E enjte, 28.03.2024, 11:38 AM (GMT)

Kulturë

Kadare: Pyetje Nexhmijes për dosjet e Sigurimit

E hene, 24.09.2012, 06:59 PM


Kadare, pyetje publike Nexhmijes: A keni pasur dijeni për dosjet e Sigurimit?

Nga Aida Tuci, Mapo

Kadare rrëfen sesi ishte marrëdhënia e tij me regjimin dhe hallkat e tij. Si jetoi për dhjetë vjet i ndjekur nga hijet e dyshimit se ishte agjent i Perëndimit dhe nga e kanë burimin polemikat e sotme për pozicionin që ai ka mbajtur dhe mënyrën sesi është trajtuar nga regjimi. Në pjesën e dytë të intervistës së tij ai ndalet edhe në zhvillimet e fundit të gjyqit me Nexhmije Hoxhës për dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”.

Ju keni përmendur gjatë një interviste tuajën rastin e shkrimtarit të njohur gjerman Ernest Junger (Ernst Junger). Një shkrimtar i përkrahur nga regjimi, i cili mori pjesë vërtet në një komplot kundër Hitlerit, por emri i tij u mbajt i fshehur, ndryshe nga të tjerët që u përfshinë në këtë komplot, të cilët u dënuan me vdekje. Junger ishte shkrimtari më i njohur. Ndërsa me ju ndodh e kundërta. Po bëheshin përpjekje t’ju përfshinin në një grup komplotistësh. A keni një shpjegim për këtë?

Historia e Ernst Junger-it, shkrimtarit më të shquar gjerman të kohës së nazizmit, dëshmon se tiranitë ngjajnë qoftë në egërsinë, qoftë në paradokset e tyre. Ndonëse u pëlqen të hiqen si të pathyeshme, diktaturat janë në thelb frikacake. Kur është fjala për interesa të mbrojtjes së vetes, nga tigra ato shndërrohen në dhelpra.

Është bërë zakon të flitet për një farë filli ndërlidhës, një farë joshjeje të ndërsjellë, midis tiranit dhe shkrimtarit të shquar ose “shkrimtarit të madh”, siç përdoret me shumë lehtësi në shkrime dhe biseda. Kjo s’është veç një legjendë. Në qoftë se krijohet një raport, ai s’ka të bëjë as me joshjen, as me të kundërtën e saj. Është më tepër një rrjedhim, i ngjashëm me ato që quhen “deformim profesional”. Të dy personazhet kanë diçka të ngjashme: sundimin. Veç njeri është sundues i vërtetë, e tjetri i rremë. Njeri ka bindjen se e ka të siguruar sundimin pas vdekjes, e tjetri, ndonëse mendon ditë e natë për të, dyshon pikërisht për të. Të dy ia dinë këtë njeri-tjetrit, por bëjnë sikur nuk ia dinë. Gjersa vjen një ditë ora e provës. Për Hitlerin dhe Jungerin ishte viti 1944. Hitleri merr lajmin e rëndë se Jungeri, shkrimtari i adhuruar i gjithë Gjermanisë, ishte në dijeni të komplotit. Komploti është i vërtetë, tragjik, me mort që gati e rrëzon tiranin. Hitleri ndëshkon pa mëshirë qindra oficerë, kolonelë, gjeneralë, shumica me varje, nëpër thertore, si bagëti. I bëhet një “favor” vetëm mareshalit Rommel, që detyrohet të vrasë veten kinse aksidentalisht, kundrejt një funerali madhështor. Arsyetimi: interesi i Gjermanisë e kërkonte të mbahej fshehtë pjesëmarrja e tij në komplot. Kurse Jungerit nuk iu kërkua asgjë, veç heshtja. Me të njëjtin arsyetim: interesi i Gjermanisë e kërkonte.

Ka një lidhje midis dy komploteve: atij gjerman dhe atij shqiptar. Sunduesi shqiptar, ndonëse e dinte se komploti ynë arbëror, autokton etj. ishte i rremë, hoqi dorë nga imitimi i zgjidhjes Rommel, vetëvrasje me kinse shkrepje pa dashur e armës, siç do ta donte interesi i shtetit shqiptar, (pa përmendur Kosovën, e cila pa e marrë veten nga masakra e marsit 1981, duhej të përjetonte brengën e keqe se Kryeministri i shtetit amë ishte agjent i Beogradit!). Hitleri mund të quhej vërtet më i marrë, por ballkanasi ynë ishte më dorështrënguar. Ai, me sa dukej, nuk e duronte dot as një funeral me lule dhe muzikë për pasardhësin.

Por ndërkohë, në intervistën me hetuesin, më bëri përshtypje fakti se ai thotë pak e shumë se: edhe nëse gjithçka kishte pohuar Ziçishti në atë procesverbal do të vërtetohej, sërish do të merrej me rezerva, duke mos dhënë arsye se përse…

Së pari, dua t’ju them se s’kam ndonjë vullnet të vras mendjen për të zbërthyer idiotësitë e një dosjeje shqiptare të kohës, ku qëllimi kryesor nuk ka qenë zbulimi i së vërtetës, por i asaj që mund të quhet “e vërteta e duhur”.

Vetë “ata lart”, duke qenë përgjithësisht pjesë e vulgatit shqiptar, s’e kishin të qartë ç’kërkonin. Mendjet e tyre të varfra i përballonin me vështirësi ndërlikimet që mund të krijoheshin qoftë edhe nga një dosje e shpikur. Ti vetë, që ishe i hetuari, nuk mund ta dije nëse ishte më mirë të ishe agjent i vërtetë apo i rremë. Kishte gjasë që agjenti i vërtetë të respektohej më shumë dhe të dënohej më pak ose aspak, kurse të rremit mund t’i thoshin: ty të krijuam vetë, ndaj bëjmë ç’të duam me ty.

Shumëkujt i kujtohej rasti i Nako Spirut. Një herë e varrosnin me nderime, pastaj e nxirrnin nga varri, për ta varrosur pa asnjë nderim, e herën tjetër bëhej e kundërta: e nxirrnin nga varri i rëndomtë, për ta varrosur prapë me muzikë. Kjo u përsërit disa herë, sipas rrethanave të ndryshueshme politike. Kam përshtypjen se ende sot njerëzit që kanë dëgjuar për të nuk e dinë nëse varrimi i fundit i tij ka qenë me mermer apo pa mermer, çka do të thoshte me nder apo pa. Ose diçka midis nderit dhe panderit…

Prej Enver Hoxhës nuk mund të të shpëtonte veçse Enver Hoxha – thotë zonja Kadare në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”. Si ia doli Kadare t’i shpëtonte burgimit, kampeve të punës apo formave të tjera të dënimeve të jepeshin për ata shkrimtarë që devijonin nga linja e partisë?

Në përgjigjet e mëparshme mendoj se diçka u sqarua për atë çka pyesni. Do të shtoja këtu se përherë e më shpesh shfaqet një keqkuptim i habitshëm. Shumë njerëzve që dëshmojnë për kohën nën komunizëm u pëlqen të nënvizojnë naivitetin e tyre, mosdijen e gjërave, besimin e verbër në sloganet e ditës, shkurt të përligjin indoktrinimin e tyre të plotë. Kur i dëgjon, natyrisht të vjen për t’i pyetur: vërtet kaq tarrallakë paskeni qenë që s’paskeni kuptuar asgjë? Vërtet duhej shpjegimi i dikujt për të marrë vesh se parulla “Bar do të hamë, por marksizëm-leninizmin s’e tradhtojmë” e të tjera si këto ishin thjesht marrëzira? Për të mos folur për kamionin në të cilin, në mes të lagjes, në sytë e të gjithëve, hipnin familjet, gra, burra, fëmijë, që çoheshin në internim? Apo për mungesën e ushqimit, të strehimit të ngushtë e gjer te birucat e Sigurimit, ku mund të gjendeshe befas? Mos duhej që dikush të të shpjegonte se ke uri, ke ftohtë ose tani je duke u rrahur nga partia e dashur?

Ndryshe nga ç’krijohet përshtypja, kam pasur bindjen se të ishe pro regjimit ishte një gjë e zakonshme në Shqipëri, por po aq e zakonshme ishte të ishe kundër. Në çdo kah që ta gjykosh, rreth gjysma e Shqipërisë ka qenë natyrshëm, vetvetishëm kundër regjimit.

Shkurt, shumë gjëra fshiheshin, por shumë të tjera ishin të dukshme. E një nga gjërat më të dukshme ishte se ti mund të dënoheshe për akte që kishe kryer vërtet kundër tiranisë, por po aq mund të dënoheshe për gjëra që s’i kishe bërë kurrë. Gjithçka varej nga një përllogaritje cinike: ç’dobi nxirrej nga një dënim, e ç’dobi nga një mosdënim.

Shumë intelektualë, e sidomos ata më të njohurit, gjendeshin në qendër të kësaj përllogaritjeje.

Në dokumentet që Shaban Sinani sjell te “Dosja K” thuajse në të gjitha rastet kur udhëheqja e lartë e Partisë diskutonte për devijime nga ideologjia në letërsi dhe art, për ndikime dekadente dhe shfaqje të huaja në zhvillimin e letërsisë etj. etj., gjendej gjithmonë diçka edhe kundër jush… Si e keni përjetuar faktin e të qenit gjithmonë shënjestër?

Është një gjendje me të cilën mësohesh. Dihet se njohja, “fama”, siç quhet, duke pasur në çdo kohë e në çdo vend , krahas të mirave, të këqijat e saj, këto të fundit, në një shtet autoritar shtohen jashtëzakonisht.

Kam qenë i njohur herët, qysh në vitet 60, por mosha e re, me gjithë rrjedhojat e saj: snobizmi, lehtësia e të gjykuarit, besimi i tepruar te “Hyjnia e letërsisë”», me fjalë të tjera, mendjemadhësia që jepte ajo, kanë bërë që të mos e ndiej peshën e bezdisjes së njohjes. Më kujtohet p.sh. se ndalimi i “Përbindëshit” më 1965 s’më bëri ndonjë përshtypje kushedi çfarë. Problemi nisi të bëhej serioz  në fillim të viteve 70-të, kur fare befasisht u botova dhe u bëra i njohur në Perëndim. Shteti shqiptar nuk kishte asnjë përvojë për një gjendje të tillë. Hutimi ka qenë i plotë. Madje dikush shkroi një pamflet të gjatë, ku përpiqej të shpjegonte gjendjen e dyzuar të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili, në këtë rast, mund të merrej si agjent i Shqipërisë në Perëndim, po më shumë agjent i këtij të fundit në Shqipëri.

Qysh atëherë kjo hije më ndiqte pas. Në dokumentin e ribotuar prej jush, ajo ka marrë formën e dosjes, me datë, me emër dëshmitari serioz (mjek i njohur, ish-ministër i Shëndetësisë), me formulime të përpikta: komplotist, agjent. Shkurt, një dosje e përgatitur sipas një urdhri që ende sot hetuesi nuk e tregon nga vinte. Pas së cilës fare natyrshëm vinte një dënim; pas të cilit, edhe më natyrshëm vinte një pushkatim, ose pakëz pushkatim, siç do të bënin humor shkodranët.

Siç ju tregova, pothuajse e kam ditur. Më ka shkaktuar një mpirje, pa dyshim, kur e kam dëgjuar për herë të parë më 1981. Ndërkaq, pas kalimit të mpirjes, mendoj se ka luajtur rolin e një vaksine, e cila sa më e fortë dhe e rrezikshme të ishte, aq më mirë të mbronte pastaj nga sëmundja.

Që t’i bie shkurt, ajo më shërbente për të ripërmasuar (ridimensionuar) gjërat. P.sh., kur dëgjoja se kolegu X. ishte kritikuar si dekadent a diçka më e rrezikshme, ia kuptoja ankthin. Por aty për aty mendoja se e kisha kaluar prej kohësh atë fazë, ngaqë kisha provuar më të keqen, më të rëndën e akuzave.

Kështu mendoja, ose më pëlqente të mendoja. Por në thellësi të vetes e dija se e gjithë kjo mund të ishte një gënjim, një iluzion, një dehje e prodhuar prej letërsisë. E megjithatë, ai iluzion, ajo dehje, u kthye vërtet në shpëtimin tim. Një shkrimtar, me një akuzë të tillë mbi shpinë, për gati dhjetë vjet, në një vend të egër si ky, më e pakta gjë që mund të pësonte, ishte të humbte shëndetin mendor dhe trupor dhe bashkë me të, natyrisht, të braktiste letërsinë. Ose më keq, ta prishte, ta bjerrte me duart e tij atë. Asnjë nga këto s’ka ndodhur. Dhe kjo ka qenë mjaft.

Pavarësisht kohës dhe viteve që kanë kaluar, marrëdhënia juaj me diktaturën, pozicioni që keni mbajtur dhe mënyra si ju ka trajtuar vazhdojnë të jenë pjesë e një polemike të madhe me qëndrime të ndara me thikë, me kundërshtarë dhe përkrahës, me spekulime dhe zbulime që shtohen sidomos kur afrohet Nobeli. Si i shihni këto dhe a mendoni se ruhen diku të tjera fakte dhe dosje ende të papublikuara mbi marrëdhënien tuaj me regjimin apo të themi dosje survejimi ndaj jush?

Ajo çka sqarova në përgjigjen e mëparshme vlen pak a shumë edhe për këtë. Jam mësuar me njerëz të tillë. Për ta kufizuar përgjigjen në botën letrare, dihet se një pjesë janë informatorë të djeshëm, që nuk e harrojnë dot mjeshtërinë e vjetër. Një pjesë, të vënë në shërbim të forcave politike të sotme. Kundrejt një shpërblimi, natyrisht. Por shumica kanë për shtysë ligësinë njerëzore. Dështimi është i padurueshëm në çdo sferë të jetës. Sidomos në Ballkan, e sidomos në Shqipëri. Do të shtoja një “sidomos” të tretë: sidomos në letërsi dhe në arte.

Shkrimtari, sa më i njohur të jetë aq më publike e ka veprën. Ajo, sikurse çdo gjë e tij, ndodhet gjithmonë nën dritën e projektorëve. Biografia e tij gjithashtu është lehtësisht e zbulueshme. Në rastin e bisedës sonë, do të mjaftonte vetëm procesverbali që po flasim, për të sqaruar thelbin e jetës së shkrimtarit.

Këto ditë, në shtypin shqiptar është bërë fjalë për një gjyq midis zonjës Hoxha, gruas së ish-sunduesit shqiptar dhe autorit të këtyre radhëve. Gjyqi është për një dorëshkrim. Me sa duket, zonja Hoxha ka fat me gjyqet: një herë është akuzuar për ca kafe të tepërta, këtë herë për një dorëshkrim romani. Dhe asnjëherë për tjetër gjë. Pyetja: vallë s’ka tjetër gjë në jetën e zonjës Hoxha? nuk hyn në bisedën tonë. Ndërkaq, meqenëse po flasim për një çështje biografike dhe ngaqë jemi përpara një dosjeje makabre, personazhet e së cilës janë një mjek i torturuar për vdekje dhe një shkrimtar i akuzuar si komplotist, do të doja nëpërmjet jush të bëja pyetjen  publike: a ka pasur dijeni për këtë çështje zonja Hoxha?

Nga deklaratat e saj përpara gjyqit që po bëhet këto ditë, është fjala për një ngjarje me shkrimtarin Ismail Kadare, ku zotëron një atmosferë përgjithësisht kulturore: ndihmesë për shkrimin e një vepre letrare, ndërhyrje për një dhomë pune, që parashikohej me ligj për shkrimtarët me profesion të lirë, ndjenja miqësie ndaj shkrimtarit Kadare prej zonjës Hoxha, shprehje të mirënjohjes së këtij të fundit ndaj saj etj. etj. Shkurt, një klimë artdashëse e qytetëruese.

Ndërkaq procesverbali që kemi përpara dhe që ju po e botoni, është pjesë e një dosjeje që kullon gjak. Dhe personazhet e saj, siç u tha, janë dy njerëz: një mjek që ka humbur mendjen nga torturat dhe një shkrimtar, i njëjti shkrimtar për të cilin kjo zonjë kishte ndjenja kaq humane, por që tani, d.m.th. në shtator të vitit 1982, akuzohet si komplotist. Dhe pyetja ime do të jetë prapë e njëjtë: a kishte dijeni zonja artdashëse Hoxha për këtë dosje?

Për shumë gjëra kjo zonjë mund të thoshte: “Unë s’dija gjë”, ndërkaq për “komplotin” e ish-kryeministrit të Shqipërisë, për kalvarin, tmerrin e tij, më mirë se gjithkush ajo dinte gjithçka. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për këtë dosje dhe për personazhet e saj.

Disa herë keni ritheksuar domosdoshmërinë e hapjeve të dosjeve të regjimit komunist. Mendoni se shqiptarëve u mungon guximi për t’u përballur me të shkuarën e tyre apo harresën e shohin si shërim?

Është e vërtetë se ka qenë një kërkesë e vazhdueshme. Dhe jo vetëm e imja. Por ajo nuk është dëgjuar. Dhe jo vetëm kaq: një pjesë e sulmeve që ju përmendët, ka gjasë ta kenë burimin te kërkesa për hapjen e qilareve të fshehtë.

Pjesa e errët e ndërgjegjes së këtij vendi vazhdon të jetë e mbyllur në këto qilare. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që me këmbëngulje e spraps çdo kërkesë për hapjen e tyre.

Pyetjes “përse?” nuk është vështirë t’i japësh përgjigje. Është një test. Është një mesazh qetësimi për ish-veglat e diktaturës, për ish-spiunët, hetuesit, torturuesit: rrini të qetë, jeni të mbrojtur. Nga të gjitha krahët.

Ndërkaq Shqipëria është e pambrojtur. Krejtësisht. Nga të gjitha krahët.

Dhe një pyetje të fundit. Nëse do të kishit qenë në vendin tim përballë hetuesit Ferit Sula, çfarë do t’i thoshit, për çfarë do ta pyesnit?

Në të vërtetë nuk do të kisha dëshirë t’i bëja asnjë pyetje. Ndërkohë, meqenëse kam marrë vesh se pas rënies së komunizmit ky hetues ka kërkuar strehim politik në Gjermani, do të isha kurioz të dëgjoja nga goja e tij motivimin e këtij favori.

Me fjalë të tjera, ta pyesja se cili ishte, sipas tij, shkaku i interesimit, i respektit, i tërheqjes, i joshjes, i mallëngjimit etj. etj., që shteti gjerman  kishte treguar ndaj tij, një hetuesi të diktaturës më të egër të Europës? Dhe jo një hetuesi dosido, por një hetuesi komplotesh… E në qoftë se ai nuk do ta kapte me dëgjim të parë pyetjen, do të doja t’ia përsëritja, duke i thënë se cili ishte, sipas tij, shkaku që Gjermania, një ndër shtetet më demokratike të botës së sotme, një ndër ato shtete tek i cili, ne shqiptarët, me të drejtë, kemi vënë shpresën tonë për të ardhmen tonë europiane, ishte treguar kaq e mirëkuptueshme me të, duke i dhënë azil politik, për marrjen e të cilit preferoheshin në radhë të parë njerëzit që kishin bërë qoftë edhe diçka të thjeshtë për zbutjen e jetës, ose ata që gjithsesi kishin vuajtur gjithkund, por sidomos në zyrat e tmerrshme të hetuesisë.

Box

Antireklamë

Pas viteve ’90 profilin e bashkëshortes së diktatorit e pikturonin shpesh si Ledi Makbeth (Lady Macbeth) dhe Nexhmije Hoxhën vazhdojnë ende ta quajnë të tillë. Ajo që dikur pëshpëritej nën zë, dhe rrinte e fshehur në vargje, tashmë thuhet hapur. Në poezinë Sapuni “Ledi Maktbeth”, shkruar nga Ismail Kadare në vitin 1987, aludimi se bëhet fjalë për të venë e diktatorit është shumë i qartë. Mira Meksi, që asokohe punonte në shtëpinë botuese “8 Nëntori” e kujton kështu momentin kur kishte lexuar për herë të parë këtë poezi. “Në fletët e atij blloku ndodhej edhe poezia Sapuni “Ledi Makbeth”, e porsashkruar (viti 1987), cila, poshtë titullit kishte fjalën “Antireklamë”… Më goditi përnjëherë: mesazhi i saj qe i tmerrshëm, rrëqethës: sapunin gjakshlyes njerëzimi nuk kishte për ta shpikur asnjëherë, kjo qe gjëja më e çmuar e tij, krimet nuk shlyheshin kurrë, madje edhe pas katërqind vjetësh… E përktheva poezinë me një ndjenjë të fuqishme të dyfishtë: e magjepsur nga forca e së vërtetës së saj dhe e frikësuar për vdekje për fatin tim dhe për fatin e autorit, – ishim mësuar që “Ledi Makbeth” të quanim nën zë Nexhmije Hoxhën…”

 

Sapuni “Ledi Makbeth”

 

Ka katërqind vjet

Që duart ajo lan

Me sapunë gjithfarë markash

“Lux”,”Camay”.

 

Por asnjë prej tyre

Nga duart dot s’ia heq

Njollat e gjakut

Ledit Makbeth.

 

Çdo natë në TV

Reklama gjithfarësh,

Sapuni gjakshlyes

Do të shpiket vallë.

 

Përpara ekranit,

Ledi, ti pret më kot.

Bimësi e globit

Më kot u lodh.

 

U lodhën mendjet

E shpikësve në botë

S’do të shpiket kurrë

Ai sapun kob.

 

Në qoftë se ky planet

Ka një grusht cilësish,

Një ndër më të çmuarat

Është kjo, natyrisht.

1987



(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora