E enjte, 25.04.2024, 06:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi dashurie nga Fahrije Krasniqi

E merkure, 26.09.2012, 06:42 PM


Fahrije Krasniqi Kllokoqi
 
U lind në vitin 1968 në fshatin Zhilivodë, komuna e Vushtrrisë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Vushtrri. E rritur dhe e edukuar në familjen tradicionale shqiptare, ajo që në moshën e rinisë kish treguar interesim për folklorin e pasur shqiptar, për historinë, muzikën dhe letërsinë në përgjithësi. Për shkak represionit serb dhe gjendjes së vështirë ekonomike,  bashkë me familjen e ngushtë të saj, në vitin 1994 migroi në Zvicër, ku edhe tash jeton me të shoqin Fadilin, djemtë Rexhepin e Vullnetin dhe vajzën Diana. Poezitë e Fahrijes rrezatojnë sinqeritet, meditim, mall, dashuri dhe herë-herë edhe revoltë. Libri i saj i parë mban titullin “Peng i fjalës”, i botuar në Kosovë (2011) dhe i përuruar nga Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Martigny të Zvicrës më 3 mars 2012. Pas fjalës përshëndetëse të organizatorit (Besnik Camaj, kryetar I shoqatës respektive), për librin dhe autoren folën krijuesit Skënder Haliti, Fatmire e Arbër Ahemetaj, Tonin Nikolli, Fehmi Berisha, etj. Në ndërkohë, falë Isak Havollit, vepra e Fahrijes qe prezantuar edhe në gazetën panshqiptare Bota sot. Poezia e saj është e thjeshtë, e kuptueshme, e çiltërt, e shkruar me shumë shpirt dhe mëndje.
 
 
PËRJETËSIA

U bëra nëna e dhimbjes
palcën e shpirtit dogja
dashurisë i rashë në gjunjë
skllave e saj...
Desha, shumë doja
si e çmendur atë dashuri
por më në fund e kuptova
se asgjë nuk është përjetësi!
 
NUK IK DOT!
 
Mos m'u lut! Nuk ik dot.
Do të jesh dashuria ime e përjetshme.
Je i tëri vërtetësi fjalësh të bukura
Ku errësira s'ka vend, në mengjese jete
ngjeshur pas teje si guna e re
tek barinjtë e lumtur, plot pranverë .
 
Je një vërtetësi e bukur jete,
që në kokën tënde
fshihen mençuri të rralla
si në librat e famshëm
të biblotekave të botës...
Nuk do të ik! Mos ma kërko.
Do zë vend aty tek kulla jote antike,
që lind e s'dua të perëndoj puthja...
Në pranverën e parë të sapolindur.
 
Nuk dua të ik! Mos ma kërko.
Dua të të mbajë në sytë e mi,
si një ëndërr e veshur bukur
si përqafim a puthje që dhamë dikur
fshehurazi dhe mrekullisht...
Do të mbaj si një thesar të çmushëm,
të fsheh për jetë në syrin tim
si lot gëzimi kristal...
 
E hareshme dua të jetë kjo botë
të kumbojë nga gëzimi,
kupa të pafundme dëshirash të bukura
në tryezen e madhe të Dashurisè
Në këtë Pranverë...
Nuk dua te ik! Mos ma kërko
I shtrenjti im
Do të çmendem po nuk jam pranë teje
me ty sikur jam me Zotin
Nuk ik pra! Mos ma kërko.
Ti je ringjallja ime.
Ti je kënga më e bukur e dashurisë.
 
AROMË BURRI
 
I shtrenjti im!
Ato dy fjalë të thjeshta të munguara kaherë
sa shumë thanë për mua:
Ngrohe zemrën në ketë acar dimri...
I miri im
Unë po ate natë të futa thellë kaltërsive
të syve t'mi...
Nuk dihet thashë, mund të ndodh mrekullia.
Fshehurazi vjedhim shikimin njeri tjetrit
kënaqemi, përjetojmë çastet
me frikën se do duhemi shumë,
pastaj do të humbim, do lëndohemi...
Sonte nuk të dua të rregullt, të rruar, të krehur,
parfum e kravatë prej zyrtari
po të dua të jesh i thjeshtë, i çrregullt,
si çapkën i pa ndreqshëm
të më skuqish faqet jo nga turpi, po nga mjekrra jote...
Dua të më djeg fryma jote bregoreve të gjoksit
e dorën tënde tek lupuron hireve të mia të etura;
të prehet në atë krahëror,
qoftë edhe kjo nata e fundit për mua
Dua sonte fort dua ...
Heu!
Nuk e dija sa mall paskam pas për aromë burri!
 
MUND TË VISH
 
Bën shumë ftohtë si atë natë... thanë acari
Lutem imagjinatës sime të më dërgojë atje te kasollja,
ku u puthëm e bëmë dashuri si të marrë...
nuk mbaj mend shumë çfare pimë, po u kënaqëm
qeshëm dhe u deshëm shumë, lakmi na kish oxhaku
më shumë ngrohte zjarri ynë se ai vetë, sa bukur ishte!
Mbaj kujtim gjatë gjithë jetës ato çaste magjike
do thurr vargje, skenare filmash për dashurinë
e kristaltë pa lajka, pa kushte, pa sherre e inate...
Shkoj unë ta ndez oxhakun, nuk dua të kesh të ftohtë
do të marr edhe vërë të kuqe, i pimë ose nuk i pimë
Mund të vish shpirt aty do të jem edhe sonte
lulet, muzika, poezia, pasioni, zjarri dhe dashuria.
 
NATA BESË NUK KA
 
Mos e fik dritën, nata besë nuk ka
veja derës shulin dhe eja
unë të ngroh shtratin, rregulloj çarçafin
do nis të të prek lehtas
si puhizë mbrëmjeje në pranverë
shpatullat tua të forta
do nisin vallen e shqipeve mu aty...
pastaj një vendçe ...
nuk ndalesh çapkën i lumtur
derisa të ndalen akrepat e orës...
edhe rrotullimat e tokës
me ty përjetësinë do prisja...
ose do të bëhesha vajzë e fjetur e përrallës!
 
VJESHTË E VONË
 
U theva si degët
lisit kur thyen era
u thava si toka pa shi
u verbova nga malli yt
Shqipëri moj nëna ime
 
MALL
 
Më ështe ndryshkur shpirti
si ai parmaku i dyreve të vjetra
kur mbyllem për herë të fundit i lamë shkret
tri ditë me rradhë qyqja këndoi ato ditë vere...
Kujtoj gjyshen time që shtrengonte dorezën fort
Mall kam për atë tokë të bekuar
për ahishten, kroin, fushën e malet e Qyqavicës
për dyert e mëdha të drunjëta...
për parmakun e qëndresës dhe qyqen!
 
MEDET
 
Qava kur u shkel plisi
rënkova degët kur i keputën lisit
mallkova kur na ndanë pjesë-pjesë.
Tash mundohem te mbledh
copëza Atdheu me vargje...
Vajmedet
A arnohet Kombi?



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora