qenë gjithnjë në mendim që duhet të kërkojmë, të gjejmë dhe të shohim të metat dhe fajet t’ona, t’i zbulojmë në shesh, të hapim syt, të mejtohemi dhe të ndreqemi. Fuqinë duhet t’a kemi brënda ndër ne, në shpirt, në vetijat, në mendimet t’ona ; duhet të kemi karakter dhe vullnetin të fort, gjykimin të drejtë që të mundim të rrojmë në këtë  shesh lufte të jetës, pa frikë se mos na rrëzojnë mbërdhe bota, pa u ndrojtur se mos një çilimi i dobët a një armik i fort të vijë dhe të na vërë ndalime mbi udhët, të na dobëtojë dhe të na poshtërojë.

Sa gjë e madhe, sa gaz shpirti ësht për njerinë të jet’ i fort dhe të ketë besim te veht’ e tij? A kini parë kurr, kur shkon një qen bariu i fort në rrugët e një qyteti, qysh i mblidhen qent e mëhallës rreth e rrotull dhe i lehin ? Po atë a e keni parë me sa madhështi ecën, dhe qysh as përulet fare që t’i shikojë. Ashtu ësht edhe njeriu i fort, kombi i fort, fuqija lëndore e morale i shtërngon armiqtë që t’a nderojnë, t’i trëmben, të mos i qasen dhe të mos e trazojnë.

Njeriu me të vërtetë në këtë jetë s’mund që të ketë besim veç se në fuqi të tij. Në daçim që të mos përbuzemi, të mos vuajmë dhe të mos vdesim, duhet që të jemi të fortë, të kemi mjaft fuqi për të prapsur rreziqet dhe kundërshtimet.

Le të jemi më të kthjelltë. Shpëtimin t’ënë t’a presim nga vehtëja e jonë, si një pemë të përmirësimit dhe të naltësimit t’ënë, një pemë që të vijë vetiu, me djersët, me përpjekjet dhe me dëshirat t’ona. Kjo ësht për ne mënyra më e drejtë, udha më e sigurtë, shpëtimi më i nderçim.

 

(Nxjerrë nga “Libër Leximi”, për Shkolla të Mjesme, Shkodër 1920, fq. 82-83)

Shënim: Kam ruejtë drejtshkrimin origjinal.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora