E premte, 29.03.2024, 02:48 PM (GMT)

Kulturë

Poezi të reja nga Neki Lulaj

E marte, 25.09.2012, 06:26 PM


Neki Lulaj
 
KY SHEKULL

 
Ky shekull rrezaton dritë Vlore
Nga parlamenti i mëndjes iliriane
Vërshojnë gryka lumenjshë
Mbi këto trojet e Luigjit të bekuar
Të thinjurat e kohës mëndafsh i praruar
Zanat kadariane i mbledh Moti i madh
Sa bukur këtij shekulli për t’i ligjëruar
 
Duart e Marigosë me mëndafsh qëndisin
Bukurinë e rrallë çeiz vajzërie shekulli
Lëshon rreze ari mbi hartën e vjetër
Kur puthen dy shqipe në kornizë gjergjefi
 
Rrëshqet nga Boletini një burrë me dy kobure
Erë e djegëjeve të egra rrugën ia trason
Vështirësitë e kohës i dalin përpara
Zanat e malit vigun ia ndërtojnë
Bie në gjuj e puth shqipen pa fluturue
Aty e jep betimin bashkë me jetue

E Lezha nga froni i Skënderbeut
Fluturon shkaba mbi kalin e Gjergjit
Në momentin vendimtar
Epoka para sprovave të Qëndresës
Me burrat e kombit krenar
I jep jetë me nënshkrimin e testamentit

VENDIM EPOKAL

Ninullat tona legjendare
Thellë ne zemër i ruan toka
Atje ne Vlorën e bekuar
Sot vuloset Epoka…

Në falkë të mënisë
Çirej turku e shkau
Për ketë vendim epokal
Lisat e kombit nuk i rrëxon era
Arbëria e mbuluar me
Kobure jatagana e plisa të bardhë

Në Nëntorin me mjekërr bardhë
Ismail Qemali me këmbë të mbarë
I tuboi krejt zogjtë e shqipes
Prej Bukureshtit dhe Amerikës
Shtegtuan mërgimtarët
Nga të katër anët e botës
Mbi kuajt e Gjergj Kastriotit
Për t’i berë një nderë Nanë Lokës
Duke e ngritur flamurin e kombit
Mu në zemër të Vlorës

NGA BOLETINI NË VLORË

Boletini në kufi të shkaut
Sa u rrudh kjo hartë e vjetër
Shalon atin e kohës së patretur
Në Vlorë të bukur e gjuan gurin
Ku u bashkua mendimi i pafjetur

Digjet flakë nga gëzimi Dardania
Nga zilia plasë Stambolli e Beligradi
Kanë vendosur bijtë e Kastriotit
T’ia shëndrrisin fytyrën këtij moti

Është fryrë Vjosa e Drini dhe Buna
Rozafa pret e përcjell burrat e kombit
I then pritat e armikut
I ngrehë vigat mbi lumenjë
Për t’ia shkurtuar rrugëtimin popullit
 
Shtizë flamuri zbukuroi sheshin
Në Vlorë u nënshkrua testamenti
Lotët e gëzimit vërshuan anembanë
Shtrëngohen fortë duart e kombit
Kur arriti Isai nga Boletini me vaj
E puthi shqipen në dy krahët e saj
 
NE

Ne jemi ata që ishim
Zogj me diellin në ballë
Jemi vetëm dritë dashurie
E agimeve të bardha
Çdo herë pritëm çastin e madh
Nga rrugëtimet e gjata
 
Jemi gaca prushi prej bungu
Që nuk fiken kurrë
Jemi çelik i gdhendur
Diamant e smarald
Fjalë me mijëra ngjyra
Edhe mbi Univers
Do të ndërtojmë një Urë
 
Jemi mysafirë yjesh
Mendimtarët e shpëtimit
Udhëtarë të kolonave të gjata
Mbi behar dhe acar
Margaritarë të agimit
 
Jemi engjëjt e reve
Me kukëza prej tisit
Të puthur prej muzash
Në gjumin e parë
Që dje kënduam
Në korin e gjatë
Se jemi ushtarë

MËRGIMTARI
 
Fytyrës i ka arratisur buzëqeshja
Loti mbi syrin e përlotur
Po afrohet çasti i ndarjes
Ngërçi i mërgimtarit
Sërish lamtumirë…
 
Koha e hëngri vetëveten
Këmbanat e ndarjes po bien
Në kokë shtrihen rrugët si gjarpëri
Premtime premtime premtime
Gjysh ne prap do të vijmë
E gjyshja palon jetën
Në arkë çejzi don ta ndryejë
Kujtimin e mbarë dhe
Pleqërinë e bardhë…

Ju gjyshër na pritni
Thinjat mos i hiqni
Si mëdafsh i arit ju rrinë
Lakmi mos ia merrni pleqërisë
Se mbi fytyrat tuaja
Shëndrisin kujtimet e dashurisë
 
Fëmijët e lëshojnë shtatin
Tejmatanë djepit të babës
Gjyshin e ka kapluar një mallë
Që sërish në verën tjetër
T’ua rrefejë ndonjë përrallë
 
Lisat veç po rriten
Të gjatë të etur për
Ujin e bekuar të kësaj toke
Zogjët sërish po kthehen
Në folenë e Nënës Loke
 
NË SHESHIN E BIJVE TË SHQIPES
 
Mbi shkallët e jetës
Fluturon mendimi
Nën këtë kupë qielli
Ulur mbi beton
Ku ti zgjedh fjalët
Imzot
Në ketë përcëllimë dielli
Bisedës nga t’ia filloj
 
Në grykën e bjeshkës
Ecje vertikale
Kurrë nuk ia ktheni shpinën
Shpirtit të fshatit:
“Shko moj dallëndyshe
Tuj fluturu
Që të m’i gëzosh
Ata që ju kan kujtu”
 
Qelqi filigran i kohës
Në dhomën e lutjeve
Qirinjtë shkruajnë metafora
Imzot
E në qoshin e xhamit gavruar
Lazëri lodhjen e shekullit
Në heshtje e mpin
Me lutje shpirtërore tologu patriot
 
Sonte Mjeda dhe Lazëri
Në zemrat e rinisë Kukëljane
Sjellin gëzimin djersën idenë
E një shekulli drite
E shtatë dekada e gjysmë rritjeje
Në sheshin e bijve të shqipes
Ndre Mjedës rinia vargje lavdie
I ligjërojnë…
 
PAMJE
 
Ata
Të dy mbanin
Veladona prifti
Ecnin qetë me hapa
E  frymëzim muzash
Pikëpjekjet e bekuara
Ndrydhje vitesh
Sytë plot mallë të paimagjinuar
 
Mjeda dhe At Zef Pllumi
Bisedonin me heshtjen
Kohën e vrarë me vite
Në fshatin Kukël
Qëndisnin pleqërinë
Ulur bashkë
Rreth një tavoline pune
Vitet i ftonin
Në vekun e Penelopës
Pritnin Godonë
 
Kodra puthte lugun
Me famullitarët e kohës
E Bogdani rrugëve
Të Prishtinës pa varr
Pa pragun e shtëpisë pa asgjë
Çallma kryneçe shtrëngonte
Kamxhikun
Themelet e Dardanisë
Nga rruzulli me i zhbi
 
Kodra puthte lugun e etur
Mrekulli që nuk të kan’ parë sytë
Ulur  bashkë në Shtëpinë e Zotit
Pralmisin kohën Mjeda dhe Pllumi
Dy priftërinjtë e shpirtit të florinjtë

RRUGA E PAVDEKËSISË

Nëpër kohërat e krisura
Ne patëm mundime të gjata
Na detyruan të udhëtojmë
Ditë e netë nëpër furtunë
Mbi moçalet e jetës
 
Duke e çarë natën
Duke fjetur me hope
Zbathur mbi bagrema
Ecëm
Edhe mbi tela me gjemba
 
Mbi shkëmbinjtë e thepisur
E bëmë natën në këmbë
Kurrë nuk u ulëm
Mbi qiellin e butë
Askend nuk mallkuam
Se ishim të urtë…
 
Gjetëm kalin e bardhë
Mu në mes të lëndinës
Së lotëve, në tavernë
Plaku me mjekërr
Doli shpëtimtar
Ejani bijtë e shqipes
Se rruga e pavdekësisë
Është kjo prapa shpinës



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora