E enjte, 25.04.2024, 02:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamdi Tasholli: Pela e Trojës

E marte, 18.09.2012, 07:19 PM


Hamdi Tasholli


PELA E TROJËS

Në yllin tim të kotur
Mbi krahët e gjumit
Agu senatorët
E perandorisë i zbarkoi
Tok me erë
Në shtratin e lumit
Derisa prrockat
I miklonin
Kapilaret tokës
Pranë Lokes
Me gëzim u nisa rrugës
Për t’ia larë sytë e njelmtë
Detit
Në katundim tim
Të valëzuar
Me lundrën e trimit
Në pritë...

Bora shkrihej në pranverë
Për drenushat e etjen
Në mbrëmjen e kunguar
Shtërngata e llahtarisur
Po e kalonte Katundin
Akili mbështetet
Ne murin e  Ilionit
Pela e drunjtë
Po i buzëqeshte dhelprës
Shtratin lëngimi e kaploi
Malin e goditur
Sorkadhet e qanë
Në gurë e eshtra
Ngritën kalanë
Nga zemra
U përdrodh gurra
Mbi gurë
Qëndruan do burra
Duke pritur Anijen e Noit

Dodona
Orakullin qorton
Hiena pispilloset
Në pasqyrë syri
Vashëzat u hodhën
Në vallen e erës
Lumi e qau veten
Një zog i lodhur
Fluturon ngadalë
Nënat i lajnë foshnjet
Në dritën e hënës
Pela e Trojës lëviz bishtin
Rosat përshpërisin në lumë
Nga damarët e zemrës
Arixhinjtë u bien daulleve
Deri në çmendi

Dhelpëra e buzëqeshur
Pranë detit
Në pagëzim thërriste
Rrënqethja në një valë humbet
Teuta shtatzënë mbetet
Të dehurit prej ahengut në aheng
Shkumbëzojnë
Ndërsa kënga e gjelave
Larg natën dëgjohet
E lulëkuqet njomen
Flatrat e motit të tetë
Kalanë e vetmisë përshëndet
Në gjoksin e malit plak
Dhe ruan muret e kalasë
E skifteri bie në lak
Me lumin e rosave
Derisa kënga e të shurdhëve
Shkallmohet

Lumi
Fushën në lojën e fundit
Thërret
E drenushat kurtha i pret
Vetmia rrugën e vet ndriçon
Lajmëtarëve të fushës së verdhë
Drapërinjte me dorë të vet ua jep
Që lakmia në vapë në mes të fushës
Të ngecë
E pëllumbi para agimit të vijë
Korkyra me dyer të hapura pret
Por lumi rrodhi në sytë e vogëlushëve

Çupat e Sulit u martuan me mordjen
Kambanat s’po prajnë
Borëbardhat në dymbëdhjetë kyçat
E apokalipsës ngujuar mbetën
Malet e Nënat s’u përkulen
Liqenit të Litharicës
Malet erërat ia vodhën
E lumi shpejton rrjedhën
Hardhia u helmua në gotën e verës
Lulet u plandosën mbi rrënjë
Zogjët kënduan këngën e gjëmës
Kënga zë fill në një pëllëmbë
Kalaja e kërrusur mbi shkëmb
Burrat në log të trishtimit i tuboi
Një hije lotin e mallkoi
Bora bëri benë
Në një livadh me gardh
Pranë ogurzezës
Ujtë nga gryka e malit rrjedh
E legjenda fletë

Kësula grykën e topit pëlcet
Kallinjtë tokën e mbarësojnë në fron
Të dehurit në Butrint bëjnë qejf
Vrrushkujt e rrezeve në perëndim
Përbirohen në unazë
Otranti mbetet pa ujë
Lokja pa kripën
Liburni pa grepa
Ndërsa ylli im në një Katund
Shëndritë pa pra
Për fusha të blerta
Me lule të arta
Në zërin e prrockës së bardhë
Në zemrën e kësaj valle
Pranë Kalasë së madhe.

(E shkruar më 1985)


QYTETI IM

A je pirre
Dardanie
Apo bare
Pirre
Në Pirustinë
Prishtinë
Qyteti im.


LLADA

Dashuro
Që ta shërrosh
Çmendurinë
E akullt
Llada
Në polin e ngrirë.


ATA

Nuk ka skile
Që s’bënë hile
Ata hidhnin valle
Gomarçe
Në Qyperli
Ndërsa kuaj
Skile e pela Troje
Terfatnin të shkallmuara
Në shkumë
Përrreth paja nusërie
Brekë dhunimi
Kafka
Me dhëmbë të palarë
E qenj të tredhur
Është fati ynë
Për fron
Kosovë më fal
Sonte jam i dehur.


GRADEC

I shtrirë në lashtësi plleshmërie
Tokë pellazgu me besë të Zotit
I mbeshtetur në gjoks trimërie
E dajallarë të Kastriotit
I bardhë Sharri në vrojtim
Porosinë e lënë mbi gurë
Nga legjenda e dy mbretërive
Po vjen një burrë
I lartë si flamurë
Në brez i shkëlqente palla
Lokja e nohu
O burra
Është Gajur Deralla.



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora