Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjergj Meta: Betimi i fratit - një ditë në Gjuhadol

| E enjte, 20.09.2012, 06:59 PM |


Betimi i fratit: një ditë në Gjuhadol

Nga Gjergj Meta

Një ndër legjendat thotë se prej aty doli gjuha, në këtë lagje në zemër të Shkodrës, e për këtë e quajnë Gjuhadol. Gjuha është shtëpia e qenies thoshte Heidegger-i e Gjuhadoli është shtëpia e gjuhës. E gjuha në fakt hyri ndër ato qela fretnish si në punishten e një mjeshtri, u punua me kujdes e me dashuri prej patër Justinit e të tjerëve, filloi të rritej e të hidhte shtat, por u degdis ndër burgje e u dhunua ndër vendime politike.  Ka diçka të “magjishme” në ato rrugica e sidomos kur, duke ecur nëpërmjet tyre, të del përballë kisha e fretënve dhe kuvendi i Gjuhadolit që, sikurse e përshkruan Lazër Shantoja, kishte një oborr “…plot erë marshalloje e diell Shqipnije”. Si në çdo tempull që është i tillë, edhe në këtë vend bashkohet e përtejmja me të këtushmen, Hyji dhe njeriu, feja dhe atdheu, mendimi dhe gjuha. Por në Gjuhadol kjo është disi më e veçantë. Aty flitej “…pak si mirë shqip”. Ndër ato rrugica ende ndihen hapat e patër Fishtës, Harapit, Gjeçovit etj., njerëz që punuan deri në vdekje për t’u rritur me integritet shpirtëror e për një integritet kombëtar. Por kohët kanë ndryshuar, vitet kanë kaluar e po ashtu edhe personat kanë ndryshuar shumë. Megjithatë, patër Kostantini 96-vjeçar është hallka që lidh të vjetrën me të renë. Si një patriark tashmë i vjetër e i lodhur qëndron ulur e shikon teksa kalojnë si në një sfilatë para tij fretnit e rinj e sytë i ka të ngulitur drejt misterit, pothuajse i përhumbur. Për një si unë, i rritur në një ambient krejt tjetër, tërheqja bëhet edhe më e madhe.

Etërit françeskanë sot kanë festë! Tre fretën të rinj sot marrin kushtet, përkthyer në një gjuhë më të kuptueshme, betohen për gjithë jetën deri në vdekje se do të jetojnë në varfëri, bindje dhe dëlirësi duke ndjekur një ideal. Sot ata bëjnë këtë betim, ndërkohë që një shoqërie të etur për karrierë, që rend drejt pasurisë dhe kënaqjes së çdo dëshire, sigurisht i lënë shijen e marrëzisë. Po! Këta të rinj sot janë elozhi i marrëzisë. Janë të rinj, sikurse të rinj e modernë tingëllojnë edhe emrat e tyre: Valentin, Etjen, Vilson. Nën tingujt e këngës së hyrjes, procesioni fillon përmes njerëzve të cilët me devocion drejtojnë sytë kah një kryq që u prin të gjithëve: ai është ideali për të cilin këta djelmosha betohen për të gjithë jetën. Hapat janë të ngadaltë, por të peshuar me vetëdijen se nuk kthehen më mbrapsht. Çastet janë solemne! Duket sikur një zë jehon prej thellësive të misterit e thotë: “kë të dërgoj”? Tre zëra dëgjohen një e nga një: më dërgo mua, ja ku jam!

Sot françeskanët kanë festë! Tre djelmosha sot bëjnë një betim. Edhe ata vetë janë fryt i një betimi po aq i madh, i bukur dhe i shenjtë. Ata sot janë betimi i dashurisë së prindërve të tyre. Edhe ata dikur janë betuar për të gjithë jetën. Por ata sot janë mbi të gjitha fryt i betimit të Hyjit, i cili kurrë nuk pendohet pse kanë ardhur në jetë njerëz. Formulat janë të vjetra sa vetë krishterimi ose të paktën sa vetë Françesku i Asizit, që para 800 vjetësh shkundi një kishë të vjetruar e plot me korrupsion, që mendonte më shumë për gjërat e tokës sesa të qiellit, më shumë për lavdinë e saj sesa për lavdinë e Hyjit. Sot ata betohen se deri në vdekje do t’i shkojnë nga pas një ideali, një personi në gjurmët e Françeskut. Po të atij Françesku që takoi edhe sulltanin në Egjipt dhe u bë mik i tij, ndonëse ai kishte një besim tjetër. Kjo ndodh kur njeriu dashuron Hyjin, pasi kjo dashuri hap të gjitha dyert, edhe ato të zemrave më të ngurta. Vetëm dashuria i takon njerëzit, urrejtja i ndan!

Sot fretnit kanë festë! Kjo nuk është një festë vetëm religjioze. Është një festë njerëzore, ashtu sikurse duhet të jetë çdo festë, një festë e njeriut në takim me Hyjin dhe me njëri-tjetrin. Gjithnjë e më shumë sot ka më pak njerëz që duan të marrin vendime përfundimtare. Ndoshta frikë, ndoshta sepse duket se vendimet përfundimtare të heqin lirinë, ndoshta sepse shembujt nga më të mëdhenjtë nuk janë aq të mirë sa të tërheqin ata që janë më të rinj. Megjithatë i lejohet secilit prej tyre sot që, duke shqiptuar betimin e tyre, në shqipen e bukur të Gjuhadolit, të ndiejnë në zemrën e tyre një lloj drithërime e të mendojnë shumë gjëra, ndoshta edhe frikë, pasiguri. Sot gjithashtu lejohen pak lot nga sytë e atyre tri nanave që në këto çaste mendojnë muajt kur fëmijët e tyre lëviznin në kraharorin e tyre, kur kanë dëgjuar tingujt e parë të qarjes së tyre, kur i kanë shoqëruar në hapat e parë, kur i kanë çuar në shkollë apo kur kanë jetuar me to në çdo moment të jetës së tyre dhe kanë ëndërruar për to. Sot atyre u lejohen pak emocione, madje shumë emocione.

Si është e mundur që sot të rinj, shumë të rinj, vendosin të jetojnë gjithë jetën, deri në vdekje një betim. A ia vlen? Sa ia vlen? Po dëshira për të qenë dikush sot, a mbaron përgjithmonë? Po dëshira për të dëshiruar, shikuar e shijuar një buzëqeshje, një përqafim, një histori dashurie, prej sotit a është më e lejueshme? Prej sotit është e lejueshme të duash deri në fund, madje deri në dhembje. Çdo zgjedhje, bashkë me gëzimin, ka edhe dhembjen. Dashuri deri në dhembje, sikurse thoshte Nënë Tereza e Kalkutës, që sot në përvjetorin e saj të kalimit në amshim buzëqesh prej qiellit. Kjo është një zgjedhje dashurie dhe për dashuri. E sot Gjuhadoli bëhet shtëpia e gjuhës së dashurisë. Po, sepse dashuria është rruga e vetme drejt kuptimit të jetës, “më e shkëlqyeshmja udhë”. “Duaj e bëj çka të duash” – thoshte Agustini i Iponës. Kjo sot për fretërit e rinj është vetëm fillimi i një historie dashurie që kurrë nuk do të mbarojë, nëse i besojnë atij premtimi të jetës së pasosur, që sot iu dha nga goja e eprorit të tyre.

Sot fretnit kanë festë! E bashkë me ta, engjëjt në qiell. Sot është festa e një Besnikërie, e vetmja besnikëri e mundshme në të cilën themelohen të gjitha besnikëritë e tjera: ajo e një burri ndaj një gruaje dhe anasjelltas, ajo e prindërve ndaj jetës që ngjizet, ajo e një njeriu çfarëdo ndaj familjes së tij, të afërmve dhe miqve të tij, atdheut të tij. Sot është festa e besnikërisë së Zotit! Gjërat e bukura ndodhin me të vërtetë!

Panorama