E enjte, 25.04.2024, 11:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Vazhdojnë manipulimet për Dodonën

E merkure, 26.09.2012, 07:36 PM


Akademia e Shkencave të Shqipërisë në listën e individëve dhe institucioneve shkencore që vazhdojnë manipulimet për Dodonën pellazgjike.*

Nga Kujtim Mateli

Studimi i Kostantin Karapanos, që e vendosi Dodonën në luginën e Carakovistës, i anashkalon autorët e antikitetit që flasin për pozicionin gjeografik të Dodonës.  Nëse ata do të përmendeshin, askush nuk do të besonte se Dodona ndodhet aty, në juglindje të Janinës. Më shumë flitet se si funksionte orakulli në vend që të silleshin dëshmi se ku ishte ndërtuar. Nga ato që thotë, asnjë dëshmi nuk i përshtatet kësaj lugine. Ndaj dhe në librin tim studimor “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”, Tiranë 2011, gjenden të rrëzuara të gjitha dëshmitë e Karapanos me të cilat deshi të provonte ekzistencën e Dodonës në luginën e Carakovistës.
Po në vazhdim të atij studimi, duke përgatitur materialin për librin e dytë “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit II”, pashë se ato që i mungonin Karapanos, individë  apo dhe institucione shkencore, kishin filluar që këto mangësi t`i plotësonin; jo me argumente, se argumente që të provojnë Dodonën në Carakovistë nuk ekzistojnë, por me hamendësime. Bile është arritur deri aty, sa që të thuhet se të dhënat për Dodonën nga autorët e vjetër janë kontrakditore “dëshmitarët që kanë folur janë të dykuptimtë dhe të paqartë siç ishin edhe përgjigjet e orakullit”. 
Pra, autorët e vjetër ishin të paqartë, të qartë janë këta të kohës së sotme, që ndonjë të dhënë që dinë për Dodonën, e dinë po nga  ata autorë të lashtësisë. Shumë prej autorëve të antikitetit e kishin vizituar Dodonën apo kishin dëgjuar nga të tjerët që e kishin vizituar atë. Ndaj dhe të dhënat e tyre janë të sakta dhe janë mbi 10 dëshmi që e sjellin Dodonën në veri të Epirit, në tokën e Molosisë dhe nuk ekziston qoftë dhe një thënie e vetme që ta vendos Dodonën në mes të Epirit. 
Ajo që mua më shqetëson është fakti që në këtë listë manipulatorësh bëjnë pjesë edhe individë nga Shqipëria që mbajnë tituj të rëndë shkencorë, por edhe institucionet tona shkencore siç është ajo më përfaqësuesja e tyre: Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
-I-
Nga ajo që Kostantin Karapanos përshkruan luginën e Carakovistës mësojmë se kjo luginë është larg nga Janina rreth 18 km. Lugina është e gjatë 12 kilometra dhe ka një gjerësi që shkon nga 300 deri në 1800 metra. Ajo është e ndarë në dy pjesë jo të barabarta. Pjesa veriperëndimore ka një terren të thyer. Gjatësia shkon rreth 7 km dhe gjerësia mezi arrin 400 metra. 
Pjesa kryesore e luginës, ajo e  juglindjes, është e rrafshtë. Gjatësia është  5 km. dhe gjerësia mesatare 700 metra. Këtë ndarje të luginës në dy pjesë e shkaktojnë kodrat e Kozmirasë të cilat në një lartësi mesatare rreth 30 metra futen në brendësi të luginës së Carakovistës.

Kostantin Karapanos, Dodonë et ses ruins.
Një zgjatim i kodrave të Kozmirasë, formon një lloj kepi që hyn në luginë deri në skaj të luginës bazë dhe e përshkron këtë fushë më shumë se gjysma e gjerësisë. Ky zgjatim, i gjatë 1200 metra, i gjerë 400 metra dhe i lartë mesatarisht 30 metra, e ndan këtë luginë në dy pjesë jo të barabarta: Ajo e juglindjes që është dhe më e rëndësishmja dhe ajo e veri-perëndimit që është më e lartë. Në cep të këtij kepi, nga pjesa lindore dhe jugore, ndodhen rrënojat e Dodonës”. 1)  
Pra, rrënojat e Dodonës ndodhen në kodrat e Kozmirasë, në pjesën lindore dhe jugore të kësaj kodrine, lartësia e së cilës arrin deri në 30 metra. Po ky pozicion gjeografik vjen në kundërshtim me ato që na thonë autorët e vjetër. Qyteti dhe tempulli i Dodonës nuk ndodhen në një kodër, por në shpat të një mali, në shpat të malit Tomaros. A e dinte Karapano, që Straboni dhe Eustathi thonë se qyteti ndodhet në shpat të malit?
Po nëse këtë dëshmi kyçe nuk e dinte Karapano, e dinin ata që erdhën pas tij, përfshirë këtu edhe institucione shkencore të rëndësishme si Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Dodona nuk duhej të qëndronte në një kodër, se kështu vinte hapur në kundërshtim me të dhënat e antikitetit. Atëhere më e mundshmja ishte që Dodona të zhvendosej nga kodrat e Kozmirasë në rrëzë të malit Uliçka.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë 2008, “Dodona. Qytet dhe qendër e rëndësishme kulti në Epirin antik, 18 km. në JP. të Janinës. Rrënojat janë rrëzë malit Tomaros.”2).
Po si qëndron e vërteta. Rrënojat e qytetit të Carakovistës janë ashtu sikundër thotë Karapanua: në pjesën lindore e jugore të kësaj kodre me lartësi afërsisht 30 metra, që ëshë pjesë e Kodrave të Kozmirasë.  Pra kemi një manipullim të hapur, jo të një dokumenti, por të një realiteti. Asnjë mendje njerëzore (po ta çosh te lugina e Carakovistës e t`i thuash: na fol për pozicionin e këtyre rrënojave), nuk do të thotë se këto rrënoja ndodhen në shpat të malit. Po ja, atë që nuk e bën asnjë mendje njerëzore, e bëjnë akademikët e Shqipërisë që nuk e kanë për gjë të thonë dhe absurditete të tilla.
Po mos kujtoni se këta akademikët tanë janë më pak të mençur se çdo mendje tjetër njerëzore. Një hall i detyron ata, ta bëjnë një manipulim të tillë. Nëse do të thuhej se Dodona gjendej kodrave të Kozmirasë, kushdo që do të studionte sadopak Dodonën, do të shihte se ky pozicion gjeografik vinte në kundërshtim me Strabonin dhe Eustathin dhe këto dëshmi të tyre do të bindnin çdo lexues se Dodona nuk ndodhet në luginën e Carakovistës. 3.5-1. Straboni 8.7, Eustathi 8.9. Tempulli i Dodonës ndodhet në shpat (në brinjë) të malit Tomar 3).
Ajo që del prej kësaj që thuhet më lart është pyetja: çfarë interesi ka Akademia e Shkencave të Shqipërisë të bëjë manipullime të tilla? Përgjigjen le ta japin ata që përfaqësojnë këto institucione.
-II-
Për të nxjerrë Dodonën patjetër në luginën e Carakovistës, është manipuluar edhe rruga romake Apolloni-Hadrianopoli-Aktia Nikopoli. Këtë manipulim e gjejmë të  bërë nga Konrad Miller, Tabula Peuntingeriana, Stuttgart 1916.
Ky autor, këtë rrugë (Apolloni-Hadrianopoli-Aktia Nikopoli) kërkon ta kalojë patjetër nëpër luginën e Carakovistës, meqë aty ndodhej Dodona sipas Karapanos. Duke e kaluar nëpër luginën e Carakovistës kësaj rruge kërkoheshin t`i shtoheshin edhe XX milje. Dhe Konrad Miller ia shtoi XX milje. Po në libër ai nuk e fshehu faktin që rruga romake nuk e kishte stacionin e Dodonës.
Tek libri "Ilirët dhe Iliria te autorët antikë", botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, rruga romake, për segmentin: Apolloni-Hadrianopolis-Aktia Nikopoli-Larissa u përkthye sipas autorit Konrad Miller, Tabula Peuntingeriana, Stuttgart 1916, sipas variantit ku kësaj rruge i ishte shtuar një stacion, stacioni i Carakovistës, si stacion i Dodonës. Pasi jepet pjesa grafike nga Tabula Peuntingeriana, paraqiten dhe stacionet që janë shënuar në këtë libër dhe sipas përkthyesve kemi këto stacione.
Apolloni -(Pojani)   
Amatria -(Ploça )   XXX
Hadrianopolis -(Jermë?) LV   
Ilio -( Vela )   XXIV
(---- ) -(Janina?)  XX
Dodona -(Zarkovistë) XII
Aktia Nikopoli -(Preveza) XLV  4)  
Përkthimi i librit bëhet sipas variantit të Konrad Miller, që tregon Dodonën në luginën e Carakovistës dhe e fsheh faktin që stacioni i Dodonës nuk ekziston në rrugën romake, por është një stacion i shtuar nga Konrad Miller.
Për ta bërë të besueshme ekzistencën e Dodonës aty, në pjesën grafike të rrugës Apolloni-Hadrianopoli-Aktia Nikopoli, hiqen stacionet dhe pjesa grafike jepet pa stacione. Këto stacione i hiqen vetëm kësaj rruge, ndërsa për rrugët e tjera ato janë siç i ka Tabula Peuntingeriana. Lexuesi mund ta shohë këtë tek libri të cilit po i referohemi: (Ilirët dhe Iliria te autorët antik", Tiranë 2002, faqe 312).
Manipuluar në këtë mënyrë, lexuesi shqiptar nuk e di që Tabula Peuntingeriana nuk e ka stacionin e Dodonës. Lexuesi shqiptar, ashtu sikundër e gjen  te "Ilirët dhe Iliria te autorët antikë", do të gjykojë se Dodona është në Carakovistë se edhe rruga romake e ka patur Dodonën si stacion të saj.
Kështu mbyllet (siç ka qenë mbyllur deri më sot)çdo shteg për mendjen njerëzore që ta kërkojë Dodonën jashtë luginës së Carakovistës.
******
Po si e kanë tajtuar autorë të tjerë që janë marrë me këtë rrugë romake të përshkruar sipas  Tabula Peuntingeriana? Le të shohim njërin prej tyre.
Hammond nuk e fsheh faktin që Dodona është shtuar si stacion nga
Konrad Miller. Ai i vendos stacionet e kësaj rruge sipas tabelës origjinale të Tabula Peuntingeriana. Dhe ja stacionet sipas kësaj tabele (të dhëna në milje dhe kilometra) që gjenden në librin e tij.
Apollonia
lumë
Amatria....30  (44km)
Hadrianopoli..55  (81km)
Ilio.. 24   (36km)
(...) ..12   (18km)
Akta Nikopoli ..45  (67km)” 5).
Në tabelën origjinale nuk ka stacion të Dodonës dhe nuk kish se si të kishte, kur Dodona nuk ndodhet në territoret në afërsi të Janinës.
Hammond, N.G.L. Epirus, the geography, the ancient remains…
"Miller mendoi të shtonte XX, sepse ai mori rrugën e makinave e cila është më e gjatë. Kjo e çoi atë ta vendosë stacionin Illium pranë Kallabakës; ai gjithashtu e barazoi Iliumin me qytetin e Ptolemeut në Kaoni, Elaeous. Në të dyja rastet, unë mendoj se ai gaboi" 6 ). Hammondi nuk e shton një stacion në tabelën e mësipërme, por është munduar në terren të vërtetojë se ku duhet të ketë kaluar rruga romake. Në këtë segment, ai mori një pikë fikse, siç ishte Dodona e Carakovistës, duke menduar se kjo rrugë patjetër duhej të kishte kaluar nëpër Dodonë për dy arsye:
"Unë e mora Dodonën një pikë të fiksuar. Një arsye është se ajo u gjallërua gjatë kohës së Perandorisë romake dhe ishte vendi i Peshkopatës së vjetër; atje u mbajtën lojërat në shekullin e tretë A, D. (Arch. Delt. 16.I.35f)
Arsyeja kryesore është se ajo shtrihet në rrugën më të drejtë. Unë propozoj ashtu siç bëri dhe Milleri, e vendos Dodonën si një emër i humbur në Table Peuntiger" 7).
****
Shohim që si Milleri edhe Hammond, nuk e fshehën faktin që te tabela origjinale e Tabula Peuntingeriana mungonte stacioni i Dodonës. Ata thonë se këtë stacion e kemi shtuar ne: Miller XX milje dhe Hammond XII milje. Po a veproi drejt Hammondi që ashtu si dhe Milleri e caktuan Dodonën në këtë segment pa qenë në Tabula Peuntingeriana? 8) 
Të dy këta gabuan duke shtuar stacionin e Dodonës, por të dy e paraqesin të vërtetën e pakundërshtueshme që nuk ka stacion të Dodonës në Tabula Peuntingeriana. Lexuesi dhe studiuesi lihen të lirë të gjykojnë. Kjo mënyrë paraqitjeje nuk pengon asnjërin që të mendojë se Dodona nuk është në Janinë. Në këtë mënyrë më shumë u besohet autorëve romakë që nuk kishin arsye pse të mos e shënonin stacionin e Dodonës po të ekzistonte, se sa dy autorëve të shekullit të XX, që e thonë edhe vetë, që këto janë hamendësime.
Po ajo që bëjnë zotërinjtë shqiptarë, jo vetëm nuk është shkencore, por është manipuluese. Është fshehur e vërteta që askush të mos mendonte se Dodona është jashtë luginës së Carakovistës. Pse e bënë këtë, kur libri që ata përkthyen e kishte tabelën origjinale të Tabula Peuntingeriana? Edhe për këtë, mirë do të ishte të kthente përgjigje vetë Akademia e Shkencave e Shqipërisë si autore e këtij botimi.
-III-
Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Historia e popullit shqiptar I.
“Për një nivel të lartë të artit të ndërtimit në këto kohë dëshmojnë edhe shtëpitë shumë të bukura dhe të ruajtura mirë të Amotoposit në Molosi, ku mendohet të ketë qënë edhe Fylakeja antike” 9).
Po çfarë dimë për qytetin Fylake? Një e dhënë e rëndësishme për vendndodhjen e tij na vjen nga Tit Livi.
Tit Livi, Nga themelimi i qytetit, libri XLV.
 “ Këtu Fanote qe i pari qytet që u dorëzua dhe banorët e tij dolën përpara me shumicë të madhe me lidhëza të bardha. Anici, pasi la roje në këtë qytet, prej këtej shkoi në Molosi, ku gjithë qytetet u nënshtruan përveç Pasaronit, Tekmonit, Fylakes dhe Horreas. Së pari u turr kundër Pasaronit…… Gjithashtu nguli këmbë Kefali, kryetari i Tekmonit të rrethuar, por u vra dhe qyteti u dorëzua. Qytetet Fylaka dhe Horrea nuk pritën të rrethoheshin dhe u dorëzuan 10).
Po ku ndodhen këto qytete që ishin rezistenca e fundit kundër romakëve? Sigurisht në zemër të Molosisë, e në distanca të afërta me Pasaronin.
Pierre Cabanes, Problemes historiques des confins iliro- epirotes
" ... pas marrjes së Fanote (Phanote), L. Anicius hyri në Molosi ose pasi kishte marrë në dorëzim të gjitha fortesat, me përjashtim të Passaronit, Tekmonit, Phylace dhe Horreum, marrshoi në fillim kundër Passaronit. Kjo qendër ishte e vendosur në akropolin e Gardhiqit, Tekmoni ndoshta është Kastrica, Horreum ose Orrhaon është në Ammotopos dhe Phylace është akoma pa u lokalizuar saktë” 11).
Tit Livi na ka dhënë vendosjen e këtyre qyteteve nga veriu drejt jugut, sipas lëvizjes së ushtrisë dhe këto qytete kishin këtë vendosje: Passaron-Tekmon-Fylake- Horreas.
Pierre Cabanes i identifikon ato dhe thotë: Passaron (Gardhiq) -Tekmon (Kastrica) –Fylake ( i pa identifikuar) – Horreas (Ammotopo). Po edhe qendra arkeologjike të rëndësishme në këtë rajon janë katër. Gardhiqi -Kastrica –Lugina e Carakovistës, qyteti – Ammotopo. Sipas kësaj renditje qyteti në luginën e Carakovistës, i pretenduar deri tani si qyteti i Dodonës është Fylake. Po si duket ky identifikim sipas Pierre Cabanes, i ka shqetësuar ata që kanë interesa të mbrojnë Dodonën në luginën e Carakovistës dhe bëjnë këtë zhvendosje spektakolare: qendrën arkeologjike të Ammotopos që i përket qytetit Horreas e zëvendësojnë me Fylake (sipas renditjes) duke lënë të kuptohet se Horreas është i pa identifikuar dhe duhet të kërkohet më në Jug. Kështu dhe qyteti në luginën e Carakovistës mbetet i lirë dhe mund ta caktojmë si qytet të Dodonës. Këtë bën Akademia e Shkencave të Shqipërisë duke dalë kundër Pierre Cabanes, një autoriteti shkencor të nivelit të lartë. Në rastet kur bëhet një kundërshtim i tillë, sidomos një autoriteti si Pierre Cabanes, kundërshtimi duhet të jetë i argumentuar mirë. Po Akademia e Shkencave të Shqipërisë e bën këtë kundërshtim pa sjellë asnjë argument. Po pse e bën këtë? Përgjigjen kësaj pyetje duhet t`ia japin prapë ata që drejtojnë këto institucione shkencore.
-IV-
Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Historia e popullit shqiptar I.
“ …për atintanët mendimet e studiuesve ende nuk përkojnë. Megjithatë, po t`i çlirojmë këto pohime nga ndonjë interpretim jo i drejtë i burimeve që i shtrijnë atintanët deri në Dodonën e largët apo në luginën e Drinos, atëhere do të vërejmë se burimet kryesore e më të besueshme e vendosin këtë popullsi në shpinë të Apolonisë, në Mallakastrën e sotme”12).  
Atintanët kanë qenë në kufi me Apoloninë. Mendimi i shprehur nga Akademia jonë e Shkencave se atintanët që kishin kufi të tyre Apoloninë, nuk mund të shtriheshin deri në Dodonën e largët, pra deri në juglindje të Janinës, është i drejtë. Atintanët janë aty ku është Mallakastra e sotme dhe territori i banorëve të sotëm të Tepelenës që shtrihen në krahun e djathtë të Vjosës. Që banorët e sotëm të Tepelenës janë atintanët e antikitetit, pranohet pothuaj nga të gjithë studiuesit shqiptarë.
Po ndërsa Akademia e Shkencave të Shqipërisë e pranon faktin që atintanët shtrihen në krahun e djathtë të Vjosës me kufi Apoloninë, duhet të pranojë dhe faktin tjetër që atintanët sipas dëshmive të Pindarit dhe Skylaksit shtriheshin deri në Dodonë, që do të thotë se Dodona nuk ndodhet në luginën e Carakovistës pranë Janinës, por në kufi me atintanët dhe ky kufi i atintanëve është lugina e Dëshnicës në rrethin e Përmetit.
Skylaksi, Lundrimi, Illyrioi. “Apollonia është pesëdhjetë stade larg detit; anës qytetit shkon lumi i quajtur Aia. Kurse nga Apollonia në Amanti janë treqind e njëzet stade. Ky lumë  zbret në det, duke qenë tetëdhjetë stade nga Oriku, që është më thellë në detin Jon nga gjithë Orikia, kurse nga Amantia është larg 60 stade. Fqinj me gjithë këta, në viset e brendshme, janë atintanët, sipër Orikisë dhe Kaonisë gjer në Dodonë” 13). 
Që atintanët kufizoheshin me Dodonën na e thonë këto dy dëshmi të pakundërshtueshme të Skylaksit dhe Pindarit 14). 
Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë mbeten dy alternativa:
ose të pranojë që atintanët në kufi me Apoloninë janë shtrirë deri në Dodonën e Carakovistës duke bërë pjesë të territorit të tyre luginën e Drinosit, ose të pranojnë që Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit aty ku është dhe kufiri real i atintanëve.
Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është i papranueshëm mendimi që atintanët të jenë shtrirë deri në Dodonën e largët, arsyetim që gjen edhe mbështetje, sepse nuk ka si të ndodhte që atintanët të shtriheshin në një rrip të ngushtë toke që shkon në një gjatësi rreth 160 km., kurse gjerësia nuk i kalon 10-15 km.
Po atëhere duhet të pranojnë versionin tjetër: Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, ku në një studim timin mbi 200 faqe (Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I, Tiranë 2011),  argumentohet e qartësohet vendndodhja e vërtetë e Dodonës.
Po kësaj të vërtete Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nëpërmjet nënkryetarit të saj i përgjigjet negativisht.
Muzafer Korkuti, Një monument tjetër i Pavarësisë në Tiranë, më duket diletantizëm.
Këto që dëgjojmë e lexojmë se me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, do të ngrihet një monument tjetër i Pavarësisë në Tiranë, më duken si ato dilentantizmat e atyre që përmenda më lart, që Dodonën antike 2500 vjeçare duan ta çojnë në Kalanë e Këlcyrës” 15).   
Shihet qartë që nuk kemi të bëjmë me analiza shkencore. Dodona është atje ku duam ne. Autorët e antikitetit i interpretojmë si të duam ne. Vëreni si e kanë interpretuar Skylaksin duke na thënë se atintanët shtrihennë shpinë të Apolonisë, në Mallakastrën e sotme”.  Të thuash se atintanët janë shtrirë vetëm në Mallakastrën e sotme, do të thotë të lësh jashtë atintanët që kanë patur si kufi Kaoninë dhe që kaonë  në këtë segment quheshin banorët e Tepelenës së sotme në të majtë të Vjosës (pra nga krahina e Lopësit e deri në grykëderdhjen e Drinosit), ndërsa në të djathtë quheshin atintanë dhe kjo del nga ajo që na thotë Skylaksi: “Fqinj me gjithë këta, në viset e brendshme, janë atintanët, sipër Orikisë dhe Kaonisë gjer në Dodonë”. Pra atintanët ishin në kufi me kaonët, të ndarë midis tyre nga rrjedha e mesme e lumit të Vjosës (Aoos),  ndërsa në juglindje kufizoheshin me Dodonën ose me territorin e sotëm të Dëshnicës së Përmetit Po të pranosh që atintanët janë banorët e Tepelenës të krahut të djathtë të Vjosës, do të pranosh se në kufi të tyre ndodhet Dodona.
Zgjidhja që i jep Akademia e Shkencave e Shqipërisë? I kufizojmë në Mallakastër në një largësi të konsiderueshme nga Dodona e vërtetë.
****
Këto manipulime e shtrëmbërime të dëshmive e fakteve historike që kanë lidhje me Dodonën, ndodhen në dokumentat bazë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Mbi bazën e tyre pedagogët e Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe atyre në rrethe, të Universiteve Private kudo në Shqipëri, hartojnë leksionet për këta studentë. Kjo gjë duhet të na shqetësojë seriozisht.

Bibliografi
1-Kostantin Karapanos, Dodonë et ses ruins, fq 10.
2-Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë 2008, faqe 500.  
3- Aravatinos, P. Pragmateia peri Dodonis, Janinë 1862, fq. 37  
4-"Ilirët dhe Iliria te autorët antik", Tiranë 2002, faqe 313

5-Hammond,N.G.L. Epirus, the geography, the ancient remains,the history and the topography of Epirus and adjacent areas, Oxford 1967, fq. 695.

6- Hammond,N.G.L.  Epirus, the geography,…. fq. 697

7- Hammond,N.G.L. Epirus, the geography, fq.696.
8-Kujtim Mateli, Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I, Tiranë 2011, faqe 40-52.
9-Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Historia e popullit shqiptar I. Tiranë 2002, fq.98.
10- Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, fq.131-132.
11- Pierre Cabanes, “L`Ylliri meridionale et l`Epir dans l`Atiquite, Actes du colloque de Clermont-Ferrand, 22-25 octobre 1984, fq.23.
12-Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Historia e popullit shqiptar I, Tiranë 2002, fq. 118.
13-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, fq. 36.
14- Kujtim Mateli, Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I, Tiranë 2011, faqe 145-153.
15-Muzafer Korkuti ,Një monument  tjetër i Pavarësisë  në Tiranë, më duket diletantizëm,  gazeta Tirana  Observër,  24 Prill 2012.
* Ky shkrim është botuar te gazeta “ Republika” dt. 26 shtator 2012.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora