Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fazli Maloku: Dëshmori Shabi Avdush Gerbeshi (Në trembëdhjetë vjetorin e rënies dëshmor)

| E enjte, 20.09.2012, 04:59 PM |


Dëshmori: Shabi Avdush Gerbeshi (Në trembëdhjetë vjetorin e rënies dëshmor)

(5.05.1971-18.04.1999)

“Në mbrojtje të Atdheut vritet vetëm ai që e ka fat pavdekësinë... ” (Mulla Idriz Gjilani)

Nga Fazli Maloku

Shabi Gerbeshi lindi më 5 maj 1971, në lagjen Gerbeshi të fshatit Marec. Fshati Marec është njëri nga fshatrat më të mëdhenj të komunës së Prishtinës. Fshat kodrinoro-malor, me male të larta e të pasura me drunjë lloje të ndryshme, lisa të gjatë, pak tokë të bukës, fusha e livadhe me plot bar e kullosa, me burime uji të bollshëm si kristali, që në ditët e verës kur ta pish të pikë në lule të ballit. Fshati Marec karakterizohet me burra vigaj të zhvilluar mirë, trup të drejtë e shpatullgjerë. Vasha trup selvi, faqekuqe e të shëndetshme, bujare e të vyeshme. Me një fjalë, fshati ka dhunti të veçanta natyrore dhe kushte të mira për jetë, edhe pse pranvera e vera janë të begata e me bukuri mahnitëse, ndërsa dimërat janë të gjatë e të ashpër. Në këtë natyrë u rrit e u kalit trupi i njom i Shabiut. Me një copë bukë misërnike, një copë djath e një tas për tambël të dhive, në jangjikun baritor, me fyell në dorë ruante bagëtinë, rrite shtatin e njom bajrak, duke shkelur çdo pëllëmbë të kësaj toke arbërore.Prindërit e Shabiut, babë Avdushi dhe nënë Nazifja, bijë e Gadimës së Lipjanit, nga një familje e ndershme e bujare, linden e rritën 6 djemë e 4 vajza. Nëna shqiptare nuk kusente shëndetin e saj që të lindë sa më shumë fëmijë, jo vetëm për krah pune, por kur ti duhen Atdheut ti dalin zot, edhe pse kushtet për rritjen e tyre ishin mizore.

Shabiu ishte djali i pesti me radhë. Babë Avdushi ishte një burrë e atdhetar i njohur në këto anë, bashkëluftëtarë i Shyt Marecit, prijësit të çetave të koçakve të Gallapit. Nga fama e trimëria e Shytit i dridhej këmba pushtuesit që ti shkelë këto troje. Por, familja e babë Avdushit 19 anëtarëshe, jetonte në varfëri të skajshme pa pasur qoftë edhe vetëm një të punësuar! Buka e familjes sigurohej duke shitur ndonj nga bagëtitë apo dru mali.

Shabiu shkollimin fillor e kreu në vendlindje. Edhe pse kishte dëshirë të madhe për dije e dituri, nga skamja nuk pati mundësi për tu shkolluar. Arsimtarët e përshkruajnë atë si një djalosh plot shëndet, energjik e i shkathët, i çiltër e i dashur për shokë, por edhe i pa lëkundur në qëndrimet e tija kur mendonte se ka të drejtë. Nga e gjithë familja e tij, vetëm vëlla Faiku, me shumë peripeci arriti ta kryej Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Faiku, si nxënës i Shkollës Normale, bashkë me shokë mori pjesë aktive në demonstratat e pranverës së vitit 1981, bile në një moment arrestohet nga policia fashiste sllave, rrahet e maltretohet deri në alivanosje, e dërgojnë në burgun e Prishtinës me dhjetëra të tjerë, por drejtori i burgut e liron për shkak të moshë se re. Faiku nuk e ndali as njëherë aktivitetin për çeshtje kombëtare dhe ishte pjesëmarrës në të gjitha protestat që u organizuan në Prishtinë. Ndjenjat për atdhedashuri, faiku e Shabiu i brumosen nga familja e tyre atdhetare. Babë Avdushi që kur ishin fëmijë, me këngë për kreshnikët e luftëtarët për liri i vente në gjumë. Nga kushtet e rënda që diktonte pushtuesi serbian, ndër më të egrit që i njeh historia, ishin mbushur plot mllef e urrejtje ndaj pushtuesit e lakejve shqipfolës, dhe vetë pritej një shkëndijë e vogël që të ndizej zjarri i lirisë. Dhe ajom ditë erdhi. Në Malësinë e Gallapit, pikërisht në fshatin Zllash, i cili kufizohej me fshatin Marec, me urdhërin e Shtabit të Zonës Operative të Llapit (ZOLL) , u vendos Shtabi i Brigadës 153, me komandant majorin e ushtrisë shqiptare, tiranasi Adem Qerim Shehu, i cili bashkë me dhjetëra oficerë u futën në Kosovë për ta ndihmuar luftën e shenjtë të UÇK-së. Lajmi u shpërnda në gjithë Gallapin ku me dhjetëra e qindra të rinj ia mësyn Zllashit për tu rreshtuar në radhët e dalëzotëses UÇK. Kështu vepruan pa hezitim edhe vëllezërit Faik e Shabi Gerbeshi qysh në janar të vitit 1999. Komandant Behxhet Vitia, me gradën, kapiten rezervist, mësues i fshatit Marec. ishte emruar nga Shtabi i Brigadës 153, për sistemimin dhe ushtrimin e këtyre djelmoshave, pasi që shumica prej tyre nuk kishin të kryer shërbim ushtarak, për shkak të moshës së re apo që kishin kundërshtu shkuarjen në ushtrin serbiane.Kom. Behgjeti deklaron:

“Që nga fillimi i themelimit të Brigadës 153, nga Shtabi i Brigadës, gjegjësisht nga kom. Adem Shehi, isha caktuar epror ushtarak për stërvitjen e këtyre djemëve. Programi stërvitor përcaktonte aftësimin e tyre në përdorimin e armatimit të këmbësorisë, ushtrime kondicionale, ushtrime taktike(si bëhet sulmi në forcat armike, si bëhet tërhqja, si ipet ndihma e parë ushtarëve të plagosur, si kryhet vëzhgimi e roja etj), me një fjalë kalitja e tyre me gjithë artin ushtarak për luftërat guerile. Afati stërvitor ishte paraparë të jetë 15 ditësh. Për fat të keq në shumë raste, për shkak se forcat armike sulmonin shpesh në befasi, për ta nuhatur forcën tonë ushtarake, ishim të detyruar që këta ushtarë ende pa i kryer ushtrimet e plota sipas programit stërvitor, ti dërgojmë në vijat e frontit. Vëllezërit Faiku e Shabiu, ishin djemë që punonin me një zell të madh, i zotëronin shpejt mësimet dhe detyrat, ishin mjaftë të disiplinuar në zbatimin e urdhërave ushtarake kishin guximin dhe në përgjithësi tek ushtarët tanë, morali ushtarak ishte shumë i lartë, dhe mezi pritnin të ballafaqoheshin me ushtarët serbianë për hakmarrje, për të gjitha të këqijat që ia kishin sjellur popullit shqiptar.

Shabiu ishte pjesëtar i Njësitit të Gerbeshit, i cili komandohej nga atdhetari i shquar z. Emin Gerbeshi, profesor. Ky Njësit ynte në kuadër të Batalionit të IV-të, i cili në gjirin e vet kishte edhe dhjetëra njësite të tjera: Njësiti i Vitisë, i Vakocit, i Bullajve, i Pacajve, të gjitha njësitet e fshatit Mramor. Numri i ushtarëve në këto njësite sillej rreth 20-30 ushtarë. Detyra e Batalionit të IV-të të cilin e komandoja unë mbulonte një hapësirë gjeografike shumë të gjerë, si dhe kishte këto detyra parësore; Ta mbikëqyrë vazhdimisht me vrojtim 24 orësh magjistralen Prishtinë – Gjilan, për të përcjellur lëvizjet e ushtarëve, policëve e paramilitarëve serbianë, të ndërhynte me sulme kur mirrte urdhër nga Shtabi i Brigadës, Të krijonte istikame të fortifikuara për ta parandaluar sulmin eventual të forcave armike në drejtim të fshatit Zllash,  ku ishte Selia e Shtabit të Brigadës 153, si dhe të mos lejoi të rrezikohet jeta e dhjetëra mijërave qytetarë të strehuar tek “Përroi i Zi” në fshatin Marec, të cilët kishin arritur të iknin para breshërive të plumbave armike dhe para bajonetave të kriminelëve serbianë, të cilët prenin burra, gra, bile edhe gra shtatzëna, duke ua nxjerrur fëmijët me bajonetë nga barku, dhunonin vasha, nuse, digjnin me zjarr,çka gjenin përpara, duke vrarë edhe bagëtinë, me një fjalë pas vedit lenin tokën e djegur pa asgjë të gjallë! Të vetëdijshëm për rëndësinë e detyrave që kishim marrë mbi supe, ushterët e mi ishin betuar se “pa shkelur mbi trupat tanë, këmba e armikut ska për të shkelur në këto anë”.

Dita e 18 prillit ’99, për ushtarët e Batalionit tim qe një sprovë tepër e vështirë. Forcat serbiane, në mënyrë tinëzare, në mëngjesin e hershëm sulmuan në drejtim të pozicioneve tona, fillimisht duke grantuar terenin me breshëri predhash nga topat e tanket armike, të dukej se po digjet edhe toka. Qëllimi dihej. Herrja e terenit për të hap rrugë këmbësorisë. Ushtarët tanë qëndronin pa lëvizur dhe pa iu trembur qerpiku i syrit, sikur nuk dinin çka qet për gryke arma armike. Morali i ushtarëve ishte tejet i lartë. Pas disa orësh granatime, filloi të derdhet si lumë ushtria armike nga drejtimi i bjeshkëve të Kukavicës e Gerbeshit me mbi 1200m lartësi mbi detare, si dhe kah lugina e fshatit Prekoc, fshat ky i banuar kryesisht me banorë serbianë. Qindëra ushtarë, policë e paramilitarë, lëviznin në drejtim të istikameve tona duke shtën zjarr të pandërprerë nga mitralozat e rëndë, armë automatike e bomba dore. Nga tytat e armëve armike villej zjarrë për ta futur tmerrin. Por,trimat tanë nuk lëvizin nga istikamet si të ishin shkëmbinj. Urdhëri ishte i prerë. Të mos hapej zjarr deri sa forcat armike të arrinin në afërsi 20-30 m, nga se ne kishim vetëm armë automatike, ndonj mitraloz të lehtë e pak bomba dore, me fyshek të kursyer. Shabiu kishte marrë urdhër të shkonte në lagjën e Vllasajve për ti njoftuar më lëvizjen e forcave armike, si dhe të kërkonte eventualisht ndihmë në njerëz e municion. Por, nga gjithë sa u kërkua, Shabiu erdhi si vetëtima me një bashkëluftëtar, Zijaver Vllasaliun, me të cilin kishin kontaktuar edhe më heret. Zunë vendin e tyre në krahun e majtë të istikamit tonë dhe nga gryka  mitralozit të Zijaverit dhe automatiku i Shabiut villte zjarri i pandërprerë i cili fuste në palcë frikën e ushtarëve armiq, dhe për një çast marshuta e forcave armike sikur u gozhdua në vend. Duke e parë këtë rrezik u futën në lojë snajperët armiq dhe po thuaj në të njëjtin minutë u goditën që të dy drangojtë, Zijaveri dhe Shabiu. Ata puthen për të fundit herë dhe shijuan aromën e tokës Mëmë. Humbja e tyre për Batalionin tonë ishte e pariparueshme dhe ishte tepër e dhëmbshme. Shokët e tyre ushtarë sikur u egërsuan edhe më tepër dhe sulmonin mbi forcat armike me tërë potencialin, për një hakmarrje të shpejtë. Lavdi dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë: Shabi Gerbeshi dhe Zijaver Vllasaliut! Unë si komandant i tyre që isha, nuk do ti harroi për derisa të më rrahu edhe damari i fundit në trupin tim.”

Ndërsa i vëllai Shabiut, Faiku, i cili ishte vetëm pak metra larg , në të njëjtin istikam ku ju vra vëllai, do të kujtoi:

“Këtë ditë lufta filloi shumë e rrept qysh me agun e ditës. Luftohej për jetë a vdekje. Forcat armike kishin përparësi të dukshme në gryka zjarri dhe në armatim modern e municion me bollek. Ne kishim numër të vogël ushtarësh me armatim të lehtë dhe me municion të kufizuar. Urdhëri ishte i prerë: “Të shtihej në forcat armike vetëm atëherë kur je i sigurtë se plumbi yt do ta përshkoj trupin e armikut. Fishekun e fundit ruajeni për vedi!” Në një moment hetova se zjarri i Shabiut e i Zijaverit u ndal. Ngrita pak kokën dhe pashë trupat e tyre të shtrirë për toke pa dhënë shenja jete. Nuk kishte mundësi të afrohesha nga zjarri i furishëm i forcave armike. Plumbat na fishkëllonin nga të gjitha drejtimet. Përgatiteshim për një luftë fytafyt me bajoneta nga se municioni ishte në zgrips për tu sosur. Luftimet zgjatën gjithë ditën. Vetëm terri i natës na shpëtoi. Varrimin e trupave të Shabiut e Zijaverit, aty në afërsi ku edhe ishin vrarë e realizuam natën. U varrosen me nderime ushtarake, me breshëri armësh nga njësiti i Gerbeshit. Lajmin për vrasjen e Shabiut familja e mori të nesërmen. Babai – Avdushi ishte në moshën 88 vjeçare, u mbajt si burrat. Jo vetëm që nuk mxori pikë loti, por na qortonte ne bashkëluftëtarëve të Shabiut që nuk përmbaheshim. “Djema mos qani. Trimat nuk qahen. Nuk dua të ju shoh kështu të ligështuar. Liria nuk vjen pa gjak. Për këtë ajo e ka çmimin e lartë”: Kështu foli Babë Avdushi para bashkëluftëtarëve të djalit të tij. Mua si vëlla i Shabiut por edhe Zijaveri mu dhimbsen shumë. Më dukej se plumbi që mori jetën e tyre e ka shpuar edhe zemrën time. Por, nuk patëm kohë për të vajtuar. U kthyem në istikame për ta pritur se çdo të sjelli dita e re?! Lavdi dëshmorëve: Shabi Gerbeshi e Zijaver Vllasaliut! U betuam mbi trupat e tyre se do të marrim shumëfish hakun.”

Faiku, deshi zoti dhe e përballoi luftën duke qenë njëri nga ushtarët më të mirë e më besnik të UÇK-së. Sot jeton në varfëri të skajshme, i pa punë dhe pa asnjë ndihmë nga askush!! Por, karakteri i tij i fortë dhe morali i lartë nuk e lejon të nënshtrohet asesi. Mban ballin lartë për të vëllain dëshmor si dhe për atë që ishte ushtarë i lirisë. Ky është vetëm një fragment i shkurtër për veprën madhore të dalëzotëses UÇK, që ia ktheu moralin popullit shqiptar si dhe e nderoi Tokën Arbënore. Nuk lejoi që kjo tokë e pastër e Shqipërisë të fëlliqej nga çizma e pushtuesit serbian. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës jo vetëm solli lirinë e Kosovës nga sundimi shekullor sllav, por duke zbatuar artin  ushtarak shqiptar të mësuar në Akademitë Ushtarake Shqiptare, por edhe duke u mbështetur në rregullat dhe disiplinën ushtarake të luftëtarëve çlirimtarë të të gjitha kohërave, bëri një luftë me virtyte të larta e morale shembull për gjithë popujt që jetojnë ende nën robëri dhe që synojnë për tu çliruar. Edhe dëshmor Shabiu para prindërve e shokëve ishte betuar:

“ Si miu nuk hi i gjallë në dhe...!

As nuk dal jashtë vendit kurrë,

Por me gjakun tim kam për ti ujitur

dy metra të tokës së Kosovës-bijës së Shqipërisë!”

Lavdi veprës së dëshmorit të lirisë: Shabi Gerbeshit!

Lavdi gjithë Dëshmorëve të Kombit!

Rroftë Populli Shqiptar!

Rroftë Shqipëria Etnike!

Fazli Maloku, Prishtinë, 10 shtator 2012