E premte, 19.04.2024, 10:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Fritz Radovani: Dijetari At Donat Kurti

E diele, 23.09.2012, 07:34 PM


Nga Fritz RADOVANI:

110 VJET  MA PARE  KA    DIJETARI

AT  DONAT  KURTI O.F.M.

Në 45 vjetorin e “Revolucionit Kultural…”

"Gjaja ma e bukur që më ka mbetë në mendje prej kohës së fëmijnisë, ishte festa e 28 Nandorit, kur dera e shtëpisë atnore dhe të tjerat përreth zbukuroheshin me shërmashek e lule shëmshiri, ndërsa banorët e lagjes, tue mbajtë në ballë Flamurin kombëtar, delshin me kandila të ndezun e brohoritshin për festën e Pavarësisë", shenon në kujtimet e veta At Donati.

Ai ishte klerik katolik shqiptar, doktor i shkencave, etnolog, folklorist, albanolog, poet, gjuhëtar, piktor, muzikant dhe nen drejtimin e Kolë Idromenos punoi dhe arkitekt.

Ka lé, rritë në Shkoder, studjoi, punoi dhe vdiq tue ecë i zbathun mbi gurt’ e Zallit Kirit!

Në ndihmë të Historisë së vertetë të zhvillimit arsimit dhe kultures Shqiptare, po Ju risjelli këte punim të Këtij Dijetari të Shkencës sonë, në këte pervjetor të 110 që ka lé:

VEPRA KULTURALE E ELEMENTIT KATOLIK NË SHQIPNI 

?Vëprimi i katolikëve në Shqipni kje i vijueshëm ç’prej fillimit të kristjanizmit e deri ndër ditët tona; por, prej pushtimit otoman fati i vendit tonë kje në mënyrë të jashtzakonshme i kobëshëm, mbasi na ndau ndërmjet vedit, na dha rrugat e mërgimit, na dërmoi, na çfarosi gati krejt, kështu, edhe vëprimi i elementit katolik për kah kultura mund të ndahët dyshë:

?1) Veprimi i katolikëve sa kombi qindroi në besimin e krishtenë, e

?2) Veprimi i katolikëve gjatë pesë shekujsh robni, errësinet e ligështijet.

?Një qi shikon ndër ledhët e kaklopve të hershëm bloqet e shkamijve të rënduem njeni mbi tjetrin gjatë korrizit të kalave, mund të sajojë njëfarë ideje për fuqi të jashtzakonshme e për trup të lidhun, qi kanë pasë njerëzit motit. Prap edhe një që kalon nëpër Athinë a nëpër Romë, i vëren me kujdes tepricat e tempujve, të skulpturës e të artit e mund ta çojë mendën tek madhnia, te përparimi, te luksi, te kultura e atyne kryeqytetëve të fuqishme. Kështu na bije rasa edhe né me mendue për veprim të katoliçizmit gjatë 14 shekujve të parë.

Aty-këtu ndeshim ndër rrënime të kishave, të ledhëve, të qytetzave e t' urave të herëshme. Gojdhana na i shumon përgjithëvend e për çdo katund. Ato pak viza arkitekture na diftojnë madhninë e atyne mbeturinave të shenjta; do copa afreskësh me ngjyemje të gjalla na tregojnë dorën e mësueme të piktorëve, qi u rritën në vendin tonë.

Ndonjë kumbonë piramidale me mbishkrim të thjeshtë e me kumbim të tingllueshëm na kallxon përparimin e mjeshtrive edhe në Shqipni. Ndonjë mërmer zgavrruem prej dalte do t’ na flasë për kohë të herëshme; por asht thërmue prej mizorisë s'anmikut e të motëve e, s' na ep kurrfarë drejtimit. Tjetër nuk gjejmë përveç lavdeve e nderimëve, me të cillat të tonët e të huejt përshëndesin ndër shkrime të veta kulturën e katolikëve Shqiptarë.

?Marin Barleti tue na kallxue jetën e Skanderbegut, ma të madhit fatos të kristjanizmit, ban aty-këtu përshkrime të gjalla e poetike qytetesh, ndërtesash e monumentesh, sidomos në Durrës, në Krujë e në Lezhë; përmendë njerëz të mëdhaj e  të përpjekuna diplomatike; kisha, prelatë, dhanti të çmueshme etj., sende të gjitha, që nënkuptojnë një përparim e një kulturë vertetë të lulëzueme.

?Prof. Giuseppe Gelcich, një ndër studjuesit ma të njohunit e ma me autoritet të

vjetërsive shqiptare, tue folë përmbi zhvillim tonë kultural, para të XV shekull, thotë: "Shqiptari i pajisun prej natyre me kuptim të fortë e me një shijim të bukur, kishte stolisë qytetet e veta me përmendore (monumenta) artistike fort të çmueshme e, deri qi këta qytete ranë rrafsh përtokë prej zjarmit e pezmit t' anmikut, s'pranë tue dërgue me shumicë materiale argjanti, fildishi, kureli, kriri (zadefi), si edhe shkallme, armë e enë remi të punueme me mjeshtri e hollim të madh, gjithkah nëpër Ballkan e ndër vise, këndej e andej detit. Petkat mandej të qëndisuna n' ar për bukuri, që u përdornin në Ballkan për stoli shtati e shtëpije, vinin edhe këto prej andej. Arti rromanesk në Dalmaci pat shkasin ma të madhin e të parët apostuj prej Shqipnie.”Këta ndodhën sa mbretnonte paqa në vendin tonë, pse, si nisën m' u dyndë shqiptarët katolikë, gjithë përparimin, kulturën e influksin e tyne kah Dalmacia, Gelcich e përmbledhë me këto fjalë:

"Sa familje, që sot thirrën dalmate, rrjedhin prej të ikunve t' atyne kohve! Sa sende, që sot shumica i mban për arte e vepra dalmate, nuk janë tjetër veç krijime e vepra të daluna prej mjeshtrisë e zhenisë shqiptare!".

Prap Prof.Gelcich, tue ra në bisedë me P. Gjergj Fishtën, përmbi artët e herëshme në Shqipni, dëshmoi, se, veç mbrenda një shekullit të vetëm, tue nisë gjatë Bregut të Bunës e deri në qytet të Djoklesë, afër Podgoricës, njihëshin 82 piktorë në za, të cillve u dihej edhe emni.

?Këto e sa të mbetuna të shkëlqyeshme të historisë sonë na paraqesin, veç sa me thanë, veprimin e katolikve për përparim të vendit; veprim, i cilli vijoi edhe mbasi humbi lirija, kur përendoi Hylli i Shqipnisë, d.m.th edhe mbas të XV shekull.

Jeta në robni, që po marrim me përshkrue, do të thirret për katolikë kohë heroizmi, pse, jo veç, u lyp heroizmën me shpetue ndiesitë kombëtare në mes të një trathëtisë e të një robnisë kombëtare, por, në mes të një trathëtisë e të një robnisë së poshtër.

?Kundra rrymës së kohve e të rrëthanave, katoliku shqiptar me urti e me dashtni zhvilloi nji program përparimtar, që kje thëmeli i kulturës së sotme në vendin tonë.

?Me ato pak mjete që pat përdorësh, u mundue me shpirt me mbajtë:

?Shkollat:

Të parat shkolla, mbas humbjes s' autonomisë në Shqipni, kjenë përsa dimë na, tri:

Shkolla e Pëllanës, e Blinishtit dhe e Shkodrës. Në vj. 1638 P. Hiacinti a Sospitello O.F.M., italjan me fis, por shqiptar me zemër, pat guxim me iu përveshë për të mirë të vendit një punës në vështrim të plotë kulturor, tue çilë shkollën fillore në Pëllanë, asokohe vend mjaft i banuem. Kje ndjekë me zell prej vendasve e i mërrijti zani deri ndër katunde të largëta të Zadrimës, qi memzi pritshin me i çue fëmijët e vet.

Numuri i nxanësve të jashtëm pat mërrijtë deri në 25 e, këta na japin shkas me nënkuptue,  se do të kenë pasë edhe ndonjë konvikt. Dijmë prej dokumentave, se përveç uratëve  mësonin edhe mësime letrare d.m.th. mbahët deri diku një shkollë e mesme  pa përjashtue gjuhën e vendit. Përparimi kje aq i madh, sa i terboi Turqit, të cillët mbas 9 vjetësh e rrënuen fare.

Në vj. 1697 kje çilë rishtas. Se deri kur vijoi, nuk dihët; dokumenti mbaron, tue thanë për te, se: "ka gjasë se gjindët edhe sot" (1702?).

?Një vjetë mbas thëmelimit të shkollës së Pëllanës, d.m.th. në 1639, kje çilë prej fretënve të kuvendit të Troshanit një shkollë në Blinisht, drejtori i së cillës kje P. Karl MirandulanusO.F.M.

Me shka dukët, kje një shkollë mjaft e plotësueme. Ndiqej prej ma se 50 nxanësash e posë këndimit e shkrimit mësonin edhe landë të tjera; edhe gjuha latine prej atyne që donin m' u ba priftën mësohej n' at shkollë; por anmiqtë ishin të panumur e në vj. 1640, drejtorin e kësaje shkollë e gjejmë në burg tue pësue mundime të mëdha.

?Në vj. 1698 a aty pranë, gjejmë se P. Filipi O.F.M. prej Shkodrët, çilë pikërisht në Shkodër një shkollë private e mëson fëmijët e tregëtarëve e të pasanikve.

Një që i ka përparasyshë pështjellimet e atyne kohve, mëninë posaçe kundra katolikve e kundra çdo shejit kulturar, mund të marrin me mend, se ç' v1erë patën keto shkolla për shpirt të shqiptarit, kjoftë edhe vetëm porsi hap kah qytetnimi.

Por kush mundët mandej me dyshue, se në këto shkolla nuk flitej shqip?

Në ç’mënyre katundari i padishëm i ndiqte me zell, në kje se s'merrte gja vesh?

Veprat, që na kanë mbetë prej atyne punëtorve të palodhun, prej atyne mësuesve të kujdesëshëm, na dëshmojnë kjartë, se ato shkolla nuk kjenë mjete të hueja për me influencue në shpirt të popullit shqiptar simpati e parti; por patën për qellim drejtpërdrejtë të naltuemit e moralit e shkasin ka kultura, e këta gadi tash 300 vjet.

?Këta mësues kjenë, qi me 20 Prill 1711, të ndimuem e të nxitun prej Papës Shqiptar, Klementit Xl, ngritën në Romë, në kuvend të S. Pietro Montorio, një katedër për gjuhë shqipe,  për me i ba gati misjonarët e huej me mujtë ma lehtas me i vijtë vendit t' onë; e atëherë, kur s’ mendonte kush për gjuhë shqipe e për zhvillimin e sajë, këta janë ata, qi përpilojnë ma të parat gramatika, fjalorë e përkëthime.

?Në vj. 1716 P. Françesk M. da Lecce O. F. M. shkruen e shtypë ma të parën gramatikë shqip, qi ka randësi edhe sot: "Osservazioni grammaticali nella lingua albanese" Roma,

?Në vj. 1848 P. Luka da Monte Giove O. F. M. na ka lane një fjalor shqyp-italisht.

?Në vj. 1858 P. Dario Bucciarelli O. F. M. la një dorëshkrim "Grammatica della lingua  albanese", që ruhët në Bibliotekën Françeskane të Gjuhadolit në Shkodër.

?Në vj. 1881 P. Leonard de Martino O. F. M. që kje një ndër ma të parët, që punoi vjerrsha në gjuhë shqipe mbas metrikës moderne, nxori librin "L'Arpa" di un Italo-Albanese" Venezia 1881.

S' do harrue, se ndër Misionarë, ky kje ma i pari që ua lëshoi kushtrimin njerëzve  të mëdhaj, e nëpërmjet tyne Evropës, për indipendencë të Shqipnisë.

Mbas gjithë këtij vëprimi kultura katolike nisë me marrë zhvillim të haptë në vendin tonë.

Balli i përulun i shqiptarit në robni xen me njohtë e me kujtue kunorën që dikur e rrëthonte, nxitët, kërkon me punue, me përparue e me u mëkambë.

Civila e kler dora -doras duen me e përtri popullin e me të përtrimë të popullit, përtrijnë kombin. Ky entuzjazëm vërehët posaçe në shekullin e 19-të.

?Prej vj. 1800 e deri në vj. 1861 çilën aty-ktu shkolla private me klasë fillore.

Veç në Shkodër mbahën mend 12 shkolla fillestare: 8 për djelmë e 4 për vajza.

Mjetët ishin të vogla e primitive, prandaj nuk asht për t' u shikue gjithaq përparimi  a dobija që nxirej prej tyne, sa inicjativa, hapi heroik, zelli për të hapun kulturën.

Një mësues përfaqësonte një shkollë në vedi. Ende sot, si në shenj evarije, kujtohën me andje emnat e tyne prej popullit katolik shqiptar.

?Mësuesit e Gjuhës Shqipe: E përkohëshmja "Përparimi" i rreshton emnat e mësuesve ma të njohtun, me këte renditje:

Gegë Kodheli, Gjergj Benussi (1836), Gjon Shkrumi, Zef Kamsi, Jaku i Tushit të Mark Krajës (Speci), Shor Markja, Don Pepini, Don Engjëll Radoja, Don P. Babi.

Prindët me andje pritnin me i çue fëmijët e vet në shkollë, madje, u zotnonin me pague edhe mësuesin. Edhe jashta Shkodre çilën shkolla tjera katolike në gjuhë shqipe.

?Në Prizren, në Pejë e në Gjakovë i gjejmë shkollat e çiluna për djelmë shumë para1840;por prej mungesës së datave e të njoftimeve ma të sakta, jemi të detyruem vetëm me i xanë në gojë.

?Koha kishte mërrijtë me ia hi një veprës ma të madhe.

?Në vj. 1861 françeskanët çilin ma të parën shkollë fillestare publike në Shkodër.

Kje ndihmue e kje mbrojtë prej Episkopatit Shqiptar. U përshëndet me gëzim prej mbarë popullit katolik, porsi ogur i mirë, porsi vatër kulturët, porsi shkëndi lirijet.

?E përnjëmend kje vatër kulturët për 72 vjet, pse aty mësuen me mija fëmijësh.

Mësimet erdhën tue u përmirësue përherë e ma shumë. Që ndër vjetët e para kje ngritë  edhe një salon argëtimi e konferencash, ku, ndaheshin çmime, që ishte një rasë gëzimi e hareje, jo veç për fëmijë, por për mbarë katoliçizmin, pse aty ndiheshin vjerrsha të  bukura, kangë të tingëllueshme e fjalë e mësime t' urta.

?Në vj. 1880 me 24 Dhetuer P. Leonard de Martino, O. F.M. kje ma i pari që çfaqi mbrendë në Kishë në gjuhë shqipe, një dramë baritore.

Kohë mbas kohe nxanësat e dikurshëm zunë vendin e mësuesave të vet:Shqiptari mërrinë me pasë aq kulturë, sa me drejtue e me organizue ai vetë vepra për të mirë e përparim të kombit.

?Në vj. 1902 zgjidhët Drejtor i kësajë shkolle P. Gjergj Fishta O. F. M., i cilli patjetër vuni porsi gjuhë mësimi ndër të gjitha landët gjuhën shqipe dhe, çon zanin e u thotë të gjithë shqiptarvet:

Porsi kanga e zogut t' verës,

Qi vallzon n' blerim të Prillit,

Porsi i ambli fllad i erës,

Qi lmon gjit e drandofillit,

Porsi vala e bregut t' detit,

Porsi gjama e rrfes’ zhgjetare

Porsi ushtima e nji termetit

Njashtu asht gjuha e jonë shqiptare

Pra, mallkue njaj bir Shqiptari

Qi ket giuhë të Perendis’

Trashigim, qi na la i Pari,

Trashigim s' ia len ai fmis’;

Edhe atij iu thaftë, po, goja,

Qi e perbuzë ket gjuhë hyjnore;

Qi n' gjuhë t' huej kur s' asht nevoja,

Flet’ e t' vetën len mbas dore.

***

?Në vj. 1909 tri klasave të para fillore, që patën mërrijtë deri në të gjashtën plotore, u kjenë shtue tri klasë qytetëse, me muze e kabinet fizike. Në salon, mandej vjetë për vjetë kjenë çfaqë drama me ngjyra edukative e atdhetare si: Shqyptari i Qytetnuem, Odisea, Juda Makabe etj.

?Me ndërrimin e kohve, për përparim të vendit, u ndërtue edhe sistemi shkollor,

kështu, në vj. 1921 kje ngritë në vend të klasave qytetëse, Gjimnazi 8 klasësh e, ma vonë 7 klasësh, tue iu adaptue programit të Ministrisë s' Arësimit.

?Duhët pasë përparasyshë edhe, se, që në vj. 1882, françeskanët kanë pasë çilë një kolegjë  për me rritë e me mësue ata që dëshronin m' u ba fretën. Mësimet ishin të rregullueme mbas programit të gjimnazëve t'Austrisë e në vj. 1905, shkolla u ba krejt në gjuhë shqipe.

?Përpara se m' u çilë kjo kolegjë, Ipeshkvijtë e Shqipnisë, tue dashtë me i dhanë popullit Shqiptar prijsa të mirë e të pregatitun në lame të besimit e të kulturës, thëmeluen që në vj. 1859, seminarin në dorë Jezuitëve, të cillët, prej andej morën shkas me e diftue përherë e matepër aktivitetin e zotësinë e vet, në përhapje të kulturës katolike.

?Në vj. 1868 nisën me afrue  prej vedit ndonjë nëxanës, e nandë vjet ma vonë, kur kjenë forcue me mësuesa të nëvojshëm, çilën në vj. 1877 shkollën publike fillestare, që shkoi tue u përmirsue kohë mbas kohe e tue u naltue me klasë reale e tregtare. Që prej vjetës 1914, fillojnë me u ba  hapat për të çilun të një gjimnazi për civila.

?Në vj. 1890 Jezuitët ndreqën një salon të madh e të bukur, ku çfaqën drama të ndryshme, u ndanë çmime me ma të madhin lulëzim, mbajtën disa here konferenca për dobi shoqnore.

?Librat.

Megjithse kombësi e huej, Jezuitët u munduen edhe për lavrim të gjuhës shqipe.

?Në vj. 1862 P. Giulio Buffili S. J. la nji fjalor italisht-shqip.

?Në vj. 1880 P. Jak Jungg S. J., botoi në Shkodër librin "Regale grammaticali sulla  lingua albanese", e një vjetë ma vonë "Elementi grammaticali della lingua albanese".

?Në vj. 1889 P. Dedë Pasi S. J. shkruen një "Libër për me 'u mësue shqyp".

?Në vj. 1895 P. J. Jungg S.J·. botoi një fjalor shqip- italisht.

?Në vj. 1909 P. Anton M. Xanoni S.J. shtypi librin"Gramatika shqyp" e një rend

librash tjerë edukativ.

?Prej vjetës 1920 e këtej Jezuitët, botojnë gjithfarë librash për shkolla.

Numri i librave shqip e në gjuhe të hueja kapet në 52.

?Në vj. 1929 çilën në Tiranë një shkollë fillore e tri vjet mbrapa fillojnë gjimnazin.

?Përveç këtyne shkollave shohim, se gjatë kësaj kohe livron nder dej e në zemër të katolikut shqiptar një të prirun kah përparimi e, anëkand Shqipnisë së Veriut çilën shkolla fillore.

?Para vjetës 1880 Shkupi e Zumbi e pak ma vonë Ferizoviqi e Stubla, e kanë shkollën  e vet në gjuhë shqipe për djelmë.

?Në vj. 1874 xen fillë shkolla e Shirokës, prej D. Zef Ashtës, qi vijon deri në ditët e sotme.

?Në vj. 1893 P. Joakin Serreqi O. F. M. ndreqë në Se1cë një shkollë me lokal për 50 nëxanësa.

?Po këte vjetë edhe P. Basil Chiaroni, O. F. M. çilë një shkollë shqipe në Hot Traboinë.

?Në vj. 1897 P. Pjeter Gjadri O. F. M. u ep mësim fëmijve në kuvend të Troshanit.

?Në vj. 1898 D. Ndoc Mjedja çilë një shkollë në Pëdhanë, në 1904 me P. T. Bicaj O.F.M.

?Në këte kohë edhe në kuvend të fretënve të Rrubigut hapët një shkollë katundi.

?Në vj. 1901 edhe Biza ka shkollën e vet, ku mëson P. Severin Lushaj O. F. M.

?Në vj. 1907 P. Shtjefën K. Gjeçov O. F. M. çilë shkollën në Gomsiqe.

?Në vj. 1907 P. Gentil Biella O. F. M. mban n' Iballe një shkollë në gjuhë shqipe.

?Në vj. 1909 P. Engjëll Vjeshta O. F. M. fëmijët e Bazit i mëson me këndue e me shkrue.

?Në vj. 1900 e ndonjë vjetë mbrapa, nëpër zellë e të nxitun të Shoqnisë "Bashkimi"  e "Agimi”, çilën shkolla në shumë katunde. Kemi mërrijtë me ditë se ka pasë shkollën  e vet Rrësheni, Oroshi, Miloti, Dajçi, Kallmeti, Spaçi, Kashnjeti e Nënshati.

?Prej vj. 1916-1929 katolikët kanë pasë shkolla, të thuesh, ndër shumë katunde të

Shqipnisë së Veriut. Mësojshin priftën, fretën e civila katolikë. U ndihmonin pjesërisht prej mbretnisë Austro­Hungare e ma vonë edhe prej Shtetit Shqiptar.

?Në ketë përiudhë veç famullitarët françeskanë, kanë pasë 17 shkolla katundit.

?Sot ajo çmohët ma fort prej nderimit e lirisë, qi i epet seksit femnuer, në kontrast me robni e poshtnim të pagajve e të popujve të paqytetnuem. Edhe në këte pikë katolikët kanë parapri.

?Qyshë në fillim të shek. XIX e deri sa s' kje çilë shkolla e Stigmatinëve, vemë re një të  nxitun e një zellë për me ngritë shkolla femnore. Varzat mblidheshin nëpër shtëpi private e aty u mësohej me këndue e me shkrue si edhe punëdore. Këta vlejnë mjaft  sa me i diftue  rracës shqiptare, se këto shkolla primitive ishin nji hap heroik kah kultura. Janë ngjarje 80-90 vjeçe e endè, mbahën mend emnat e atyne mësueseve të herëshme, ndër të cillat njihën:

Mësueset e Para Shqiptare (200 vjetë ma parë):

?Kush Micja, Tone Radoja. Tereze Berdicja. Tina e Nikës.

?Këto shkolla mund të thuhët, se poqën mendimin me thëmelue një shkollë publike femnore.

?Në vj. 1879 Motrat Stigmatine çilin ma të parën shkollë fillore për varza e, ma të  parën shkollë punët. Aty u rritën me kujdes jo vetëm zonja shtëpijash; por edhe nana shqiptare.

?Që në vitët ma të para çfaqëshin prej bijave shkodrane drame e argëtime, rrëthue prej dritës së ndritëshme të nderës e të njerëzisë. Simbas kohët edhe shkol1at femnore u përmirësuen.

?Në vj. 1885 ase aty pranë, në Prizrend, gjejmë një shkollë fillore shqipe për vajza.

?N' at kohë dihët e thëmelueme edhe ajo e Shkupit.

?Në vj. 1890-1903 Motrat Stigmatine shkojnë në Durrës, e aty mbajnë për 13 vjet një shkollë fillore për vajza e një shkollë për punëdore.

?Në 1896 (?) në Kallmet Motrat e Mëshirës, kishin shkollë fillore për vajza e  djelmë.

?Në vj. 1907, Shiroka ka shkollën e vet për varza.

?Në vj. 1925 çilin një shkollë në Dajç, për djelmë e për varza; kështu edhe në 1927, në Nënshat.

?Në vj. 1924 në vend të klasave plotore e qytetëse kje ngritë prej Motrave Stigmatine  normalja. ?Në vj. 1930 çilët një shkollë për vajza në Tiranë.

?Prej këtyne vërejtjeve të shpejta mund të shihët  se gjatë pushtimit otoman d.m.th deri në 1911, katolikët kanë hapë ndër kohë të ndryshme 47 shkolla shqipe, ndër ta 10 shkolla për varza.

?Flija n'ideal të katolikut mërrinë deri në heroizëm. Për të mirë të vendit, simbas fuqive e mjetëve, s' u kursye asgja. Durimi e dashtnija, pasqyrohën fort bukur ndër fëmijë të njomë, të mledhun ndër azile a strehë foshnjore.

?Në vj. 1898, me 3 Tetor, Motrat Servite hapin dyertë e kuvendit të vet në Shkodër për një azil; e kaq mirë e rregullojnë dhe e mbajnë, sa me u çuditë të huejtë për té. Edhe me 1920 Motrat Stigmatine nisin me i afrue fëmijët e lagjëve të largëta të qytetit në një azil, që e çilën në Rus.

?Në vj. 1929, Motrat Servite shkojnë në Tiranë e hapin  një azil të rinj.

Konviktet

?Malësorët e largtë s' mujshin me pasë shkolla, por edhe ata kishin të drejtë me kërkue zhvillim.

Me ndihmë të Mbretnisë Austro-Hungareze kje mendue me u çilë një konvikt i madh për djelmë të malëve. Kjo u realizue në 1907 e, u kje lanë Vëllazënve (Schulbruder), që  i çonin fëmijët në Shkollën françeskane. Shumë ndër oficerat, mësuesit e nëpunësit me fis prej malësh, do t'i kujtojnë me andje ata vjetë, që kaluen n' atë konvikt të rregulluem në çdo pikëpamje.

?Në vj. 1921 Motrat Stigmatine hapën në Shkodër një konvikt për vajza me afër 72 vende. Kje levdue e çmue prej të gjitha anëve të Shqipnisë, deri prindët me besime të ndryshme çuen bijat e veta n' at vend plot shpresë, madje, edhe me bursa të veta.

SHTYPSHKRONJAT.

?Mjafton me thanë, se qyshë ndër vjetët ma të para kjenë sjellë shtypshkronjat në Shqypni. Përmendët ajo e Obotit në vj.1493. Një mjegull aziatike na ndanë prej atyne kohve e gjatë robnisë kje shue gjithshka. Me të mëkambun të shkollave u ndie edhe nëvoja e shtypit e, katolikët kjenë që ia  sollën të parat shtypshkronja vendit tonë.

?Në vj. 1871 Jezuitët prunë në Shkodër ma të parën shtypshkronjë në këto ana.

?Pesë vjet mbrapa botohët me te libri shqip i Don Engjëll Radojës "Dotrina e Kerscten"; në vj. 1881 "Gramatika për gjuhë shqype" e P. J. Jungg S. J., e në vj. 1892, "Vakinat e ligs herscme e t' ligs ree", të Don Pashko Babit. Ç’prej asaj kohë e deri me sot kjo shtypshkronjë ka botue ma shumë se 320 vepra të  ndryshme, shqip e në gjuhë të hueja.

?Në vj. 1909 Don Ndoc Nikaj, pruni në Shkodër me shpenzime të veta një shtypshkronjë të re "Nikaj", që botoi deri në vj. 1922 afër 52 vepra në gjuhë shqipe. Po me këte të Shkodrës me makina ma moderne çili një tjetër në Tiranë (që asht edhe sot në vj. 2012 F.R).

?Në vj. 1913 Dr. Terenc Tocci, pat sjellë në Shkodër shtypshkronjën 'Taraboshi".

?Në vj. 1916 Françeskanët sollën në Shkodër një shtypshkronjë, me të cillën u botuen afer

112 vepra të ndryshme të gjitha në gjuhë shqipe, me ndonjë përjashtim.

SHKRlMTARËT E LIBRAT

?Për me e paraqitë në një mënyrë ma të gjallë shkakun, që i dha zhvillimit të gjuhës e të kulturës, të shikohën librat e shkrimët e botueme e dorëshkrimet e ruejtuna nëpër biblioteka.

Në ketë katalog të madh, që edhe ne na vjen mërzi me e lexue, gjejmë libra: Besimi, Morali, Gramatologjije, Letërature, Historie, Socjologjie, Didaktike, Filozofije,Shkencash positive, etj. Shkrimtarët katolikë shqiptarë, përveç se ndahën në shenjë për zotësi, janë edhe të  lodhëshëm, pse, për me ia mërrijtë idealit, që kanë pasë synim, të kulturës e t'Atdheut, përdorin edhe shtypin e jashtëm e gjuhët e hueja; kështu, që, asht punë e vështirë me e paraqitë në mënyrë të saktë e të plotësuem vëprimin e tyne. Megjithkëte kemi mërrijtë, për kurjozitet, me i numërue veprat ma të njohtuna e me caktue simbas shekujsh numurin e tyne aproksimativ.

?Prej vj. 1555 deri në vj. 1700 njohim 12 vepra, e 9 autorë, Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani, Barleti, Tivarasi etj.

?Prej vj. 1700 deri në vj. 1800, kemi 11 vepra, 9 autorë e 6 dorëshkrime, ndër këta P. Francesk M. de Lecce O. F. M., Kuvendi i Arbnit, D. Gjon Kazazi etj.

?Prej vj. 1800 deri në vj. 1900, kemi numërue 81 vepra, 34 autorë e 4 dorëshkrime.

Ndahën në shenjë në këte kohë: P. Leonardo de Martino OFM, që, i pari nisë e lëmon vjerrshat shqipe mbas metrikës moderne e, mundohët me shpirtë me interesue botën e qytetnueme për çeshtje shqiptare.

?Zef Jubani (i Ndok Hilës ), i cilli n' anë të Veriut kje i pari që mblodhi kangë shqipe e i përkëthei italisht.

?Pashko Vasa, i cilli mësimet fillore i bani në shkollën françeskane në Shkodër, filloi me shkrue që ndër vjetët e para e botoi 6 vepra në gjuhë të ndryshme për pavarësi shqiptare. Kaq me urti e dije punoi, sa, mërrijti me ia mbushë mendën Abdull Hamidit t'i epte lejën me ngritë në vj. 1879, një shoqni letrare shqiptarësh mbrendë në Stambollë. Në këte rasë Pashko Vasa, në bashkëpunim me të tjerë, trajtoi një alfabet të përgjithshëm për shqiptarë e që, atëherë, ai ka parasyshë unitetin e kombit, dashtninë ndaj të cillit e shprehi plot ndijesi në kangën, që këndojmë edhe sot:

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,

Kush të ka qitun me krye në hi?

Ti ke pasë kenë nji zojë e randë

Burrat e dheut të thirrshin nanë.

?Mandej, janë për t'u përmendë: D. Engjëll Radoja, D. Pjetër Zarishi, P. Françesk Rossi da Montalto O. F. M., P. Jak Jungg S. J., D. Ndue Bytyci, P. Tomë Marcozzi O. F. M., D. Pashko Junki, D. Pashko Babi e tjerë shkrimtarë të rinjë, të cillëve u del zani në shekullin e XX.

?Duhët pasë parasyshë, se edhe andej detit, n'Itali, katolikët italo-shqiptarë tregojnë një dashni të posaçme për Atdhe të lanun, zhvillojnë një literaturë fort të haptë e i apin nxitje të madhe kulturës e idesë kombëtare. Dallohën në shenjë ndër ata të herëshmitt: Lukë Matranga, Nikoll Filia, Jul Variboba, Nil Catalani etj; ndër ata ma të vonët: Jeronim de Rada, i cilli, përveç shkrimësh të panumur e propagandët, shkroi edhe 13 vepra me randësi për gjuhë e çashtje kombëtare; P. Anton Santori O.F.M. që shkroi tri vepra shqip e shumë vjerrsha satirike;

Zef Serembe; Zef Schiro, që shkroi 9 vepra me randësi e shumë shkrime rasët; Zef Camarda etj.

?Prej vj. 1900 deri në vj. 1912, pra, mbrenda 12 vjetëve, gjejmë 59 vepra e 16 autorë.

Dallohën, sidomos: P. Gjergj Fishta O. F. M., që në ketë kohë shkruen:"Lahuta e MaIcis" 1905; "Anxat e Parnasit" 1907; "Pika voeset" 1909 etj. deri në ditë të sotme gjithsejtë 17 vepra, të gjitha shqip e plot ndjesi kombëtare.

?Luigi Gurakuqi, i cilli, gjithë dashni për Atdhe e kaloi rininë e vet në mërgim, s’le të përkohëshme pa e mbushë me artikuj të vet, s' len shoqëni shqiptarësh pa marrë pjesë edhe ai vetë. Shkruen 6 vepra të ndryshme.

?D. Ndoc Nikaj, i cilli filloi që në vj. 1888 me i dhanë kombit libra shqip.

Shkroi shumë ndër të përkohëshme e fletore; deri sot ka shkrue 12 vepra.

?P. Anton M. Xanoni S. J. i cilli, si punëtor i palodhun i gjuhës shqipe,

shkroi mase 14 vepra e la shumë dorëshkrime.

?P. Shtjefën K. Gjeçov O. F. M. i cilli, që në rini të vet u vu me mbledhë prej gojës  së popullit shka asht ma e bukur në gjuhë e ndër doke tona; shkroi shumë në tëpërkohëshmën "Albania" e, na la 7 vepra të ndryshme, ndër të cillat edhe "Kanuni i Lekë Dukagjinit".

?Përveç këtyne, dallohën në shenjë si shkrimtarë të mirë në të përkohëshme e fletore:

P. Pashk Bardhi, Hilë Mosi, Filip Shiroka, Mati Logoreci, Gaspër Merturi, Kolë Thaçi etj.

?Prej vj. 1912 deri në vj. 1933 shkrimtarët shtohën e punojnë përherë e ma me zell.

Kemi mërrijtë me numërue 304 vepra të ndryshme e 69 autorë. Kanë një randësi të posaçme:

Dr. Terenc Tocci për artikuj, që shkruen e për 8 vepra që boton;

P. Vinçenc Prennushi O. F. M. për artikuj të panumur e për 20 vepra të ndryshme.

P. Fulvio Cordignano S. J. që shkruen mbi shumë çashtje të ndryshme e dy libra.

P. Ndoc Saraçi S. J. i cilli, boton 13 libra shkolle.

Karl Koliqi, që shkruen në shumë të përkohëshme e fletore, përkëthen mirë 8 vepra.

Ernest Koliqi, i cilli tue bashkëpunue ndër shumë të përkohëshme, mërrinë me fitue një stil të rrjedhëshëm e elegant, shkruen vetë e perkëthei gjithësejtë tri vepra.

?Ma shumë dallohën gjatë kësaj kohë për botime të ndryshme e artikuj me randësi:

P. Ambroz Marlaskaj O.F.M., Gaspër Mikeli, P. Anton Harapi O.F.M., Gaspër Beltoja, D. Lazër Shantoja, P. Marin Sirdani O.F.M., Zef M. Harapi, P. Justin Rrota O.F.M., Kolë Kamsi,

D. Gaspër Gurakuqi, D. Lekë Sirdani etj.

?Prej këtej mund të shihët se, para vjetës 1800 gjuha e jonë s' kishte me pasë asnjë shqipe, po t'u hiqëshin shkrimtarët katolikë deri n' atë kohë d.m.th. D.Gjon Buzuku 1555, D. Fran Bardhi 1635, D. Pjetër Budi 1664, Emz. Pjetër Bogdani 1685, Autorët Fran Geskaj, qi kemi përmendë, tue folë mbi shkolla, Kuvendi i Arbënit 1706, Kazazi 1743, dhe  po t'u hiqëshin edhe autorët jashta Shqipnije d.m.th. Lukë Matranga 1592, Nil Catalani 1694, Nikoll Filia 1736, D. Jul Variboba 1762, Teodor Cavallioti 1770 etj. të cillët i ngritën një monument të pamort gjuhës sonë.

?Leteratura e jonë mandej, s' kishte me e pasë as të katërtën pjesë, për mos me thanë krejt pa gja, të materialit e të përparimit që ka sot, po t' u hiqëshin 460 vepra  numërueme deri tashti, pa marrë parasyshë të përkohëshmet, e po t'u përjashtonin 136 shkrimtarë katolikë, prej të cillëve kjenë që morën pjesë në Kongres të Manastirit e në Komisjonin letrar të vj. 1916.

Të Përkohëshmët e Fletorët:

?Një mjet tjetër për me botue e me e përhapë kulturën shqiptare e sidomos, për me edukue popullin dhe me e ba t' aftë për indipëndencë, kjenë të përkohëshmët e fletorët e asaj kohe.

?Në vj. 1891 nisi me u botue në shtypshkronjën e “Zojës së Papërlyeme” prej Jezuitëve e përkohëshmja fetare "Elçia e Zemërs së Krishtit", që njihët ma e vjetra.

?Në vj. 1908 i kje shtue edhe pjesa letrare, në të cillën punoi ma shumë P. Anton M. Xanoni S. J.

?Në vj. 1912 xu fillë ndër Françeskanë një e përkohëshme tjetër fetare "Zani i Shna Ndout", që përmban edhe shumë shkrime të bukura letrare.

?Në vj. 1913, nën drejtim të P. Gjergj Fishtës O.  F. M. fillon me u botue e përkohëshmja letrare-­kulturore "Hylli i Dritës", që mbas sa vuejtjesh ende vijon i pelqyem e i çmuem prej mbarë popullit shqiptar si edhe prej të huejsh. Nëpër te ju lëshue kushtrimi gjithë shqiptarëve për lavrim të gjuhës e për kërkim të drejtave të veta.

?Në vj 1917, nën drejtim të D. Ndre Zadejës doli në Shkodër, për tri vjet e përkohëshmja fetare "Zoja e Shkodrës".

?Ne vj. 1921 nën drejtim të Z. Gaspër Mikelit doli në Shkodër e përkohëshmja arësimore "Shkolla e re", që ma vonë nën tjerë emna, kje ba gati si organ i Ministrisë s' Arsimit.

?Në vj. 1929, si organ i Shoqnisë L. E. K. A. të drejtueme prej Jezuitësh doli e përkohëshmja letrare- kulturore "L. E. K. A.", fort e çmueme prej popullit.

?Katolikët s' kjenë kursye me e çue zanin edhe jashta Shqipnije.

Janë për t'u përmendë kryesisht Italo-Shqiptarët, si edhe shkrimtarët tonë ma të mirë, që bashpunuen në "Albania" të Bruxellës.

?Në vj. 1887, drejtue prej Jeronimde Radës, doli e përkohëshmja "Fiamuri i Arbërit", 4 vjetë.

?Në vj. 1887, drejtue prej Franc. Stassi Petta e Zef Schiro, kje botue e përkohëshmja mujore "Arbëri i rii".Në vj. 1896, nën drejtim t' Antonio Argondizzo doli fletoria "YIli i Arbëreshëvet".

?Në vj. 1907 në Trieste, u botue e përkohëshmja “Dashamiri", nën drejtim të Mati Logorecit.

?Përveç të përkohëshmëve janë edhe fletorët, që në mënyrë ma të shpejtë e ma popullore influencojnë me fuqi magnetike n' opinjonin publik.

Në vj. 1910, doli në Shkodër fletorja "Bashkimi", kje thirrë edhe "Koha " , deri në vj. 1913; mandej ndërroi emën e kje quejtë "Besa shqiptare", deri në vj. 1924, nën drejtim të Don Ndoc Nikaj. Pat kundërshtime të mëdha kjo fletore edhe prej shqiptarëve, por trimnisht luftoi për indipëndencën tonë. Në vj. 1913 Dr. Terenc Tocci, botoi fletorën “Taraboshi" në dy periudha të ndryshme. Kah mbarimi i vj. 1916, nën drejtim të P. Gjergj Fishtës O. F. M. doli fletoria

"Posta e Shqypnis", përveç pjesës politike, ka shumë  pjesë të bukura leterature shqipe.

?Në vj. 1923 del fletorja "Ora e Maleve" nën drejtim të grupit me atë emën.

Shoqënitë:

?Idealistët e kombit, katolikët e njëmendtë, kuptonin mirëfillit, se asnjë hap i organizuem  s'mund të bahëj, se asnjë program s' mund të zbatohej pa dashni e pa lidhni me njani-tjetrin, prandej nisën me u bashkue si civila, si kler, përrreth ndonjë njeriut ma në shenj e ma me autoritet, kështu, dora-dorës, u formuen edhe shoqënitë në vendin tonë.Tue kenë se kultura merr zhvillim e s' mund të përshihët veç  me një program, shoqënitë kjenë formue me programe të ndryshme për një qellim  të vetëm, që kje kultura e përparimi i vendit.

?Në vj. 1899 Emzot Preng Doçi, Abat i Mirditës,thëmeloi Shoqëninë "Bashkimi", me program letrar. Në atë përfshihën njerëzit ma të zotët në lamën letrare e asajë do ti dihët alfabeti i sotëm. Botoi shumë vepra shqip, si "Fjalori i ri". Entuzjazmoi e nxiti tjerët shqiptarë,  me shprehë ndër shkrime të ndryshme dashninë për Atdhe e indipëndencë. Që prej vj. 1904, pat gati të thuesh si organ të vetin një kalendar të përvjetëshëm fort të bukur, me emën "Shqyptari", për tri vjet.

Kje çmue prej të gjithë atdhetarëve të vërtetë e kje përfaqësue në Kongres të Manastirit.

?Në vj. 1901 shumica e Ipeshkvijve, në bashkëpunim me Don Ndre Mjedjën, ngritën Shoqëninë "Agimi", edhe kjo me program letrar. Ndoq nji alfabet në vedi e shtypi disa libra. U dha shkas shumë dikutimëve të çeshtjëve gjuhësore. Kje përfaqësue edhe kjo në Kongres të Manastirit.

?Në vj. 1907 kje ngritë ndër Jezuit  një shoqëni "Vepra Pijore", me gjetë mjetët për botim të librave shqip. I vjefti shumë leteraturës shqipe me ma shumë se 40 vepra të ndryshme .

?Në vj. 1911, me 22 Kallnor, kje formue një shoqëni letrare me emën "Klubi Gjuha Shqipe".

?Në vj. 1924, për me shue sidomos analfabetizmin në vendin tonë kje formue shoqënija "Lidhja e Mësuesave Katolikë". Në 1929 prej ish-nxanësve të Jezuitëve kje ngritë Shoqënia L. E. K. A.

me pro­gram letrar-kulturor, që vijon në botim t' organit të përmuejshëm "Leka".

Të gjitha këto shoqëni kanë pasë për program ma shumë leteraturën e arësimin.

Në vj. 1914 kur lëvizjet politike vinin tue u egërsue përherë e ma fortë e shumëkush  dishronte me ia ngjitë thonjtë Shqipnisë, kje formue prej disa djelmoçave katolikë  entuzjastë për Atdhe, shoqnija "Nji tubë djelmoça shkodranë", që nxiti popullin me kërkue të drejtat e veta.

?Në vj. 1918 thëmelohët në Shkodër shoqnija "Rozafat", me program muzikor-artistik; mërrijti me trajtue një orkestër e, në 1923, organizoi ma të parën ekspozitë pikturash kombëtare.

?Në vj. 1919 prej disa djelmoçave idealistë kje thëmelue shoqënija "Bogdani", me

program muzikor-­dramatik. Formoi një ndër bandat muzikore ma të plotësuemët e Shkodrës e çfaqi me zotësi të rrallë drama të ndryshme. Në salon të shoqënisë kjenë mbajtë edhe disa konferenca çeshtjësh shoqënore si edhe akademi.

Mbasi ra rasa me folë përmbi shoqënitë, që u morën me muzikë, nuk asht jashta vendit me cekë, se ky art mori shkas në Shqipni të Veriut dhe u zhvillue vetëm prej elementit katolik.

?P. Tomë Marcozzi de Rapino O.F.M. kje i pari që formoi në Shkodër një bandë Muzikore private. Në vj. 1882 n'oborr të Kishës Kathedrale ushtuan për të parën herë burijat, që kjenë lajmëtaret e kohve ma të mira, që do të vinin në Shqipni. Kush mundët me ia paraqitë vedit gëzimin, që ndjeu n'at rasë populli katolik, që ndrydhë nën robni, s' kishte pse këndonte?

Ajo bandë për çdo të dielë e për të gjitha të kremtët, filloi me kënaqë gjithkendin e, kje një fuqi e re, qi e shtyni popullin kah lavrimi i artit të muzikës. Në vj. 1917 P. Martin Gjoka O.F.M. mërrijti me formue në Shkodër ma të plotësuemën orkestër e ma të mirin kor në vj. 1922.

Me nëxanësa të vogjël shkollët ngriti një bandë të kompletueme me 42 vegla e me uniformë, një punë kjo që mbrekulloi mbarë popullin e Shkodrës, që e shikonte me simpati. Kjo bandë vijoi deri në vj. 1924.Rishtas kje ngritë në vj. 1930, e në konkurs bandistik-teatral, që kje ba në Tiranë

prej Ministrisë s' Arësimit me 8 ­X-1930, fitoi çmimin e parë.

VEPRA TJERA  KULTURORE.

?Të huejtë, sa herë kanë pasë rasë me ardhë në Shqipni, jo vetëm në kohë të  pushtimit otoman, por edhe ndër ditët tona, kanë vu re me andje ndër katolikë ndërtesa e Kisha të ndërtueme mbas arkitekture. Të thuesh vetëm këto kanë  tregue të prirunit kah bukuria e kah estetika dhe, i kanë lanë nderë vendit. Mjeshtritë e ndryshme, prej të cillave, gjithkush e di se rrjedhë përparimi ekonomik i vendit, kjenë përftue e lavrue prej elementit katolik. Ndër ta ke gjetë farmacistë, rrobaqepës të mirë, këpuctarë, marangoza, farkëtarë, argjentarë, llastërtarë, tregëtarë e sa të tjera.

?Ndër ne u mësue me çmue arkeologjinë e me ia ruejtë Atdheut vjetërsitë e mijra vjetëve.

Jezuitët për zhvillimin e mësimëve që ndër vjetët e para të shkollave të veta patën formue një kabinet fizike e sidomos një muze, që për sasi të sendëve të mledhuna mund të njehët ende ma i bukri e ma i rregulluemi në Shqipni. ­Françeskanët në tjetrën anë, përveç muzeut të vogël, në këto vjetët e fundit mërrijtën me thëmelue njëfarë pinakoteke të bukur me disa piktura të vjetra.

?Por, ai që e pat ma për zemër arkeologjinë e vendit tonë, kje padyshim P. Shtjefën K. Gjeçov O. F. M., i cilli, që ndër vjetët e para të zyrës se vet, kje mundue me kërkue vetë e me nxitë edhe tjerët, për  me i ruejtë e me i mbledhë vjetërsitë e vendit. Shkroi sa herësh mbi këte subjekt e shtyni deri edhe funksjonarët e naltë të Shtetit, me formue komisjone të ndryshme për ketë qellim; punë kjo që tregon një ndjesi fort delikate për përparim të vendit.

VEPRAT FILANTROPIKE

?Ajo ndjesi e ambël, qi zhdukë egoizmin, tue na përkulë para mjerimëve të vëllazënve tonë pandryshim besimi, nuk asht thjeshtë prej natyrët, por prej besimit kristjan, që  shprehët me fjalën Charitas. Ky virtyt na nalton para mbarë njerëzimit porsi idealista të vërtetë. Bota liberale e ndien influksin e kësaj vepre vigane, por s'do me e njohtë kavinë, prandej e pagëzon me f]alën filantropi. Katoliçizmi diti me përftue në mënyrë të ndryshme vepra filantropike.

Në vj. 1885 Jezuitët për me u vjeftë edhe atyne qi s'mujshin me ndjekë shkollën, thëmeluen një "Oratorium", ku, përveç argëtimit kishin edhe mësim fetar. Në vj. 1889 kje thëmelue ndër Jezuitë shoqënia bamirëse "Rrethi i Sh'Jozefit", e kishte për program me mbledhë lëmoshë per me u pague qiranë e shtëpisë të vorfënve. Deri në 1916, u ndau lëmoshë afër 50.000 Krs.

Në vj. 1890 (?) me ndihmë të Mbretnisë Austro­Hungareze, kje çilë në Shkodër një spital, ku shërbyen me durim e dashni të jashtzakonëshme Motrat Vinçencjane, ase Motrat e Mëshirës.

Aty kje mjekue kushdo pa ndryshim besimi. Vazhdoi deri në vj. 1918.

Në vj. 1898 ase ndonjë vjetë përpara, gjejmë në Kallmet një "Ambulatorium", të mbajtun prej Motrave të Mëshirës, ku, mjekohej katundarija e merrëshin ilaçët pa pare. Në vj. 1897, në kuvend të françeskanëve kje thëmelue "Buka e Shna Ndout", një  vepër bamirësije, që mund të thirrët ma e frytëshmja në vendin tonë. Për çdo të Marte u ndahët  buka pa ndryshim besimi ma shumë se 200 vetëve; u epet lëmoshë mujore sa familjëve të vorfna e thahën sa lot. Lëmosha, që shpërndahët  çdo vjetë, asht përnjëmend e bindëshme, pse mërrinë deri në 24-25.000 Krs.

Jashta kësajë shume, prej vj. 1902 e deri në vj. 1912, u kje dhanë ndër shkolla të fretënve ma shumë se 60 të vorfënve bukë, supë e tesha. Në vj. 1905 (?) Motrat Salezjane i sollën sytë kah ma të mjeruemit e popullit, me një durim e një dashni heroike, i mblodhën në një shtëpi, që kje thirrë "Streha e pleqëve".E mbajtën këtë deri në vj. 1916, kur për rrëthana politike ju desht me lanë Shkodrën. E vijuen at vepër për tri vjet rresht Motrat Stigmatine. Në vj. 1907 Motrat Salezjane çilin me ndihmë t' ItaIisë një orfanotrof për varza jetime, tue i edukue kah zemra, kah mendja e kah jeta. Ky orfanotrof vijoi deri me 24 Prill të kësaj vjetë.

Këte vjetë (1907) edhe Schulbruder-t me ndihmë t' Austro- Hungarisë, hapën një orfanotrof për djelmë, të cillin e mbajtën fort mirë deri në vj. 1916. Në vj. 1914 Motrat Salezjane, i gjejmë se shërbejnë në spitalin "Iolanda",i hapun prej Italisë. Mbas një kohe e vijojnë këte në vj. 1928.

Në vj. 1920 kje hapë prej Etënve Jezuit "Orfanotrofi i Zemrës së Krishtit" për djelmë, vepër që vazhdoi deri në Prill të kësaj vjetë me afër 40 jetimash.

?Në vj. 1924 nisi një tjetër vepër bamirësije. N' at vend ku mbretnon mjerimi e ankimi d.m.th. në burg të Shkodrës, kje një rreze drite, një shkas paqe e dashnije. Françeskanët e kanë marrë mbi vedi me i sherbye atyne të shkretëve, e përveç kujdesit fetar, ndër të kremte ma të mëdha, nëpër të nxitun të tyne mblidhën lëmoshë, që shpesh kapën deri në 3.000 Krs. E, të burgosunve pa ndryshim besimi u bahët bukë, djathë, vezë, duhan, rroba etj.

MISJONI

?Gjithëshka u përmend deri këtu asht fruti i asajë detyrës shpirtnore, që i ven feja secillit katolik me e çpallë të vërtetën, me e ndjekë e me e mbrojtë; por populli shqiptar s' kishte mujtë me qindrue në ketë detyrë, as s' ishte mbajtë i ndëruem, i thyeshëm e idealist, mos t'i kishte ndejë gati meshtaria nëpër misjone, tue i mësue  e tue i drejtue. Françeskani s' ju nda popullit shqiptar për 700 vjetë. Kur mbas pushtimit otoman françeskanit i kjenë rrënue kuvendët, e Kishës ikjenë marrë mjetët e jetesës, e erdh tue u ligështue forcët d.m.th. iu pakësue përsoneli, ajo kohë kje ma e tmershmja për vendin tonë. Në vj. 1634 vinë fretën prej Italije e bashkëpunojnë me ata pak fretën, që kishin mbetë në Shqipni. Këta e kërkojnë shqiptarin ndër male të thëpisuna e ndër fusha. Mësojnë, predikojnë, i mbajnë gjallë ndjesitë bujare të rracës, shpëtojnë të prirunit  kah kultura,  gatuajnë zemrat për liri.

Rrahën njëmend, burgosën e mbytën, por nuk ligështohën, nuk thehën.

?Me dashni e tue ba mirë, mërrijnë me fitue deri simpatinë e anmiqëve, e tue shpetue besimin katolik, shpetojnë idealistin Shqiptar.

***

?Kjo çetë misjonarësh vijoi deri ndër ditët tona.

?Prap meshtaria ndër predke, ndër shkrime e ndër mësime, kërkon me e ba popullin leal, me ndërgjegje e me karakter e jo fanatik.

?Në vj. 1883 e ma vonë në vj. 1888, edhe Jezuitët fillojnë me zhvillue një program të rinj për dobi të popullit. Sajojnë misjonët shetitëse, që shkojnë gjithkah tue ba mirë, tue i afrue zemrat, tue pajtue gjaqët, tue zhdukë poshtërsitë, tue  çilë shtigje kah drita e vërtetë e kah kultura.

?Në një studim kaq të vogël, tue mos mujtë me i paraqitë faktët ndër shpjegime imtime të veta, jemi të sigurtë se janë lanë jashtë shumë vepra, qi kishin me e ndritë ma shumë aktivitetin e elementit katolik në Shqipni, për kah kultura; por kaq të mjaftojë.

Nëpër rreshtim të datave, si në një film ka me u pa tëndenca e përherëshme e katolikëve kah përparimi, vëprimi i tij i ndryshëm ndër kohë e ndër rrëthana fort' të vështira e negative e, njëherit, dashnija e tij për Atdhe e për Pavarësi.

?Shenim nga F.R:

?Materiali i plotë asht botue në vitin 1935, në revisten “Hylli i Dritës”.

Kam pa të nevojshme disa shkurtime per me ndihmue lexuesit e sotem. Nenvizimet janë të mijat.

?Falnderoj per punen e palodhun të Tij, Redaktorin e materialit, studjuesin z. Daniel Gazulli.

Melbourne, Shtator 2012.

 



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora