E premte, 29.03.2024, 12:04 AM (GMT)

Faleminderit

Remzi Limani: Sabrije Spahiu - Ecja në majë të gishtërinjëve

E hene, 24.09.2012, 04:00 PM


40 vjet të Baletit Kombëtar të Kosovës

ECJA NË MAJË TË GISHTËRINJVE

(Notë e merituar për lojën skenike të Sabrije Spahiut)

Nga Remzi Limani

Me ecje të lehtë, pa zhurmë - si një fugë, rrotullohej rreth vetes si lodër fëmijësh - pa u trembur përdridhej me erën dhe këngën e fyelltarit. Kjo rreze shprese e baletit tonë, në kohën e saj gjithnjë luante me valë ndjenjash, në mënyrë të gjallë e konkrete, me tipare fizike të paraqitshme fërfërinte me gjithë shtatin së bashku me erën e gjetheve.

Në vitin 1966, pas një nevoje imediate dhe kërkesës skenike të Teatrit Popullor Krahinor të asaj kohe, merret vendimi për arsimimin e kuadrove të domosdoshme për begatinë kulturore, saktësisht për formimin e Trupës së Baletit Kombëtar. Dhe, në vitin 1968, fillon shkollimi i 25 të rinjve kosovarë, si kuadrot e para të diplomuar në Shkollën e Mesme të Baletit në Shkup.

Balerina e nderuar, zonja Sabrije Spahiu (1960), u lind  në Mitrovicë, ndërsa në vitin 1978, diplomoi në Qendrën e Baletit dhe të Operës në Shkup – në temën “Vallëzimi i Karakterit Botëror dhe Vallëzimi Historik”, në klasën e Prof. Elizabeta Kushevska.

Në vitin 1979, punësohet në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës, përkatësisht në Trupën e Ansamblit të Baletit, si anëtare e rregullt. Ajo merr pjesë në shumë projekte teatrale; në shfaqje, në drama dhe pjesë kamertale në role të ndryshme që atëbotë shfaqeshin në skenën e Teatrit të Prishtinës.

Gjatë punës së saj artistike, luajti role me interes në këto shfaqje: “Halili dhe Hajrija”, “Bolero”, “Shtrausijada”, pjesë kamertale në rolin e Besës, baleti “Vallja pranverore”, “Sizifi”, “Era”, “Pjetër Pani”, “E bukura More”, “Dasma”, “Balloja e kadetëve”, “Fyelltari” si dhe TV përrallat për fëmijë, “Bukuroshja e fjetur”, në rolin e Princeshës dhe TV përralla - “Nusja”.

Pra, Sabrije Spahiu, qysh në shkollën e ulët të baletit, filloi kërcimet e para artistike dhe ecjen në majë të gishtërinjve, duke formuar figurat e para artistike të shoqëruara me muzikë baleti. Dhe, kështu, Sabrija mori trup e hodhi shtat që të luftonte me f0rmat e trupit të saj të lirë dhe  plasticitet të përkryer, që hynte në syrin e çdo shikuesi – si lakmi ndaj të bukurës dhe lëvizjeve të harmonizuara skenike. Me trup të hedhur, ajo harkohej si gruri i pjekur nga era e lehtë – e ndritshme si hëna harkpraruar e, herë–herë, me trup të prerë e të thyer nga ritmet artistike lëshohej e ngritej sikur në vallën e gjarprit. Ajo,  me zemër e shpirt, hynte në hapësirën skenike, gjithnjë e sigurtë në interpretimin e roleve të ndryshme, vazhdimisht duke i shndërruar në figura të përkryera artistike.

Pas largimit të dhunshëm nga Teatri, në vitin 1992, që asokohe menaxhohej nga drejtoria e dhunshme, e udhehequr nga drejtori i instaluar serb, prej vitit 1992 deri më 1999, Sabrija nuk e ndërpret aktivitetin e saj artistik. Ajo vazhdoi duke u angazhuar në jetën kulturore – skenike, nëpër festivale të ndryshme që organizoheshin nëpër qytetet kosovare dhe ato të Shqipërisë. Edhe nga kjo periudhë kohore, balerina Spahiu, veproi e angazhuar në projekte dhe aktivitete të ndryshme kulturore – në bashkëpunim dhe në duet me kolegët e saj kosovarë dhe me ata nga Shqipëria. Në duet me Ahmet Ibrahimajn, mori pjesë në manifestimin kulturor, kushtuar Ditës së Flamurit, në Gjakovë. Po ashtu mori pjesë edhe në Festivalin e Këngës në Prishtinë. Gjithashtu, në duet me Rexhep Çelikun, mori pjesë edhe në manifestimin e  njëvjetorit të vdekjes së poetit, Azem Shkreli, që u organizua në Tiranë.

Në vitin 1995 – balerina jonë Spahiu - ftohet nga Komiteti Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Stokholm, për të marrë pjesë dhe për të raportuar mbi gjendjen e institucioneve kulturore – artistike, pas instalimit të masave të dhunshme në Kosovë nga regjimi serb. Në paraqitjen e saj dinjitoze dhe raportimit të saj mbi gjendjen faktike që përjetonte popullata shqiptare dhe institucionet kulturore në Kosovë, fjala e saj zgjoi interesim të madh te faktori ndërkombëtar, për gjendjen e rëndë, duke sensibilizuar të vërtetën mbi shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut në Kosovë.

Pas rikthimit të Ansamblit të Baletit, tashmë në Teatrin Kombëtar (1999), edhe Sabrija i rikthehet punës profesionale dhe, pas një kohe të shkurtër, ajo paraqitet në skenë në rolin e Princeshës, në shfaqjen e baletit “Princesha dhe katër kavalierët” dhe, më pastaj, në shfaqjen “Fyelltari”.

Krahas punës në teatër, Sabrija merr iniciativën për hapjen e studios së baletit “Mjellmat” në Prishtinë, e cila studio qysh nga viti 2003 e deri në ditët e sotme, eshte duke punuar me fëmijë të moshave të ndryshme. Falë punës profesionale dhe të palodhshme të Sabrijes, si pedagoge e baletit, nga kjo studio nxori një numër të konsiderueshëm talentësh, të cilët tashmë ndjekin mësimet në shkollën speciale për balet në Prishtinë. E tëra kjo, Sabrijen e bën të denjë për t’u nderuar si balerinë dhe si pedagoge. Pa dyshim, kjo artiste dha një kontribut të pamohueshëm në skenën e Teatrit Kombëtar dhe zuri vend të merituar në historikun e skenës teatrale shqiptare.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora