| E diele, 23.09.2012, 06:18 PM |
DOLLI ME VESE
POEZI
NGA PËLLUMB GORICA
DOLLI ME VESE
(Kalasë së Prizrenit)
Bedenat këtu e shpojnë qiellin
Ngadhënjyeshëm ngjyrës harresë
Me heshtjen sfidojnë diellin
Në mugëtira legjendash, besë.
Hithrat mureve përtypin
Mokrrat e këngëve qëndresë
Netët ecin dorëzanë zgjuar
Duke ngritur dolli me vesë.
SYTHET I SHKRUAJNË KRONIKAT
Një ulli më shfaqet në vendlindje
I lashtë, sa vetë koha ka ardhur
Më ngjan si bari i mardhur
plak i vjetër i harruar.
Kohës i kërkon shpërblim
S’pyet për rruferat…
Me sy sfidon çdo kërcënim
Sythet i shkruajnë kronikat.
NUSJA E SHTËPISË
Parmenda plisat i ngrinte me radhë
E fliste lehtë me ugarë
Ca zogj çukisnin përmes vlagës
Siç janë gjithë zogjtë shamatarë.
Syri i bujkut diku ndali
Në mes ugarit një antikë
Me sy të ndritur si kristali
Si nuse e re që vjen me prikë.
Me pamje të marrë si prej hyjnish
Në mëndje ju mblodhën legjendat e lashtësisë
Ajo perëndeshë mbi gjithë perëndeshat ish
Ndaj dhe i thanë: nusja e shtëpisë.