E merkure, 24.04.2024, 05:39 AM (GMT+1)

Faleminderit

Xhevahir Cirongu: Artisti dhe sportisti i madh - Ramazan Njala (1922 – 1982)

E merkure, 26.09.2012, 04:41 PM


Homazh

(Me rastin e përvjetorit të 30 të ndarjes nga jeta)

RAMAZAN NJALA (1922 – 1982)

Nga Xhevahir Cirongu

Viti 2012 është viti i përvjetorëve të Artistit dhe Sportistit RAMAZAN NJALA.

Nga shkurti i këtij viti, ai do te ishte 90 vjeç, dhe në shtator mbushën 30 vjet që nuk e kemi më midis nesh.

Eshtë një mungesë e madhe për sportin, për artin, për qytetin, për bashkëqytetarët, e sigurisht për familjarët ; pasi R. Njala me punën e kontributin e tij shumë vjeçare në sport e në art la gjurmë të pashlyera në memorjen e qytetit e më gjerë, la emër të paharruar dhe famë të palëkundur si rrallë ndodh, në dy fusha të rëndësishme: në sport e në art.

R.  Njala lindi më 20 shkurt 1922 në një familje të nderuar durrsake.  Me gjyshin detar e babain arsimtar, Ramazani mori që në fëmijëri edukatën dhe traditën qytetare për t’i shërbyer njerëzve me përkushtim e devoshmëri.  Shtëpia në lagjen Kala të Durrësit mbi amfiteatrin antik të kohëve romake, ishte koinçidenca që analistë të ndryshëm e justifikojnë talentin e lindur e aftësinë e përsosur të Ramazanit për sportin e artin.

Në vitet e fëmijërisë e të rinisë, Ramazani është aktivizuar në shumë sporte.  Si: portier në ekipin e futbollit të Gjirokastrës në vitet 1945-46 kur kryente shërbimin ushtarak, vite kur ky ekip ishte kampion i vendit; volejbollist me ekipin e Partizanit në vitin ’47, ku merr pjesë dhe në lojrat e para ballkanike që  u zhvilluan në Tiranë, dhe më pas basketbollist e volejbollist, notar, atlet, hendbollist, vaterpolist etj. me ekipin e Lokomotivës së Durrësit në vitin 1948-1960, duke marreë pjesë gjithnjë në pesëshen e parë në ndeshje e kampionate të vendit e të huaja bashkë me sportistë të tjerë me emër të vendit e të huaj.  Gjithashtu, fitues e titullar në sporte individuale.  Qysh në vitin 1956 merr titullin’’ Mjeshtër Sporti’’, si titulli më i lartë i kohës.  Më vonë merr ‘’Medaljen e Punës’’ e Medaljen ‘’Naim Frasheri’’, për punë të palodhur e kontribut të gjithanëshem në zhvillimin e sportit e kulturës shqiptare.

Sot pallati i sportit të lojrave me dorë të qytetit të Durrësit mban emrin’’ Ramazan Njala’’.  Gjithashtu një rrugë e hershme e qytetit mban emrin e tij.

Pas vitit 1960, për aresye moshe u tërhoq nga sporti aktiv, por u aktivizua si trajner i ekipeve i të rinjve djem e vajza, dhe si arbitër e gjyqtar deri i kategorisë së parë.

Shtatlartë, fizikisht i fortë, me humorin e lindur e natyral që e karakterizonte, Ramazani ngjiti shumë shpejt shkallët edhe të një fushe tjetër shumë të dashur për njerëzit: atë të humorit skenik.  Qysh në vitet e rinisë së hershme, R. Njala krahas talentit për sportin, kishte një talent të lindur edhe për artin, për artin e humorit të satirës.

Vazhdimisht në lagje e në shkollë,  këndonte e bënte humor duke organizuar me shokët skena e shfaqje që njerëzve u pëlqenin.  Në vitin 1945 krijon e këndon parodinë “Gjirokastër të kam mike, të rëntë bomba atomike. . . . ” ,parodi nga e cila pati jo pak probleme e telashe.  Kjo parodi krahas të tjerave është quajtur: Parodia e parë shqiptare!

Siç vinte duke u intensifikuar aktiviteti i tij sportiv,  ashtu vinte duke u intensifikuar dhe aktiviteti  artistik në grupet amatore, e sidomos me grupin e Portit Detar i cili nën drejtimin e tij kishte fituar disa çmime të para.

Që me krijimin e estradës profesioniste të Durrësit, Ramazani ka merrë pjesë në të gjitha premierat e saj, në fillim si amator e më pas si profesionist duke luajtur e interpretuar me mjeshtëri e profesionalizëm rreth 90 role, e duke kënduar rreth 70 parodi e kuplete, shumicën të krijuara nga vetë ai.  Ramazani ka deputuar edhe në filma artistike si dhe në disa emisione radiofonike të Radio- Tiranës.  Ai, gjithashtu ka shkruar pjesë me skeçe e komedi, si dhe artikuj e reportazhe në gazeta lokale e kombëtare sportive dhe artistiko-shoqerore.

Në vitin 1972, pranohet antar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë.

Ramazani kishte një popullaritet në rritje në të gjithë Shqipërinë.  Ai, jo vetëm interpretonte shumë  mirë rolin apo parodinë, por kishte një aftësi të jashtëzakonshme të afërsonte me njerezit.  Me  thjeshtësi,  ai futej e qëndronte midis njerëzve.  Ishte i veçante dhe shumë natyral, saqë dhe njerezit ia kthenin këtë mirësjellje me respekt e dashuri, por  edhe me ovacione e brohëritje në të gjitha daljet e tija kur dilte në skenë.  Në të gjitha shfaqjet para publikut, Ramazani   do t’i përsëriste 2 deri 3 herë, duke bërë që së bashku me lojen e talentuar e të mrekullueshme të aktorëve të tjerë të estradës së Durresit, si: Spiro, Aishja, Meropi, Sandri, Fadili etj, apo këngëtarëve si: Qemali, Naimi, Zijai etj.  me drejtuesit e mirënjohur Gjergj Vleshi e Skënder Myshketa; të ishin trupa humoristike më e mirë në Republikë.  Ramazani është quajtur “babai” i kupletit shqiptar.

Gjithnjë i duartrokitur në sport e në skenë, R. Njala mbeti etaloni i sportistit të talentuar e aktorit brilant të humorit shqiptar.

Ai me talentin, zërin, lojën shumë të veçantë e gazmore,  i bënte barazpeshë trishtimit e zymtësisë së të përditëshmes që përjetonin njerëzit.

“ Ai ishte një njeri i madh e i papërsëritshëm” shkruan shkrimtari Bashkim Hoxha në një nga shkrimet e tija  për R .  Njalën.

Kurse i mirënjohuri Gjergj Vlashi, regjizor, koleg e shokë  me Ramazanin, nuk nguron të thotë se: “R. Njalën e kam njohur si sportist e artist të shquar, por edhe si prind shëmbullor e qytetar të nderuar.  Zani ishte një figurë poliedrike, një gur i çmuar shumëkëndesh që do ruhet e jetojë gjatë.

Ai kishte një popullaritet të jashtëzakonshëm tek njerëzit.

Tek Ramazani ishin bashkuar talenti, dëshira për punë dhe një dorë shumë e madhe mirësie, e cila ishte ndër veçoritë e tija më të spikatura.  Dhe kur Ai u nda nga jeta, varrimi i tij u kthye në një manifestim të madh popullor dhe mijëra e mijëra njerëz e shoqëruan për në banesën e fundit; atë njeri të mirë e aq popullor, atë sportist e artist, prind e qytetar të rrallë. ”

R. Njala përveç sportit e artit kishte pasion fotografinë, filatelinë, gazetarinë, gjuhët e huaja, sekretarinë e llogarinë e  punës , pasione që ai i kryente me shumë pasion e korrektësi.

Ky është talenti i madh dhe njeriu i mirë R. Njala, për të cilin është i madh dhe i papërshkruar, malli që ndjejmë në çdo përvjetor të lindjes e vdekjes së tij.  Malli për sportistin, artistin e paharruar, njeriun që dhuronte vetëm mirësi e buzëqeshje, mirënjohje e humanizëm, fisnikëri, mirëkuptim e tolerancë.

Kudo Ramazani vazhdon të jetë pranë nesh, në kujtimet e familjes, bashkëkohësve, kolegëve, miqve e shokëve të tij, në kujtesën e spektatorit të sallave të  Republikës.

Koha i vlerëson,por dhe i  rivlerëson njerëzit.

R. Njala është  nderuar me disa tituj e medalje, mban’’ Urdherin Naim Frashëri të Klasit të Parë’’, titullin ‘’Mjeshtër Sporti e Artist i Merituar’’, si dhe ‘’Urdhërin e lartë Mjeshtër i Madh në Sport e në Art’’.  Por, mbi të gjitha Ai ka marrë vlerësimin e respektin e shokëve e kolegëve të sportit e të artit, duke e kujtuar e rikujtuar Atë  me ceremoni e aktivitete të shumta përkujtimore, duke e skalitur emrin RAMAZAN NJALA në panteonin e nderit e lavdisë kombëtare.

 

Një çast stërvitje me shokët e skuadrës në fushën e sportit.


(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora