E shtune, 20.04.2024, 04:01 AM (GMT+1)

Faleminderit

Xhelal Marku: Sfidat e Rrahman Dodës së Reçit

E merkure, 26.09.2012, 06:30 PM


Sfidat e Rrahman Dodës së Reçit

(Monografi)

Nga Xhelal Marku

Përgjatë 30 viteve të punës drejtuese në vendlindjen e tij në Reç të Dibrës, Rrahman Doda e afirmoi veten si figura më publike e krahinës, duke fituar kështu mirënjohjen dhe respektin e banorëve vendas e më gjërë. Katër herë i dekoruar me medalje e urdhëra pune, i zgjedhur në disa legjislatura në forumet drejtuese të rrethit, i emëruar sekretar lokaliteti për zonën Reç - Dardhë, i zgjedhur deri sekretar i Këshillit Popullor të rrethit të Dibrës dhe i propozuar dy herë kandidat për Hero Pune, Rrahman Doda shënoi kështu sfidat e tij si drejtues në një zonë tepër të vështirë e malore, siç ishte Reçi. Ndaj, emri i tij mbart mbi supe jo vetëm peshën e 76 viteve të moshës së tij, por dhe një jetë të mbushur me plot vështirësi, pengesa e realizime të shumëta. Ai e rriti prestigjin dhe personalitetin e tij si bir i denjë i krahinës, por dhe si një pinjoll i një dere mjaft fisnike - asaj të fisit: Doda, që njihet për historinë dhe traditat e saj të mrekullueshme në krahinën e Reçit. Njeri i punës, i fjalës, i qëndresës, me një karakter të fortë dhe me një formim të admirueshëm, Rrahman Doda e nisi nga hiçi dhe arriti të jetë dikush: 27 vjet përgjegjës sektori dhe kryetar kooperative në Reç dhe tre vjet drejtues pushteti në krahinën Reç - Dardhë. I shumëvlerësuar, por dhe i shumësulmuar në finale të karierës së tij, aq sa zik - zaket e Rrahman Dodës të bëjnë të mendosh thellë dhe aty për aty të krijohet vetiu ndjenja e keqardhjes për këtë njeri, që me urti e zgjuarësi mundi t`u bëjë ballë e t`u rezistojë  me burrëri sulmeve të ashpra, të qëllimshme e të paprincipta të Diktaturës Komuniste… Ndaj, sapo mëson për jetën e tij me kontraste të thella vlerësimesh, vetiu lind pyetja: “Si ka mundësi që brenda një dite të shuhen të gjitha? Ku shkoi tërë ajo punë me përkushtim e vlerësime të larta e Rrahman Dodës në tri dekada...?! Si u venit sa hap e mbyll sytë ky emër i vlerave të krahinës së Reçit e të Dibrës? E habitshme, por tipike për një rregjim si ai, që Shqipëria la pas në vitin e përmbysjes së madhe të `90 – tës”. Ndoshta, xhelozitë e intrigat e njerëzve profesionistë të spiunllëkut komunist, krijuan skenarin e kobshëm, për ta shkatërruar njeriun e vlerave, duke gërmuar në “galeritë” e sebepeve biografike të pushtetit të atëhershëm. Dhe ia arritën qëllimit: Pas 30 vitesh kontribute si kuadër drejtues në Reç, ai ndëshkohet maksimalisht - përjashtohet nga Partia e Punës për arsye biografike dhe në të njëjtën ditë, pushohet edhe nga puna, duke kaluar direkt punëtor në prodhim. Pra, për Rrahman Dodën jepen dy masa të rënda ndëshkimore njëherësh. Skenaristët fërkuan duart, se më në fund kishin arritur të mundnin një “gjigand”, ndërsa banorët vendas, këtë akt e pritën me keqardhje e dhimbje, që shprehej dukshëm në heshtjen e tyre të thellë. Dhe jo vetëm reçianët, por edhe vetë kryetari i kooperativës bujqësore Ahmet Përleka nga Lura, që e zëvendësoi Rrahmanin në detyrën që kishte, nuk e humbën respektin dhe konsideratën për ish kryetarin - Rrahman Doda. Ata e mbajtën afër dhe në heshtje vlerësonin punën dhe qëndrimin e tij. Kjo, ia lehtësoi dhimbjen Rrahmanit, i cili edhe punëtor në prodhim, diti si të punojë e të shpresojë për një zgjidhje të padrejtësive, që i bënë inatqarët e kohës. Ai humbi punën, humbi karrierën e tij si kuadër, por kurrë dhe për asnjë çast nuk e dha veten, nuk e humbi besimin dhe kurajon, duke mbajtur lart moralin si njeri, që siç e thoshte shpesh në biseda me miqë e shokë: “Jam krenar që nuk i kam borxh askujt dhe nuk i kam bërë keq askujt”. Tek portreti i këtij reçjani bashkohen e harmonizohen natyrshëm mençuria, burrëria, toleranca, trimëria, bujaria, besa dhe optimizmi i malsorit të krahinës. Dhe këto cilësi lexohen dukshëm tek karakteri burrëror i Rrahman Dodës, i cili shprehet: “...Kam besuar gjithmonë, se do të vinte një ditë, ku gjërat do të sqaroheshin dhe unë do të lehtësohesha para opinionit të mashtruar me intriga e probleme të sajuara artificialisht. Ndaj, nuk ndjehesha i fyer tek rreshtohesha çdo ditë në punë përkrah bashkëfshatarëve të mi, që ishin dashamirës, të sinqertë e punëtor të nderuar, me të cilët jam mirëkuptuar gjithmonë. Aty mes tyre, unë gjeja forcën për të përballuar të keqen, që më vinte nga të gjitha sulmet, që më bëheshin me qellime të caktuara e dashakeqe. Ndaj, i lutesha zotit të jetoja deri sa të vinte ajo ditë e shumëpritur, që do t`i shkatërronte të gjitha padrejtësitë dhe unë sërish  do të merrja frymë lirisht. Jam i lumtur, që fjala ime ra në vesh të zotit dhe unë pata fat që kontribuova dhe e pashë me sytë e mi të rrëzuar diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, që na robëroi për 50 vjet me politikat famëkeqe të vetëizolimit...”. Dhe kjo ditë erdhi bashkë me demokracinë, të cilën Rrahman Doda e mbështeti fuqimisht e familjarisht. “Biografistët” e kuq u strukën të turpëruar, ndërsa Rrahmani rishpaloste vlerat e tij tashmë si demokrat dhe eksponent i lëvizjes për demokraci në Reç. Nisi kështu një jetë e re për të, pa strese, pa presione dhe pa kërcënime. Ai tashmë, në krah kishte edhe djemtë e vajzat e veta, që u rritën përmes vështirësive të shumëta dhe nën presionin psikologjik të sulmeve të vazhdueshme për motive biografike, duke u kufizuar të drejtën për shkollim e për punë. Dhe, pse jo, në krah të Rrahman Dodës, nën thirrjen: “Liri, Demokraci!”- vërshuan rrufeshëm të gjithë reçjanët, që u bënë promotorë të lëvizjes demokratike në krahinën e Reçit, ku si i thonë fjalës, Demokracia është ulur këmbëkryq që në fillimet e 90-tës.

Episode  nga  jeta  e  Rrahmanit

Është njeriu që ka një histori të suksesshme, por dhe të dhimbshme e të vështirë të jetës së tij, që shkon deri në kufinjtë e mbijetesës. I lindur më 20 korrik 1934 në Draj-Reç të Dibrës, Rrahmani mbeti jetim nga nëna qysh në moshën tre vjeçare. Ashtu shëndetlig dhe me një ekonomi të varfër, ai u rrit nën kujdesin e babait Hakiku dhe të tre motrave të tij. Në vitin 1946 mbaroi klasën e parë të shkollës fillore në fshatin e tij të lindjes në Draj-Reç. Një vit më vonë Rrahmanit i burgosën babain Hakiku, i cili u lirua pas një viti, duke marrë pafajsinë. Kështu, i mbetur vetëm, në moshën 13 vjeçare, ai detyrohet të shkojë në fshatin Gurrë-Kalis të Kukësit, ku ishte martuar motra tij e madhe Ahmedija, për të vazhduar shkollën fillore, të cilën e mbaroi në këtë fshat me rezultate të shkëlqyera. Sapo mbaroi shkollën, për arsye ekonomike, Rrahmani u detyrua të hyjë në punë në moshë të mitur, duke punuar në kantjeret e ndërtimit të rrugëve: Shëmri - Kolgecaj, Gramsh - Lozhan, Çorovodë - Frashër, Burrel - Ulzë etj, ku dhe u kualifikua si teknik, normist e gjeometër ndërtimi për rrugë e ura. Për punë të mirë në këto kantjere ndërtimi, ai në moshën 17 vjeçare merr dhe dekoratën e parë. Në vitin 1952, Rrahman Doda martohet me Hafize Kotaren, bijën fisnike të kësaj dere të njohur e me kontribute atdhetarie në fshatin Kalis të Kukësit. Dalëngadalë me punë e sakrifica ndryshoi ekonomia e familjes, por dhe shtëpia e Hakik Dodës u gjallërua me plot nipa e mbesa. Në këto kushte, Rrahmani detyrohet të largohet nga kantjeret e ndërtimit dhe të kthehet pranë familjes në fshatin Draj - Reç. Fillimisht ai u muar me tregëti, pastaj u zgjodh drejtues në kooperativën bujqësore të fshatit e më vonë të kooperativës  bujqësore të bashkuar Reç. Një drejtues i rreptë e mjaft autoritar, që për meritat e tij dekorohet edhe tre herë të tjera me urdhëra pune, tashmë për vlerat si kuadër drejtues në krahinë. Ishte vetëm 24 vjeç, atëherë kur u bë kryetar kooperative për herë të parë, por duhet thënë se vështirësitë e jetës dhe puna që në moshën 14 vjeç e burrëruan para kohe Rrahmanin. Mbi këtë bazë, pas pesë vitesh, i riu Rrahman Doda emërohet sekretar lokaliteti për zonën Reç - Dardhë, ku do të qëndronte për tre vite me rradhë, për t’u rikthyer rishtas me kërkesën e vetë banorëve reçjanë – kryetar kooperative tashmë të bashkuar të Reçit me 10 fshatra. Një ekonimi e vështirë, me një terren të thyer e malor, ku mbi 70 për qind e sipërfaqes së tokës së punueshme ishte pa vaditje, por që shpejt do të ndryshonte pamjen e saj me punën e bërë. Kudo, Rrahmani drejtone me shembullin e tij, duke qëndruar vetë në krye të punëve bashkë me pergjegjësit e sektorëve. Dhe, krahas punëve të shumëta, ai do të gjente kohën edhe për të rritur nivelin e tij arsimor e profesional. Kështu, ai pa shkëputje nga puna, mbaroi edhe shkollen e mesme ekonomike në qytetin e Peshkopisë në vitin 1975. Duke vlerësuar punën e tij të mirë si kryetar koperative, në harkun kohor 1968 - 1975, pra gjatë shtatë vjetëve, Rrahman Doda dekorohet tre herë me urdhëra pune të klasit të tretë e të dytë, por dhe propozohet dy herë kandidat per “Hero Pune”, përkatësisht në vitin 1968 dhe në vitin 1972, propozim që nuk u miratua nga nomenklatura e rrethit të Dibrës, vetëm për motive biografike. Ah, kjo “Biografi” ç’i bëri Rrahman Dodës! Iu bë objekt sulmi, pasi nuk kishin ku ta sulmonin tjetër kund. Dhe siç thotë Rrahmani: “M’u qepen me bukë në torbë; nuk m’u ndanë për asnjë çast, deri sa më 13 Maj 1975, pas 18 vjet anëtar, më përjashtuan nga partia e punës për motive biografike, që lidheshin me rrethin tim miqësor”. Kjo ishte ngjarja më e rëndë në jetën e Rrahmanit, të cilën nuk e heq nga kujtesa edhe sot. Rrahman Doda u ndëshkua pse kishte marrë gruan tek fisi i Kotares në Kalis të Kukësit, por dhe pse kishte martuar motrën, Aishen tek ky fis. Sqarojmë lexuesin, se fisi Kotarja luftohej për shkak të Han Kotares, i cili ishte arratisur në vitin 1945 nga Shqipëria dhe në vitin 1950 ishte kthyer nëpërmjet ajrit si diversant, në rolin e kryetarit të grupit, në Voren të Kukësit. Për tre muaj rresht, ai u ndoq këmba - këmbës nga forcat e sigurimit të asaj kohe, që e detyruan Hanin të asgjësonte dokumentacionin e tij e më pas të vetvritej, vetëm për të mos rënë në duart e tyre. Miqësinë mes dy fiseve të respektuara e të njohura në krahinë: Dodës e Kotares, sipas traditës, e kishte realizuar i ati i Rrahmanit: Hakiku, në një kohë tjetër, atëherë kur ende biografia nuk shihej e vlerësohej si faktor kushtëzues për lidhjen e një miqësie të re mes dy familjeve. Duhej të kalonin plot 23 vjet, që Rrahmani të ndëshkohej për këtë “shkelje biografike”, e cila i rëndoi të gjithë familjes. Pas Rrahmanit, radhën e kishin fëmijët e tij, të cilëve u mohohej e drejta për shkollim. Kështu, përmes shumë vështirësive e pengesave të mëdha, Rrahmani e Hafizja rritën dhe edukuan tre djem e katër vajza: Fidania, Halili, Ademi, Femiu, Bardha, Albana e Artana, pesë prej të cilëve janë me arsim të lartë. Kujtojmë se për arsye biografike, djali i madh i Rrahmanit - Halili, u përjashtua nga fakulteti, i cili falë ndërhyrjes së ish zv. Ministrit të Arsimit Lili Zhamo, u rikthye dhe përfundoi me sukses studimet. Peripeci të tilla, kanë kaluar edhe fëmijët e tjerë  në rrugën e tyre të formimit e të shkollimit.

Rrahman Doda në vitet e fundit të jetës së tij

Kur takon Rrahman Dodën, tashmë të moshuar, kaluar të shtatëdhjetat, përnjëherësh të vjen në kujtesë ai portreti simpatik i djaloshit sykaltër, energjik e të shkathtë, i drejtuesit të ri 24 vjeçar të Reçit, që për rreth tre dekada, nuk i zbriti kalit të bardhë, duke ecur shpat më shpat e luginë më luginë, shkrepave e majave të larta, në të 10 fshatrat e zonës së Reçit, që atëherë kishte vetëm një rrugë makine, përgjat luginës së Drinit të Zi, rrugën e njohur Kukës - Peshkopi. E ku nuk ka shkelur këmba e tij, cep më cep të krahinës, madje dhe në një terren mjaft të gjërë e të thyer malor, prej rreth 35 kilometrash katrore. Ai ishte kudo, pranë çdo pune e tek çdo ndodhi, nga ultësira e brigjeve të Drinit të Zi e deri në lartësitë e bjeshkëve të Reçit, duke drejtuar me modelin e tij të korrektesës shembullore. Ndaj,  nga banorët vendas, dëgjon të thonë, veç fjalë të mira për të. Ishte një jetë e vështirë ajo, por dhe mjaft aktive, të cilën edhe vetë Rrahmani e ka shkruar në kujtimet e tij. Vitet e fundit, në moshën  e pleqërisë, Rrahmani u bë banor i Tiranës, ku që nga viti 1991, ai gëzonte vetëm një pension të parakohshëm. “...Një botë tjetër kjo, thoshte Rrahmani, ku njeriu jeton i lirë dhe shijon në qetësinë e vet frutet e punës së tij. S` ka më mirë. Këtë kemi ëndërruar gjithmonë, për të qënë të lirë...”. Ai e do ekonominë, por nuk heq dorë dhe nga politika. Dhe këtë e argumenton me faktin se politika e mbrapshtë na izoloi për gjysëm shekulli. “...Politika duhet mbështetur...”, thotë ai, kur vetë është një anëtar aktiv i Partisë Demokratike dhe i gëzohet  shumë jetës së re, si dhe progresit ekonomik të familjes, nëpërmjet konkurencës së lirë të ekonomisë së tregut. Por, më shumë se rritjes ekonomike, Rrahman Doda u gëzohet sfidave të punës dhe të jetës së tij, me shumë kontraste të thella vlerësimesh. Fëmijët me respekt e thërrasin: Lalë! Lalë! - i thërrasin edhe shumë nga fisi Doda, por dhe reçjanë të tjerë. Dhe kjo, shpreh jo vetëm një respekt për moshën e tij 76 vjeçare, por së pari shpreh konsideratën e tyre për figurën e respektuar të Rrahman Dodës, si njeri i vlerave të krahinës së Reçit e të krejt Dibrës. Tani ai jeton mirë dhe i rrethuar nga një dashuri e respekt i veçantë miqësh e shokësh, por e gërryen meraku i dashurisë për vendlindjen dhe për reçjanët, mjaft prej të cilëve i ka edhe fqinj në Tiranë e takohet shpesh me ta. Në atë fillim Maji të vitit 2010, unë e takova atë dhe biseduam gjatë për Reçin, për historinë dhe traditat e pasura kulturore të kësaj krahine, e cila historikisht është përfaqësuar si Mal i Parë mes nëntë Maleve të Dibrës. Një krenari e ligjshme kjo për reçjanët, por dhe për vetë krahinën, që fatkeqësisht sot ndjehet e braktisur për shkak të lëvizjes së lirë, në kërkim të një jete më të mirë. “...Kisha mall të shkoja këtë vit, më 6 Maj në Reç, thotë Rrahmani, për festën e grupit folklorik të krahinës, por shëndeti më pengoi. Mesa duket, unë do të luftoj gjithë jetën me vështirësi e pengesa. Por, ama, sot luftën e kam vetëm me shëndetin tim...”. Dhe me shumë optimizëm e kurajo ai përpiqet t`i bëjë sfidë edhe sëmundjes, që vitet e fundit e rëndoi dhe nuk e la të qetë, për të shijuar frutet e mrekullueshme, që solli Demokracia për familjen Doda, ashtu si për të gjithë shqiptarët, në mbarë vendin. Ky është  Rrahman Doda - një figurë e njohur dhe me shumë reputacion në Reç e në krejt Dibrën. Ai e shfaq përsëri veten, si një karakter i fortë e burrëror, duke mos iu nënshtruar edhe sëmundjes, që e ka mbërthyer në “prangat” e saj. I tillë ishte dhe do të mbetet i pamposhtur portreti i Rrahman Dodës, figura model e pastërtisë së zyrtarit dhe drejtuesit në krahinë, të cilës iu përkushtua me shumë dashuri gjatë gjithë jetës së tij.

Nderimi në ditën e përcjelljes për në banesën e fundit

I gjithë rrethi i gjërë miqësor e farefisnor i Rrahman Dodës, që nga Kukësi, Dibra e deri në Mat, në ditën e ndarjes së tij nga jeta, kishte vërshuar në një kortezh të gjatë homazhesh drejt Tiranës, për t`i bërë nderimet e fundit kësaj figure të njohur të Reçit. Kishin ardhur për ta nderuar atë plot miq e shokë, nga Kalisi, Bushtrica e Arrni i Kukësit, nga Reçi, Dardha e Lura e Dibrës, si dhe përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit, banorë të zonës së Kamzës e të Bathores në Tiranë. Një fluks i paparë njerëzish të përlotur, të rinj, të moshuar, burra e gra, që prisnin në radhë, në atë ditë të nxehtë të 4 Qershorit të viti 2012, për të nderuar birin fisnik të Reçit – Rrahman Dodën. Rrallë herë kishte ndodhur, që të mblidheshin kaq shumë njerëz në një ceremoni mortore, siç u mblodhën për Rrahman Dodën. Madje, turma kishte në gjirin e saj edhe nga ata, që në kohën e diktaturës ishin autorë të sulmeve ndaj tij. Një gjë e mirë kjo për familjen, që të penduarin e fal dhe e respekton njëlloj si të tjerët. Kësisoj, Rrahman Doda shpalosi vlerat e tij të autoritetit edhe në ditën e fundit të jetës së tij, duke marrë me vete respektin dhe mirënjohjen e të gjithëve. Vetëm pak ditë më parë, kur ai ishte gjallë, mori edhe një tjetër vlerësim nga vendlindja e tij, krahina e Reçit, e cila e shpalli Rrahman Dodën figurë të Reçit. Këto ishin sfidat e Rrahman Dodës, i cili la pas një trashëgimi të pasur vlerash, si kuadër e si bir i denjë i fisit Doda, duke mbetur përjetësisht një figurë e njohur dhe e respektuar e Reçit dhe e krejt Dibrës.



(Vota: 239 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora