E shtune, 20.04.2024, 02:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Vlera të veçanta metaforike

E enjte, 27.09.2012, 08:12 PM


DISKURS LIRIK ME VLERA TË VEÇANTA METAFORIKE

(Adem Zaplluzha, Kur filluan të flasin njerëzit, Shoqata e shkrimtarëve – Kastriot, 2012)

Nga Baki Ymeri

Adem Zaplluzha ia shton opusit të tij letrar edhe një vepër të re, duke joshur vëmendjen e lexuesit me një poezi emblematike, nostalgjike dhe paradigmatike. Autori reliefon mundësinë e komunikimit përmes simbolit dhe refuzimit të vargut klasik. Tek/tuk, shkëlqen me përfytyrime alegorike, duke përjetuar në intimitetin e njeriut modern, dramën e njeriut dhe qenjen kosmike: “Nga kujtesa e mjegullave/ Binte një shi i rreptë/ Te kroi i zanave/.../  Kur i dëgjuam jehonat e daulleve/ Na dogji një mall i përflakur/ Mbi shpatullat e plagosura të atdheut/ Njëqind vjet s’e pamë diellin”

E denjë për syrin kritik është edhe thjeshtësia, nganjëherë e rëndë, e konfesionit metaforik, poeti duke e njohur “dehjen” romantike të ndjenjave, zjarrin përvëlimtar të përgjërimit, duke kërkuar në shkrimet e tij një zotërim të vetvetes, që të shkruajë sa më shumë e të vuajë sa më pak. Poetit në stinën e tretë të moshës së tij, i lejohet kjo e drejtë, pa u bërë viktimë e skribomanisë, dhe sidomos autorit të këtij libri vlerash të veçanta lirike, që dëshmon një gamë të pashtershme frymëzimesh e “shkarkimesh” shpirtërore të denja për lexim. Autori na ofron një spektakël metafizik të botës, duke nxjerrë në pah një mendim refleksiv, me forcën e fjalës së “ngarkuar” me etikën dhe melankolinë e shpirtit shqiptar.

Fanar i vetmuar është shpirti i poetit, “Deri sa nën këto kristale yjesh dëgjohen/ Tingujt e natës/ Që kurrë nuk përfundojnë”. Në çdo vëllim të ri, ai e ruan po atë ton dhe interes të gjallë për një horizont temash e motivesh të zgjedhura, meditative e subjektive, sociale, erotike dhe patriotike. Në spektrin e tyre defilon llojllojshmëria sintaktike dhe surprizat e një diskursi lirik me shprehje të pashfrytëzuara nga homologët e tij. Mjafton të citosh apo analizosh vetëm poemën e parë, për të konstatuar se edhe të tjerat janë të të njëjtit nivel vlerash të veçanta letrare: “Përjetojnë shqetësimin/ Fanari i vetmuar shikon në largësi/ Derdhjen e shtambave të qiellit/ Me yje prej kristali”.

Kjo atmosferë lirike përpëlitet në valët e përjetshme të ndjenjës dhe mendimit, të njerëzores që e karakterizon traditën më të plleshme të poezisë sonë që nga zanafilla e saj. Përndryshe, poemat e Adem Zaplluzhës kultivojnë format e modernitetit, të sintetizuara mu nga këto virtyte, duke ruajtur në përfytyrimin e tyre, një notë të theksuar të sinqeritetit, inspirimit dhe autenticitetit.

BOX

Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi mësues nëpër fshatrat  Studençan të Therandës dhe Hoça e Qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime  filloi të merret  kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë, të cilën e botoi në revistën ”Pionieri”, më 1957

Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, bashkë me shokët e punës dhe të penës, themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në kuadër të punës së këtij grupi u botua përmbledhja “Ngjyra e Kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një sërë krijimesh letrare nëpër gazeta dhe revista, që dalin në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe Zagreb. Në vitin 2010 i botohet një libër në gjuhën rumune (“Pema e Bekuar”), i cili u mirëprit nga lexuesit dhe kritika letrare. Po atë vit botohet një antologji e Sokol Demakut (“Jehona e Shekujve”), ku përfshihen edhe disa punime të Adem Zaplluzhës.

Është prezantuar në Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 15O1-1990, nga Hasan Hasani, në Leksikonin Shkrimtarët Shqiptarë për Fëmijë, 1872- 1995, nga Odhise K. Grillo, në disa antologji të botuara në Bukuresht, si dhe në librin Portrete Shkrimtarësh, nga Demir Behluli (Prishtinë 2002). I janë botuar në Kosovë mbi 70 vëllime poetike. Për lirikën e tij kanë shkruar me respekt disa krijues të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe Rumania. Është përfaqësuar në një vëllim me ese të shkrimtarëve të Kosovës nga Monica Mure?an (“Kosova literar?/Kosova letrare”) Bukuresht, 2011. Është anëtar aktiv i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton dhe krijon në Prishtinë.



(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora