Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flet aktori i talentuar Sulejman Dibra

| E merkure, 26.09.2012, 05:10 PM |


Ja si e kam luajtur 70 herë Arturo Ui

Nga Albert ZHOLI

Sulejman Dibra është lindur më 9 shtator të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Shkollën e Lartë për Aktor “Aleksandër Mojsiu” në Tiranë, në vitin 1966 rikthehet në qytetin e Shkodrës për të punuar si aktor profesionist në Teatrin “Migjeni” të këtij qyteti. Në vitin 1969 do të transferohet në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë. Me këtë teatër ka interpretuar në shumë pjesë si “Arturo Ui” e Bertold Brehtit, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Prefekti” e Besim Lëvonjës etj.. Në kinematografi ka interpretuar në 13 role. Roli i tij i parë do të jetë ai partizanit të plagosur në filmin “Komisari i Dritës”. Më tej do të interpretonte në rolin e Kiços, agjentit 13 në filmin “Njësiti “Gueril”, rolin e Sotir Filipit “Kasketa” në filmin “Operacioni “Zjarri”, rolin e drejtorit të shkollës në filmin “Tinguj Lufte”, rolin e gjeneralit turk në filmin “Nëntori i dytë” etj. Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009, roli i Myrtezait në filmin “Ne dhe Lenini”. Ka dhënë mësim në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e Aktrimit. I martuar me pianisten Anita Tartari. Kanë një vajzë, Enin,e cila duke ndjekur rrugën e artit është sot një pianiste e talentuar dhe e njohur në botë. Për meritat e tij artistike, në vitin 2006, Sulejman Dibra është vlerësuar me Urdhrin "Naim Frashri i Artë"

Cili ka qenë roli i parë si aktor profesionist?

Roli i parë që kam luajtur ka qenë  në dramën “Studentja e vitit të fundit” e  Ibrahim Uruçit. Ndërsa në vitin e 4-t  të Shkollës së Lartë ishte roli Borovskit. Ka qenë një vepër shumë e mirë e vënë nga Kujtim Spajvogli. Pra, shkolla na inkurajonte na jepte drejtimet e duhura për ardhmërinë tonë. Shkolla kishte rregull, disiplinë, kishte kërkesë të lartë llogarie. Edhe si figurant duke qenë pranë Teatrit Kombëtar, duke parë në skenë Naim Frashërin, Kadri Roshin, Mihal Popin, Sandër Prosin, etj... kemi mësuar shumë gjëra. Unë kam qenë dhe sufler në shumë drama. Pra dua të them që ne kishim ditur të krijonim shkollën tonë të aktrimit, mbështetur në shkollën e Stanislavskit, që na formoi mrekullueshëm. Pedagogët tanë kishin studiuar të gjithë jashtë me rezultate të shkëlqyera.

Po në Shkodër çfarë ambienti gjetët?

Një ambient të mrekullueshëm. Në Shkodër shkova 2 vjet dhe kam luajtur mbi 50 role në teatrin profesionist të Shkodrës. Shkova fill pasi mbarova Shkollën e lartë. Ishte viti 1966. në teatrin e Shkodrës ka pasur  partner të mëdhenj aty si: Lec Bushati, Tinka Kurti, Serafin Fanko,  etj. Ka pasur aktorë të fuqishëm     atë kohë në Shkodër. Dihet që Shkodra shquhet edhe për humor, por edhe për dramë. Kishte një estradë të shkëlqyer por edhe një estradë të shkëlqyer.

Kur u riktheve në Teatrin Kombëtar?

Në vitin 1969 erdha sërish në Teatrin Kombëtar. Që nga ky moment deri në vitin 1978, kam luajtur role nga më të ndryshmet. Teatri në atë kohë kishte formuar një fizionomi të vetën. Gjatë kësaj periudhe nga 69-79 kam luajtur rreth 40 role. Ndër këto rrolin më të bukur dhe më të fuqishëm ka qenë “Artur Ui”.

Si jua dhanë juve këtë rol ku i parë ka qenë i madhi Kadri Rroshi?

Kadri Rroshi për arsye të ndryshme shkoi për dy vjet në një vend tjetër, u largua nga Teatri Kombëtar. Unë gjatë gjithë këtyre shfaqjeve kam qenë sufler i të madhit Kadri Roshi. Kur u dha urdhri  për të zëvendësuar Kadriun për të luajtur “Arturo Ui” unë e kisha mësuar pjesën përmendsh dhe e kisha shumë të lehtë për të luajtur. Duke pasur këtë armë të fortë që e zotëroja nga ana tekstuale pjesën shkova në drejtori dhe  bëra kërkesën time që ta dubloja edhe unë të madhin Kadri Roshi. Me mua erdhi edhe Agim Qirjaqi, i cili nuk e mori përsipër për vetë potencën që kishte roli. Ky rol donte shumë fuqi. E bëra kërkesën dhe m’u dha e drejta. Fluturova nga gëzimi. Bëra 3-4 prova. Regjisori më besoi. Kur dola në skenë ishte një mbrëmje e mrekullueshme që s’do ta harroj kurrë. Kisha arritur një rezultat që se kisha ëndërruar.  Mbi 70 herë e kam luajtur këtë pjesë dhe s’kam ndjerë lodhje. Për mua ka qenë një eveniment i madh..

Po tjetër kush e ka luajtur Arturo Ui?

Arturin e ka luajtur dhe Shkëlqim Basha me të cilin është edhe i xhiruar në televizion. Shkëlqimi mori disa  pika dhe i bashkoi në një të vetme dhe kjo ishte arsyeja që iu dha Shkëlqimit. Pra edhe sot ndodhet i filmuar me këtë aktor. Një nga pengjet e Kadri Roshit është pse nuk është regjistruar tek Arturo Ui.

Si ka qenë Kadriu në këtë rol?

I madhërishëm. I jashtëzakonshëm. I paarrirë. Ai ka shkëlqyer me këtë rol. Unë s’mund ta arrija. Do të përmend disa nga këto role që unë kam luajtur: Arturo Ui” e Bertold Brehti “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Prefekti” e Besim Lëvonjës (Artist i Merituar) “Sinjali i kuq” e Bashkim Kozelit-

Cilin aktor tjetër do të veçoje nga Teatri Kombëtar?

Janë shumë. Janë pa masë. Ndër ta unë do të përmend dhe Reshat Arbanën. E kam njohur në fillimet e historisë së artit. Unë kam qenë pritës për këtë artist. Unë kam ardhur si profesionist në teatër rreth viteve ‘60 ndërsa ai ka ardhur rreth viteve 70. Ai ka qenë më përpara në radio- televizionin shqiptar. Reshati ka qenë 2 vjet përpara meje në shkollë, por unë kam qenë më para në Teatrin Kombëtar. Historia e Reshatit në marrëdhënie me mua, ne jemi dhe do të jemi shokë të ngushtë. Kishim një moment të vështirë në teatër.

Keni një karrierë të gjatë si drejtues institucionesh arti si në Estradën e Tiranës...

Ruaj kujtimet më të jashtëzakonshme  për estradën. Aty për herë të parë në vitet ‘85 u detyruam të hartonim planin javor. Kishim recitalin e Anita Takes e Ema Qazimit, Irma Libohovës, Bashkim Alibalit etj.. Nga humoristët unë gjeta Xhemal Myftiun, Skënder Sallakun, Vasillaq Vangjelin, i cili ishte i përmasave të jashtëzakonshme. Pastaj erdhi Xhevahir Zeneli, Agim Bajko etj., etj.. Në shkurt të vitit 1989 më çuan drejtor të cirkut. Kam punuar me Ndriçim Kazazin, Telat Agollin, Arben Shakën, pra kisha të bëja me të  gjithë këta artistë të mëdhenj. Ne jepnim shfaqje edhe natën, Cirku në atë periudhë pati shfaqje  të jashtëzakonshme. Cirku shkonte në të gjithë Shqipërinë. Shkonim në të gjitha plazhet e Shqipërisë. Sot kjo gjë nuk mund të realizohet. Nuk e di përse, por kam parë që çadra e cirkut është ngujuar aty ku është. Në vitin 1994 shkova në Teatrin Kombëtar këtë radhë si drejtor. Kemi arritur të japim deri  në 7 premiera në vit me fondin e shtetit gjithmonë. Brenda teatrit kombëtar krijova edhe teatrin e të rinjve me një fond të posaçëm. Aty mbaj mend se një regjisor i famshëm maqedonas vuri një shfaqje me Tinka Kurtin. Ato pjesë që kemi vënë në skenë dhe kanë pasur shumë sukses kanë qenë komeditë. Gjatë kësaj periudhe mund të kemi vënë 5 premiera në vit. Pra ishin 7 me gjithë të rinjtë. Pra nga të rinjtë është vënë “Don Kishoti” etj.. Pastaj më vonë që ndryshuan kohët ndryshuan gjërat.

Sot ka rënë ndjeshëm numri i shfaqjeve pse?

Ky shtet nuk ka shumë dashuri për artin për artin. Kudo në çdo vend arti është i pari tek ne është i fundit. Sot shihet që nuk inkurajohen shumë teatrot. Por edhe nismat private nuk ekzistojnë dhe kështu del në pah vetëm Teatri Kombëtar që duhet të përballojë të gjithë “urinë” teatrore.

Si na ndaloi Xhelil Gjoni tragjedinë e Shilerit “Intrigë dhe dashuri”

Ishte momenti kur do të vihej në skenë tragjedia e Shilerit “Intrigë dhe dashuri”. Unë në atë kohë drejtoja Bashkimet Profesionale. Marrim librin e Enver Hoxhës që kishte folur për “Intrigë dhe dashuri” dhe shkojmë për t’i mbushur mendjen Xhelil Gjonit për ta vënë në skenë duke i thënë interesimin e Enver Hoxhës. Ai na nxori përjashta, nuk pranoi. Ne me Reshatin kishim të drejtë. Ai erdhi të nesërmen në TK dhe kërkoi të falur. Si duket kishte lexuar çka kishte shkruar Enveri, Unë kam pasur rastin të  luaj bashkë me  Reshatin    2-3 filma. Edhe kohët e fundit ne kemi luajtur bashkë një film “ Të gjallët” që u luajt në Lurë. Tre javë kemi ndenjur atje. Se  si e mësonte atë tekst, se si e përpunonte figurën vetëm ai e dinte dhe askush tjetër. Ai ishte shumë i lirshëm, organik,  kishte zë të veçantë. Marrja e Reshat Arbanës  nga televizioni në teatër  ishte diçka e bukur dhe e madhe. Atë e mori Pirro Mani dhe në TK luajti me dhjetëra e dhjetëra role, si p.sh “Nëntori i dytë”. Ai në këtë rol ka pasur një botë të brendshme  madhështore. Në këtë aspekt unë ruaj kujtimet më të mira.