E marte, 23.04.2024, 08:15 AM (GMT+1)

Editorial

Gjergj Xexo: Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit (1)

E marte, 15.04.2008, 09:58 PM


Nga Gjergj Xexo

 

Miti i Origjinës dhe Origjina e Mitit (1)

 

Ka të ngjarë që një libër diku përmban të vërtetën.

Por, për t’a gjetur këtë perlë të rrallë,

duhen lexuar të gjitha librat.

 

Epilog.

 

Gjithçka fillon në shekullin e XItë, dhe shkaktari i parë i këtij debati ndërballkanik që ka shkaktuar zënka të panumërta është një bizantin. Në të vërtetë, ai as që imagjinonte se dhjetë shekuj më pas do t’a quanin kësisoj. Në kohë të vet, çdokush vetëquhej romak (romaioi). Ndoshta romak i lindjes, por sidoqoftë romak. Ja edhe skeda identifikuese e tij :

 

Emri : Mihal Attaleiatès (lindur më 1028)

vendlindja : Attaleia – Pamfili (Azi e Vogël),

profesioni : historian

karriera: autodidakt, këshilltar juridik pranë prandorëve Roman i IV Diogjeni (1068-1071) dhe Mihal VII Dukas (1071-1078).

 

Ky Mihali ynë historian amator nuk dyshonte aspak që duke shkruar kronikën e bëmave të adashit të tij perandor do të hynte përfundimisht në Histori – dhe do të citohej aq bollshëm nga një varg studiuesish dhe historianësh të kohëve të sotme. Sikundër çdo kronikan i ndershëm, ai mjaftohej të shkruante atë çka i shihnin sytë dhe të rregjistronte atë çka i dëgjonin veshët. Ai vdiq në vitin 1085. Ndërkohë, ai kish përmendur tre herë rresht në « Historinë » e tij emrin Allvanoi Allvanitai (lexo : Arbër).Nga ky moment, asgjë nuk rrodhi si më parë në Ballkan : koha u ndal për një çast dhe u dyzua – përpara çfaqjes së Arbërve dhe pas çfaqjes së tyre, ballkanikët humbën qetësinë, historianët gjumin. Në të njejtën mënyrë që Herodoti konsiderohet « babai i Historisë », Attaleiatès mund të mbahet si « babai i Arbërve ».

 

 

Misteri Origjinal.

 

Çdokush që jeton në ditët e sotme, i karakterizuar nga një shpirt racional dhe mendim kritik, e kalon informacionin e Attaleiatès nëpërmjet filtrit të dyshimit : a mos vallë është gabuar historiani në pohimin e tij ? Me fjalë të tjera, rilexon tekstin disa herë dhe përfundimisht fillon kërkon tekste të tjera të asaj periode. S’ka asnjë dyshim : autori i përmend disa herë Arbërit si grupim luftëtarësh që gjendet krahas grupeve të tjera Latinësh në Itali, në shërbim të gjeneralëve rrebelë bizantinas. Ky grup njerëzor ka të njejtat prerogativa sikundër latinët (lexo : bizantinasit) dhe që, përfundimisht, çfaqet rishtas në rradhët e një ushtrie rrebele në rrethinat e Dyrrachion (Durrësit), së bashku me Romanë dhe të tjerë Bullgarë. Kureshtarët mund t’a lexojnë tekstin (në anglisht) tek Dr Elsie : (http://www.albanianhistory.net/texts/AH1038.html). Më tej, informacioni përforcohet nga dëshmia e një bizantineje tjetër, Ana Komnena, e shkruar disa vjet më vonë.

Rrëfimi i Komnenës përshkruan fushatën ushtarake të babait të saj, Perandorit Aleks I Komneni (1048 - 1118), kundër normanëve të Robert Guiskardit në vitin 1081. I plagosur dhe i dëshpëruar nga humbjet e pësuara në Durrës dhe në luginën e Karzanes (Erzenit), Perandori i besoi qeverisjen e qytetit një fisniku, një farë Komiskortès, « me origjinë nga Arbëria ». Diku më poshtë, ajo shton se bëhet fjalë për një popull miqësor që shpesh herë e kish përkrahur pushtetin perandorak. Në një rast tjetër, megjithëse fort përafërsisht, gjithmonë e njejta bizantine përshkruan edhe vendin e këtyre Arbërve, Allvanon – Arbanon, diku rreth luginës së sipërme të Shkumbinit. Ndërkohë dëshmi të tjera vijnë dhe i ngjiten të parave : një dorëshkrim anonim serb riprodhon një tekst bullgar të fillimit të shekullit të XI ku Arbanasit - Arbër përmenden mes popujve të tjerë gjysëm besimtarë (jo ortodoksë) ; një historian tjetër bizantin përmend një fisnik Arianitès në shërbim të perandorit Vasil i II kundër bullgarëve të Samuelit të Irë….

 

Nga momenti që s’mund të vihet më në dyshim egzistenca e një populli të tillë, debati historik mer formë tjetër : nga na dolën këta Arbër – Allvanitai ? Ja pra cila është esenca e problemit më irritant dhe më të pazgjidhshëm që ngre Ballkani mesjetar, sipas Alen Dyseliesë, një historian francez i ditëve të sotme, ndoshta specialisti më i përmendur i Bizantit mesjetar.

 

Në funksion të qëndrimit ndaj këtij problemi, bota e historianëve ndahet në dy kampe :

 

1) Kampi i atyre që pohojnë se Arbërit janë të ardhur.


2) Kampi i atyre që mendojnë se Arbërit janë vendas.

 

Sejcili prej këtyre kampeve gjendet përballë një të panjohure të re, po aq të pazgjidhshme :

 

1) Në qoftëse Arbërit janë të ardhur, atëhere nga ç’vend i botës kanë ardhur për t’u ngulur në Shqipërinë e sotme ?

 

2) Në qoftëse janë vendas, cili është ai element lokal që krijoi këta Arbër dhe në ç’mënyrë u krijuan ?

 

Një nga metodat më të pagabueshme për të zbuluar djepin e origjinës së Arbërve është analiza e homonimeve dhe e toponimeve. Me fjalë të tjera : a ka ndonjë vend ose ndonjë popull tjetër rreth e qark ose në botë që përmban rrënjën Arb – Alb ? Natyrisht që ka; për shembull, një rajon të tërë diku pranë Lazios në qendër të Italisë quhet Albano. Pra, me pak përpjekje deduktive, Arbërit dalin në këtë mënyrë me origjinë nga Italia. Në një rast tjetër, Albany është emri primitiv i Skocisë – pra Arbërit paskan adhur nga veriu i Anglisë. Një i tretë vëren se dikur ka egzistuar një Albanie në Kaukaz – e njohur ndryshe edhe Aghbanie, Aghouanie, Aluanie – pra Arbërit qënkan me origjinë nga Azerbajxhani i sotëm. Mbetet për t’u eksploruar edhe pista e Albany-së të Sh.B.A – dhe me këtë rast të vërtetohet se Arbërit e Amerikës kanë përshkuar oqeanin Atlantik në sens të kundërt pesë shekuj përpara Kristofor Kolombit. Pra, ata braktisën Nju Jorkun primitiv dhe u ngulën në brigjet e Adriatikut.

 

Sidoqoftë, sejcili prej partizanëve të varianteve ardhacake duhet të reflektojë për t’ju përgjigjur të paktën tre pyetjeve thelbësore :

 

- përse ky popull u shkul me kuç e me maç ? (pasi në të kundërt do të kishin lënë gjurmë në vendin e tij të lindjes, ndërkohë që gjurmë të tilla nuk shihen kërrkund.. )

- për ç’arsye jetësore ai braktisi atdheun e tij origjinal për t’u ngulur në Shqipërinë e sotme ?

- si ka mundësi që syve aq të vëmendshëm Bizantinas ju ka shpëtuar një turmë e tillë laragane ? (pasi ata nuk na kanë lënë asnjë dëshmi lidhur me një dyndje të tillë!)

Të rrallë janë ata që vazhdojnë dhe mbështesin sot idenë e ardhjes nga larg të Arbërve. Sidoqoftë, mbetet shkrimtari dhe historiani serb Vuk Drashkoviç, politikan i kohës së tij, i cili vazhdon t‘i besojë variantit azeri të Kaspikut!

 

Përballë brishtësisë logjike të tezës së Arbërve ardhacakë nga fundi i botës, teza tjetër e krijimit në vend merr një vlerë të veçantë. Por në këtë rast, gjithë debati përqëndrohet në kuptimin e shprehjes « në vend » - për çfarë vendi bëhet fjalë ? Pjesa dërrmuese e historianëve shqiptarë është e mendimit që vendi në fjalë është Shqipëria e sotme si dhe viset e tjera të populluara nga popullsi që flasin shqip (Kosova).

Të tjerë historianë ballkanikë mendojnë se Arbërit vërtet janë një popullsi vendase – por në kuptimin ballkanik të fjalës, dhe kjo popullsi është ngulur në këtë vend - Shqipërinë e sotme, diku në fillim të Mesjetës së hershme.

Ata më radikalët mes historianëve të teorisë së nguljes janë të mendimit se koha e nguljes së tyre është edhe më e vonshme – shekulli i XIIItë ndoshta edhe fillimi i shekullit të XIV.

Me fjalë të tjera, aktualisht, debati zhvillohet mes partizanëve të «autoktonisë së Arbërve » dhe partizanëve të « Arbërve nomadë ».

 

Si të parët dhe të dytët duhet t’ju përgjigjen pyetjeve të mëposhtme :

 

1) Mbi ç’bazë njerëzore të mëparshme u krijuan Arbërit ?

 

2) Si ka mundësi që Bizantinët (gjithmonë ata) i «zbuluan» vetëm në shekullin e XItë dhe jo më parë?

 

Lidhur me pyetjen e parë, duhet thënë se Ballkani i Mesjetës së hershme (fillimi i shekullit të XItë) ende nuk e ka marrë vehten nga vërshimi i baticës sllavo-bullgare. Ndoshta në kohën e sotme shprehja « sllavo-bullgare » tingëllon si një dyzim epitetesh me qëllime denigruese – e marrë nga fjalori i burrave politikë. Veçse në atë kohë, bullgarët – në të vërtetë me origjinë turkomongole, ende nuk ishin sllavizuar deri në pikën e tyre të fundit. Pra, krahas Romanëve të përhershëm që sot për një arsye misterioze quhen Bizantinë (disa të tjerë duan t’i quajnë edhe Grekë), kishte edhe Sllavë (antë, serbë dhe kroatë) si edhe Bullgarë, tashmë të instaluar përfundimisht në këto vise që prej katër shekujsh. Në veri të gadishullit lëvrinin Venedikasit, Hungarezët si edhe Franko-Gjermanikët. Nga ana e detit vinin herë pas here edhe Saraçenët (Arabët). Nga Azia e vogël, po afroheshin Turqit selçukë. Ndërkohë, nga brigjet italike kishin filluar të vërshonin Normanët, pra Latinët. Ku gjenden Arbërit në këtë skemë ?

 

Sigurisht jo në rradhët e Latinëve – megjithëse Attaleiatès diku thotë se Allvanoit gjendeshin edhe në Itali. Sigurisht jo në rradhët e Serbëve, të Kroatëve ose të Bullgarëve (pasi sot shqiptarët duhej të flisnin serbo-kroatisht ose bullgarisht – pra një gjuhë sllave). Sigurisht jo në rradhët e Saraçenëve ose të Turqve selçukë që çfaqeshin dhe zhdukeshin si hije. As edhe në mes të Hungarezëve ose të Venedikasve ose Franko-Gjermanikëve që hanin kokën njeri tjetrit diku në viset e Adriatikut verior. Pra, ata gjendeshin diku gjetkë - në gjirin e elementit Roman të hershëm.

Dhe me të vërtetë, për të krijuar elementë të tillë njerëzorë, të aftë të integrohen në ushtrinë bizantine, për të nxjerrë deri edhe udhëheqës si i famshmi Komiskortès ose edhe Arianitiès, këtyre Arbër ju është dashur një periudhë kohe, një fazë jetese në vend. Dhe kjo kohë, duhet vendoset në boshtin e kohës përpara atij momentit fillestar ?, të « zbulimit » të paharruar të Attaleiatès. Me fjalë të tjera, Arbërit janë ngjizur rreth shekujve të VI - VIII të erës sonë.

Çfarë përfaqson ky element Roman i hershëm ? Elementin e vjetër ballkanik, dikur të pushtuar dhe më pas të strukturuar nga Perandoria romake dhe të marrë në dorë në vazhdim nga administrata bizantine, i cili u cfilit përgjatë shekujve të tërë nga vërshimet e barbarëve Gotë (vizi dhe ostro), Gjermanikë dhe Hunë.

 

Le të marrim frymë thellë, të mbyllim fort hundën dhe të zhytemi në shekujt e errët të Antikitetit të vonët, në kërkim të paraardhësve të Arbërve. Sidoqoftë, le të sigurohen një herë e mirë të gjithë të interesuarit : megjithë misterin pothuaj si të Pashkëve që rrethon këtë çfaqje, këta shqiptarë që do të quhen ende arbër – të paktën deri në shekullin e XVIItë, tashmë do të jenë pjesë përbërëse e pejzazhit ballkanik. Ata do të jenë, nga afër ose nga larg, aktorë të pashmangshëm të të gjitha dramave ose tragjedive që do të luhen në Ballkan, deri në ditët e sotme dhe më tej ende.

 

 

Gjeneza e Arbërve.

 

Historia e viseve të Ballkanit të shekujve të parë të erës sonë është pandreqshmërisht e lidhur me fatin e Imperium romanum. Kjo perandori Romake zbuloi me kohë se brigjet përballë Adriatikut përbënin dashur padashur një rrugë kalimi të pashmangshëm, pasi gjithmonë sipas Polibit, vetë « fati i kishte caktuar Romës misionin të sundojë botën ». Nënështrimi i ballkanikëve të hershëm filloi rreth viteve 230 p.e.s, nga brigjet e sotme shqiptare, ku në atë kohë jetonin Ilirët, pra Illyrii propriedictii. Ai preku brendësinë e gadishullit rreth viteve 200 p.e.s, me fitoren e Romakëve kundër Maqedonasve të Filipit të IItë dhe disa vjet më vonë, e gjithë Greqia e lashtë dhe e lavdishme ish katandisur në një provincë romake. Rreth vitit 76 p.e.s, Romakët nënështrojnë Dardanët që jetonin në viset e sotme të Kosovës dhe gradualisht e shtynë pushtimin e tyre drejt veriut dhe veri-lindjes ku jetonin Dalmatët. Në fillim të erës sonë, Romakët kishin dalë në brigjet e Danubit të mesëm ; rreth viteve 40-45 të erës sonë legjionet e tyre mundën të nënështrojnë Trakën (pjesën lindore të gadishullit) dhe në vazhdim, rreth viteve 100 të erës sonë ata mundën të pushtojnë Dakinë dhe të robërojnë Dakët. Në këtë mëyrë i gjithë gadishulli ballkanik shëndrrohet në pjesë të perandorisë romake. Pas pesë shekujsh pranie romake në Ballkan, u desh vërshimi Got për të rivënë gjithçka në pyetje.

 

Shkurtimisht, historia e Antikitetit ballkanik mund të përmblidhet me disa rreshta :

« që prej kohësh që s’mbahen mend, mbi këto truaj banonin disa popuj të lashtë ballkanikë, të quajtur sipas vendit Ilirë, Trakë, Dakë ose Getë, Maqedonas dhe Helenë dhe të tjerë Dardanë. Ata jetonin në fqinjësi pak a shumë të mirë, gjë e cila nuk i pengonte të përlesheshin mes njeri-tjetrit, derisa përfundimisht erdhën Romakët. Këtyre të fundit ju deshën disa shekuj për t’i mposhtur dhe, nga kjo epokë dhe në vazhdim, i gjithë Ballkani ju bashkëngjit Perandorisë romake ».

 

Ku janë Arbërit tanë në mes këtij mishmashi ballkanik ? Për momentin duhet të tregohemi të duruar pasi ende nuk është çfaquar Vija e Theodhosit – ai makth i tmerrshëm sipas Aurel Plasarit (http://www.albanisches-institut.ch/pdf/text26.pdf), dhe bashkë me të, ndarja e botës antike më dysh : perandoria romake e Perëndimit dhe perandoria romake e Lindjes. Bile edhe pas heqjes së kësaj vije mbi hartë në vitin 393 – them mbi hartë, pasi nuk ma merr mendja që perandori Theodhos i Irë – i Madh, të ketë gërvishtur me dorën e tij një vijë të tillë mbi truallin ballkanik – Arbërit nuk kanë për t’u çfaqur. Siç e kemi thënë edhe më lart, ata do të çfaqen vetëm në shekullin e XItë, në kohën e Attaleiatès.

Të mos harrojmë se jemi duke kërkuar paraardhësit e tyre, meqënëse kemi bindjen se ata fshihen në masën e ballkanikëve të romanizuar – paçka se ende nuk dimë se si quhen këta paraardhës !

Cili nga popujt e lashtë ballkanikë mund të jetë paraardhës i Arbërve ? Duke lënë mënjanë hipotezën Helene dhe Maqedone – përndryshe, jo vetëm minoritarët e Dropullit si dhe emigrantët e Greqisë, por të gjithë shqiptarët e sotëm do të flisnin gërqisht – mbeten të tjerët : Ilirët, Trakët, Dardanët dhe Dakët.

Në këtë stad të rrëfimit tonë, mjetet historike çfaqen të pamjaftueshme. Ja përse historianët kërkojnë ndihmën e gjuhëtarëve dhe të tjerëve arkeologë. E keqja është se këto popullata tê lashta sikur kanë dashur vetë të ngatërrojnë historianët pasi, asnjëra prej tyre nuk ka patur gjuhë të shkruar, pra edhe gjurmët e tyre në tekste nuk janë të mjafta. Në këtë rast, mbetet mjeti i fundit : spekullimi, i mbështetur nga interpretimet e gjetjeve arkeologjike të rastit.

 

Ja vlen të thuhet që në fillim se, historianët shqiptarë e kanë ndarë hesapin, duke propozuar variantin Ilir. Me fjalë të tjera, ata aplikuan sillogjizmin e mëposhtëm :

 

1) meqënëse Arbërit u panë në territoret e Shqipërisë së sotme dhe jo gjetkë,

2) meqënëse këto teritore më parë kanë qenë të banuara nga Ilirët

3) atëhere Arbërit rrjedhin nga Ilirët.

 

E thënë me një gjuhë më shkencore, « vazhdimësia iliro-shqiptare », në rradhë të parë vjen si një « vazhdimësi e banimit » dhe më tej, ajo ndiqet nga një « vazhdimësi kulturore dhe etnike ». Vështirësia më e madhe që ngrihet përpara tyre përmblidhet nga fakti se, Ilirët vazhdojnë të përmenden deri aty nga fundi i shekullit të VItë , më tej askush nuk i përmend më. I fundit që flet për ta është një tjetër bizantin, kronisti Euagre (ose Evagre) – Skolastiku (nuk na u ndanë këta bizantinët !).

Vepra e tij « Historia Ekleziastike », e shkruajtur në fundin e shekullit të VItë dhe e botuar në vitin 594, përshkruan luftrat e perandorisë kundër Avarëve aziatikë. Por, megjithë këtë kronikë dhe « dëshmisë » së saj të fundit mbi ilirët, edhe logjika më elementare çon drejt mendimit që historiani Skolastik nuk ka mundur të shohë me sytë e tij çfarosjen e përfaqsuesit të fundit të species ilire dhe që, sipas të gjitha gjasave, ilirët ose edhe pasardhësit e tyre kanë vazhduar të jetojnë në malet e tyre ballkanike.

Sidoqoftë, historianëve shqiptarë ju duhet të mbushin me fakte atë "hiatus kronologjik të rëndësishëm mes [zhdukjes së] ilirëve dhe [çfaqjes së] shqiptarëve" . Ja përse ata mbështesin me aq ngulm konceptin e « kulturës së Komanit », kjo formë e qytetërimit të Mesjetës së hershme që vjen nga shekujt e VItë – VIIItë dhe shtrihet përgjatë brigjeve të liqenit të Shkodrës deri në brigjet e liqenit tjetër të Ohridit. Gjithmonë sipas mendimit të historianëve shqiptarë, ajo përbën « hallkën që mungon » mes Ilirëve dhe Shqiptarëve dhe dëshmon për vazhdimësinë iliro-shqiptare mbi territoret e Shqipërisë së sotme dhe ato rreth e qark.

Një grup tjetër historianësh ballkanikë dhe evropianë janë më pak kategorikë se sa kolegët e tyre shqiptarë dhe venë në dukje se terminologjia Ilir është fort e paqartë. Sipas tyre Ilirët s’janë gjë tjetër veçse një përzierje mes Trakëve dhe Dakëve që sipas rastit, mund të kqyret në brigjet e Adriatikut por edhe në thellësi të gadishullit. Edhe këta historianë thërresin në ndihmë gjuhëtarët, të cilët pohojnë se shqipja e sotme vjen nga një gjuhë e lashtë iliro-trake, me ngjashmëri të dukshme me rumanishten (ja ku qenkan fshehur edhe Dakët). Me fjalë të tjera, pararendësit e Arbërve duhen kërkuar jo në bregdetin Adriatik por më thellë në gadishull, diku andej mes Rumanisë dhe Bullgarisë – le të themi nga veriu i Maqedonisë së sotme. Si shpjegohet atëhere që këta Arbër u panë për herë të parë diku rreth Durrësit dhe jo në rrethinat e Bukureshtit?

 

Në këtë moment kaq pasionant të rrëfimit tonë ndërhyn grupi i tretë i historianëve me tezën e „Arbërve nomadë“. Shih tekstin (në anglisht)(http://www.greekhelsinki.gr/pdf/cedime-se-albania-catholics.doc). Sipas tyre, është fort e mundur që paraardhësit e Arbërve, ato

 

"popullatat e gjuhës dako-mëziene të kenë qenë prezente (në pjesën perëndimore të Ballkanit), të përziera me grupet të tjera, diçka si puna e Romëve të sotëm. Nga ana tjetër, tashmë dihet se proto-shqiptarët ishin fort të afërt me Vllehët, të cilët gjithashtu jetonin në simbiozë me popuj të tjerë të rajonit. Ka shumë mundësi që proto-shqiptarët të kenë qenë barinj që jetonin në male dhe që niseshin në shtegëtim me bagëtitë nga një luginë në tjetrën. Mbetet fort e vështirë të përcaktuar se në ç’kohë dhe në ç’mënyrë këto popullata janë çfaqur në një krahinë të ngushtë, të gjendur mes jugut të Malit të Zi dhe Malësisë shqiptare. Sidoqoftë, është e sigurt që në fundin e shekullit të XVtë nuk takoheshin më proto-shqiptarë. Kjo popullatë fitoi një identitet shqiptar të veçantë, të përqëndruar mbi një organizim të fuqishëm shoqëror dhe ushtarak dhe në aleancë me Kishën katolike".

Kështu dhe gjithmonë sipas tyre, na duhet të pranojmë se

 

1) proto-Arbërit janë të afërt me Vllehët,

2) se kjo popullsi katolikë fillimisht u ngul në Malësinë e Veriut pranë Malit të Zi diku përpara shekullit të XIV, ndërkohë që popullsia lokale e vendit ishte një përzierje mes një shtrese të vjetër iliro-proto-ballkanike dhe Serbëve.

 

Në këtë mënyrë, përhapja dhe pushtimi i hapësirës perëndimore ballkanike nga ana e Arbërve shqiptarë fillon diku aty nga shekulli i XIV. Ç’është e drejta, analogjia e rastit mes çobenjve vllehë dhe barinjve shqiptarë, të quajtur shumë të afërt nga pikpamja gjuhësore dhe territoriale, përfundon në luginën e parë poshtë malit-vendlindje e tyre e përbashkët pasi, në qoftë se të parët vazhduan të ngasin delet më tutje deri në pafundësi, të dytët i braktisën menjëherë për t’u shëndrruar në luftëtarë që « pushtuan » Ilirinë e vjetër, ndërkohë e kthyer në « vend të serbëve ».

Me çka janë marrë këta Arbër – ose më mirë të themi këta proto-shqiptarë - nga momenti i çfaqjes për herë të parë në shekullin e XItë në rolin e mbrojtësve të Durrësit kundër trupave normane të Robert Guiskardit dhe shekullit të XIVtë, atëhere kur vendosin të ngulen në atë qoshe të humbur të Malit të Zi ?

Zaten, përse shkuan dhe u ngulën në mes të maleve të thepisura dhe shterpe të Veriut kur përpara tyre shtrihej një vend i tërë ?

 

Askush – dhe aq më pak përfaqsuesit e kësaj teorie - s’është në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve të tilla.

Po qe se përmblidhet kjo çështja e çfaqjes së Arbërve, ja se çfarë rrjedh si esencë :

 

-          Sipas prirjes së parë, gjuhëtarët, kryesisht ata të shekullit të XIXtë, kanë nxjerrë si përfundim atë afërinë mes një gjuhe shqipe unike dhe të paklasifikueshme dhe një gjuhe të vjetër ilire – duke i shtuar edhe disa grima të gjuhës trake, po aq ezoterike sa e para. Më tej, historianët kanë përpunuar hipotezën e lidhjes njerëzore dhe « gjenetike » mes shqiptarëve dhe ilirëve. Ideja e vazhdimësisë historike të këtyre grupeve njerëzore përforcohet nga vendbanimi i tyre i përbashkët – territoret e sotme të Shqipërisë, pa harruar njëkohësisht edhe ato të Kosovës.

 

-         - Sipas tendencës së dytë, kjo teori është e krejtësisht e gabuar. Disa gjuhëtarë të tjerë kanë vendosur ngjashmëri të fuqishme mes gjuhës shqipe dhe rumanishtes së sotme, nga e cila vjen edhe një lidhje e re në gjirin e grupit të gjuhëve dako-mëze, dhe më tej në një kuadër më të gjerë në gjirin e një super familjeje të gjuhëve balto-sllave. Në këtë mënyrë hidhet tutje ilirishtja misterioze në favor të një dako-mëzishteje që është edhe më e mistershme se e para.

 

Duke parë afërinë gjuhësore, një ndërlidhje njerëzore dhe gjeografike imponohet vetvetiu : ja përse proto-shqiptarët dalin me origjinë nga një zonë ballkanike lindore, sigurisht e afërt me dakët dhe me mëzët. Dhe forcërisht, ata kanë mërguar për t’u vendosur në viset e Shqipërisë së sotme ku edhe u panë për herë të parë nga bizantinët, gjatë shekullit të XItë.

 

Në fund të fundit, nga vijnë këta Ilirë, Trakë dhe të tjerë Getë ? Cilat janë tiparet e tyre dalluese dhe elementët e përbashkët ? Përpara nesh shtrihet oqeani i paanë i parahistorisë ballkanike dhe në mënyrë të pashmangshme, do të na duhet të zhytemi në të, në kërkim të paraardhësve të paraardhësve – indo-evropianëve të parë.

 

(vijon në dy pjesë të tjera)

 

(shkrimi origjinal gjendet në faqen e autorit : http://www.albanie-albanais.com)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora