Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vazhdojnë takimet e veprimtarit Engjëll Koliqi, në kërkim të njohjes së Republikës së Kosovës

| E marte, 15.04.2008, 02:46 PM |


Gjatë bisedës
VAZHDOJNË TAKIMET E VEPRIMTARIT ENGJËLL KOLIQI, NË KËRKIM TË NJOHJES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NGA QEVERIA FEDERALE E BRAZILIT

Edhe një hap i mirë drejt qëllimit

Caio Werneck
Deputetja mineire në Parlamentin Federal – Znj. Maria do Carmo Lara, ka garantuar Z. Koliqi se do të jetë një zë i fortë për Republikën e Kosovës, në institucionet federale të Brazilit dhe i ka premtuar se së shpejti do t'i sigurojë takime të rëndësishme në Brazilia, për të shpejtuar procedurën e njohjes së shtetit më të ri ballkanik, nga Brazili. Janë shqyrtuar edhe mundësi të fillimit të një bashkëpunimi të mirë ekonomik ndërmjet dy vendeve, në kuadër të Institutit BRAKOS, që tashmë po bën hapat e parë në projekte konkrete zhvillimore në Kosovë.

Caio WERNECK

Belo Horizonte, 15 prill 2008

Veprimtari kosovar – Engjëll Koliqi, i shoqëruar nga dy nënkryetarët e Institutit për bashkëpunim mes Brazilit e Kosovës – BRAKOS – Dr Vera Lúcia Alves Neves e Julius César Pereira, mbrëmë, në lokalin tashmë të mirënjohur edhe për opinionin kosovar "Alexandrina – café, cultura e moda", është takuar me deputeten mineire në Parlamentin Federal – Maria do Carmo Lara, me të cilën kanë shqyrtuar mundësinë e shpejtimit të procedurës së njohjes së Republikës së Kosovës nga Qeveria Federale e Brazilit, si dhe mundësitë e një bashkëpunim të gjerë ekonomik midis dy vendeve.

Një foto me Flamurin e Republikës së Kosovës
Z. Koliqi e ka njoftuar deputeten me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rreth saj, duke folur më shumë për periudhën pas shpalljes së pavarësisë. Ai ka thënë se institucionet shtetërore në Prishtinë janë të kënaqura me ritmin e njohjes së Republikës së Kosovës nga vendet me rëndësi strategjike, duke shtuar se në javët dhe muajt e ardhshëm presin një varg të gjatë njohjesh, për të arritur sa më parë në 128 numri i shteteve që e njohin shtetin e ri ballkanik, që mundëson automatikisht pranimin në OKB, përmes Asamblesë së Përgjithshme, pa pasur nevojë për ndeshje, as ledhatime me përfaqësuesit e Rusisë në Këshillin e Sigurimit.

Deputetja Lara, që në fillim ka thënë se është e mishëruar me popullin e Kosovës, që nga periudha e luftës, prandaj do të jetë një zë i fortë në Parlamentin Federal dhe përgjithësisht në institucionet shtetërore të Brazilit, për të shpejtuar procedurën e njohjes së Republikës së Kosovës dhe për të filluar një bashkëpunim të gjithëmbarshëm midis dy vendeve, me respektim të intereveve reciproke.

Që të dy bashkëbiseduesit u shprehën të mendimit se mbas njohjes nga ana e Brazilit, Republika e Kosovës së shpejti do të njihet edhe nga vendet tjera të Amerikës Latine dhe Qendrore, që do të shtonte dukshëm numrin e shteteve që njohin pavarësinë e këtij vendi ballkanik, të martirizuar në shekuj.

Profesoresha Vera Lúcia, në emër të Institutit BRAKOS ka shpalosur tendencat e kësaj orginazate joqeveritare, për të filluar sa më parë një bashkëpunim të gjerë ekonomik dhe të përgjithshëm misid dy vendeve. Ajo ka siguruar deputeten Lara, se megjithëse vend i vogël, bashkëpunimi me Kosovën do të ishte me interes të mirë edhe për Brazilin e Madh, sidomos në fushat e mineralogjisë dhe të energjetikës. Me këtë konstatim është pajtuar edhe deputetja dhe mu për këtë ka thënë se do të mundohet ta bind Qeverinë Federale, që sa më shpejt ta njoh Republikën e Kosovës. Ajo ka thënë se do të mundohet që sa më parë të organizojë një takim të delegacionit të Institutit BRAKOS, kryesuar nga Z. Koliqi, me zyrtarë të lartë të Qeverisë Federale, në Brazlia. Deputetja ka premtuar edhe ndihma konkrete në projektet e BRAKOS-it, në lëmin e shëndetësisë,në Kosovë.

Në ftesën e Z. Koliqit për ta vizituar Kosovën, deputetja Maria do Carmo Lara është përgjigjur pozitivisht, duke thënë se mbas tetorit dëshiron të shkojë, sa më parë të jetë e mundur për një vizitë atje. Ajo shpreson t'i fitojë zgjedhjet e tetorit, si kandidate për Prefekte të Qytetit Betim, me rreth gjysmëmilioni banorë dhe në cilësinë e prefektes ta vizitoj Kosovën.

Duke i shpjeguar simbolikën e Flamurit

Z. Koliqi duke u përshëndetur me deputeten