E premte, 29.03.2024, 03:04 PM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Nusja e plakës Qeriba

E enjte, 20.09.2012, 05:15 PM


Nusja e plakës Qeriba

Tregim

Nga Përparim Hysi

U tund gjithë fshati atë ditë që plaka Qeriba,martoi djalin e dytë.Të parin e kish martuar me kohë dhe,ky,i martuari kish zënë Tiranën.Plaka Qeriba i binte gjoksit për këtë djalin e madh:jo vetëm ka zënë Tiranën,por punon në qeveri.Sa për këtë të dytin,nuk para ndihej,se e shihte se ç'kallëp qe.Dhe thoshte:nuk i ngjan fëmija fëmijës,dëgjoni Qeribanë ju. Ky është qoti fare.E dërgon për punë,vete. I flihet gjumë, shkon e fle dhe as do të dijë në i pikon çatia a jo. Po mall dhe kaq.Se ka më keq.Vjen darka dhe mblidhet në shtëpi.Por qe si qe djali,e kish të sajën dhe njeri nuk ta ndërron. Plaka Qeriba e di mirë këtë dhe,sado që burri i ka vdekur prej kohësh kur dy djemtë qenë të mitur,ajo i  rriti me mundime. Dhe është qoti nuk është qoti,ajo po e marton me të tëra  dertet dhe sazet mënd tundin dynjanë.
Tek vej e vjen,se është vet burrë e vet grua,ajo u bëhet kurban të ardhurve dhe ku nuk e gjen:sa tek burrat dhe aq tek gratë. Se kështu është e nderit dhe ia ka zbardhur faqen derës së burrit dhe,gojë më gojë,për plakën Qeriba thonë:grua kapedane që skuq dhe burrat.

                                                  *    *   * 
Sazet mend po shqyenin bulçitë në atë çast që po mbrrite nusja. Dhe vërtet qe çast,paksa,magjik. Sazet luanin enkas për ardhjen e nuses dhe,sa u dëgjua zëri i fëmijëve:erdhi nusja,të gjithë garendën kush e kush më parë që të shihnin nusen. Në këtë lloj gare tradicionale,pa dyshim,që kurioziteti është i grave dhe çupërlinave që,dhe pa ftuar,vërvisin nga duarët çdo gjë dhe vrapojnë andej nga vjen nusja. Dhe tek zbret nusja nga taksia,njerëzit janë bërë sy e veshë.Mezi presin që ta kundrojnë sa më afër dhe,mandej,për t'i vënë prapa epitete nga më të ndryshëm. Zakonisht,për nuset,askush nuk thotë fjalë të keqe dhe zënë e i këndojnë nga këngët më të bukura,deri tek ato me shpoti ku aludojnë për ato që do ndodhin  për çiftet që martohen.Edhe për nusen e plakës Qeriba,po kështu kënduan.Kur e panë dhëndërrin,të shkurtër,sikur dikush e kish ngjeshur nga koka me tokmak dhe kish mbetur pak si i shkurtër (tani krahas nuses dukej si doku kur futet në ujë ) ,gratë dhe çupat nuk e mbanin dot shpotinë tek këndonin. Se ç'është e vërteta,nusja,dukej si një sorkadhe para këtij që,edhe pse martohej,dukej edhe më  i mrolur.
-Pupu!-bëri   Hatixheja,- njëra nga të ftuarat,po kjo qenka si sorkadhe.Dhe kish të drejtë:nusja qe e bukur.Ca se qe e bukur dhe paksa e zbukuruar dhe ca se krahas dhëndërrit që qe si një brumbull,ajo fekste edhe më tepër. Emil Zola e ka vënë re mirë bukurinë e grave  dhe se ku thotë: - Doni që e bukura të duket më e plotë,vendoseni pranë të shëmtuarës. Ja kjo thënie e Zolasë m'u kujtua në atë çast,kur pashë nusen pranë dhëndërrit që priteshin me brohori nga dasmorët. Dasma kaloi aq mirë,sa plaka Qeriba dukej sikur qe bërë tjetër:më e gjallë dhe jepte e merrte jo sikur qe plakë (qe mbi 70-vjeç ) ,por sikur kish hequr nga supet jo pak,po nja dhjetë vjet të mira.
Ahengu,aheng dhe shpotitë,shpoti. Çu-çu bënin si djemtë,ashtu dhe çupat dhe ca parovali të tjera,me  nënkuptime,se si do "përtypte" ky bulldogu këtë sorkadhe.
Si të gjitha dasmat,edhe dasma që bëri plaka Qeriba mbaroi dhe njerëzit zunë e shikonin hallet e  tyre,se sos se kalohte me dasma e taratana jeta. Shikonin hallet e tyre,po shkonte nga shkonte fjala dhe,sidomos nga graria flitej dhe për nusen e plakës Qeriba.Një i lëvdonte trupin e hijshëm,një faqet si shegë,një sytë me bisht dhe,tek mendonin se me kë e ndante këtë bukuri nusja e ardhur, u shpërthente një e qeshur ashtu vetvetiu se ku nusja e ku ky,djali qoti i plakës Qeriba. Po nga ngjau ashtu,-thoshin,-se ai,i vëllai, me gramë po dhe kështu goxha burrë dhe si kaba.Ky,dhëndërri,rodokop mu si ata bulkthit që bëjnë topa bajge.Epo dardhën e qullur,e ha breshka,-tha  Hatixheja që nuk linte pësh-pësh të binte në tokë.

                                                       *     *    * 
Kaloi kështu një muaj nga dasma dhe plaka Qeriba nuk e kishte më atë gazin e parë. Kur e pyesnin për nusen,mundohej t'i shmangej muhabetit dhe,kur kish ndonjë moshatare që i hapte barkun,i tha: - Moj e bukur është nusja ime nga kashta (trupi ) ,por nga mëndja është për bujashka !!! Tjetra e mori kërë rrëfim si një mospëlqim të çastit nga ato vjerrë-nuse dhe nuk e bëri zë me  kërkënd.Së pari,se plakën Qeriba e kish mike të vjetër dhe,së dyti, qe vjerrë vet dhe kish  katër nuse në shtëpi. Mirëpo dielli me shoshë nuk zihet. Në tha plaka Qeriba,se nusja nga mëndja qe për bujashka, kjo gjë,pak nga pak,ra në sy dhe në brigadë ku punonte nusja e bukur dhe,pak nga pak,dhe në fshat. Aha,- tha xha  Myrtja,-kjo mëndjefyçka as tek thonjtë e këmbës nuk i arrin atij "qotisë" së plakës Qeriba. Kjo pesë lopë,i numëron për gjashtë.Ja,vëreni re:qesh fare kot.Dhe veç budallai qeshë kot.Ai"qotia",po si qoti që është,ha dushk e lëpushkë (Ç'ti hedhësh në grazhdë ?! ) ,por më dhimbset plaka Qeriba që është goxha zonjë.
Marash Ndreu,i vetmi katolik që kishim në fshat, shkoi dhe më tej. E kish patur si punëtore makazie nja dy javë (si nuse të re e kishin çuar që të bënte punë të lehtë ) dhe,si shumë noksan që qe, e kish vënë re që  nusja e bukur sikur qe pak eksiq nga mëndja. E kish vënë re dhe një ditë,në sy të kallabalëkut (kushedi pse qe bërë hundë e buzë nga puna pa përgjegjësi e nuses ) ,i paskej thënë:
Dito (e quanin Dituri  )  ti je nga ato gra që,kur pjellin,e merr vesh që ke qenë me barrë. !!! Kish thënë kështu Marash makazinieri,po ata që dëgjuan ranë përmbys,se nusja as që mori vesh ku i rrihnin çekanët këtij,Marashit. Po kaq nuk qe gjë fare. Nusja nuk shtyhej për punë dhe,po të mos e urdhëroje,as pjatën që hante,nuk e hiqte nga sofra. Plaka Qeriba e shihte dhe dembellëkun,por dhe avashllëkun nga mëndja,por bënte një sy qorr e një vesh shurdh.Se nusja nuk është që erdhi e i zuri shtëpinë,por qe plaka Qeriba që dërgoi shkesin dhe mezi priste ta sillte nuse në shtëpi. Duro njëherë,duro dy herë.Aha,nuk qe punë. Të gjitha venë e vinë,- thoshte plaka Qeriba,- po veç mëndja nuk ndreqet. Sos se është plaçkë që e njxjerrin në pazar e do ta blesh.Mëndja është peshqesh.Kjo imja qenka teleshmëne.
-Dalip,t'u bëftë në grykë!-lëshoi mallkimin plaka Qeriba. Ky mallkim qe për shkesin.Ky,Dalipi, kish bërë ushtrinë andej nga Devolli dhe hyri si mblesë për djalin e plakës Qeriba. I vinte dorësh Dalipit për këto punë dhe kur thonë,po qe nisur,do bitiset.Dhe u bitis. Ç'të bitisur!,-i mshoi zërit plaka Qeriba.Kësaj i thonë të të pjellë macja,në kamaret! Rrumbullake e nxehtë dhe nuk ke si zë me dorë.Im bir qoti,kjo po e"e  avashme" dhe me një qafë do dalë. Pak nga pak,plaka Qeriba po i vinte zëmrës një gur dhe nuk po bëhej as e  gjallë dhe as e vdekur,kur e pyesnin për nusen. Epo si të gjitha nuset kudo në botë,-mundohej t'i vinte kapak muhabetit.Ca e "avashme",por ky qe fati i tim biri.I tim biri,dhe imi që nuk qe thënë që ta sosja pleqërinë mbroth.

                                                    *    *    *
Ditët kalonin,por rri e ri e dil nga një avaz. Na kish qenë  për mik andej nga fshatrat e Devollit një  fshatar yni me të shoqen.Me sa mora vesh, V...  i  thënkeshin atij  fshati dhe,kur u kthye, e shoqja,Slimja,tregonte faqeza të gjithëve në brigadë.
-Qemë me tim shoq në V... të Devollit dhe atje na pyetën dhe për Ditkën. (nusen e plakës Qeriba ),ndërsa imshoq,zuri dhe po e lavdëronte:jo po është e bukur,jo po ka rënë në derë të mirë,kur dikush si me sëpatën e dardharit ia preu fjalën:
-Ama për Ditkën e kini fjalën.po jo,or burazer, e bukur është,po është kallëp nga mëndja.Dhe vazhdoi:
E sollën në brigadën tonë të blektorisë dhe brigadieri e porositi,hidhu kripë lopëve para se t'i shpiesh për ujë.Kjo paska pyetur një blektore të vjetër:-Moj po ku t'ua hedh kripën lopëve?Blektorja qe shakaxheshë e madhe dhe flakë për flakë,i ishte përgjigjur:-Po në veshë hidhua,ku tjetër?! Dhe kjo bukuroshja që ju rroftë që e paski marrë nuse,më të fillon,or burazer, e më t'ua mbush,me të vërtetë veshët me kripë lopëve. Kur shkon brigadieri dhe shikon: të mjerat lopë kishin vënë britmën nga e keqja dhe më tundnin kokën me llahtar  se po u përcëllonin veshët.Ja,e tillë,më është.Unë e imshoq u llahtarrisëm. Slimja i tregoi këto në brigadë,po fjala mori dhenë.Ditka *që kur pillte e merrte vesh që qe me barrë*,tha:-Epo,moj hanko Slime,mos paça burrin që kështu ka ndodhur,se më mori mëqafë Shkëndia,se atë pyeta.Njerëzia,kur morën vesh dhe këtë për Ditkën,e shpunë gojën vesh më vesh.Plakës Qeriba ,sa e mori vesh dhe këtë parovoli, u nxi dhe u bë sterrë nga e keqja dhe më nuk dilte nga shtëpia. Tek bluante me vete të keqen që  e kish gjetur,thoshte:- Mirë mua që nuk më do dhe nuk më dëgjoj.Mirë që nuk bën as dhe një punë,po nuk është e "avashtë" nga  mëdnja,po është dhe e ligë.
Një ditë i tha plakës Qeriba:- Moj ime ëmë ka tri vjet që ka vdekur,ti sikur je harruar kësaj bote. Kur do ta kafshosh dhëmbin,se boll kullote në gjithë ëtë "çahir". Plaka Qeriba nuk i tha asnjë fjalë.Dukej sikur i kish zënë veshët me dyllë.se kujt t'ia hidhte fajin veç vetes.E bleu belanë me parra.Tani t'i shihte hairin.Qotisë kot që t'i thoshte gjë. Dhe ashtu,duke bërë gjyq me veten,u mbyll atje në dhomën e saj dhe nuk doli më.
Të nesërmen e gjetën të vdekur.

                                                    *      *     * 

Tek po bëheshin gatitjet për ta çuar në varr,graria qanin mbi kufomën e të urtës plakës Qeriba.Një nga plakat,i thotë nuses.Afrohu nuse dhe qaje,se e ke vjerrë.Nuk kam se ç't'i qaj unë,- tha me naivitet Ditua. -Qaje se është turp.Duhet t'i thuash dy-tri fjalë,e ke dashur,s'e ke dashur. -Po unë,-tha Ditua,- veç një  qarje di që ma ka mësuar ajo e blektorisë me "kirpën".
-Po,mirë.Atë.. atë.
Dhe sipas ritit,i hapën rrugën nuses që të binte mbi trupin e vjerrës së vdekur. Ditua sikur po përgatitetj vërtet për këngë,ia tha:

                             - Shoqeni por çfarë t'i them
                            Kur e shoh shtritur si dem
                            Tërë kohës lehu si qen
                            Gam me nuse,gam me djem
                            Tani që kafshove dhëmbin
                            Sa ma zbukurove vëndin...

Gratë u çmeritën dhe plakat po shkulnin faqet.

Kur morën vesh dhe burrat se si e kish qarë kjo nuse të vjerrën,xha Myrtja tha: E bukur është dhe dëbora,po venë e dhjesin dhe qentë mbi të.Mëndja po: ajo e zbukuron njerinë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora