Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: A jemi më pranë frymës evropiane?

| E merkure, 19.09.2012, 08:05 PM |


A jemi më pranë frymës evropiane?

Nga Entela Binjaku

Çdo herë që bie në kontakt me diskutime që kanë në qendër marrjen apo jo të statusit kandidat, e pyes veten sa pranë Evropës jemi ne si shoqëri shqiptare me kulturën tonë të të menduarit dhe të vepruarit.

Për aq kohë sa nuk anashkalon kontekstet e ndryshme të tipit antropologjik, psikologjik, historik, ekonomik dhe politik të një shoqërie, sociologjia mund të përkufizohet lirisht edhe si një disiplinë sintezash. Parë në këtë këndvështrim, ajo jep një ndihmesë shumë të madhe përballë pikëpyetjeve që ngremë lidhur me mënyrën sesi jemi ndërtuar ne si shqiptarë dhe si shoqëri.

Sigurisht pikëpyetje të tilla nuk mund të gjejnë përgjigje në këtë “shkrim të lirë” të cilin më së shumti e kam ndeshur të përdoret si teknikë e të çliruarit të mendjes.

Një sërë figurash të mendimit sociologjik shqiptar janë njëherazi edhe kontribues të rëndësishëm në fusha të ndryshme të kulturës sonë si historia, antropologjia, sociologjia duke na mrekulluar me analizën reale dhe njohjen e thellë të shoqërisë shqiptare. Çdo herë që i lexon këto mendje të çmuara, nuk mund të mos pranosh padyshim aktualitetin e mendimit.

“Buja është mjeshtria jonë” kështu pohonte Branko Merxhani më 1936 (“Illyria, 14 mars”) për të cilin gjendja e vajtueshme e shoqërisë së kohës rridhte nga dy arsye kryesore: temperamenti dhe edukata sepse për mendimin e tij “shqiptarët janë pedantë... dhe vuajnë mungesën e edukatës intelektuale”.

Dekada më vonë, në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit që kemi ndërtuar ne si shqiptarë, përcaktime të tilla, ende janë me vend dhe ndihmojnë për të kuptuar më mirë situatën në të cilën ndodhemi.

Në përvojën tonë si qënie shoqërore, ne si njerëz jetojmë vazhdimisht “në botë” të ndryshme. Para së gjithash, ne jetojmë kryesisht dhe në vazhdimësi në mikrokozmosin e përvojës sonë me të tjerët, të cilin e realizojmë falë ndërtimit të raporteve personale. Por veç kësaj, jetojmë gjithashtu në mënyrë të pandërprerë edhe përvoja të të jetuarit në makrokozmos, të ndërtuara kryesisht nga struktura më të mëdha, brenda të cilave ne përfshihemi në raporte më të tjerët.  Të dyja këto struktura janë shumë thelbësore për jetën tonë dhe për të gjithë përvojën tonë të jetës në komunitet, ku çdo botë varet nga tjetra sipas domethënies që ka ajo për ne. Në këtë mënyrë, mikrokozmosi, me çdo gjë që ndodh brenda tij, ka kuptim për ne vetëm nëse është i futur në makrokozmosin që e përfshin. Por vlen edhe e kundërta e kësaj; makrokozmosi ka një kuptim real për ne vetëm nëse përfaqësohet nga takimet personale të mikrokozmosit.

Kjo ndërthurje duhet të na vijë në ndihmë sa herë kërkojmë të kuptojmë realitetin ku jetojmë, ndryshe do të mbetemi në analiza të kufizuara.

Mikrokozmosi jonë si shqiptarë dhe makrokozmosi që ndërtojmë ne si shoqëri, me të cilën synojmë të gëzojmë edhe statusin e një vendi anëtar të Bashkësisë Evropiane  mund të kuptohet edhe më mirë nëse zotëron  “vetinë për të të kaluar nga një perspektivë në tjetrën, nga një perspektivë politike në një perspektivë psikologjike...” siç e përcaktonte Çarls Rait Mills, imagjinatën sociologjike.

Kështu muajin që vjen, presim të fitojmë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian për të cilin, zakonisht, sytë i kemi nga politika, por pa bërë vetë një lloj analize të situatës ku gjendemi vetë si shoqëri.

Ne presim të marrim statusin e vendit kandidat në kushtet kur filozofia jonë shoqërore e të jetuarit mund të përmblidhet me pak fjalë në:  gjetjen me çdo mënyrë të parasë, apo të ndonjë lloj pushteti, i cilitdo nivel qoftë ky, duke siguruar kështu veten dhe familjen. Fundja, a nuk përpiqen të gjithë të fitojnë sa më shumë?

Por në këtë shoqëri ku jetojmë ne, me të cilën synojmë të jemi pjesë e familjes evropiane, sëbashku me francezët, belgët, austriakët etj., me identitetin tonë si shqiptarë, koncepte të tilla “të vjetruara” si parimet, ndershmëria, dinjiteti e gjëra si këto nuk kanë asnjë rëndësi.

Madje për të ilustruar vjetrimin dhe parëndësishmërinë e tyre, mund të them se personalisht e gjej shpesh veten në vështirësi kur i shpjegoj këto koncepte të cilat më së shumti po shndërrohen në moral thjesht vetjak dhe të atillë që nuk ka aspak lidhje me atë që gjen përreth.

Në opioninin tonë shoqëror, shtatori ka marrë statusin e një muajt të shumëpritur ndryshimesh të rëndësishme. Falë këtij statusi, ai është kthyer njëkohësisht edhe në një muaj të dobishëm për ta kuptuar më mirë shoqërinë tonë, sepse gjatë këtij muaji mund të mësosh shumë sesi mund të bëhesh dikushi, si mund të shtypet me këmbë kushdo, sesi zhvlerësohen disa njerëz sado të kulturuar të jenë, sado të përkushtuar dhe sado të vullnetshëm, mëson sesi hidhen në rrugë disa, për t’u punësuar përkohësisht disa, mëson sesi ai që nuk ka asnjë arsimim të përshatshëm vlerësohet dhe promovohet falë të vetmes vlerë, atij të afiliacionit politik etj..

Në situata të tilla, imagjinatës sociologjike të sipërpërmendur, i vjen në ndihmë mençuria popullore jona e cila edhe pse në dukje me “një moral të vjetëruar”, të mëson shumë sesi mund të gjesh ekulibrin në këtë shoqëri.

Veçanërisht në këtë muaj, mençuria popullore jona rijetëson shprehje të tilla si:  Bëje si ta bësh, pa e bërë mos e lësh! Ose  “mos e prish gjakun për punën, do të jetë gjithmonë dikush që do ta bëjë punën. Puna ecën vetë. Apo dhe “Kur don me u ba zengjin...nisesh së pari me vjedhë”.

Sigurisht fryma evropiane e të jetuarit dhe punuarit është larg kësaj panorame që paraqesim ne si shoqëri me një proces shumë të komplikuar shoqërizues ku nderi, dinjiteti, krenaria,  janë cilësi të njerëzve inferiorë dhe ku dukja merr një rëndësi aq të madhe sa mund të eklipsojë cdo lloj fryme modeste të qëndrimit ndaj saj, karakteristë e shumë prej shoqërive evropiane të sipërpërmendura.

Në këtë prag të 100 vjetorit të shtetit që ndërtuam ne si shqiptarë, kur marrja e statusit të vendit kandidat është kthyer kryesisht në një retorikë kryesisht të disa aktorëve që më shumë sikur i lidh puna sesa përkushtimi për të përfaqësuar një aspiratë të të gjithë shqiptarëve, edhe fryma mobilizuese shoqërore është shumë e zbehtë.

Shoqëria, e preokupuar për  hallet e përditshme, duket sikur nuk ka asnjë lidhje me këtë status dhe padurimi për të, më së shumti është i lidhur me disa aktorë të politikës të cilët, duke i ndjekur në retorikën politike, të dëshpërojnë edhe më tepër duke e ndjerë këtë frymën kaq shumë të dëshiruar evropiane edhe më larg.

Duke ju rikthyer imagjinatës sociologjike, mundohem edhe të krijoj një profil të ardhshëm mbi europarlamentarët  tanë, ashtu si njëherazi mundohem të imagjinoj me ç’psikologji do të sillen në tregun evropian të punës qytetarët shqiptarë, ç’kontribut do t’i japë kjo shoqëria jonë ekonomisë evropiane.

Të imagjinosh deputetët tanë evropianë të dalin nga kjo klasë politike, duhet një guxim i madh! Disa prej tyre, as mendja nuk arrin t’i rrokë!

Nëse shoqëria nuk do të luftojë me mekanizmat e saj këtë frymë indiferente të qëndrimit ndaj punës, nëse  do të trajtojë me inferioritet njeriun që punon, atëherë vështirë se do ta gjejë veten më pranë këtij statusi.

Por nëse shoqëria do të stimulojë qëndrime vlerësuese ndaj dinjitetit, si cilësia që ndërthur tërësinë e vlerave morale të njeriut duke ndërtuar, sëbashku me nderin, krenarinë vetjake dhe kombëtare profilin e një qytetari evropian,

Nëse vetëdija e mikrokozmosit tonë si individë për këto vlera do të ndryshonte falë kultivimit të edukatës intelektuale, nëse nderimi për vetveten do të jetë larg pedantizmit të kudogjendur; nëse makrokozmosi jonë shoqëror do të përqafonte ato cilësitë të mira apo vlera të larta që e bëjnë njeriun të çmohet dhe jo të përçmohet, atëherë edhe realiteti jonë shoqëror do të jetë larg këtij që kemi dhe aspiratat tona për marrjen e statusit të vendit kandidat do të gjendeshin në një frymë më pozitive, shumë më pranë asaj evropiane.

Entela Binjaku - Fondacioni “Harriet Martineau”