E premte, 29.03.2024, 01:25 AM (GMT)

Kulturë

Teuta Shala: Libër i ri me dëshmi historike-politike

E premte, 28.09.2012, 07:59 PM


LIBËR I RI ME DËSHMI HISTORIKE-POLITIKE

(Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha, Vlerësime Historiko-Politike, Prishtinë 2012, f.320)

Nga MA. Teuta Shala-PELI

Në vazhdën e shumë botimeve të Prof. dr. Sabile Keçmezi-Bashës, këto ditë doli nga shtypi libri më i ri “Vlerësime Politiko-historike”, botuar nga shtëpia botuese “Brezi ‘81”. Sa për kujtesë, profesoresha e nderuar, shkencave të historisë gjerë më tani i fali mbi 10 tituj librash që temë trajtimi kanë të kaluarën njerkë të popullit shqiptarë në përgjithësi e të shqiptarëve që jetonin nën ish okupimin e Jugosllavisë në veçanti.

Botimi i librit në fjalë paraqet një kontribut të madh jo vetëm në fushën e historisë por edhe në sfondin politik, ngase autorja Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha, me mjaft mjeshtri ka arrit që brenda librit të bëjë një gërshetim të rrjedhave historiko-politike nëpër të cilat ka kaluar me dekada të tëra vendi ynë, duke trajtuar problem të ndryshme nga historia më e re e Kosovës, jo vetëm në këndvështrimin e historianes por edhe të politikologes, ngase autorja e librit Prof. dr. Sabile Keçmezi- Basha nuk është vetëm historiane por edhe politikologe e diplomuar.

Libri “Vlerësime historiko-politike” është i konceptuar në dy pjesë. Pjesa e parë e librit të cilën autorja e ka titulluar “Shqyrtime e recensione”  përfshin recensionet dhe shqyrtimet që autorja ka filluar që ti botoi që nga vitet e shtatëdhjeta e deri më sot. Në 24 recensionet e përfshira në kuadër të pjesë së parë të librit vërehet qartë se autorja iu ka qasë në mënyrë shkencore kryesisht atyre monografive të cilat kishin për objekt studimi ngjarjet dhe personalitetet kyçe në historinë më të re të popullit tonë në përgjithësi.

Krahas përshkrimeve të përmbajtjes së monografive, autorja më anë të recensioneve është munduar që të vë në pah jo vetëm vlerën dhe rëndësinë e atyre librave por edhe ka përcjell edhe mesazhin e atyre librave duke dhënë ndihmesë si në fushën e historisë ashtu edhe të historiografisë.  Siç thekson edhe vetë autorja në përfundim të librit se veprat e përfshira në kuadër të kapitullit të parë kanë rëndësi shkencore, por gjithashtu edhe vlerë të rëndësishme kombëtare. Pjesa e dytë, “Editoriale e vështrime politike”, përfshin 21  shkrime të cilat trajtojnë probleme që iu referohen ngjarjeve që përfshinë periudhën kohore para viteve të 90-ta e deri më sot. 

Një monografi ndryshe

Për dallim nga botimet e kaluara, në librin më të ri “Vlerësime Historiko-politike” autorja  Keçmezi-Basha për temë trajtimi ka zgjedhur vështrimet, recensionet e ndryshëm që kishte shkruar nëpër vite për libra të caktuar të cilat kishin lënë gjurmë tek lexuesit dhe që ishin të rëndësishme për historiografinë shqiptare. Po ashtu në libër ka të përfshirë editorialet e shqyrtime që gjatë kohës së okupimit kishin bërë jehonë dhe bënë sensibilizimin e masave të gjera për gjendjen e nderë e okupuese që mbretëronte në vend. Veç shkrimeve që janë shkruar në kohën e okupimit sllav, ajo në libër ka përfshirë edhe shkrime të tjera që janë të shkruara gjatë viteve 2000-2012, duke pasur një qasje më ndryshe ndaj problemeve aktuale politike.  Prandaj, nuk është rastësi që lexuesi i vëmendshëm në këtë libër do të hasë në një evoluim në të shkruar të autores , që nga dita e parë kur kishte ardhur në Institut, dhe nga punimi i saj i parë, që e kishte shkruar që në vitin e largët, 1978. Në vitet e më vonshme s’bashku me studimet e avancimet e saja, ajo vetë dëshmon në parathënien e librit se “Duke punuar e duke studiuar, më nxisnin dhe më provokonin puna dhe studimet e shkencëtarëve të tjerë, të cilët botonin libra. Këta libra i lexoja me një vëmendje të madhe, duke shkruar dhe duke i publikuar përshtypjet e mia për ta”.

Libri “Vlerësime historiko-politike”, është një përmbledhje e punimeve (recensioneve, editorialeve dhe vështrimeve), që autorja i kishte shkruara në periudha të ndryshme kohore, gjatë punës shumëvjeçare shkencore. Dallohet se ajo në mënyrën më të denjë ka bërë vlerësimin e veprave, si në aspektin shkencor e historik, ashtu edhe, nëpërmjet editorialeve, të bëj vlerësimin e situatës politike në kohën kur janë shkruar.

Në përgjithësi, janë përfshirë librat shkencorë-historikë, që për temë trajtimi kishin probleme të veçanta të historisë. Bile ekziston mendimi se në një vështrim apo recension për një libër të caktuar nuk është e mundur të japim të gjitha vlerësimet për të, por vazhdimisht mendohet se ky lloj shkrimi do të jetë i mirëseardhur për studiuesit e rinj, se do t’u shërbejë së paku si një lloj guide shkencore se çka do të gjejnë në një libër të caktuar.

Kriteri i shkrimit të librit

Karakteristika të përgjithshme të të gjithë librave që janë përfshirë në këtë vëllim kanë qenë plotësimi i disa kritereve që paraprakisht i kishte caktuar, si:

1. Të kenë mbështetje të mirëfilltë shkencore;

2. Metodologjia e përdorur në libra t’u ketë mundësuar autorëve që çështjet e shtruara të jenë trajtuar sipas kritereve të historiografisë bashkëkohore;

3. Monografitë të jenë të mbështetura në dokumente arkivore, të cilat janë bërë në mënyrë të përzgjedhur dhe janë interpretuar drejt nga ana e autorëve dhe

4. Literatura e zgjedhur dhe relevante të jetë përdorur vetëm si plotësim i burimeve dhe sipas kërkesave shkencore.

Të gjitha këto kritere bëjnë që veprat e përfshira në këtë libër të kenë rëndësi shkencore, por gjithashtu edhe vlerë të rëndësishme kombëtare.

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, jo rastësisht librin e hap me punimin, për aktivitetin kombëtar dhe për mbrojtjen e simboleve kombëtare të Akademik Ali Hadrit “Akademik Ali Hadri në mbrojtje të simboleve kombëtare”, punim i cili u lexua në simpoziumin kushtuar profesorit “Ali Hadri, Jeta dhe vepra”, më 2009, nga Instituti i Historisë në Prishtinë. Punimi në fjalë ishte pritur mirë nga studiuesit dhe të pranishmit, andaj edhe librit i jep peshë dhe vlerë shkencore.

Në qenien e njeriut është diçka që e determinon fatin dhe kahet e jetës. Është diçka që vë në lëvizje njeriun dhe punën e tij. Andaj Prof. dr. Sabile Keçmezi-Bashën jeta e ka përcaktuar por ajo me vetëmohim dhe pasion prej shkencëtareje iu është rrekur punës shkencore me shumë seriozitet që si prodhuese e saj na ka dhënë dhe po na jep për ditë e më shumë vlera të mirëfillta shkencore.

Veç recensioneve e vështrimeve në pjesën e parë, në pjesën e dytë të librit, me një përkushtim të madh dhe të saktë, pa ndërhyrë fare në përmbajtjen e tyre, janë botuar analizat e shumta, që janë shkruar para viteve ‘90 të shekullit XX, editorialet e vështrimet e ndryshme, që janë botuar pas vitit 2000, në shtypin e kohës në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni, duke i qëndruar besnik kohës dhe realitetit, problemeve të shumta politike që përfshinin gjithandej tokat shqiptare. Herë-herë shkrimet e viteve ‘80-‘90 të shekullit XX karakterizohen me një gjuhë ezopiane, që përdorej për kohën, por lexuesi i vëmendshëm do ta kuptojë shumë lehtë situatën, kohën dhe hapësirën, se si është shkruar, çfarë është dashur të arrihet me të dhe cila ka qenë porosia që del nga shkrimi.

Besoj se, me gjithë peripecitë e kohës, autorja ia ka arritur qëllimit, në mos për asgjë tjetër, së paku tek gjeneratat e reja të krijohet një tablo e punës, e mundit dhe e situatave politike, në të cilat kanë krijuar e kanë punuar edhe kur nuk është krijuar e nuk është punuar fare.

Gjurmimet për shkrimet e botuara

Në librin “Vlerësime historiko-politike”, autorja ka sistemuar dhe ka grumbulluar me sukses gati-gati të gjitha shkrimet e atyre viteve që ka punuar. Dukej qart në bazë të shkrimeve se ajo ka hulumtuar shtypin e kohës, në të cilin herë pas here kishte botuar vlerësimet, shqyrtimet dhe recensionet e saja.

Në kohën kur ajo kishte botua, në Kosovë kryesisht botoheshin  gazetat “Rilindja”, “Zëri i Rinise”, “Fjala”, “Kosovarja”, “Shkëndija” e disa të tjera, por për kushtet e atëhershme ishin shumë të pakta.

Hulumtime kishte bë edhe në Arkivin e Kosovës, ku kishte gjetur të kompletuar gazetën “Rilindja”, e cila ishte e ruajtur në tërësi, porse kjo nuk mund të thuhet për pjesën tjetër të gazetave.

Kishte hulumtua edhe në Bibliotekën Kombëtare, edhe aty kishte gjetur pjesërisht disa numra të disa revistave, të cilat nuk kishin mjaftua për t’i kompletuar vëllimin e planifikuar. Pastaj kishte kërkua nga personat për të cilët kishte shkruar, ngase kjo mënyrë e grumbullimit të punimeve i kishte ndihmuar shumë dhe kishte arritur gati-gati t’i grumbulloi që të gjitha.

Lë përshtypje të këndshme editoriali “Përball stuhive e furtunave” që ishte botua në revistën “Kosovarja” më 1990. Fjala ishte për një fjalë rasti, që e kishte mbajtur në një tubim të organizuar nga “Këshilli i Arsimtarëve të UP-së”. Pas këtij, kishte gjetur edhe shumë editoriale e komente të tjera, që jo rastësisht pjesën e dytë të librit iu kushtoi atyre.

Gjuha e Ezopit në shkrimet shkencore

Radhitjen e çdo vështrimi apo recensioni që e boton në këtë libër, autorja e bënë në mënyrë kronologjike, duke përdorur si fusnotë vendin dhe vitin ku është botuar. Në kontekst kohe, ndoshta do të duken pak më ndryshe, porse, autorja Keçmezi-Basha duke e pasur parasysh kohën dhe hapësirën kur janë botuar, ajo mendon se kanë një peshë të rëndësishme historike.

Ta zëmë, editorialet që janë shkruar në kohën e paraluftës (1999), janë një dëshmi e gjallë e vuajtjeve dhe e peripecive të popullit shqiptarë edhe si individë edhe si komunitet. Vazhdimisht duhet pasur parasysh konteksti kohor, ngase për çdo gjë që është shkruar, për çështje të ndjeshme të kohës, vërehet dhe dallon përdorimi i  një gjuhë tjetër, kryesisht gjuha e Ezopit. 

Ngjarjet e pasluftës në thumb të kritikës

Ndërkaq, punimet që janë shkruar pas lufte, kanë krejtësisht karakter tjetër. Nëpërmjet tyre, autorja është munduar të trajtoj ngjarjet dhe dukuritë e bashkësisë ndërkombëtare dhe ato që na përkitnin ne, e për t’i ndryshuar nuk kishim as forcë e as kompetencë.

Libri “Vlerësime historiko-politike” ka tërësisht aparaturë shkencore, ku hyjnë: parathënia, përfundimi,  rezymeja, treguesi i emrave, literatura dhe shkurtesat.

Mesazhi i librit 

Autorja Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha, me botimin e këtij libri nxjerr edhe një mesazh të rëndësishëm për të gjithë njerëzit e kalemit se gjërat që shkruhen duhet edhe të botohen, por jo vetëm të botohen por edhe të grumbullohen në një libër që në të ardhmen studiuesit e rinj ta kenë më lehtë për ti gjetur, analizuar e studiuar veprat e tilla. Me këtë rast do e përmbylli me thënien e  Faradeit të madh se “Duhet punuar, shkruar dhe botuar”, kështu siç bëri autorja e këtij libri.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora