E enjte, 25.04.2024, 10:03 PM (GMT+1)

Kulturë

Bardhosh Gaçe: Poezia e Kristo Çipës

E diele, 23.09.2012, 04:36 PM


Një shpirt i thellë lirik në poezinë e Kristo Çipës

Nga Bardhosh Gaçe

Në vargun e poetëve të Bregut të Detit, Kristo Çipa përbën një zë të veçantë në ligjërimin e tij poetik në dekadat e fundit. Vetë Himara, me brigjet e saj detare e mesdhetare, ka nxjerrë nga gjiri i saj poetë e shkrimtarë të shquar, si: Petro Marko, Odhise Grillo, Spiro Çomora, Petraq Pali, e gjer te bardët e fuqishëm: Neço Muka e Lefter Çipa, të cilët, me artin e tyre poetik kanë pasuruar më tej shpirtin artistik të bregasve. Në këto udhë poetike ka ecur edhe poeti i mirënjohur Kristo Çipa, i cili, pas vëllimit poetik “Guri i rëndë në vend të vet” dhe përmbledhjes me tregime e legjenda “Ruzana: mite dhe legjenda të Pilurit”, tashmë paraqitet përpara lexuesit me vëllimin e ri “Kambana e dashurisë”, në të cilin dëshmon zërin e tij lirik, si një simfoni në brigjet himariote.

Në tërë krijimtarinë poetike të Kristo Çipës, si një tablo e gjallë, shfaqet bukuria e rivierës shqiptare, ngjarje e portrete që lidhen fort me jetën historike të këtyre brigjeve, ndaj shpesh vargu i tij poetik, i ndikuar edhe nga tradita poetike popullore, rreh flatrat nëpër qiejt e jetës për t’u përcjellë bashkëkohësve vizione e mesazhe me një kuptim të thellë meditativ e filozofik. Ashtu siç ringjallen në baladat dhe këngët popullore Rugjina Balsha, Donika, Gjoleka i Kuçit dhe Ismail Qemali, me një zë të freskët e tepër origjinal, metafora poetike e Kristo Çipës, mbi shpatullat e veta i mbart ata si në një botë hyjnore. Këto portrete ngrihen në vargjet e poetit nëpërmjet mallit të tij për viset shqiptare, brenga këto që burojnë edhe nga ndjenjat individuale të poetit, të cilat shpërfaqin dashurinë e thellë për kombin, atdheun dhe etninë.

Një nga tiparet karakteristike të frymëzimit poetik të Kristo Çipës, është edhe shpirti i tij i gjerë lirik, i cili shpalos vlera të rralla estetike. Mjaft vargje të muzës së tij lirike, krahas përjetimeve të thella nga detaje e ngjarje të përjetuara në realitetin e kohës, ato mbartin edhe motive të botës artistike popullore, ku ushqehet fuqishëm frymëzimi i poetit. Dhe kjo ka një arsye: poeti, duke qenë edhe një këngëtar zëëmbël i traditës folklorike të Bregut, i ngre vargjet e tij si një këngë lirike, që e këndon me vete në udhët e jetës. Ky përkim poetik ngrihet në arkitekturën e poezisë së tij, me tone e nota, si dhe kolorit të kohëve moderne që jetojmë.

Lirika e dashurisë dhe e peizazhit të poetit Kristo Çipa, ashtu si edhe në krijimtarinë e tij të mëparshme, dëshmon se frymëzimi i tij është i natyrshëm me imazhe e figuracion funksional, me gjuhë e ligjërim poetik, që të fut në mendime e përjetime. Duke kundruar poezitë: “Ku t’i shpie sytë e mi”, “Mollët janë pjekur”, “O shpirtbuta kadife”, “Si Rozafa në legjendë”, “Rinë e Bregut - behar moti”, “As më vrave, as më fale”, “Nga hëna do marrim hua” etj., përgjithësimet dhe meditimet të çojnë në lëndinat dhe gurrat e dashurisë bregase, ku janë rimarrë detaje e motive, të cilat përcillen me një konceptim të ri poetik dhe me një botë artistike moderne.

Dashuria për poetin e Bregdetit, nis që aty, te vatra familjare, te miqtë dhe shokët, bashkudhëtarë të kohës, te peizazhet e mrekullueshme të kësaj krahine, me gjiret e detit dhe kaltërsinë e maleve, ku ndjeshmëritë përzihen mes të zakonshmes dhe universales, dhe pastaj, në këtë mjedis nxjerr krye vasha bregdetase me hiret e magjepsjen e saj.

Në tërësi, poezia e Kristo Çipës është një këngë e re, me një botë të thellë poetike, e cila shpalos në sytë e lexuesve botëpërjetime e ndijime të ngrohta, shpërthyese, me personifikime e figuracion të pasur, ku derdhet lirizmi poetik me bukurinë e gjuhës dhe shpirtit të dlirë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora