E premte, 29.03.2024, 03:08 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: VOA terheqë gjithnjë nobelistët

E diele, 23.09.2012, 04:59 PM


VOA TERHEQË GJITHNJË NOBELISTËT

Nga Frank Shkreli

Duke lexuar gazetën Uashington Post para dy tre ditësh, më tërhoqi vëmendjen një shkrim mbi vizitën në Uashington të udhëheqësjes birmaneze për demokraci, Zonjës Aung San Suu Kyi dhe takimeve të saj zyrtare në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit amerikan.   Ajo u takua me Presidentin Barak Obama, me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton dhe me udhëheqsit kryesorë të dy partive të Dhomës së Përfaqsuesve dhe të Senatit Amerikan.   Zonja Suu Kyi është një ndër femërat më të nderuara dhe të respektuara në botë, si një aktiviste e dalluar për demokraci dhe të drejtat e njeriut në vendin e saj Birmani dhe më gjërë.   Falë përkushtimit të saj ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut, asaj i është akorduar Çmini Nobel për Paqë.   Për këto qendrime ajo ka vuajtur burgime dhe persekutime nga hunta ushtarake birmaneze.   Si kampione botërore e të drejtave të njeriut, në Uashington ajo u prit me nderimet më të mëdha nga Presidenti Barak Obama, nga Sekretarja e Shtetit Hillary Klinton, e cila e quajti atë si një ''ikonë botërore e lirisë dhe demokracisë'', --  dhe Kongresi amerikan i akordoi asaj ''Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan'', që është nderimi më i madh që mund t'i bëhet një personi civil, vendas ose të huaj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hunta ushtarake birmaneze e mbajti  atë në arrest shtëpiak për pothuaj 15 vjet, dhe si përfundim ajo nuk u lejua të vinte në Shtetet e Bashkuara më 2008 që të mirrte Medaljen e Artë të Kongresit  për punën e saj në fushën e të drejtave të njeriut dhe në mbrojtje të demokracisë.   Zonja Suu Kyi i bashkohet një liste impresive liderësh botërorë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, si Uinston Çurçilli, Martin Luter Kingu, Papa Gjon Pali i Dytë e të tjerë, të cilët, gjatë historisë janë nderuar me ''Medaljën e Artë të Kongresit Amerikan'', dhe me Çmimin Nobel për paqë.

Normalisht, unë nuk do të merresha me vizitën e Zonjës  Suu Kyi në Uashington, por ajo që më tërhoqi vëmendjen në artikullin e gazetës së kryeqytetit amerikan Uashington Post dhe mediave të tjera amerikane ishte fakti se Zonja Suu Kyi, menjëherë pas takimit të parë në Uashington me Sekretaren e Shtetit Hillary Klinton, dhe para takimeve të tjera me rëndësi diplomatike, ajo kishte shprehur dëshirën të vizitonte  Zërin e Amerikës.

Komentet dhe intervistat e sajë gjatë vizitës së saj në kryeqendrën e Zërit të Amerikës në Uashington,  më kujtuan vizitat që bënin në Zërin e Amerikës gjatë Luftës së Ftohët dhe pas rënjes së Murit të Berlinit, mbrojtës dhe aktivistë të të drejtave të njeriut dhe personalitete me famë botërore, për të shprehur falenderimet e tyre për kontributin e VOAs në fushën e të drejtave të njeriut dhe në mbrojtje të të përsekutuarve nga regjimet  shtypëse komuniste dhe fashisto-ushtarake,  si regjimi ushtarak i Birmanisë.  Zonja Suu Kyi kishte shprehur dëshirën të vizitonte -- jo gazetat me zë  tl kryeqytetit amerikan, Uashington Post, Uashington Tajms ose ndonjë rrjet të njohur televiziv amerikan -- por Zërin e Amerikës, në këtë 70-vjetor të ekzistencës së kësaj radioje me famë botërore.   Në Kryeqendrën e VOAs, ajo u prit nga Drejtori i Zërit të Amerikës Dejvid Ensor dhe zyrtarë të tjerë të  lartë transmetimeve ndërkombëtare të Amerikës.  Zoti Ensor, duke e përshëndetur vizitoren e famëshme  tha se ''Është një nder i jashtzakonshëm që ne na viziton një personalitet kaq i dalluar'', dhe e siguroi fituesen birmaneze të Çmimit Nobel se ''Zëri i Amerikës do të vazhdojë të ushtrojë llojin e gazetarisë që e ka bërë Zërin e Amerikës stacionin më popullor ndërkombëtar të lajmeve në Birmani.''

Nga ana e saj, Zonja Suu Kyi  gjatë takimit të saj me zyrtarët e lartë të VOAs tha se e ''Dëgjoj Zërin e Amerikës çdo mengjes në orën 5:30.  Më pëlqejnë shumë lajmet ndërkombëtare  si edhe pasqyra e shtypit birmanez'', që transmetohen nga Zëri i Amerikës në gjuhën birmaneze.   Gjatë një interviste me VOAn, ajo tha se, ''Të drejtat e njeriut duhet të mbrohen nga ligji dhe se nuk duhet të ketë asnjë rast ku të drejtat e njeriut të lihen pas dore ose të injorohen'',  duke shtuar se ''këjo është koha kur ne kemi nevojë për ndihmë, ashtuqë vendi im të vazhdojë në rrugën e duhur, dhe jo vetëm  vendi im, por    të gjitha vendet që ende nuk gëzojnë lirinë.''

Gjatë takimit me Zonjën Suu Kyi, bashkshortja e ish-presidentit Bush, Laura Bush tha se ''tranzicioni në Birmani si dhe tranzicionet e mëparshme, nga diktatura në demokraci -- në Evropën Lindore dhe në Afrikën e Jugut --tregojnë se historia ka marrë një drejtim shpresëdhënës.''   E pyetur nga Zëri i Amerikës se cili ishte mesaxhi i saj për vendet e tjera në kushte të njëjta si atdheu i saj, ajo u përgjigj duke thënë se ''pikëspari nuk duhet të hiqet dorë nga shpresa....por në të njëjtën kohë nuk është mjaft të shpresosh, duhet të punosh për të realizuar shpresat'', tha ajo.

Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Zërit të Amerikës, fituesja e Çmimit Nobel dhe  e Medaljes së Artë të Kongresit Amerikan, Zonja Suu Kyi tha se e konsideron këtë përvjetor si një ditëlindje të një miku, ''Sepse Zëri i Amerikës dhe stacione të tjera të transmetimeve ndërkombëtare ishin miqët që qëndruan pranë meje gjatë viteve të gjata të arrestit shtëpiak.''

Vizita e Suu Kyi në kryeqendrën e VOAs në Uashington dhe komentet e saj mbi transmetimet e lajmeve vendore dhe ndërkombëtare, si edhe për rolin që luan VOA për të mbajtur gjallë shpresën për liri e demokraci në të gjitha vendet ku liritë shtypen dhe mohohen, tregon se edhe sot pas 70-vjetësh ç’prej themelimit,  Zëri i Amerikës ka gjithnjë një rol për të luajtur në informimin e saktë, të balancuar, objektiv  dhe të gjithanëshëm anë e mbanë botës, e sidomos në vendet  ku liria e medias mohohet ose keqpërdoret.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora