E enjte, 28.03.2024, 06:28 PM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Një lule e bukur e dritës së gjallë

E shtune, 15.09.2012, 07:02 PM


NJË LULE E BUKUR E DRITËS SË GJALLË

(Adem Zaplluzha, Andej e këndej kohës, Botim i Shoqatës së Shkrimtarëve – Kastriot, 2012)

Nga Baki Ymeri

Mendimet e poetit zbresin nga qielli për kultivimin e gjuhës dhe mbrojtjen e shpirtit. Vepra e tij është një gurrë e gjallë e ujit të ëmbël që i mjekon plagët e hidhërimit. Thonë se armiku më i madh i njeriut është marrëzia, por kur vjen fjala për vlerat letrare, konstatojmë se poezia është armiku më i madh i marrëzisë, një lule e bukur e dritës së gjallë. “Kanë humbur të gjitha ngjyrat e luleve/ Nëpër dritën e diellit/ Nuk depërton/ Asnjë rreze jeshile/ Për çudi dita po i përngjan/ Galopit të egër të erës”.

Vetëm jeta private dhe biografia publike kanë rëndësi historike, jo dhe kataklizmat sociale që vijnë si pasojë e absurditetit dhe mjerimit social. Adem Zaplluzha dëshmon se ka një biografi brilante, jo pse në moshën e 69 pranverave të tij ka botuar 55 libra, por pse fjala e tij shkrep si një krismë pushke që paralajmëron dasmën, dashurinë, apo fshikullimin e brengave të pleqërisë. Poeti ndjek ditën e mërzitshme kur: “Mbi kokën e rënduar/ Krakëllima korbash/ Asnjë yll nuk duket në hapësirë/ Nga varfëria e sfondit/ Zbresin jashtëtokësorët”, duke dëgjuar se sa fort kërcasin dërrasat e djepave.

“Andej e këndej kohës” (botim i Shoqatës së Shkrimtarëve në Kastriot), është një libër i kohës ku defilon koha së bashku me faunën dhe florën, me lumin e heshtjen dhe diellin e ajrin, me një heshtje “që nuk mund të qëndrojë kaq lakuriqe” kur shkrep dielli i dashurisë: “Fshehurazi dielli hyri/ Në ëndrrën e dallgëve/ Sa pak qeshje paska mbetur/ Në lëfytin e drunjtë të kohës/ Sa shumë trishtim në djersën e natës/ Sa që po më tmerron/ Kjo heshtje” (Nata e gjelbër). Libri ka një strukturë profesionale, duke i falënderuar autorit dhe bashkëveprimtarëve të tij: Bedri Neziri, Mazllum Barali dhe Veli Veliu.

Sa më pak të kemi mëkate,

aq më lehtë mund të depërtojmë në shpirtin e të tjerëve

Para nesh kemi një mozaik fjalësh të ëmbla e të hidhura. Sa më pak të kemi mëkate, aq më lehtë mund të depërtojmë në shpitin e të tjerëve. Herë pas here, autori bie në grackat e pesimizmit filozofik, pa e humbur origjinalitetin e frymëzimit të tij, duke i dhënë vargut karakter biblik: “Kam të ftohtë/ Disi po më dridhen gjymtyrët/ Çfarë të bëjë me kurmin e ditës/ Në pluhurin e kambanës/ Ka filluar ndezja e qirinjve”. Sipas tij, era i mbush xhepat, me fjalët e tepërta të mjegullave. Asnjë varg nuk e përsëritet nga libri në libër dhe asnjëherë nuk dëshmon se është “një udhëtar i pafat”. Përkundrazi, të parashtron pyetjen në të kujtohet, “Tek bisedonim për hallet tona/ Ti ëndërroje tërfilin me katër gjethe/ Unë nuk isha askund/ Në ditarin e asaj vjeshte”. Mund të thuash se kemi të bëjmë me një poet origjinal vlerash të mirëfillta lirike?

Adem Zaplluzha ka imagjinatë të bujshme, i njeh problemet e stilistikës letrare dhe ëndërron freskinë që hyri dhe doli nga ëndrra, kur “Ti ike si fryma e mirë/ Dhe kurrë më nuk të pamë”. Ai din t’i presë e përcjellë stinët, në djepin e ninullave shqiptare, ku lindin baladat. Poeti e përkujton rininë e proshkët me sentimentin e dashurisë: “Nuk isha si të gjithë çunat e lagjes/ Në adoleshencë/ Dashuroja edhe fluturimet/ E fluturave të bardha”. Ai i kujton ditët e fëmijërisë, “Kur e kërkoja peshkun e artë/ Nën syrin e përlotur të hënës”.  Dhe më tej, shkruan në pleqëri me afshin e rinisë: “Në disa raste/ I kalëroja kuajt e egër/ Ditët më dukeshin aq të shkurta/ Sa që me net të tëra/ Nuk bëja as një sy gjumë”.

Një kritik i mirëfilltë bën analizën kritike të lëndës poetike, pa citate të shumta nga korpusit letrar, ndërsa unë e ti e anashkalojmë këtë kriterium, pa e bezdisur lexuesin pse shkruajmë pak e për merak, duke ia bërë të ditur lexuesit se autori i këtij libri është poet i blerimit, pronar i kujtimeve dhe mbret i nostalgjisë: “Je aq e tejdukshme/ Sa që i shoh të gjitha ëndrrat/ E fëmijërisë në gjoksin e këmishës// Unë jam mësuar të pres/ Ti nëse do/ Merri ninullat dhe djepin/ Sonte kemi mjaftë kohë/ Të bisedojmë për gjelbërimin”, kur celulari, nga lotët e pritjeve, i shkundte xhepat. Adem Zaplluzha është një nga zogjtë e panumërt, të atdheu tim, sepse çdo fjalë e tij buron nga deti i shpirtit.



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora