E marte, 23.04.2024, 08:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Toponimia e katundit Popoc (Popaj)

E marte, 18.09.2012, 08:34 PM


TOPONIMIA E KATUNDIT POPOC (POPAJ)

Nga Skënder R. Hoxha

Katundi Popoc është njëri nga vedbaimet e krahinës Reka e Keqe e Rrafshit të Dukagjinit. Shtrihet rreth 13 kilometra në perëndim të Gjakovës. Popoci, për qendër administrative, arsimore e kulturore ka Gjakovën. Popoci (Popaj) shtrihet në pjesën jugperëndimore të Rekës së Keqe dhe përkufizohet me këto vendbanime të tjera të kësaj ane: në veri me Ponoshecin; në lindje me Smolicën; në perëndim me territore të Malësisë së Gjakovës që janë në anën tjetër të kufirit shqiptaro – shqiptar; në jug me Shishmanin e Bokës. Është vendbanim i tipit fushor, i tipit të grumbulluar, ku një pjesë e fsahtit shtrihet në terren kodrinor e pjesa tjetër shtrihet në terren të rrafshët, me një “sipërfaqe prej 850 ha, 97 ari, 85 m”.1) Popoci aktualisht ka 74 shtëpi me rreth 350 banorë, të gjithë shqiptarë. Banorët e Popocit, pothuaj të gjithë, janë të fisit Bytyç, me dy familje të fisit Gash e një familje është e fisit Morinë.

Kur vizitova fshatin Popoc, më 28. XII. 2008, për vjeljen e materialit toponimik, të dhëna për këtë vendbanim , popullatën e tij, si dhe shënime të tjera, qëndrova në shtëpinë e Smajl Sadikut, i cili më priti në mënyrë tradicionale shqiptare. Për këtë qëllim, bashkëbisedova me pleqtë – informatorët nga Popoci: Smajl (Sylë) Sadiku (1932),(nikoqir imi), ka të kryer shkollën fillore, di shkrim-lexim; dhe Xhemajl (Rexhë) Avdullahu (1940), me shkollë fillore të kryer, di shkrim-lexim. Të dy informatorët e përmendur janë të  fisit Bytyç. Gjatë kësaj pune na ndihmuan edhe dy bijtë e Smajlit: Muharrem (Smajl) Sadiku (1965) dhe Rifat (Smajl) Sadiku (1970).2)

Pleqtë – informatorët e këtushëm thonë se për vjetërsinë e emrit të katundit Popoc në traditë nuk është ruajtur diçka. Megjithatë, ata thonë se “Banorët e hershëm e të tashëm të katundit Popoc kanë qenë dhe janë të fisit Bytyç të ardhur prej Ptyçit (Bytyçit) të Malësisë së Gjakovës. Informatorët, gjithashtu, nuk kanë të dhëna së ky katund (Popoci) në të kaluarën të jetë quajtur ndryshe, por thonë se: “Herët e vonë është quajtur me këtë emër. Kështu, edhe kënga e moçme “Kënga e Imer Popocit”, iu ka kushtuar një Imerit të hershëm të këtij katundi.” 3)

Një burim tjetër për fshatin Popoc thotë se”Është vendbanim i vjetër iliro – dardan. Kjo dëshmohet me ekzistimin e Kalasë në anën perëndimore mbi fshat, në vendin e quajtur Boka. Këtu ende mund të vërehen muret e lashta të kësaj fortifikate”4)

Ndërkaq, “Në dokumentet e shkruara përmendet me këtë emër: në Krisobulën e Manastirit të Deçanit të vitit 1330, pastaj në vitin 1397 në Kartën e konteshës Milica.5 ) Ndërsa, në Defterin Regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 e gjetëm me emrin Popovci që i takonte pjesës së Mirza Beut, të birit të Jurmës, e zotëron në formë ziameti, …, varet nga Kazaja e Pejës. Për këtë vendbanim, aty, (në fusnotë) thuhet: “Sot Popovac, në perëndim të Gjakovës.” Sipas këtij dokumenti mesjetar Popovci kishte 13 shtëpi, 6 beqarë e 3 të veja dhe paguante ispenxhe e taksa të tjera. Ja se si është i shënuar aty:

Fshati Popovci, i ziametit të sipërpërmendurit; varet nga kazaja e Pejës.

Petri, i biri i Bosës (Bosa)                Barbari, i biri i Bardos

Leka, i biri i Gjonit                           Gjoni, i biri i Petrit

Nenko, i biri i Petrit                          Petri, i biri i Bratit

Vila, i biri i Dimitrit                          Tanush Mazaraku

Tanush Marini                                   Nikolla, i biri i Bushatit

Kola, i biri i Vilës (Vila)                  Nenada, i biri i Marinit 6)

“Në defterin kadastral të Sanxhakut të Dukagjinit të vitit 1571 është me emrin Popovça, kishte 13 shtëpi, 9 beqarë dhe 2 çiftë.7) Ky vendbanim është i regjistruar edhe në Defterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1582 dhe kishte 17 shtëpi, 4 beqarë dhe 5 bashtina.8) Po ashtu në Defter të Sanxhakut të Prizrenit , në nahijen e Pashtrikut të vitit 1591 është regjistruar me emrin Popovça dhe i kishte 11 shtëpi dhe 2 çiftë.9)

Me emrin Popofc është i regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h.), të vitit 1896 (1314 h.) dhe të vitit 1900 (1318 h.).

Në vitin 1913 nga ushtria malazeze ishin djegur disa shtëpi të fshatit. Ndërsa, në vitin 1941 nga gjermanët, të mashtruar nga disa serbë e malazez, kinëse janë komunistë, janë vrarë 8 banorë të këtij vendbanimi.10)

Këtu jeton popullata shqiptare autoktone. Prej vitit 1927 – 1930 këtu u vendosën 5 familje kolone sllave me 21 anëtarë. Osmani, Lënda arkivore ……, fq. 384. Emrat e  kryefamiljarëve kolonë që i kishin sjell në këtë fshat, nga Mali i Zi, ishin:

Selo Popovac

SRCG (Kupto: Republika Socialiste e Malit të Zi – sqarim yni.)

Draskovic Duro

Draskovic Simo

Klikovac Savo

Milicevic Velimir

Neskovic Sava”11)

Shënime statistikore: “Në vitin 1879 në këtë fshat ishin 30 familje shqiptare; në vitin 1918 – 20 familje 275 banorë shqiptarë; sipas regjistrimit të vitit 1921 – 11 shtëpi me 117 banorë; në vitin 1948 – 28 shtëpi me 171 banorë; në vitin 1953 – 28 shtëpi me 166 banorë; në vitin 1961 – 30 shtëpi me 176 banorë ( 164 shqiptarë, 1 serb, 9 malazez); në vitin 1971 – 33 shtëpi me 192 banorë shqiptarë; në vitin 1981 – 26 shtëpi me 242 banorë shqiparë.

Para gresionit serbnë vitin 1998 fshati kishte 40 shtëpi me 320 banorë shqiptarë. Nga barbarët është djegur dhe shkatërruar i tërë fshati (15 maj 1998). Tërë fshati për një ditë është dëbuar, ku disa kohë qëndroi nëpër fshatrat më të qeta e pastaj u deportua në Shqipëri.

Nga ky fshat në altarin e lirisë ranë 2 dëshmorë dhe është vrarë një civil, kurse dy persona janë të zhdukur.”12)

Në këtë katund nuk ka shkollë, nuk ka xhami, as ndonjë institucion tjetër infrastrukturor. Informatorët tregojnë se në Popoc, në lagjen Kukaj, deri para luftës së fundit ka qenë një mulli me ujë, ndërsa që nga atëherë nuk ekziston më.

Siç thonë informatorët, në vitin 1941, gjermanët bashkë me malazezët, kishin vrarë 9 banorë të Popocit, gjoja se ishin partizanë.

Meqë Popoci i takon zonës kufitare me Shqipërinë, para vitit 1991 në Popoc ka qenë Shtabi Ushtarak që ka mbrojtur kufirin. Komandant i atij shtabi ishte famëkeqi, i ashtuquajturi kapetan Spasoje Dragoviqi, i cili në mënyrë të paskrupullt rrahte e maltretonte shqiptarët. Njerëzit i thoshin kapetan, e ai i rrahte duke iu thënë: “Ku po e di ti se jam kapetan?”- thonë informatorët.

Gjatë viteve ’90 nga Popoci, në kërkim të armëve, nga agresori serb janë burgosur 4 persona, rrahur e maltretuar më shumë se 10 persona, ndërsa numri i atyre që ishin thirrur në biseda informative ishte edhe më i madh.

Nga forcat policore serbe vitin 1991, me pretekst të kërkimit të armëve, në familjen e Rexhep Sadikut ishte rrahur kryefamiljari, Rexhepi. U rrah dhe u maltretua në polici në Gjakovë, i biri i Rexhepit, Sahiti. Po të njëjtën ditë, pasdite, ndodh rrethimi i dytë i kësaj familje me ç’rast vritet i riu 24 vjeç, Azem Halili.

Në prag të luftës së fundit në Kosovë (1998 – 1999) katundi Popoc kishte 57 shtëpi, të gjitha u dogjën nga agresori serb, më 13 qershor 1998. Kështu, ishte shkatërruar dhe shkretëruar katundi, kurse, pas atij tmerri, popullata shpërndahet në drejtime të ndryshme për t’i shpëtuar ndonjë masakre. Një pjesë e tyre shkojnë në Shqipëri, një pjesë nëpër fshatra të Lugut të Qarragoj’s  dhe nëpër fshatra të tjera që konsideroheshin si më të sigurta. Kësisoji, Popoci thuaja ishte fshirë nga harta gjeografike.

Në këtë luftë nga Popoci u vranë:

- Pjesëtarë të UÇK-SË: Avdullah Avdullahu, vjeç 21, u vra më 1998; Mustafë Avdullahu, vjeç 30, u vra më 1999; Ndërkaq, Imer Avdullahu, vjeç 14, u vra më 27 prill 1999. (Të tre ishin vëllezër, bijtë e informatorit tonë të sipërshënuar, Xhemajlit.); Ramë Hyseni, vjeç 61 dhe i biri i tij Binak Hyseni, vjeç 17, u vra më 27 prill 1999, në Masakrën e Mejës.

Ka pasur edhe të zhdukur nga ky katund, të kapur në  kolonën e Mejes, por që më vonë janë gjetur eshtrat e tyre dhe janë varrosur në Varrezat e dëshmorëve në Meje.”13)

Për të shënuar lëndën toponimike të katundit Popoc, për pikë orientuese informatorët na propozuan mikrotoponimin – lëndinën që quhet BALLI FRASHNIT, lëndë që po e paraqesim në vijim.

1. Toponimia e arave:

- Davnica (l.). – Informatorët nuk kanë ide pse i mbeti ky emër (?).

- Koldoçe (vl). – Mendohet se emri u ka mbetur sipas një Kolë Doçit, pronar i dikurshëm i kësaj toke.

- Livadhi Sadri Muzlisë (v.). – Sipas emrit të këtij pronari të dikurshëm dhe ka qenë livadh, ndërsa qëmoti është arë.

- Molla Kuqe (v.). – Thuhet se dikur në këtë arë ka qenë një Mollë e Kuqe, e madhe, nën hijen e saj pushonin argatët, ku hanin dhe molla.

- Tishimat (j.). – Emri iu mbeti sipas ujit që rrinte mbi sipërfaqe të këtyre arave. Tishinë, gjithandej në Dukagjin po edhe në vise të tjera i thonë ujit kur shtrihet dhe rri mbi sipërfaqe toke. Po’i rrike uj’t tishinë.

2. Toponimia e kodrave:

- Bureci (jp.). – Informatorët nuk dinë pse i mbeti ky emër. (?)

- Filapat (p.). – Informatorët nuk dinë pse i ka mbetur ky emër, por thonë se në këtë kodër ka gurë të themeleve të moçme që dëshmojnë për një vendbanim të dikurshëm të zhdukur (?).

- Kaleja Lek’s (p.). – Në këtë kodër edhe sot gjenden themele të një vendbanimi të dikurshëm të tipit të kalave, mbase e kohës ilire. Në maje të kësaj kodre është një sipërfaqe e rrafshtë, ku ka gërmadha muresh, ndaj konsiderohet se dikur ka qenë kala aty – thonë informatorët. Mbase Leka ka qenë pronar i kësaj kodre, sipas të cilit i ka mbetur edhe emri.

- Pirrat (p.) – Janë kodra e boka, por informatorët nuk kanë ide pse u mbeti ky emër.

- Qafa Turkit (j.). – Emri i kësaj kodre ka mbetur nga koha e sundimit turk, kurse hollësi të tjera rreth këtij emërtimi nuk dihen.

- Suki Cek’s (v). – Kodër që ka qenë pronë e një Cekës së dikurshëm dhe ka formën sit ë sukës.

- Thepi Samarit (jp.). – Gjetëm se një kodër e lartë në territory të katundit Popoc quhet Thepi Samarit. Në traditë të këtushme ruhet legjenda se: “Gjatë lufërave të moçme kishin pasë luftuar dy ushtri: njëra nga kodra Kaleja Lek’s e tjetra nga kodra tjetër që prej atëherë i mbeti emri Thepi Samarit. Atyre që ishin në Kodër të Lek’s iu kishte shpenzuar municioni luftarak dhe në fund e mbushin topin me samarë të magarëve (gomarëve) dhe gjuajnë në kodër tjetër dhe ju bijnë copat e samarëve. Sipas kësaj thuhet se i mbeti emri kësaj kodre.

3. Toponimia e krojeve:

- Kroni Al’s (p.). – Emri i mbeti sipas një Alës (aop Alisë) së dikurshëm në pronat e të cilit gjendet ky krua. Kur kanë punuar në afërsi të këtij kroi, në vitin 1987, për të sjellë ujin në fshat, janë gjetur gypa të dheut të pjekur, të ngjashëm me qeramikën (?). Këta gypa janë çuar në Muzeun e Gjakovës. Këta gypa, gjithashtu, lënë të kuptohet se prej këtu, dikur kanë çuar ujin në fshatin Popoc (?).

- Kroni Fush’s (j). – Është krua afër fushave të fshatit, ndaj i kishte mbetur ky emër. Në të kanë marrë ujë punëtorët e fshatit.

- Kroni Shpall’s (p.). – Ky krua gjendet në malin Shpall, ndaj edhe i mbeti emri. (Mbase sipas konfiguracionit të terrenit – shpat (?).

- Vrella e Çaisë (p.). – Është një krua – burim që qet shumë ujë. Ndërsa konsiderohet se emri i ka mbetur sipas rrethanës se në sipërfaqen përreth kroit ka çaj, një lloj çaji.

4. Toponimia e lagjeve:

- Ahmataj (p.). – Është lagja më e moçme e këtij katundi. Banorët e kësaj lagjeje janë të ardhur nga vendbanimi Ahmataj të Bytyçit, të Malësisë së Gjakovës, Republika e Shqipërisë. Banorët e kësaj mbajnë etnome – llagape (mbiemra): Sadiku e disa Avdullahu.

- Kukaj (vp.). – Meshkuj të hershëm të kësaj lagjeje e kishin pasur zanat t’i tredhin bagëtinë (mëzëtërit, terakët, mëzat etj.), me një vegël, mjet të drunjtë të quajtur kukë, ndaj lagjes i mbeti ky emër. Banorët e kësaj lagjeje edhe llagapin, mbiemrin, e mbajnë Kukaj, por disa mbajnë llagapin Sadrija.

- Mahalla e Rrafshit (vl.). – Në krahasim me dy lagjet e tjera kjo lagje shtrihet në rrafshët të vendbanimit, ndaj edhe e quajnë kështu. Në këtë lagje përveç shumicës së banorëve që janë të fisit Bytyç, dy familje janë të fisit Gash dhe një e fisit Morinë. Banorët e kësaj lagjeje mbajnë llagapet: Rexha, Kameri, Haliti, Ibrahimi, Dautaj.

Ndërkaq, të gjithë banorët e katundit Popoc të Rekës së Keqe janë të konfesionit (besimit) islam.

5. Toponimia e lëndinave:

- Balli Frashnit (Është përafërsisht në mes të territor të katundi Popoc. Këtë mikrotoponim e morëm edhe si pikë orientuese gjatë vjeljes së lëndës toponimike të këtij katundi.). Emri i kishte mbetur ngase në malin përballë, ka frashna – lloj druri.

- Ledinat e Isuf Bek’s (j.). – Kanë qenë tokë pjellore e një Isuf Bekës së dikurshëm. Nuk kishte mbetur askush prej familjes së tij dhe ajo tokë mbeti djerrinë – lëndina. Sipas këtyre rrethanave u mbeti edhe emri.

- Livadhza (p.). – Kanë qenë dikur livadhe, ndërsa tash janë lëndina – kullota të fshatit, prej nga u mbeti edhe emri.

- Sumullare (vp.). – Janë lëndina të rrumbullakëta, si kodër, në formë të sumbullës, ndaj iu mbeti ky emër. Pra, emërtim toponimik sipas formës së terrenit.

- Ulica Katunit (vp.). – Kjo lëndinë është pronë e katundit, ndaj e quajnë kështu.

6. Toponimia e livadheve:

- Firaja (j.). Emri u mbeti sipas bimës së Fieri-t që del në këto livadhe. Emërtim sipas kësaj bime barishtore.

- Frashnat (p.). Përreth këtyre livadheve ka drunj (lisa) të llojit Frashër, ndaj u mbeti ky emër.

- Livadhi Madh (v.). Është livadh në sipërfaqe të madhe, rrethanë sipas së cilës i mbeti emri.

7. Toponimia e lugjeve:

- Lugi Çaish’s (p.). Nëpër këtë lug kishte Çaj – bima e Çajit, e  mbi këtë bazë i mbeti edhe emri.

8. Toponimia e maleve:

- Çuset (p.). – Informatoret nuk dinë pse i mbeti malit ky emër.

- Duzhnet (p.). – Sipas rrethanës që dikur në këto male përgatitnin grumbuj me dushk për bagëti, u mbeti edhe emri.

- Gropat e Dhelpnave (p.). Në këto male ka gropa që i bëjnë dhelprat, ndaj u mbeti ky emër.

- Konopet (p.). Janë male në sipërfaqe të madhe. Dikur thuhet se fshatarët e këtushëm i kishin pasë ndarë në mes veti me konop, prej nga u kishte mbetur ky emër.

- Mali Shpall’s (p.). – Informatorët nuk dinë pse i mbeti ky emër (?)

- Pirrat (p.). – Male për të cilat informatorët nuk dinë pse u mbeti ky emër.

- Vozet (p.). Në traditë nuk gjetëm të jetë ruajtur diçka rreth këtij emërtimi. Informatorët thonë se janë male në sipërfaqe të madhe.

9. Toponimia e rrugëve:

- Rruga Allonit (l.). – Mund t’i ketë mbetur emri sipas mbiemrit të një fa,oljeje në Gjakovë – Olloni (Alloni (?)).

- Rruga Dëshmorve (l.). – Rrugë që lidh rrugën Ahmataj me rrugën kryesore të krahinës Reka e Keqe.

- Rruga Malsorve (p.). – I mbeti emri kësaj rruge ngase nëpër të kanë kaluar dikur malësorët, që vinin nga Malësia (kupto Malësia e Gjakovës – S.R.H.) nëpër fshatin Popoc dhe kanë shkuar për të trgtuar në Gjakovë.

- Rruga Vorreve (v.). – E quajnë kështu këtë rrugë që çon te varrezat e Popocite më tej lidh me katundin Ponoshec (gjithandej dëgjohet edhe Punashec – S.R.H.) të Rekës së Keqe.

10. Toponimia e ujërave (hidronimia):

- Llabenica (p.). – Lumë që buron në Qafë të Morinës dhe bjen nëpër Ponoshec, përreth Kodrës së Pllanikut, midisit të fshatit Popoc, ku në territor të Popocit bashkohet me lumen Erenik.

- Prroni Pirrave (p.). Përrua që buron prej kodrave dhe bokave që quhen Pirrat, në perëndim. Bjen përmes lagjeve Ahmataj dhe Kukaj të Popocit dhe derdhet në lumin Llabenicë, afër lëndinës që quhet Balli Frashnave.

11. Toponimia e Varreve:

- Vorret e Epra (v.). Ngase gjenden në pjesën e epërme të fshatit dhe të varreve që quhen Vorret e Reja, iu mbeti ky emër.

- Vorret e Reja (v.). - Quhen kështu ngase janë më të reja. Ndryshe i quajnë edhe Vorret e Ali Ademit, sepse Ali Ademi i kukajve e kishte lëshuar për varre një sipërfaqe toke nga prona e vet.

12. Toponime të tjera:

- Dardha Ahmatit (p.). Ishte dikur një dardhë e madhe, e moçme. Informatorët mbajnë mend se ka ekzistuar deri vonë, por nuk i dihej vjetërsia e saj. Ishte dardhë e gjatë dhe e trashë dhe se askush nuk mund të hipte në të. Thuhet se dikur tregtarët nga Tropoja e Malësisë e kishin pasë përdorur si pikë orientuese kur kanë rrugëtuar në këtë krah. Gjendej në lagjen Ahmataj, ndaj edhe quhej Dardha Ahmatit.

Ndërkaq, në POPAJ, kemi gjetur të jenë shënuar edhe këto toponime e mikrotoponime karakteristike, gjithashtu, të mbledha në terren, si: “ Boka, Shpati i Rrezës. Shpati i Kalas’, Rrethturi, Balli Frashnave, Kroni i Pishës, Rruga e Ollanit, Djegzinat, Shpella, Kalaja, Llabinica, Livadhet e mëdhaja, Frashni, Davnica, Arat e Buta, Suki, Kodra e Kalas’ Dushnjet, Te Ura e Mus’ Imerit etj.”14)

_________________

Referencat:

*) Reka e Keqe, sipas pleqve – informatorëve*) kufizohet: Në anën veriore – me Vokshin, Sllupin, Dranocin; në lindje: me Hereçin, Osekun, Skifjanin; me lumin Trava, si kufi natyror, që bjen nëpër Pacaj e shkon teposhtë për Sheremetaj e në Meje dhe  derdhet në lumin Erenik. Lumi Erenik buron në Bjeshkët e Junikut e bjen nëpër katunde të Rekës së Keqe dhe në katundin Devë (të krahinës së Hasit) bashkohet me lumin Reshtushë e Babaj të Bokës, ku kufizon Hasin me Rekë të Keqe, në krahun jugor. Ndërkaq, lumi Reshtusha buron në vendbanimin e dikurshëm Qerret (Qerreti i Bytyçit), në territor të krahinës së Rekës së Keqe. Katundi Qerret kohë pas kohe ishte braktisur nga banorët dhe deri vonë territorin e tij e kanë shfrytëzuar Babajt e Bokës, ndërsa pas luftës (1998 – 1999) kanë ardhur dy familje nga Bytyçi, kanë ndërtuar shtëpi dhe jetojnë aty. Gjatë rrjedhës së tij lumi Reshtusha bjen ndërmjet katundeve Babaj të Bokës dhe Devë, ku, më poshtë, derdhet në lumen Erenik.

Lumi Trrava buron në Bjeshtët e Vokshit, bjen për Qafë të Shkozës, në mes të Junikut e Vokshit dhe kufizon territorin e Rekës së Keqe me Vokshin – kah veriu.. Trrava vazhdon rrjedhën, kah lindja, nëpër krahinën Lugi  Qarragoj’s, përkatësisht katundet: Pacaj, Sheremetaj, Dallashaj, Rracaj, Ramoc dhe Rrypaj, e del në Meje. Në Jahoc bashkohet me Erenikun, ku njëherit është edhe kufi natyror me Rekë të Keqe në këtë krah.

Duke iu referuar informatorëve të katundit Popoc, mësojmë se për emrin e krahinës Reka e Keqe, ruhet një legjendë e cila thotë: “Në kohë të vjetra, për kohë të Turqisë, ushtarë turq, “suhari”, kah kanë shkuar prej Gjakove për në Qafë të Morinës, për të shkuar në Shqipëri, ishte kohë vere. Në atë kohë, lumi Erenik ishte i shterur, pa ujë, ku nuk kishin gjetur ujë as për t’iu dhënë kuajve të pinë. Kah ishin kthyer, të njëjtës rrugë, por gjatë stinës së vjeshtës, Ereniku ishte rritur dhe dalë nga shtrati, saqë nuk kishin pasë mundur ta kalojnë. Atëherë, thuhet se ata, ushtarët turq, kishin pasë thënë: “A, po rekë e keqe tek asht. Kah shkuam as kuajve ujë s’mundëm me iu dhënë, e tash s’po mund ta kalojmë…

1) Dr. J u s u f   O s m a n i, Vendbanimet e Kosovës, 14,Gjakova, Prishtinë 2005, f. 216.

2) Shënimet për katundin Popaj (Popoc) i mora gjatë vizitës sime që i bëra këtij fshati më 28. XII. 2008.)

3) Informatorët …, si  në referencën 2.

4) Sipas historianit e studiuesit dr. J u s u f  O s m a n i, i cili u referohet shënimeve të marra nga informatorët: Demë Ibrahimi, arsimtar dhe Zeqë Hyseni, gjatë vizitës që i ka bërë këtij fshati, më 1. XII. 2001. Shih, vep. Cit., f. 216.

5) S t. N o v a k o v i c, Zakonski spomenici  srpskih zemalja srednjega veka, Beograd, 1912;  Zaduzbine Kosova, f. 503.

6) S e l a m i  P u l a h a, Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485,Tiranë 1974, f. 194.

7) BV. A., Tabu defterleri, defter nr. 499, fq. 96 – 172; S. P u l a h a, Popullsia…, fq. 185.

8) Dr. J u s u f  O s m a n i, Vendbanimet e Kosovës,14, Gjakova, fq. 216, shih fusnotën 6, f. 217.

9) Po aty, fusnota 7.

10) Informatorët…, sin ë referencën 2.

11) Dr. M i l o v a n  O b r a d o v i c, Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu (1918 – 1941), Pristina, 1981, f. 315.

12) Dr. J u s u f  O s m a n i, Vendbanimet e Kosovës,14, Gjakova, Prishtinë, 2005, f. 216 – 217.

13) Informatorët…

14) Dr. J u s u f  O s m a n i,Vep. Cit., f. 216.



(Vota: 57 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora