Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Puthja ndez ëndrrat

| E marte, 18.09.2012, 06:57 PM |


PUTHJA NDEZ ËNDRRAT

Shënime rreth vëllimit me poezi “ U putha me perëndinë” të poetit Haxhi Dikolli.

NGA PËLLUMB GORICA

Puthja, ëndrra, jeta dhe shpresa bashkëjetojnë në vargjet e Haxhi Dikollit. Në këtë udhëtim poetik si një konfirmim i dashurisë, poeti në çdo varg na e jep puthjen dhe jetën, ashtu si vala me detin, ku vala është njeriu dhe deti njerëzimi. A mund të përfytyrohet një det pa valë dhe dallgë ?! Po kaq përfytyrohet një jetë pa puthje dhe dashuri. I lexon poezitë e vëllimit “U putha me perëndinë”  të Haxhi Dikollit dhe përjeton thellë një lirizëm të ngrohtë që të flladit shpirtin, e nxjerr menjëherë mesazhin poetik: “Të puthësh është sikur të jetosh”.

Dashurinë e thellë, ëndrrën dhe shpresën për të jetuar, poeti e shpalos me një puthje të sinqertë e shpresëdhënëse. Dashuria të zbukuron e të përtërit shpirtin, të bën të vuash bukur, por edhe  ta duash jetën deri në grimcat më të vogla. Sipas poetit:

Puthjet

Janë si kalendarët e murit”

Poeti është për një dashuri që nuk shmanget në udhët e jetës, për një dashuri jetësore, që të prek ndjenjat e të ngacmon fantazinë për të bukurën, që të nxit të vlerësosh jo vetëm femrën si simbol i përtëritjes së jetës, por për çdo dashuri që riciklon të ardhme plot harmoni. Këtu e ka burimin hiperbola e tij funksionale, kur e vë në funksion të portretit të gruas me dashurinë simbol jete:

Doni të bëni portretin e një gruaje

Bëni më parë një qiell të lartë

Të pastër

Të pafund

Pastaj një det të madh

Një oqean të kaltër të trazuar”

Lirizmin e tij, poeti Haxhi Dikolli, e vë si barrikadë kundër dashurisë deklarative, hipokrite, sentimentale me “ohe “ e “ahe”. Poeti të dashurën që vuan shpirtërisht e bën në vargjet e tij të bukur, joshëse, ekzistente. Dashuria e rritur me sakrifica nuk vdes kurrë. Ajo është dashuria më jetëgjatë.

Hënën në mes kur e preva

Në fund të xhepit e fsheha

Se mbi kokë na përgjonte

E vërtitej porsi reja”

Me dashurinë poeti kërkon t’i zgjojë të gjitha ëndrrat që mban njerëzimi. Ai kërkon që dashuria të jetë një ferment i fuqishëm që vë në lëvizje gjithçka. Poeti nuk pajtohet me agoninë e zvetënitjen, mungesën e sinqeritetit, plogështinë, ndaj shkruan:

“Ka nga ata që kurrë s’janë zgjuar

Mos dhëntë zoti të jenë shumë

Ata që edhe të zgjuar janë në gjumë.”

Dashuria është triumfale ndaj vdekjes, por edhe vdekjen poeti kërkon ta mposhtë me burrëri e dashuri, ta sfidojë me dinjitet dhe jo si hileqar e dredharak, ndaj ndjehet i tillë:

“Vdekjen time pashë

Duke vajtuar

E kisha mashtruar keqas.”

Poeti ndjehet i mrekulluar  me përjetimin e së bukurës dhe të mirës ashtu siç e kërkojnë ndjesitë njerëzore. Ai kërkon gjithmonë të jetë ëndërrzgjuar dhe ashik, i sertë e i pangopur:

“Gjumin mbrëmë

Vura të flejë

Që ta përkëdhelnin ëndrrat”

E shkuara që ka të hidhura brenda, që ka lënë gjurmë të pakëndshme  e që nuk i shërben së ardhmes, duhet harruar:

“Tani besoj s’kemi harruar gjë

Të shkuarën e lamë në gjumë

Pa zgjuar”

Çdo strofë e varg i këtij vëllimi sikur pikon mjaltë dashurie me gjithçka që është  jetësore, e prekshme e harmonike, ndaj si një plak i vuajtur e i përmalluar poeti shprehet:

“Do të kemi rast vallë

Të shkojmë e të vdesim

Një ditë në shtëpinë

Ku më parë banonte dielli.”

Puthja për poetin merr përmasat e një simbolike të fuqishme që mbështjell ëndrrën e pazgjuar, dashurinë e sapoçelur, shpresën në shpërthim, sinqeritetin e pafajshëm haëpsirat e parrokshme. Ndaj poeti e dëshiron botën jo vetëm për vete:

“Toksore e desha botën time

Me të bukurën e luleve mbuluar

Të më digjet dielli mbi kokë mëngjeseve

E yjet ti mbajë mbrëmjeve nëpër duar”

Poeti nuk mund ta kuptojë dot dashurinë pa lirinë. Atë e vret monotonia, plogështia, shtirja. Dhe harron që është edhe poet:

Unë sonte nuk jam poet

Jam njeri

Gjysma e psherëtimës”

“Se dua këtë luks e tërë këto perfume

Së paku sonte ndryshe të jetoj

Të nxehem njëherë jetës si një burrë

Të shaj me nënë si asnjëherë më parë”.

Pavarsisht rrethanave e formave, dashuria mbetet një për të gjithë, ajo rrjedh që nga koha e Evës dhe Adamit: Poeti e prek këtë ndjesi:

“Nëse më thotë

Të kthehem prap në Eden

Do ti them

Doni që mos e prek Evën

Më sillni atëhere tjertër grua,”

Për poetin nuk ka pushim, ndalesë, heshtje. Ai është në lëvizje si yjet, era, njerëzit, shpresat, ëndrrat, dashuria.Vetëm pasi të ketë vënë në udhë mëngjeset u jep krahë ëndrrave, ai mund të shlodhet, të marrë një sy gjumë, e prapë të ngrihet i freskët me energji të reja, me përtëritjen e moshës dhe kohës, për të ecur i sigurtë në udhët e bukura të jetës. Nganjëherë të duket sikur udhëton bashkë me dashurinë në lëndina lulesh. Poeti mbledh figura  poetike edhe në sofrën e folklorit. Lexon vargje sikur lëkundesh në perla popullore e dehesh me aromë dashurie:

“Kërkova e ku s’kërkova

Kërkova dhe gjeta

Sy të ëmbël fshehur

Ndoshta nga mesjeta” apo

Vetulla unë gjeta gjarpërinj të gjallë”

Apo për një çast lexon vargjet sikur këndon serenatat korçare:

“Se s’më mban vendi në vend

Pa parë fshehtas trupin tend

Gjer në qerpikun tënd të zi

Të bëj folenë dhe të rri”

Stili i rrjedhshëm, figuracioni prekës me figura të goditura lexohen rrjedhshëm, të shlodhin. Natyra e butë poetike e Haxhi Dikollit, sinqeriteti dhe gërmimi nëpër honet e dashurisë mbartin dhe përcjellin emocion dhe të pëlqyeshme në mendjen e çdo moshe.