Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Fitorja e Mark Gjonaj ogur i mirë

| E shtune, 15.09.2012, 08:03 PM |


Fitorja e Mark Gjonaj ogur i mirë për Diasporën dhe Shqipërinë

Nga Keze Kozeta Zylo

Shqiptari i Amerikës Mark Gjonaj fitoi vendin e merituar në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut.

Z.Gjonaj udhëhoqi një fushatë të ndershme dhe plot kulturë në zonën elektorale 80 të në qytetin e Bronxit të Nju Jorkut, ku siç dihet në këtë lagje jetojnë një numër i madh shqiptarësh.

Fushata e tij për kandidim në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut u mbështet me një përkushtim dhe dashuri jo vetëm nga publiku shqiptar, por dhe ai amerikan.

Ajo që do më bënte më shumë përshtypje në fjalimet e tij gjatë fushatës ishte thjeshtësia dhe komunikimi i  ngrohtë me publikun.

Fjala e tij vazhdimisht rrëmbente zemrat e njerëzve me brohoritje dhe mbështetje të plotë në problemet që ai ngrinte dhe mënyrën se si do të ndihmonte zgjedhësit e tij në të ardhmen.

Mark Gjonaj punoi me dashurinë më të madhe dhe zemër duke premtuar se do ta ngrerë më lart nivelin ekonomik të zgjedhësve të vet, do të punojë për t’u siguruar atyre një jetë më të mirë si dhe do të hapë më shumë vende pune.  Qysh më 22 prill kur shpalli kandidaturën për në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut z.Gjonaj u prit me një entuziazëm të madh.  Ai premtoi se gjithë energjinë e tij do ta shkrijë për zgjedhësit në shërbim të tyre.

Si shqiptare ndjej krenari të ligjshme për fitoren e tij në forumet e larta të politikës amerikane.

Ndonëse si shqiptarë të shumtë kemi qysh në fillim të shekullit të kaluar që kemi emigruar në Amerikë, (edhe pse shqiptari i parë ka shkelur në shekullin e 19 të) përsëri nuk kemi arritur të ulemi në karriget e politikës amerikane.  Fitorja e z.Gjonaj është një ogur i mirë për Diasporën Shqiptare dhe i hap shanse të reja shqiptarëve që duan të bëjnë karrierë në politikën amerikane.

Ndërkohë me emrin e tij Shqipëria, Kosova, Çameria do të dëgjohet më shumë, ndërsa Ulqini nga e ka dhe origjinën z.Gjonaj do të ndihmohet në mjaft probleme të diskriminimit që i bëhet popullatës nga qeveria malazeze atje.

Z.Gjonaj vjen nga prindër emigrantë patriotë, të cilët e ushqyen me dashurinë e madhe për trojet shqiptare.

Ata i dhanë dhuratën më të bukur Gjuhën Shqipe, Gjuhë që e bën atë ta njohë dhe më mirë historinë, traditën dhe kulturën shqiptare.  Ne një emision për TV Alba Life Ai tha se Gjuhën Shqipe e kam gjuhën e nënës edhe pse jam lindur e rritur këtu në Amerikë.  Shqipja më ka bërë që të lidhem dhe më shumë me komunitetin shqiptar këtu në Diasporë të cilëve ju shpreh mirënjohjen për mbështetjen që më kanë dhënë vazhdimisht.

Z.Gjonaj ka marrë pjesë energjikisht në aktivitetet e rëndësishme të komunitetit dhe ka gjetur kohën t’i mbështesë në punët e tyre në shërbim të Kombit.

Të gjitha këto cilësi të një njeriu të mirë e bënë atë që të bashkëpunojë ngushtë me zgjedhësit e tij dhe gjithë Diasporën duke e çuar atë në fitoren e merituar për në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut.

Ky hap paraprak me siguri do ta çojë në fitoren e zgjedhjeve më 6 Nëntor kundrejt kandidatit republikan i cili ka shanset shumë të pakta ngase republikanët në zonën ku kandidon z.Gjonaj janë në minorancë.

Fitorja e Mark Gjonaj është një ogur i mirë për Diasporën dhe Shqipërinë.

15 shtator, 2012 - Staten Island, New York