E premte, 29.03.2024, 03:28 PM (GMT)

Faleminderit

Xhelal Marku: Nikoll Pjetër Doçi

E premte, 28.09.2012, 05:18 PM


NIKOLL  PJETËR  DOÇI – figurë e njohur dhe e respektuar e arsimit në Mirditë

Nga Xhelal Marku

Historia e arsimit në Mirditë ka gëdhendur plot emra mësuesish, që me punën e tyre të përkushtuar e pasionante kanë lënë gjurmë në memorien kombëtare të shkollimit shqip. Ajo, tashmë është kthyer deri në një simbolikë të arsimit në vend, me emrin e Mësuesit të Popullit – Ndrecë Ndue Gjoka, që sakrifikoi dhe jetën për arsimimin e mirditasve të vet. U vra Ndreca, por nuk mund të vritej dëshira e madhe për kulturë e dije e mbarë brezave mirditorë, që të ardhmen e tyre e shikonin vetëm përmes shkollimit e dijes. Kështu nisi me krisma historia e arsimit në rrethin e Mirditës në vitet 40-të të shekullit të kaluar, e cila sot mban në ballinën e saj emrat më të spikatur të mësuesve të palodhur e të përkushtuar të Krahinës në vite, si: Fran Zef Ndoci, Gjergj Gjurra, Simon Prendi, Nikoll Rada, Zef Përndoj, Preng Pepa, Ndue Gjoci, Ndue Skana, Preng Nikoll Gjoka, Preng Filopati, Bardhok Luka, Zef Gjokë Doda, Mark Arapi, Frrok Bazhella, Pal Kuka, Nikoll Toma, Margjela Lleshi, Mark Kalaj, Dedë Mark Prenga, etj, etj..., që përmes vështirësive të mëdha të kohës: edhe në kushtet pa shkolla, pa libra, pa fletore, pa lapsa e pa shkumsa,  hodhën dhe konsoliduan themelet e historisë së arsimit në Mirditë. Ata i frymëzoi dhe i fisnikëroi akti heroik i birit arsimdashës të Krahinës së tyre – Ndrecë Ndue Gjoka, në rrugën e të cilit ecën, duke i dhënë zë e ritëm shkollës shqipe në Mirditë, që u rrit dhe hodhi shtat hap pas hapi, përmes vështirësive të panumërta. Me këtë frymë atdhetarie, përkushtimi e pasioni iu fut profesionit të bukur e të vështirë të mësuesisë edhe mësuesi Nikoll Pjetër Doçi nga fshati Kodër-Spaç i rrethit të Mirditës, i cili i përket plejadës së parë e më të respektuar të arsimtarëve të këtij rrethi.

Ai për 40 vjet me radhë, në mbi 30 shkolla, nuk reshti së punuari me dëshirën e zjarrtë të pasionit dhe vullnetin e përkushtimit për arsimimin e mbarë brezave mirditorë në të gjithë rrethin. Madje kontributi i tij i mësimdhënies njihet edhe në rrethet e tjera fqinj, si në: Kukës, Pukë e Lezhë, ku banorët vendas dhe ish nxënësit e tij, ruajnë mbresa e kujtime të veçanta për këtë figurë të njohur e të respektuar të arsimit në Mirditë. Dhe nuk janë pak, por mbi katër mijë nxënës e nxënëse, që ka kaluar nëpër duart e tij si mësues, gjatë katër dekadave të mësimdhënies në shkolla. Sot Nikolla është në pension pleqërie dhe gëzon respektin e brezave, që edukoi e arsimoi vetë, por dhe të krejt komunitetit, që e ka njohur atë në punën si mësues dhe për vlerat e tij njerëzore, si një banorë që ruan e kultivon tek familja dhe shoqëria traditat më të mira të mirditorit: bujarinë, mikpritjen e besnikërinë. Ai, me gjithë se ka dalë në pension qysh në vitin 1986, përsëri vazhdon të bëjë një jetë mjaft aktive e të dobishme në edukimin e brezave me virtytet më të larta të malsorit.

- “ Ishte kënaqësi për mua, thotë Nikoll Doçi, që pensioni më gjeti mësues në fshatin tim të lindjes, në Spaç. Unë e dua shumë fshatin, sepse këtu kam lindur dhe këtu kam kaluar një jetë me miq e me shoqëri, që nuk i harroj kurrë, por njëkohësisht jam i lumtur që m`u dha mundësia të shijoj edhe “ frutet “ e një jete më të mirë, që na mundësoi lëvizja e lirë pas viteve `90-të. Kjo është një gjë e madhe, që unë e kam ëndërruar prej kohësh, sepse ajo sjell progres e zhvillim të paparë, ashtu siç dhe ka ndodhur në këto vite të demokracisë tek ne. Ndaj t`i gëzojmë këto të mira, që kemi krijuar me duart tona dhe në një kohë rekord; veç më vjen keq për moshën time, që më duket se më iku shpejt dhe në kohën kur kisha nevojë për ta shijuar më shumë atë...- shprehet me një buzëqeshje të lehtë  ai”.

Nikolla sot është 85 vjeç, por i shkathtë dhe energjik si të ishte 50-vjeçar, me një fizik të lakmueshëm dhe mjaft aktiv në shoqëri e në familje. Madje, siç na thanë fëmijtë e tij, ai punon njëlloj sikur të ishte në punë, pra 8 orë në ditë, lexon ose shkruan kujtimet e tij në ditaret e jetës. Ne e gjetëm atë në shtëpi, duke punuar mbi letrat e tij, ku na prezantoi volume të tëra dorëshkrimesh me kujtime të hedhura në vite dhe që po i pasuron ato çdo ditë, me mbresat nga jeta dhe veprimtaritë e tij të shumta. Por, më e lakmueshme tek Nikolla është padyshim kujtesa e tij perfekte për gjithshka, një kujtesë, që do ta kishte zili edhe një i ri në ditët e sotme. Tek bisedon me të, ai të shpalos tërë historinë 40 e sa vjeçare të arsimit në Mirditë, madje të mahnit me faktin se mban mend shumicën e  emrave të ish nxënësve të tij, disa prej të cilëve sot janë të moshuar, pra i kanë kaluar të 70-tat. Dhe ja, duke kujtuar emrat e ish nxënësve të tij në vite, Nikolla ka gjetur dhe disa nga  adresat e tyre, madje ka  ndërmarrë dhe udhëtime enkas për t`u takuar me `ta. Gjergji – djali i tij i madh, që punon aktor në Teatrin e Durrësit, thotë se ishte inisiativa dhe këmbëngulja e babait, që ne e shoqëruam atë në një udhëtim drejt fshatrave: Ujmisht e Buzëmadhe të Kukësit, ku ai ka nisur karierën e tij të mësuesisë. Ishte një udhëtim i gjatë, por dhe mbresëlënës, pasi iu realizua dëshira e tij e vjetër për t`u takuar me disa nga ish nxënësit e tij të këtyre fshatrave. Ishte një udhëtim surprizë i mësues Nikollës, që ngjalli emocione dhe interes të veçantë edhe tek banorët e të gjithë moshave të këtij komuniteti me tradita të njohura bujarie e mikpritjeje në rrethin e Kukësit. Ndaj, ata sapo e panë mysafirin të zbriste nga makina, iu afruan me shumë dashuri e mirënjohje dhe sipas traditës, e ftuan atë në shtëpitë e tyre, me fjalën e njohur të mikpritjes: “ Bujrum or mik “!

Tek takoheshin e pyeteshin me njëri-tjetrin, ata u njohën me ish mësuesin e fshatit të tyre dhe kujtuan shumë detaje nga shkolla e at`hershme, por dhe shkëmbyen informacionin e munguar të shumë viteve, për këtë zonë të thellë e tepër malore të Kukësit. Atëherë ishte dimër në Buzëmadhe dhe bënte ftohtë, por banorët vendas e ftuan mësuesin për një piknik gjatë verës 2011 në Bjeshkët e tyre, një ftesë, që mësues Nikolla e priti me shumë kënaqësi, duke u përgjigjur me shprehjen mirënjohëse: “ Do përpiqen të jem përsëri midis jush, sepse këtu në Buzëmadhe m`u duk sikur u rinova, si atëherë kur isha mësues 20 vjeçar”.

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë, që mësuesit pasi largoheshin të ktheheshin përsëri në fshat dhe aq më tepër vetëm për të parë shkollën, fshatin dhe për të takuar banorët e tij dhe ish nxënësit e tij, pas 64 vitesh. Një gjë e rrallë kjo, që para së gjithash, flet për lidhjet e forta të Nikollës me profesionin, flet për përkushtimin dhe pasionin e tij të veçantë si mësues, që për edukimin dhe shkollimin e brezave, punoi një jetë të tërë me ndëgjegje të lartë, por dhe me nivel shkencor e pedagogjik. Ndaj e mirëpresin dhe e respektojnë të gjithë brezat, sepse ka lënë gjurmë, ka bërë emër me punën e tij të mësuesisë në vite.

Si lindi pasioni i mësuesisë tek Nikolla ?

Ishte vetëm 21 vjeç Nikolla, atëherë kur nisi rrugën e bukur e të vështirë të mësuesisë, për të cilën siç tregon me gojën e tij, kishte ëndërruar që në fëmijëri. Drejt këtij qëllimi, atë e shtyu edhe babai i tij arsimdashës – Pjetri, e sidomos xhaxhai i tij – Lleshi me të birin – Doda, që ishin të arsimuar dhe që reflektonin kulturë në çdo veprim të tyre, por ndikoi gjithashtu dhe emri i Mësuesit të Popullit – Ndrecë Ndue Gjoka, që bëri epokë në historinë e arsimit në Mirditë e më gjërë. Vetë Nikolla e kishte parë atë me pushkë në krahë, duke ecur fshat më fshat nëpër Mirditë. Ky është mësues Ndreca i kishin thënë më të mëdhenjtë dhe ai e kishte përcjellë me shumë vëmendje portretin e tij të veçantë, i cili mbante gjithnjë armën me vete, në çdo shtegëtim. Rruga e Nikollës për t`u bërë mësues, ka një histori më vete. Ajo ka kaluar përmes një kalvari vështirësish e provash, ku Nikolla me përkushtimin dhe vullnetin e tij të hekurt, arriti t`ia dalë mbanë, duke u ngjitur nga hiçi në nivelet më të larta të kualifikimit si mësues. Tre vjet të shkollës fillore në vitet 1937-1940, ai i mbaroi në Orosh, në Konviktin Mirdita dhe dy vjet të tjera u desh t`i mbaronte në Irzniç të Gjakovës me kryemësues Zef Vorf  Nekajn, pasi shkolla e Oroshit u mbyll. Në vitin 1947, Nikolla filloi kursin e tretë pedagogjik 6-mujor në Shkodër me kryemësues Shaban Arrën, i cili për nevoja emergjence të çeljes së shkollave u shkurtua në pesë muaj. Nga ky kurs, ai u pajis me një dëshmi për ushtrimin e detyrës së mësuesit në provë në shkollat fillore. Sapo mori këtë dokument, Nikolla emërohet mësues në shkollën fillore të Ujmishtit në rrethin e Kukësit, më 6 Nëntor 1947. Kjo është një datë historike për Nikollën në rrugën e bukur e të vështirë të profesionit të mësuesit, për të cilin ai investoi e kontribuoi aq shumë në vite. Ndaj, Ujmishti ka mbetur si emri më i dashur dhe më i veçanti i fshatrave, ku Nikolla ka punuar si mësues përgjat katër dekadave. Këtu, ai krahas punës, vazhdoi pandërprerje kualifikimet e tij në profesionin e mësuesisë: klasën e gjashtë e mbaroi me korrespondencë në Kukës dhe klasën e shtatë në Lezhë me rezultate shumë të mira. Në vitet 1956-1957, përgjat dy vjetëve, Nikolla lë punën e mësuesisë, për të kryer një kualifikim intensiv në shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit, e njohur me emrin: “ Normalja e Elbasanit “. Dy vitet e tjera të shkollës së mesme pedagogjike, ai i kreu me korrespondencë në Shkollën e Mesme Pedagogjike “ Shejnaze Juka “në qytetin e Shkodrës. Pas diplomimit të tij me titullin: “ Mësues për shkollat fillore”, në vitin 1960, Nikolla regjistrohet për studime edhe në Institutin e Lartë Pedagogjik “ Luigj Gurakuqi “ Shkodër, në degën: Gjuhë- Letërsi-Histori, me korrespondencë, të cilin e mbaroi në vitin 1963, ku u diplomua me titullin: “ Mësues i gjuhës, letërsisë dhe historisë për shkollat 8-vjeçare. Me këtë kualifikim, Nikolla ia arriti qëllimit të tij të kualifikimit në rrugën e mësuesisë.  Madje pasioni për mësuesinë e bëri atë edhe eksponent të arsimit në Mirditë, ku rrjeshtohej mes më të mirëve të asaj periudhe. Dy herë i dekoruar si mësues për rezultate të larta e të qëndrueshme në vite, janë një tregues i qartë e domethënës për punën e tij. Kështu u ngjit mësuesi Nikoll Pjetër Doçi, hap pas hapi, deri sa në vitin 1963 mbaroi studimet e larta në degën gjuhë-letërsi-histori në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, pa shkëputje nga puna. Deri në atë kohë, ai kishte bërë 16 vjet punë si mësues dhe me rezultate shumë të mira. Kualifikimi dhe përvoja, tani iu bënë krahë dhe mbështetje pasionit dhe përkushtimit të tij të veçantë në punën si mësues, ku u dallua për rezultate të larta e të qëndrueshme në klasat dhe shkollat, që ushtroi veprimtarinë e tij të mësimdhënies. Një mësues model i korektesës dhe i nivelit shkencor të mësimdhënies, që edukoi me shembullin e tij në çdo hap të jetës: estetik në veshje, i sjellshëm e tolerant me nxënësit, i palodhur në punët e diferencuara me ta, por dhe shumë kërkues ndaj tyre, kur ishte fjala për përvetësimin e programit mësimor. Dhe, kur diçka nuk shkonte mirë, ai ndalej dhe analizonte shkaqet, përcaktonte metodat dhe mënyrat e mësimdhënies tek nxënësit me nivel më të ultë se klasa, por dhe kërkonte bashkëpunimin me prindërit për mbarëvajtjen e punës në shkollë. “ Mësuesi duhet të jetë gjithmonë figurë para nxënësit”, theksonte shpesh Nikolla, në biseda me kolegët e tij arsimtarë. Ndaj, ai, duhet të edukojë kurdoherë  me shembullin e tij, me sjelljen e tij”. Dhe këtë, mësues Nikolla e zbatonte me korektësinë më të madhe, jo vetëm në shkollë, por dhe jashtë saj, si banorë i fshatit, si prind e kryefamiljar që ishte. A nuk flet qartë për këtë, fakti që ai në familjen e tij, rriti dhe edukoi pesë fëmijë: tre djem dhe dy vajza dhe që të pesë i bëri me arsim të lartë dhe model për sjellje e kulturë në shoqëri  e në komunitet, ku jetojnë e zhvillojnë veprimtarinë e tyre? – Sigurisht, po. Dhe këtë, Nikoll Pjetër Doçi e klasifikon si vazhdimësi të punës së mësuesit, për të qënë figurë e respektuar brenda e jashtë shkollës me punën që bën. Dhe në këtë drejtim, ai vlerëson shumë edhe kontributin e bashkëshortes së tij – Bardhes, e cila, siç thotë Nikolla, gjithë jetën i është gjendur pranë dhe i është bërë krahë e mbështetje, në arritjen e objektivave e të qëllimeve të tij në punë e në jetë.

Një çift ideal në marrëdhëniet e në komunikimin e tyre, megjithse tek Bardhja, Nikolla nuk gjente nivelin e tij të formimit, por gjente gjithnjë gjuhën e mirëkuptimit e të bashkëpunimit korrekt si shokë jete. E kënaqur për jetën në çift me Nikollën përgjat 56 viteve të marrëdhënieve bashkëshortore, Bardhja thotë: “ Unë kam mësuar gjithnjë nga kultura e Nikollës, nga niveli i tij, sepse mes nesh, ka ekzistuar gjithmonë gjuha e mirëkuptimit dhe e respektit reciprok, si ura mbi të cilën ngritëm të ardhmen e familjes tonë, të fëmijëve tanë. Dhe, në këtë drejtim vlerësoj si parësore rolin e Nikollës, që me figurën e tij si mësues edukoi më të mirën edhe tek fëmijtë e vet: Gjergji, Vitorja, Gjoni, Vjollca e Iliri, që të pesë me arsim të lartë dhe me shumë vlerësime në punët e tyre. Faleminderit zotit për këtë dhuratë të madhe që na dha, por dhe për mundin tonë si çift, që nuk na shkoi dëm”.

Biografia, që i ndau pjesëtarët e familjes Doçi

Pjetër Doçi, rriti katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. E para ishte Mrica, pastaj djemtë: Zefi, Prendi dhe më i vogli ishte Nikolla. Që të katër kanë kaluar një jetë të vështirë, por jeta e Mricës ka kaluar përmes një kalvari vuajtjesh e sakrificash të panumërta. Ajo, si i thonë fjalës hoqi të zitë e ullirit, pasi nuk i priu fati i martesës. U martua në fshatin Konaj të Fanit të Mirditës me Ndrecë Nikoll Tucin, të cilit sëmundja i mori jetën shumë shpejt, duke lënë në trashëgiminë e tij vetëm një vajzë – Lizën, që Mrica e rriti me shumë mundime. Në martesën e dytë me Gjon Kukën nga fshati Thirrë po i Fanit, Mrica pati dhe dy fëmijë të tjerë: Markun dhe Gjelinën, që i rriti gjithashtu po me shumë sakrifica, si të ishin jetimë, pasi i shoqi – Gjoni në vitin 1948 u arratis për në Jugosllavi, ku jetoi i vetmuar në Gjakovë deri në Janar të vitit 1981, kohë që shënon dhe vdekjen e tij, pa ia arritur qëllimit që të bashkohej me fëmijtë dhe bashkëshorten - Mrica. Gjoni  nuk krijoi familje tjetër, por i mbajti rregullisht  korrespondencat me fëmijtë dhe Mricën, me dëshirën e mirë, se do të bashkoheshin një ditë. Madje, për të mundësuar arratisjen e gruas dhe të dy fëmijëve të tij, ai ka sakrifikuar shumë, aq sa ka rrezikuar edhe jetën e vet. Për këtë qëllim, Gjoni ka hyrë mbi tre – katër herë në tokën shqiptare,  duke kaluar kufirin, ku është strehuar nëpër shpella e tek të afërmit e familjes dhe miq të besueshëm të tij, në pritje të rastit për arratisjen e pjesëtarëve të tjerë të familjes. Por, fati nuk e desh kurrë një gjë të tillë. Dhe kështu, ajo mbeti vetëm një ëndërr dhe një dëshirë e pa realizuar në jetën e tij, të trazuar e me plot probleme familjare. Gjon Kuka, që u arratis për të gjetur një jetë më të mirë në dhe të huaj, vdiq dhe u varros në Gjakovë, pa i parë fëmijtë dhe gruan e tij. Janë plot 33 vjet jetë, që ai i kaloi në vetmi, pa llogaritur këtu pasojat, që solli arratisja e tij për familjen, që la në Shqipëri, në ato vite të errëta të diktaturës komuniste, me internime e ndarje për motive politike nga të afërmit dhe krejt far e fisi. Për të dy fëmijtë: Markun dhe Gjelinën, do të mbeten të paharruara vuajtjet në katër vitet e internimit në Tepelenë, 1948-1952. Pas internimit, ata banuan në fshatin e tyre të lindjes, në Thirrë të Fanit dhe më pas në fshatin Ishull-Lezhë, ku banojnë edhe sot.

- “Jetojnë mirë thotë Nikolla, daja i tyre. Gjithshka ka ndryshuar tek Marku dhe Gjelina. Marku ka pesë djem e pesë vajza dhe është bërë disa herë gjysh, ndërsa motra ime fatkeqe - Mrica, ka vdekur pa i parë këto të mira tek fëmijtë e vet. Në korrik të vitit 1999, Marku mori dhe  eshtrat e babait të vet – Gjonit nga Gjakova dhe i rivarrosi ato në Ishll-Lezhë, ku prehen në qetësi pranë eshtrave të Mricës, ish bashkëshortes së Gjonit. Pra, ata, burrë e grua, u bashkuan  vetëm pas vdekjes dhe vetëm pas më shumë se një gjysëm shekulli të ndarjes, që u privoi jeta me pamëshirësinë e vet. Eh!... pshertinë Nikolla nga thellësi e shpirtit. I ka jeta këto”. Por, në këtë rrëfim, Nikoll Doçi  nuk tregoi për pengesat dhe vështirësitë e veta, të krijuara nga problemet biografike të së motrës – Mrica, me të cilën ishte detyruar të ndërpriste të gjitha komunikimet për arsye biografike, për 50 vjet, deri sa erdhi Demokracia. E mbase, për këtë qëllim, Nikollës mund t`i jenë shmangur edhe mjaft stimuj e vlerësime të tjera, që ai i ka merituar me punën e tij shembullore si mësues model, që ishte gjatë gjithë kohës në rrethin e Mirditës; sepse kështu ishte ai sistem, ku  dënohej një, por e keqja më e madhe ishte se e vuanin njëqind e më shumë të tjerë.

Dasma, që i bashkoi...

Ka qënë dasma e Gjon Doçit, djalit të dytë të Nikollës, më 19 Korrik 1992, që i mblodhi tek ky prag të gjithë pjesëtarët e familjes Doçi, të ndarë prej disa dekadash nga njëri – tjetri, vetëm për shkak të biografisë. Çaste emocionante për motrën e vetme të Nikollës – Mricën, që vetëm në raste tepër të rralla, fshehtas e me shumë frikë ishte takuar me njerëzit e saj. Takime të përmallshme e të përlotura me nipa e mbesa, me vëllain e me kunatën, por dhe me miq e të afëm të saj, që i kishin munguar për shumë vite. “ As që e kisha menduar ndonjëherë se mund të takohem e të shmallem kaq lirshëm e pa frikë si sot me njerëzit e mi – thotë Mrica. Bekuar qoftë ajo ditë, që solli Demokracinë edhe tek ne!”. Dhe ashtu me lotë gëzimi në sy, si për të larguar emocionet, ajo, i ka prirë një valleje gazmore e festive, që i dha nur e gjallëri oborrit dhe shtëpisë së Doçit në Spaç.

- Shyqyr që ia arritëm kësaj dite, thotë Nikolla dhe i bashkohet valles me shumë ritëm! Dasëm kishim edhe kur u martua djali i madh, Gjergji, por atëherë i mungoi gëzimit tonë Mrica, sepse nuk mund të vinte në dasmën e nipit të saj për arsye biografike. Eh, sa vështirësi kemi kaluar dhe pa e ndjerë pranë dorën e ngrohtë të njëri – tjetrit. E kaluara na ndau për së gjalli. Kishte dhe punonjës partie të asaj kohe, që nuk u morën shumë me biografitë, por u treguan tolerantë e humanë, si për shembull, ish bashkëfshatari im – Mark Ndue Gjoni, që si i thonë fjalës përballë meje, shpesh ka bërë një sy qorr e një vesh shurdh. Kam respekt për të dhe e përshëndes me gjithë zemër kudo që të jetë”!  Kjo ishte dasma, që bisedat nuk kishin të sosur, sikur me to dasmorët do të mbushnin gjithë kohën e ndarjes. Ndryshe ishte dasma e djalit të tretë të Nikollës – Ilirit, që u bë katër vjet më vonë, ku vendin e bisedave të pafundme e zinte gëzimi e hareja. Në oborr hiqej vallja kurorë e pak më tutje kurora e bletëve bënte harkun e karshillëkut të saj. Në mes të tavolinës familjare, pranë çiftit gëzonte në këtë ditë të bukur tetori për martesën e nipit edhe halla - Mrica bashkë me të tre fëmijtë e saj: Lizën, Markun e Gjelinën. Ishte dasma, që i bashkoi pjesëtarët e familjes Doçi, e cila u dha fund njëherë e përgjithmonë dasive e biografive. Ndaj, sot Nikolla kur shkon në kishë lutet t`u falë zoti veç fat e mbarësi dhe të gëzojnë bashkë me fëmijtë, nipa e mbesa gjithë të mirat, që kanë krijuar me punën e tyre.

Gëzimet e gjysh Nikollës

Mësuesi veteran Nikoll Pjetër Doçi, gëzon shëndet të plotë edhe pse po u afrohet të 90-tave. Ai tashmë është bërë 14 herë gjysh dhe dy herë edhe stërgjysh. Kënaqësi e rrallë për një trashëgimi të tillë, që do ta kishte lakmi kushdo. Por, kjo kënaqësi dyfishohet, kur nipat e mbesat bëhen të zotë e me emër në shkollë, në punë e kudo.

- “Këta ma shtojnë jetën mua, thotë Nikolla, sepse janë gëzimi dhe optimizmi im. Vlerësimet e tyre më japin krahë dhe unë krenohem me nipat e mbesat e mia, që janë njëri më i mirë se tjetri, duke filluar nga Vjola Shkëmbi 30 vjeçe, autore e dy librave me poezi e deri tek Leoni i vogël dyvjeçar. U gëzova pa masë kur lexova në shtyp se Ledia Doçi, vajza e djalit tim të vogël Ilirit, 14 vjeçe, e cila studjon në Skoci për muzikë- instrumenti violinë, ishte shpallur fituese në një konkurs ndërkombëtar. Ashtu siç u gëzova edhe kur mora vesh se Marini dhe Devjoni, dy djemtë e  Gjergjit, mbaruan me të gjitha notat dhjeta, njëri vitin e tretë të shkollës së mesme dhe tjetri klasën e tetë, këtu në Durrës. Më gëzon gjithashtu edhe ecuria e shkëlqyer e Luçelës, vajzës së Gjonit, për talentin që ka në muzikë, instumenti i pianos, e kështu me radhë. Ata janë buzëqeshja ime, forca ime, optimizmi im, energjia ime, në këtë moshë që jam, e pse jo, janë edhe frymëzimi im në punën që po bëj tani, duke mbledhur kujtimet e mia në vite”. E ndërsa gjyshi shpreh kënaqësitë, që i fali trashëgimia e tij e mbarë; lapsin nuk e lëshon nga dora, për të vazhduar shkrimet për kujtimet e tij të shumëta nga jeta e puna e tij si mësues, për vështirësitë që ka lënë pas familja e Nikoll Pjetër Doçit nga Spaçi i Mirditës, për mbresat gjatë udhëtimeve të tij, këto vitet e fundit, në: Skoci e Greqi, e shumë e shumë episode të tjera. Jetë të gjatë, suksese dhe pleqëri të mbarë mësues Nikolla, që ishe dhe mbetesh, modeli më perfekt i mësuesisë në Mirditë!



(Vota: 226 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora