Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Dolli me vese

| E diele, 23.09.2012, 05:18 PM |


DOLLI  ME  VESE

POEZI

NGA  PËLLUMB  GORICA

DOLLI  ME  VESE
(Kalasë së Prizrenit)

Bedenat këtu e shpojnë qiellin
Ngadhënjyeshëm ngjyrës harresë
Me heshtjen sfidojnë diellin
Në mugëtira legjendash, besë.

Hithrat mureve përtypin
Mokrrat e këngëve qëndresë
Netët ecin dorëzanë zgjuar
Duke ngritur dolli me vesë.

SYTHET  I  SHKRUAJNË  KRONIKAT

Një ulli më shfaqet në vendlindje
I lashtë, sa vetë koha ka ardhur
Më ngjan si bari i mardhur
plak i vjetër i harruar.

Kohës i kërkon shpërblim
S’pyet për rruferat…
Me sy sfidon çdo kërcënim
Sythet i shkruajnë kronikat.

NUSJA  E  SHTËPISË

Parmenda plisat i ngrinte me radhë
E fliste lehtë me ugarë
Ca zogj çukisnin përmes vlagës
Siç janë gjithë zogjtë shamatarë.

Syri i bujkut diku ndali
Në mes ugarit një antikë
Me sy të ndritur si kristali
Si nuse e re që vjen me prikë.

Me pamje të marrë si prej hyjnish
Në mëndje ju mblodhën legjendat e lashtësisë
Ajo perëndeshë mbi gjithë perëndeshat ish
Ndaj dhe i thanë: nusja e shtëpisë.