E premte, 19.04.2024, 02:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Thanas Papa: Drama me ish-gruan ruse pas 32-vitesh

E diele, 23.09.2012, 05:45 PM


Rrëfim i skulptorit Thanas Papa për gruan ruse, takimet me Enverin, Mehmetin dhe kalvarin e jetës

Skulptori Papa: Drama me ish-gruan dhe vajzën ruse që u takova në Moskë pas 32-vitesh

“Divorci pas prishjes së marrëdhënieve, e prita Valentinën  24 vjeç, por bashkimi s’erdhi kurrë”

Nga Albert  ZHOLI

Skulptori i njohur Thanas Papa, ndonëse është 82-vjeç, vazhdon të mendojë e punojë për artin që i ka kushtuar jetën. Ndërkohë, dramë e dhimbshme e jetës së tij, mbetet ndarja me gruan ruse dhe me vajzën e tyre të vogël në vitin 1961, kur u prishën marrëdhëniet Shqipëri-Bashkimi Sovjetik. Për shkak të ndarjes së gjatë, tashmë me familje të re, skulptori Papa merr rrugën për në Moskë, ku ritakon të dashurën dhe vajzën e tij, tashmë 32 vjeçe. “Ishte një dramë e dhimbshme që sigurisht  ndikoi në jetën time...” -pohon Papa. Këtë, rrugën e vështirë të artit, takimet me drejtuesit e shtetit, Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, etj.,  vështirësitë dhe kalvarin e jetës, Çhanas Papa i rrëfen për ‘Telegraf’…

Cila është origjina juaj?

-Jam me origjinë dhe kam lindur në fshatin Paftal të Beratit. Babai im ka qenë një përkrahës i madh i Luftës Nacional-Çlirimtare dhe ishte me profesion mësues. I donte shumë librat dhe bënte çmos që unë të mësoja sa më shumë, e të bëhesha dikush në jetë. Prindërit më rritën me dashurinë për atdheun dhe për librin. Babai im gjatë luftës ka pasur njohje me Fiqiret Shehun, bashkëshorten e Kryeministrit më jetëgjatë në Shqipëri.

Pas çlirimit të vendit, ju vazhduat shkollën e lartë?

-Po. Plot 46 vite të shkuara jam diplomuar me ‘Medalje Ari’ në Fakultetin e Skulpturës të Akademisë së Arteve të Bukura "Rjepin" të Leningradit. Për atë shkollë ruaj kujtimet më të mira, pasi ata zënë një pjesë të rëndësishme të jetës sime. Aty pashë se si merrnin formë portretet, bustet, monumentet. Ishte një shkollë tejet e kompletuar me pedagogë me përgatitje, të jashtëzakonshme. Aty pedagogët të jepnin çdo gjë nga profesioni i tyre. Ishte një shkollë model në çdo drejtim. Aty njoha dhe shoqen e parë të jetës, me të cilën dhe u martova. Studimet në Rusi i mbarova në vitin 1957.

Pas studimeve në Bashkimin Sovjetik, ku filluat punë?

-Në nëntor të vitit 1957, fillova punë në Universitetin e Tiranës, pranë sektorit të Arkeologjisë dhe Artit të Mesjetës, ku punova deri në mars të vitit 1960.  Gjatë asaj kohe kreva studime zbulimore në kështjellat e Rozafatit, Gjirokastrës, Beratit dhe Krujës. Në mars 1960, fillova punë si pedagog në Liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë. Aty kam dhënë lëndën e vizatimit artistik, teknologjinë e gdhendjes së gurit dhe mermerit, punë të cilën e ushtrova deri në vitin 1966.

Pohuat më lart se gjatë studimeve në Bashkimin Sovjetik u njohët me një vajzë ruse, me të cilën u martuat?

-Po! Ishte një dashuri e parë rinore. Askush nuk e merrte me mend se çdo të ndodhte në marrëdhëniet Shqipëri-BS, pasojat e të cilave do i vuanim dhe ne. Unë u ktheva nga studimet së bashku me Valentinën, një vajzë e bukur dhe inteligjente ruse. Pas një viti ne u bëmë dhe me një vajzë së cilës ja vumë emrin Tatjana.

Cili ishte fati juaj pas prishjes së marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Sovjetik?

-Vitet rrodhën shpejt dhe ndodhi ajo që ndodhi. Shqipëria prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe shumë çifte u ndanë. Ishin vite të vështira. Lot, ndarje, ankth… Askush nuk e mendonte se bashkë me prishjen e familjeve do të fillonte dhe gjuetia e shtrigave, të gjithë ata intelektualë që ishin martuar me ruse, ose do të internoheshin ose kurrë nuk do të punonin në profesionet e tyre. Kështu na ndodhi dhe ne, mua, gruas Valentina dhe vajzës Tatjana..

Si ndodhi konkretisht?

-Ishte viti 1961. U ndamë. Për mua ishte një vit i mbrapshtë. Deri në vitin 1991 nuk mora asnjë lajm për ish- gruan dhe vajzën. Prisja se mos ndodhte mrekullia. Nuk prita pak por 23 vite… Pastaj u martova…

Kur u martuat për herë të dytë?

-Martesën e dytë e bëra shumë vonë, vetëm në vitin 1984. Me këtë martesë kam një djalë dhe një vajzë të mrekullueshëm.

A e keni takuar Valentinën dhe Tatjanën pas ndërrimit të sistemeve politike në vitin 1990?

-Siç ju thashë më lart, në vitin 1984, u martova me gruan time të dytë, Shpresa Leka, arkitekte. Ishte pikërisht ajo nismëtarja e takimit tim me ish-gruan dhe vajzën time që jetonin në Moskë. Ajo ka bërë një gjest human që pak gra mund ta bëjnë…

Çfarë bëri bashkëshortja juaj e dytë?

-Pasi kishte mundur të grumbullonte ca para mënjanë, pikërisht në vitin 1991 më thotë: “Jam munduar me kursime të mbledh ca para, ndaj me këto shko kërko vajzën tënde, kudo që të jetë në Rusi”. Lotova. S’e besoja. Mora rrugën për në Moskë.

Pas udhëtimit në Moskë, i gjetët ish-gruan dhe vajzën tuaj?

-Duke pyetur i gjeta. Ishin në Moskë. I takova dhe qëndrova atje një muaj. Ishin mbresa të pashlyeshme pasi më pritën shumë mirë…

Ndonjë mbresë të veçantë?

-Çaste intime, njerëzore… Dekada pa u parë… Ajo që më rëndoi më shumë ishte se ime bijë nuk më thoshte dot baba, pasi ishte ndarë me mua në moshën 2-vjeçare dhe kur e takova ishte plot 32 vjeçe.

Të rikthehemi tek jeta juaj në Shqipëri. Pse ju larguan nga Liceu Artistik?

-Ah pse….pse?  Sepse gjithmonë do kujtohej dikush se ata që ishin të martuar me ruse kanë një cen në biografi. Megjithëse kishte një vendim të Komitetit Qendror të Partisë Punës Shqipërisë  për tu martuar me ruse, sërishmi në këtë kohë askush nuk e merrte në konsideratë. Ne ishim në shënjestër. Pra ne që kishim qenë të martuar me ruse duhej të largoheshin nga Tirana. Në atë periudhë doli dhe parulla që intelektualët të shkonin në bazë, aty ku mund të jepnin më shumë… Kështu që, unë do të lëvizja…

Si ndodhi konkretisht?

-Në atë kohë u bë një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve për vajtjen në bazë. Dhimitër Shuteriqi ishte kryetar dhe Foto Stamo Sekretar i Lidhjes. Dua të them se në fillimet e mia ata më ndihmuan shumë. Unë e nuhata gjendjen pasi më kishin thënë më parë se do më çonin në Lapardha të Beratit, mësues në një shkollë 7-vjeçare dhe u çova në mbledhje duke kërkuar vetë që të shkoj në uzinën Dinamo në sektorin e fonderisë. Për mua do të ishte fundi i profesionit në qoftë se do të shkoja në Lapardha. Aty s’kishte as bazë materiale por as shkollë specifike për profesionin tim. Ndoshta isha i vetmi në atë mbledhje që kërkova shkuarjen në bazë në atë mënyrë.

Kush ta dha këtë sinjal më parë që do të largoheshe nga Tirana?

-Ma dha Fatmir Gjata. Ai punonte në Komitetin Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë. Në vitin 1965 më thirri në KQ, Fatmir Gjata dhe më thotë se kuadrot do lëvizin në bazë, po ti si artist i shkallës së parë ku do të shkosh? Zgjidhe vetë. Me Fatmir Gjatën ishim miq. Unë, ai dhe Guri Madhi vazhdimisht pinim nga një gotë birrë pas pune. Sinjali ishte i qartë, emri im ishte në listë.

Si e ndërtuat këtë studio (atelie)?

-Tre studio skulpture u ngritën në atë kohë. Një për Andrea Manon, një për mua dhe një për Dhimitër Çanin. Në vitet e para unë mora disa çmime, ndaj dhe më luftonin në heshtje, por studion ma dhanë. I jepte shteti atëherë…

Kush të ka ndihmuar për të mos u larguar nga Tirana?

-Indirekt më ka ndihmuar Kadri Hazbiu. Unë me të vëllain e tij Hasanin, isha komshi, banor në rrugën e Durrësit. Hasani ishte Shef Kuadri në Ndërmarrjen Rruga-Ura. Takoheshim shpesh dhe mund të them se mbas ndarjes time me gruan ruse një çelës të shtëpisë time e mbanin ata, pasi unë kisha dhe një frigorifer të vogël që e kisha sjellë nga Rusia. Kadri Hazbiu kur vinte tek Hasani, vinte dhe tek unë.

Si të ndihmoi konkretisht vëllai i Kadri Hazbiut?

-Një ditë më takon Hasani (vëllai i Kadri Hazbiut) në shkallë dhe më thotë: ‘Ç’ke që as përshëndet’?’.  Unë në fakt e kisha humbur fare dhe nuk shikoja ç’bëhej rreth e përqark. Ecja në tym. E sqarova. ‘Do i them Kadriut’- më tha. Pas ca ditësh më vjen në shtëpi Kadriu me djalin  e Hasanit, Mufitin. Ai kishte shumë qejf këngët labe. E dija këtë hob të tij. Unë menjëherë i vura në radiogramafonin një disk me këngë labe. Kadriu u kënaq dhe  më tha që për atë problemin çdo gjë tek unë do të vij dhe unë një visto do t’i jap emrit tënd, pasi je në krye të listës. Kjo më ngrohu, ndaj në diskutimin që u bë në Lidhjen e Shkrimtarëve u çova dhe kërkova të shkoja në një uzinë të Tiranës për të organizuar një fonderi artistike. ‘Partia ka të drejtë pasi na ka arsimuar dhe ne duhet të japim shembullin tonë….’- pohova unë. Ç’të thosha… Ma kundërshtuan dëshirën pasi donin me çdo kusht të shkoja jashtë Tirane.

Çfarë bëtë në këto kushte?

-Kërkova një takim me Manush Myftiun që ishte Kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Tiranë. I thashë sekretares të tij që ‘thuaj Manushit se ka ardhur një skulptor që kërkon t’i përgjigjet thirrjes së partisë’. Me Manushin njihesha që kur ishte Ministër i Arsimit. Më kish ndihmuar për punë për gruan ruse dhe ja dija për nder. E kupton ç’bëhej!? O në Lapardha  o s’ka, vetëm në Tiranë jo!.  Manushi i thotë sekretares të vijë lartë. Sa shkova i thashë që kërkoj të shkoj në një uzinë të Tiranës për të organizuar një fonderi artistike, konkretisht në Uzinën Dinamo, pasi skulpturat e Skënderbeut si i Tiranës si i Krujës janë derdhur jashtë shtetit. . .

Si reagoi Manush Myftiu?

-‘Pse e bën ti këtë punë’- më tha? ‘Po’- i thashë dhe i përmenda disa buste që kisha realizuar, Musa Fratarin, Halim Xhelon, Kajo Karafilin. ‘Mirë,- më tha-ja ku e ke Fadil Paçramin që e kemi bërë Ministër Kulture. Sqarohu!’.  Ai ishte rastësisht aty. Pas dy ditësh më lajmëron Fadil Paçrami në Liceun Artistik që të paraqitesha urgjent tek ai. Shkova me vrap dhe u paraqita. Sa hyra në derë ai më thotë: “Vërtet e bën atë që i the shokut Manush?”. Po-i thashë,- e bëj. Ai thërret Kristaq Ramën dhe i thotë për kërkesën time. Kristaqi i tha: “E bën”. “Dakort”,-më thotë do fillosh punë në uzinën “Dinamo”. Të nesërmen në mëngjes shkoni me Kristaqin në uzinë’. Kështu në vitin 1966, më çuan në uzinën "Dinamo", ku punova që të ngre fonderinë e re artistike.

Çfarë bëtë ju në uzinën ‘Dinamo’ dhe çfarë buste apo monumentesh derdhët?

-Në radhë të parë dua të them se aty e gjeta një bazë (sepse ishte një fonditor, Pali Dhimitri që kishte studiuar në Çeki), por jo ashtu si e ideoja unë. Pas ca kohësh, duke parë punën time më emëruan inxhinier në Fonderinë e Bronz-aluminit. Dëshira ime  ishte që shumë skulptura  që do të derdheshin në bronz të derdheshin në Shqipëri, e jo jashtë vendit. Përpjekjet për të bërë një fonderi të mirëfilltë ishte ajo e përgatitjeve të modeleve në dyllë. Një ditë erdhi në uzinë Kristo Themelko, zëvendësministër i Industrisë dhe paraqiti në emër të qeverisë propozimin për derdhjen e monumentit ‘Partizani Fitimtar’, i cili do të vendosej në Mat’hauzen, vendi ku ishin varrosur shqiptarët e vrarë e të rrëmbyer nga nazistët. Kur ata po bisedonin më thërret drejtori dhe më pyet nëse mund ta bënim ne atë derdhje. Me sy ma bënte që të mos pranoja.

Si reagoi drejtori?

Si duket nuk donte të hynte në telashe. Por unë them ‘po’. Drejtori u habit, ndërsa Kristo Themelko më përgëzoi. Drejtor ishte  Koço Strakosha, i cili pasi iku Kristua më tha: “Bobo ç’na bëre na hape telashe. E mban mend kur u vonua monumenti i Stalinit një ditë që të vendosej në Kuçovë? Besoj se po. Pikërisht për këtë vonesë, Foto Stamon e pushuan nga puna?”. Unë i thashë në qoftë se bëhet në kohë, ti thuaj e bëri uzina, në qoftë se nuk realizohet thuaj se nuk e realizoi Thanas Papa. Ai buzëqeshi dhe më tha: “Çdo gjë e ke në dispozicion”. Bëra listën e atyre që më duheshin dhe mora takim me Odise Paskalin pasi ishte vepra e tij. Ai filloi të sillte negativet, format e skulpturës për ta derdhur. Unë e bëra me  derdhje në forma dylli, ose të shkrishme, siç quheshin. Kështu filloi puna. Kishim një muaj afat pasi në 9 maj do të inaugurohej ky monument në Mat’hauzen. Lartësia e monumentit ishte 2 metër e gjysmë.

E realizuat në kohë monumentin?

-Po. Madje 10 ditë para afatit, aq sa s’i besohej askujt. Por dua të them se me 7 veta dhe shkrirësi tetë, nuk mund të bëhej në kohë, ndaj punonim me tre turne, ku unë thuajse flija aty. Na binte dy turne në 24 orë.

U përballët me vështirësi në këtë kohë?

-Ah sa problem!. Unë flija në karrige në të shumtën e rasteve. Kur po bënim derdhjen e parë drejtori më dërgoi në uzinën ‘Traktori’ për të parë për një frezë prerëse pneumatike që do na duhej për punë. Ne kishim bërë dredhjen e parë dhe unë nuk e kisha parë. Thashë që ne derdhjet i bënim pjesë-pjesë. Unë shkova që në orën shtatë të mëngjesit në uzinën ‘Traktori’. Por u përballa me një të papritur...

Cila qe kjo e papritur?

-Kur po kthehesha në punë roja i portës më pa vëngër dhe s’më foli. Edhe gjatë rrugës për në repartin e fonderisë askush nuk më foli. Ç’ka ngjarë,- thashë? U afrova. Punëtorët, ndihmësit e mi kishin ulur kokat. -Ç’keni’-u thashë? ‘Po ja pjesët e derdhura kanë nja dy vrima,-mu përgjigjën. ‘Po s’ka gjë’,-u thashë-dhe u afrova duke i parë nga afër. Vërtet që kishin nja dy vrima, por s’ishin alarmante. Në këtë kohë vjen drejtori. Hë si shkoi puna më thotë? ‘Mirë i thashë, por dredhjet e para kanë dalë me ca vrima jo me atë cilësi që doja unë’- dhe ja tregova. ‘S’ka gjë,- tha- shumë mirë kanë dalë. Ato i mbushim me saldim. Vazhdoni, shumë mirë’,-tha ai. Më dhanë krahë ato fjalë. Sa u lumturova.

Kush e kishte krijuar këtë situatë?

-Këtë panik e kishte përhapur punëtori që kishte mbaruar për fonderi në Çeki, Pal Dhimitri. Ky ishte ndeshur njëherë me Mehmet Shehun në një mbledhje në uzinë për shkak të një ikone. Mehmeti i tha: “Unë jam ujku ti më thua do të ha”. Që nesër do të shkosh në fonderinë e gizës’. Unë vazhdoja inxhinier i fonderisë së bronz-aluminit.  Pra, monumentin e realizuam 10 ditë para afatit dhe ditën që e inauguruam erdhi ministri i Arsimit, Thoma Deliana. Midis të tjerëve ishte dhe Manush Myftiu.

E pëlqyen monumentin?

-Unë kur u dhashë dorën Manushit, Thomait e disa të tjerëve, e padashur ndenja mes udhëheqjes në kohën që flitej për inaugurimin. Manushi më tha: “Pse kemi ne mundësi të prodhojmë apo të derdhim monumente kaq të mëdha”. “Kemi mundësi edhe sa kjo dhomë,- i thashë -pasi ne derdhjet i bëjmë pjesë-pjesë pastaj i saldojmë, i bashkojmë në mënyrë precize”,-iu përgjigja.  Kur po dilnim Fadil Paçrami, ministri i Kulturës më thotë: “Bëhu gati të shkosh në Vjenë për të shoqëruar monumentin”. ‘Jo,- i thashë-nuk mund të shkoj pasi jam shumë i lodhur, kam  një muaj pa gjumë dhe nuk mundem’. Isha i parruar, i paqethur, pis nga bloza. Nuk shkova. Në vendin tim shkuan Taqo Miho skulptor dhe një Drejtor Ndërmarrje. (Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi)

SOM 1

“Ishte viti 1961. U ndamë. Për mua ishte një vit i mbrapshtë. Deri në vitin 1991 nuk mora asnjë lajm për ish- gruan time Valentinën dhe vajzën Tatjana. Prisja se mos ndodhte mrekullia. Nuk prita pak, por 23 vite… Pastaj u martova… Me ish-gruan dhe vajzën, ri takuam në vitin 1992 në Moskë pas më shumë se tre dekada”

SOM 2

“Duke pyetur i gjeta. Ishin në Moskë. I takova dhe qëndrova atje një muaj. Ishin mbresa të pashlyeshme pasi më pritën shumë mirë…

Çaste intime, njerëzore… Dekada pa u parë… Ajo që më rëndoi më shumë ishte se  ime bijë nuk më thoshte dot baba, pasi ishte ndarë me mua në moshën 2-vjeçare dhe kur e takova ishte plot 32 vjeçe”

SOM 3

“Një ditë erdhi në uzinë Kristo Themelko, zëvendësministër i Industrisë dhe paraqiti në emër të qeverisë propozimin për derdhjen e monumentit ‘Partizani Fitimtar’, i cili do të vendosej në Mat’hauzen, vendi ku ishin varrosur shqiptarët e vrarë e të rrëmbyer nga nazistët. M’u desh shumë mund e djersë, por ndjeva gëzim kur ja arrita me sukses”



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora