| E marte, 18.09.2012, 07:57 PM |
PUTHJA NDEZ ËNDRRAT
Shënime rreth vëllimit me poezi “ U putha me perëndinë” të poetit Haxhi Dikolli.
NGA PËLLUMB
GORICA
Puthja,
ëndrra, jeta dhe shpresa bashkëjetojnë në vargjet e Haxhi Dikollit. Në këtë
udhëtim poetik si një konfirmim i dashurisë, poeti në çdo varg na e jep puthjen dhe jetën, ashtu si vala me
detin, ku vala është njeriu dhe deti njerëzimi. A mund të përfytyrohet një det
pa valë dhe dallgë ?!
Dashurinë e thellë, ëndrrën dhe shpresën për të jetuar,
poeti e shpalos me një puthje të sinqertë e shpresëdhënëse. Dashuria të
zbukuron e të përtërit shpirtin, të bën të vuash bukur, por edhe ta duash
jetën deri në grimcat më të vogla. Sipas
poetit:
“Puthjet
Janë si kalendarët e murit”
Poeti është për një dashuri që nuk shmanget në udhët e jetës,
për një dashuri jetësore, që të prek ndjenjat e të ngacmon fantazinë për të
bukurën, që të nxit të vlerësosh jo vetëm femrën si simbol i përtëritjes së
jetës, por për çdo dashuri që riciklon të ardhme plot harmoni. Këtu e ka
burimin hiperbola e tij funksionale, kur e vë në funksion të portretit të gruas
me dashurinë simbol jete:
“Doni të bëni portretin e një gruaje
Bëni më parë një qiell të lartë
Të pastër
Të pafund
Pastaj një det të madh
Një oqean të kaltër të trazuar”
Lirizmin e tij, poeti Haxhi Dikolli, e vë si barrikadë
kundër dashurisë deklarative, hipokrite, sentimentale me “ohe “ e “ahe”. Poeti
të dashurën që vuan shpirtërisht e bën në vargjet e tij të bukur, joshëse,
ekzistente. Dashuria e rritur me sakrifica nuk vdes kurrë. Ajo është dashuria
më jetëgjatë.
“Hënën në mes kur e preva
Në fund të xhepit e fsheha
Se mbi kokë na përgjonte
E vërtitej porsi reja”
Me dashurinë poeti kërkon t’i
zgjojë të gjitha ëndrrat që mban njerëzimi. Ai kërkon që dashuria të jetë një
ferment i fuqishëm që vë në lëvizje gjithçka. Poeti nuk pajtohet me agoninë e
zvetënitjen, mungesën e sinqeritetit, plogështinë, ndaj shkruan:
“Ka nga ata që kurrë s’janë
zgjuar
Mos dhëntë zoti të jenë shumë
Ata që edhe të zgjuar janë në
gjumë.”
Dashuria është triumfale ndaj
vdekjes, por edhe vdekjen poeti kërkon ta mposhtë me burrëri e dashuri, ta
sfidojë me dinjitet dhe jo si hileqar e dredharak, ndaj ndjehet i tillë:
“Vdekjen time pashë
Duke vajtuar
E kisha mashtruar keqas.”
Poeti ndjehet i
mrekulluar me përjetimin e së bukurës dhe të mirës ashtu siç e kërkojnë
ndjesitë njerëzore. Ai kërkon gjithmonë të jetë ëndërrzgjuar dhe ashik, i sertë
e i pangopur:
“Gjumin mbrëmë
Vura të flejë
Që ta përkëdhelnin ëndrrat”
E shkuara që ka të hidhura
brenda, që ka lënë gjurmë të pakëndshme e që nuk i shërben së ardhmes,
duhet harruar:
“Tani besoj s’kemi harruar gjë
Të shkuarën e lamë në gjumë
Pa zgjuar”
Çdo strofë e varg i këtij
vëllimi sikur pikon mjaltë dashurie me gjithçka që është jetësore, e
prekshme e harmonike, ndaj si një plak i vuajtur e i përmalluar poeti shprehet:
“Do të kemi rast vallë
Të shkojmë e të vdesim
Një ditë në shtëpinë
Ku më parë banonte dielli.”
Puthja për poetin merr
përmasat e një simbolike të fuqishme që mbështjell ëndrrën e pazgjuar,
dashurinë e sapoçelur, shpresën në shpërthim, sinqeritetin e pafajshëm
haëpsirat e parrokshme. Ndaj poeti e dëshiron botën jo vetëm për vete:
“Toksore e desha botën time
Me të bukurën e luleve mbuluar
Të më digjet dielli mbi kokë
mëngjeseve
E yjet ti mbajë mbrëmjeve nëpër
duar”
Poeti nuk mund ta kuptojë dot
dashurinë pa lirinë. Atë e vret monotonia, plogështia, shtirja. Dhe harron që
është edhe poet:
“Unë sonte nuk jam poet
Jam njeri
Gjysma e psherëtimës”
“Se dua këtë luks e tërë këto
perfume
Së paku sonte ndryshe të jetoj
Të nxehem njëherë jetës si një
burrë
Të shaj me nënë si asnjëherë
më parë”.
Pavarsisht rrethanave e
formave, dashuria mbetet një për të gjithë, ajo rrjedh që nga koha e Evës dhe
Adamit: Poeti e prek këtë ndjesi:
“Nëse më thotë
Të kthehem prap në Eden
Do ti them
Doni që mos e prek Evën
Më sillni atëhere tjertër
grua,”
Për poetin nuk ka pushim,
ndalesë, heshtje. Ai është në lëvizje si yjet, era, njerëzit, shpresat,
ëndrrat, dashuria.Vetëm pasi të ketë vënë në udhë mëngjeset u jep krahë
ëndrrave, ai mund të shlodhet, të marrë një sy gjumë, e prapë të ngrihet i
freskët me energji të reja, me përtëritjen e moshës dhe kohës, për të ecur i
sigurtë në udhët e bukura të jetës. Nganjëherë të duket sikur udhëton bashkë me
dashurinë në lëndina lulesh. Poeti mbledh figura poetike edhe në sofrën e
folklorit. Lexon vargje sikur lëkundesh në perla popullore e dehesh me aromë
dashurie:
“Kërkova e ku s’kërkova
Kërkova dhe gjeta
Sy të ëmbël fshehur
Ndoshta nga mesjeta” apo
Vetulla unë gjeta gjarpërinj
të gjallë”
Apo për një çast lexon
vargjet sikur këndon serenatat korçare:
“Se s’më mban vendi në vend
Pa parë fshehtas trupin tend
Gjer në qerpikun tënd të zi
Të bëj folenë dhe të rri”
Stili i rrjedhshëm, figuracioni prekës me figura të goditura lexohen rrjedhshëm, të shlodhin. Natyra e butë poetike e Haxhi Dikollit, sinqeriteti dhe gërmimi nëpër honet e dashurisë mbartin dhe përcjellin emocion dhe të pëlqyeshme në mendjen e çdo moshe.