E marte, 23.04.2024, 10:48 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: KKSHA feston 100 vjetorin e pavarësisë

E marte, 18.09.2012, 08:06 PM


KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN FESTON 100-VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

Nga Frank Shkreli*

Si çdo vit në të kaluarën edhe sivjet, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), më 21 Shtator në qytetin e Nju Jorkut do të shtrojë darkën madhështore  këtë vit kushtuar --100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.   KKSHA në njoftimin e saj thotë se në darkën madhështore, do të marrin pjesë udhëheqës shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, e të cilët do t'ju bashkohen zyrtarëve të ndryshëm amerikanë dhe udhëheqsve të komunitetit shqiptaro-amerikan.   KKSHA njofton gjithashtu, se siç është tradita në darka të tilla vjetore të këtij Këshilli, edhe sivjet do të nderojë me Çmimin ''Duartë e Shpresës'',  Senatorin demokrat nga shteti i Nju Jorkut, Çarlës Shumër, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë afër me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe njihet si mbrojtës i interesave të tij, por edhe si përfaqsues i denjë i shtetit të Nju Jorkut  në Senatin e Shteteve të Bashkuara.  Senatori Shumër merr pjesë në shumë aktivitete të komunitetit, përfshirë edhe darkën gala që shtroi organizata Vatra me rastin e 100-vjetorit të saj.  Senatori Shumër i bashkohet një liste mjaft të dalluar udhëheqsish amerikanë nga të dy partitë politike, që janë nderuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan gjatë viteve, e të cilët kanë influencuar politikën amerikane  në favor të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve tona në Ballkan, përfshirë Presidentin Bill Klinton, Sekretarin e Shtetit  Xhejms Bejker, Presidentin Marti Ahtisarii, Senatorin Bob Dole, e shumë të tjerë të dalluar për mbështetjen e tyre të vendosur ndaj të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi.

KKSHA ka njoftuar se deri tani nga trojet shqiptare në Ballkan kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në darkën – që i kushtohet 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë –  Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, si edhe ambasadorët e Shqipërisë në Uashington dhe pranë Kombeve të Bashkuara.   Kosova  do të përfaqësohet nga Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi, Zëvendës-kryeministrja Mimoza Kusari-Lila, Ministri  i jashtëm Enver Hoxhaj dhe ministra të tjerë, përfshirë edhe ministrin e Diasporës, Ibrahim Makolli.

Nga Maqedonia kanë thënë se do jenë të pranishëm në darkën e KKSHA-s, Zëvëndës kryeministrat Teuta Arifi dhe Musa Xhaferi dhe disa ministra, përfshirë edhe ambasadorin e Maqedonisë

Zoran Jolevski.  Ndërsa nga Mali i Zi priten deputeti Nikoll Gegaj dhe Konsulli i Përgjithëshëm në Nju Jork  Selim Lika.

Ndër autoritetet amerikane, përveç Senatorit Shumër i cili do të nderohet me çmimim më të lartë të KKSHA-s, kanë njoftuar deri tani pjesëmarrjen e tyre, ndër të tjerë,  ambasadorët Rosemary Di Karlo dhe  Frank Uisner, kongresmenët Eliot Engel dhe Majkë Grim si edhe Zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit amerikan Filip Riker, i cili posa është këthyer nga një turne në Shqipëri dhe Kosovë, ku ka zhvilluar bisedime intensive me udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës mbi gjëndjen aktuale në këto dy vende dhe në rajon.

Ngjarjet shpesh traumatike të 30-vjetëve të kaluara për shqiptarët, kanë venë vazhdimisht në dukje angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj të drejtave të shqiptarëve.   Ishte politika amerikane, e mbështetur nga përfaqsues të dy partive politike të vendit dhe sidomos nga tre presidentët e kohëve të fundit të Shteteve të Bashkuara (Xhorxh Bushi i vjetër, Bill Klintoni dhe Xhorx Bushi i ri) që pas luftës së ftohtë, kishin vendosur që edhe shqiptarët të jenë pjesë e një “Evrope të bashkuar, e terë dhe në paqë’.

Ashtu si në kohën e Fan Nolit dhe të Faik Konicës, 100- vjetë më parë, edhe sot komuniteti shqiptaro-amerikan vazhdon traditën e tij, në mbështetje të interesave kombëtare, sidomos kur ato janë në rrezik, duke u përpjekur të influencojë politikën amerikane në favor të interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkan.   Ashtu siç i premtoi presidenti Uilson Fan Nolit 100-vjetë më parë se ai, si president i Shteteve të Bashkuara -- do të bënte ç’mos në mbrojtje të shtetit të ri shqiptar, ashtu edhe gjatë 30-vjetëve të fundit, Uashingtoni zyrtar  ka bërë ç’mos jo vetëm në politikën kombëtare, por dhe duke influencuar politikën ndërkombëtare, për të mos lejuar askënd – sidomos armiqtë e kombit shqiptar – që të pengonin realizimin e të drejtave të shqiptarëve,  përpjekje këto që më në fund u kurorëzuan me pavarësinë e Kosovës si shtet sovran dhe demokratik.  Këto premtime nga Uilsoni para një shekulli dhe nga presidentët amerikanë të kohëve moderne –ishin jo vetëm premtime të dhëna, por gjithashtu edhe premtime të mbajtura kombit shqiptar.

Është me vend që 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë kremtohet në këtë mënyrë edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, dhe është gjithashtu me rëndësi historike që udhëheqsit shqiptarë, përfaqsues nga të gjitha trevat tona në Ballkan, marrin pjesë duke u bashkuar në festimet -- këtu në Amerikë -- të këtij komuniteti, i cili gjatë 100-vjetëve të kaluar, megjithëse larg, ka qenë dhe vazhdon të jetë i interesuar, i angazhuar dhe i lidhur ngusht me fatet e kombit.

*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit  Kombëtar Shqiptaro-Amerikan



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora