E marte, 26.10.2021, 12:56 AM (GMT+1)

Kulturë

Myzafere Mustafa: At Donat Kurti njohës i prozës gojore

E marte, 25.09.2012, 07:44 PM


At Donat Kurti mbledhës dhe njohës i prozës gojore dhe i metodave të studimit të saj

Nga Dr. Myzafere Mustafa, Instituti Albanologjik, Prishtinë

At Donat Kurti  është njëra nga figurat e rëndësishme të kulturës shqiptare në përgjithësi dhe  një nga personalitetet qendrore të folklorit shqiptar në veçanti. Ai është njëri ndër mbledhësit dhe njohësit më të mirë të folklorit shqiptar, përkatësisht  të poezisë epike,    ciklit të këngëve për kreshnikët dhe të prozës  gojore, sidomos përrallës. Blejtë e  mbledhur dhe të botuar me  titull “ PRRALLA  KOMBTARE” në dy vëllime, janë  botimi më komplet dhe më i  vlefshëm i  përrallës shqiptare si  për nga  cilësia ashtu edhe  për nga  sasia,    ishte botuar  deri në atë kohë, ndërsa  Vëllimi  II  me  titull Kangë Kreshnikësh dhe Legenda i serisë pesëmbëdhjetë vëllimëshe të Visareve të kombit mbledhë  dhe  redaktuem  nga At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti është njëri ndër perlat e  krijimtarisë gojore epike.

At Donat Kurti  dhe  fretërit françeskanë të kishës  katolike  shqiptare  nga viti   l905 deri më l944 kishin bërë një punë të rëndësishme  për  kulturën shqiptare    mbledhjen  dhe botimin e krijimtarisë letrare gojore, në krijimtarinë  letrare dhe në  studimin e  gjuhës.

Kisha katolike  me  nxitjen dhe përkrahjen  që ua kishte  dhënë  fretërve  françeskanë, por edhe atyre benediktinë dhe jezuitë ishte angazhuar në planin patriotik kombëtar për  ruajtjen, dhe afirmimin e krijimtarisë letrare gojore. Punën e  botimit  të krijimtarisë letrare gojore popujt tjerë të Ballkanit, Evropës dhe të botës e kishin  bërë  një shekull më parë. Ata  ishin afirmuar me  krijimtarinë e tyre letrare folklorike në qarqet shkencore botërore. Një afirmim të dukshëm e kishin arritur, sidomos popujt sllavë që jetonin  pranë  nesh, apo ishin  në fqinjësi me ne.  Një pjesë e kësaj krijimtarie ishte e ndikuar nga vetë shqiptarët apo edhe ishte shënuar nga  këngëtarët shqiptarë bilingual. Në kohën kur shënohej dhe botohej krijimtaria jonë folklorike ndër popujt e tjerë të Ballkanit, të Evropës dhe  të botës krijimtaria  folklorike ishte  zbehur   apo ishte në fazën  e zhdukjes. Ndër shqiptarët kjo  krijimtari ishte ende e gjallë dhe  ishte në fazën,  jo vetëm të bartjes, por edhe të përtëritjes së saj. Me fjalë të tjera në krijimtarinë letrare gojore kishte ende  krijues aktivë e jo vetëm bartës pasivë. Ishte kjo kohë mund  të thuhet e volitshme  për  të mbledhur krijimtarinë letrare gojore e cila  kishte një rëndësi  të madhe në planin kulturor kombëtar. Edhe pse mbledhja e folklorit shqiptar kishte filluar qysh me 1635 kur Frang Bardhi  kishte shënuar dhe botuar 113  proverba, më pastaj  kemi  dorëshkrimin e Kieutit( 1737)  të Nikollë Filjes, përmbledhjet e Vinçenc Dorsës, të Dhimitër Kamardës, Rapsoditë e De Rades (1866) Bletën Shqiptare të Thimi Mitkos (1871), Materialet e mbledhura  nga  Zef  Jubani, Spiro Dine, Vinçenc Prennushit etj. si dhe nga studiuesit e huaj  si: Hahn, Reinhold, Dozon, Pedersen, Lambertz etj. kanë vlerën e madhe dhe të pakontestueshme. Një gjë është me rëndësi të thuhet se fretërit  katolikë ashtu edhe si më parë sivëllezërit e tyre, qysh në fillim të shekullit  njëzet kishin  bërë një punë sistematike  dhe të organizuar në mbledhjen dhe botimin e folklorit shqiptar.

Vëllimet Prralla Kombtare I dhe II të  At Donat  Kurtit   përmbajnë 104 njësi  folklorike të prozës gojore. Shumica  e  këtyre  njësive  folklorike janë përralla, por ka aty  edhe  kallëzime, tregime  humoristike, pastaj, fabula, përralla me  kafshë  etj. Të gjitha këto krijime dallohen me vlerën tyre artistike dhe me pasurinë tematike. At Donat Kurti  mbledhjen  e krijimtarisë folklorike nuk e bënte rastësisht, gjatë regjistrimit të saj ai kërkonte vlera të mirëfillta.  Vlerat  e tilla i  kërkonte në shumë plane, por nga materialet e  shënuara del se ai ishte i përqendruar në gjetjen e krijuesve dhe  bartësve të talentuar, në hulumtimin, gjetjen dhe shënimin përrallave me figura dhe qenie  mitologjike dhe me  mjete  mitike. Duke qenë njohës i mirë i dokeve dhe  i zakoneve, i besimeve  dhe i mitologjisë popullore  ai ia ka  arritur që këto dukuri t’i gjejë  në prozën gojore jo vetëm si dëshmi për ekzistimin e  tyre, ato i kërkoi  dhe i gjeti  të funksionalizuara  brenda  krijimeve letrare artistike  gojore, sidomos  brenda  përrallës, por edhe  brenda  kallëzimit,  fabulës, përrallës  me  kafshë, përrallës kumulative,  gojëdhënës etj. Ai  ishte  i  vetëdijshëm se  përrallat  që i shënonte dhe i botonte ishin një vlerë e rëndësishme për kulturën shqiptare, prandaj edhe  thotë: “Në të mbledhun të  prrallave, pose se kam pas përpara sysh me dhanë nji kontribut për etnologji e gjuhë, kam dashtë edhe me tregue e me ushqye  moralitetin e popullit shqiptar….”[1]

Në përrallat  e At  Donat Kurtit  veprojnë një sërë qeniesh a  figurash mitike dhe  mjetesh mitike. Haset në to E Bukura e Dheut, figurë kjo shumë e njohur e mitologjisë dhe e përrallës shqiptare, e cila  ka  ngjashmëri me  figurat mitike  të popujve të tjerë të Ballkanit dhe ma  gjerë por edhe  shquhet me  origjinalitetin, që është specifik për mitologjinë tonë popullore, pastaj Zana, Ora e  njeriut, Roja e shtëpisë, kollukët, kuçedra, dragoi, shtatëpllamë mjekër tripllamë shtati, divi, katallani. Ora  dhe roja e shtëpisë në përrallë janë të funksionalizuara dhe  veprojnë sikurse në mitologjinë popullore si qenie me veti pozitive që e ndihmojnë njeriun në çaste të vështira  jetësore. Po ashtu edhe kuçedra dhe  dragoi  në përrallat e Donat Kurtit kanë vetitë apo atributet ashtu siç i njohim në besimin popullor. Ky kërkim i  krijimeve të prozës  në të cilat  veprojnë qenie  dhe  mjete mitike  nuk është i  rastit. At Donat  Kurti i njihte botimet e vlefshme dhe të rëndësishme të shumë  popujve të njohur  të botës, prandaj edhe qëllimi i tij ishte që me botimin e krijimtarisë folklorike, përkatësisht asaj letrare gojore të dëshmojë se  krijimtaria jonë letrare gojore ka një identitet  të vetin, ka një traditë të lashtë dhe  të pasur artistikisht. Këtë bindje  e fitojmë  kur i  lexojmë parathëniet e vëllimeve  të përrallave  ku syzhetë e përrallave  shqiptare i krahason me  syzhetë  e përrallave të njohura në indeksin e  tipeve të Anti Aarnes, e sidomos me përrallat e  njohura të vëllezërve Grimm, të cilat kishin bërë një ndikim ndër njohësit dhe  studiuesit e krijimtarisë gojore të shumë popujve. Për të dëshmuar lashtësinë e përrallës sonë ai  bën krahasimin e qenieve tona mitike me qeniet e mitologjisë së lashtë greke. Ai  kishte njohuri se përralla si zhanër i prozës gojore ka një strukturë kompozicionale specifike dhe të kodifikuar, prandaj edhe mund të thuhet se përrallat e botuara nga ai kanë një strukturë stabile kompozicionale dhe mund të analizohen sipas sistemit të funksioneve të  V.J. Proppit. Kjo dëshmon se këto përralla kanë specifikat nacionale në aspektin përmbajtësor por edhe kanë specifikat universale në aspektin e strukturës sintagmatike dhe kompozicionale, por edhe të motiveve ndërkombëtare.

Në rrafshin përmbajtësor mund të thuhet se përrallat e  At Donat Kurtit  shquhen me  një pasuri  tematike por edhe me kuptimet thellësore .

At Donat Kurti ishte edhe njohës i thellë i pasurisë sonë gjuhësore shprehëse, prandaj edhe  gjatë punës së vet në  mbledhjen e prozës gojore  kishte kërkuar  rrëfimtarë të aftë dhe  të shkathtë, të cilët  gjatë rrëfimit ishin shërbyer me gjuhë të pasur popullore, me shprehje  të rralla  dhe të bukura të cilat ishin pasuri e të  folmes lokale e që në këto krijime kanë gjetur vendin dhe  mënyrën për të hyrë në një përdorim më të gjerë dhe për t’u bërë pjesë e pasurisë gjuhësore gjithëkombëtare.

At Donat Kurti  nuk  ishte vetëm  njohës  dhe eksplorues i krijimtarisë letrare  gojore shqiptare, ai gjithashtu ishte edhe njohës i botimeve të krijimtarisë folklorike të popujve të botës, i studimeve për letërsinë e shkruar  dhe për folklorin që nga shek. i XVII-të. Ai citon Pentameronin e napoletanit Basile, përmbledhjen e Charl Perault-së, materialet folklorike të botuara nga Klement Brentano e Ludwig Tieck, materialet folklorike të botuara nga vëllezërit Jacob e  Wilhelm Grimm.

Si kolekcione më të njohura të shekullit XIX i konsideron Kristiensenin për Holandë, Afanasievin për Rusi, Emanuel Cosquinin  për Francë, Giusepe Pitre-n për Itali, Anti Aarnen e Karl Krohnin për Finlandë, Grundtvigun për Danimarkë, Asbjornsonin për Norvegji, Paul Zaumert  si botues të 29 blejve në Gjermani  etj. Ai  i përcillte me  kujdes  studimet, teoritë dhe metodat e studimit të krijimtarisë letrare folklorike. Në parathëniet e  përrallave  kombëtare shkruan me kompetencë  prej studiuesi për teoritë dhe metodat e studimit të krijimtarisë letrare. Ishte në dijeni për teorinë mitologjike, për teorinë historiko gjeografike, për teorinë e animizmit, për teorinë antropologjike etj. Parathëniet e shkurtra në esencë janë analizë e njohësit të thellë të asaj materieje, të  strukturës  kompozicionale, tematike, motivore,  përmbajtësore e estetike. Ai ishte i vetëdijshëm se proza  gojore është  shumë e lashtë dhe lashtësia e  saj dëshmon  lashtësinë e etnisë tonë, prandaj dhe  përrallat tona i vë në raport të barabartë me përrallat e  popujve të  lashtë me një traditë të pasur kulturore. Në parathënien  e Prralla Kombtare, ble i parë  thotë: “ Çëfardo teorije qi të ndiqet mbi origjinën e mbi të përhapunit e prrallave e të legendave, e vërteta  asht, se në vendin t’onë gjindet nji shumicë prrallash e legendash të panjoftuna e të paklasifikueme. Motivet, qi zhvillohen nder ne, duken fort të hershëm, pse i ndeshim  nder  prralla t’ indjanve, t’ arapve e të keltve”. [2]

Vlen të theksohet se Visaret e Kombit dhe  veprat e Fretërve  françeskanë dhe të atyre benediktinë e  jezuitë, të botuara që nga  fillimi i shek të kaluar deri në vitin 1944 të cilat kanë një rëndësi të madhe për kulturën tonë  tani  vështirë se mund t’i gjenin shtresat e  ndryshme të lexuesve të interesuar. Ato mund të gjendeshin vetëm në biblioteka të specializuara të katedrave  të gjuhës dhe të letërsisë shqipe apo në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Duke pasur parasysh vlerën e këtyre botimeve dhe mungesën e tyre për komunikim me lexuesin, kisha françeskane e Shkodrës ka bërë ribotimin e këtij  korpusi, botimi  i të cilit është një eveniment i rëndësishëm për kulturën shqiptare.


 

[1] P. Donat Kurti ,Prralla Kombtare,Ble  I,Shkoder, l942,f.9.

[2] Vep. E cit. f.7.



(Vota: 30 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora