E premte, 19.04.2024, 09:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Sali Bytyçi: Dhimbja ka bukuri...

E premte, 14.09.2012, 06:25 PM


KUR EDHE DHIMBJA KA BUKURI...

(Për librin “Dhimbë e bukur”, të përgatitur nga Reshat Sahitaj dhe Begzad Baliu)

Nga Sali Bytyçi

Të nderuar të pranishëm,

Jemi mbledhur sot të bëjmë promovimin e librit “Dhimbë e bukur”, që u krijua si kushtim poetit Ali Podrimja, i cili fizikisht u nda nga ne. Me këtë rast, të gjithë ne këtu së bashku, edhe një herë e kujtojmë poetin tonë të madh, ikjen e të cilit edhe për një kohë të gjatë nuk do ta besojmë. Mua, personalisht, edhe më shumë se një muaj pas ikjes në amshim të Ali Podrimjes, askush nuk mund të më bind se ai tani nuk gjendet në mesin tonë, në njërën nga ulëset e këtij teatri apo në të gjitha ato nga pak, në ne...

Ky libër, të cilin e kanë përgatitur Reshat Sahitaj e Begzad Baliu, ngërthen 38 poezi, 10 shkrime eseistike dhe një in memoriam.

Librit i paraprijnë fjalët e rastit nga Reshat Sahitaj e Begzad Baliu, të mbajtura në orën letrare në shenjë lamtumire me rastin e vdekjes së Ali Podrimjes, të organizuar nga Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, në Bibliotekën Kombëtare, më 24 korrik. Pas këtyre fjalëve, sipas rendit alfabetik, kanë zënë vend poezitë, që janë në numrin më të madh, pastaj shkrimet eseistike, fjalët kujtuese e përkujtuese për poetin dhe për verën e tij etj.

Krijimet për Podrimjen në këtë libër hapen me vargjet e Agim Vincës, ndërsa mbyllen me ato të Visar Zhitit. Disa nga emrat tjerë, që i kanë kushtuar vargjet e tyre Poetit janë: Gani Xhafolli, Iliaz Bobaj, Jolanda Lila, Jonuz Fetahaj, Namik Selmani, Nexhat Rexha, Selajdin Krasniqi, Timo Flloko etj. Krijuesit janë nga të katër anët e trojeve shqiptare. Jashtë trojeve është një, shkrimtari malazez, Marash Martinoviq. Ai në tekstin e vet, që përbëhet nga vargje poetike dhe informata të dhëna nga agjencitë e lajmeve për ditët e fundit të poetit në Francë, sikur është kthyer në sy e vesh duke pritur se ç’po ndodh me fatin e Poetit.

Ndërkaq, në poezinë e tij, poeti Agim Vinca, i drejtohet kështu mikut të tij: “Kot bredh botës, o Ali Podrimja”, duke i kujtuar se si fillimi ashtu edhe fundi është këtu, në dheun e tij, në dheun e Arbrit. Bredhja në botë është vetëm një ikje nga vetja, një iluzion i kësaj ikjeje, asgjë tjetër:

Kot bredh botës, o Ali Podrimja. Kot, o babë!

Ngado që të shkosh Kosova të ndjek pas -

si një plagë.  (Agim Vinca, f. 29)

Poeti tjetër, Agim Mato, poetin Ali Podrimja e emërton “bard i lashtë”:

Bard i lashtë, që shtegtoje në kuvende poetësh,

i zbehtë e i shkujdesur nga kujtesa

dhe përplasja e meteorëve. (35)

Ndërsa pamundësinë e “humbjes”, të tretjes së poetit, në kuptimin metaforik të fjalës, e shtjellon në poezinë e tij Hajredin Kovaçi. Poeti nuk humb, ai është mes nesh, shprehet Kovaçi në vargjet e tij:

Ai nuk humb kollaj

Është diku në mes nesh

Edhe ditën po ta kërkosh

Me llambë duhet ta gjesh (82)

Kurse në vargjet e Iliza Bobajt, Ali Podrimja tani ka kaluar në hapësirat e amshimit, ku është një yll mes yjsh:

Tani, me siguri, jeni midis yjesh,

një yll mes yjesh mund të rrijë qetësisht.

Sa herë do ta kërkojmë strehëzën tuaj,

aty mes yjesh do ta gjejmë, sigurisht. (90)

Për poetin malazez, Marash Martinoviq, zëri i Ali Podrimjes nuk është shuar, ai ende vazhdon ta japë mesazhin e tij, edhe pas shuarjes së poetit:

Edhe tash i dëgjoj fjalët Tuaja

Zërin Tënd i cili e ka mbijetuar shkuarjen Tënde. (108)

Martinoviq, në poezinë e tij Podrimjen e emërton “bari i kopeve yllësore”

Ndërsa sipas Petraq Ristos, poetët janë zogj shtegtarë, po nuk duhet të vdesin në shtegtim… (133).

Poeti Visar Zhiti, me rastin e vdekjes së Ali Podrimjes ka shkruar një elegji “Elegjia ime për poetin Ali Podrimja” , të cilën e fillon me vargjet:

“Nuk mund të vdiste Podrimja në Kosovën e tij,

s’e linte toka këtu të shtrihej, as të mbyllte sytë (151)

Në vazhdim, Visar Zhiti, në vargje skalit figurën e Poetit, si dhe për trininë poetike: Poeti-Kosova-Lumi:

Ecje Ti, Vëlla i perëndive, Baba Ali,

me Kosovën mbi shpinë,

me Lumin për dore

dhe s’duhej të vdisnin as Lumi, as Kosova, as Ti,

as perënditë. Binin shigjetat, por Ti me ç’magji

i ktheje në rreze dielli? (153)

*

Ali Podrimja shumë shkroi për ne, një jetë e shkriu në këtë shkrim... Tani erdhi koha kur ne shkruajmë për të. Të gjithë. Të mëdhenj e të vegjël, të talentuar e të patalentuar, të gjithë duam të themi diçka për të, sikur përpiqemi t’ia kthejmë borxhin që e ndjejmë se ia kemi... sikur duam të bëjmë sado pak për të! Sigurisht që në faqet e këtij libri do të kishte edhe me shumë krijues e më shumë vargje të tyre, megjithatë koha e shpejtë me të cilën u krijua ky libër, i la jashtë ata.

Ndaj, edhe pse jemi mbledhur këtu të bëjmë përurimin e librit për Ali Podrimjen, e pamundur është të mos flasim edhe për të.

Nëse edhe figurën Ali Podrimjes e fusim në skemën e Nolit, i cili kur shkruan historinë e Skënderbeut, thotë se heroi kalon nëpër tri faza, ku e para është faza e glorifikimt, e dyta e asgjësimit dhe e treta e rivlerësimit, tani për Ali Podrimjen, pas vdekjes së tij, po vjen faza e dytë, ajo e asgjësimit. Megjithatë, një poet, edhe në qoftë se vetëm një vëllim poetik e ka me vlerë, ai mbetet në histori. Prandaj, pa marrë parasysh forcën e valës asgjësuese që mund të përfshijë poezinë e Ali Podrimjes në këtë fazë, kjo forcë do të ndalet tek vëllimi poetik “Lum Lumi”; pas një pushimi para dyerve të kështjellës poetike të quajtur “Lum Lumi” do të fillojë rivlerësimi dhe studimi i vërtetë i poezisë së tij, e cila do të ngelet në fondin e artë të poezisë shqipe në shekuj.

Edhe kur të harrohen shumë emra që e bënë këtë letërsi dhe shumë tituj veprash të tyre, vëllimi poetik “Lum Lumi” (1982) do të mbetet përherë, aktual, sikur në ditën e krijimit... sepse këtu është fati i njeriut, i cili që nga “Gilgameshi” e deri më sot, por edhe nesër, do të ketë fatin e njëjtë kur të përballet me vdekjen... “Lum Lumi” është një “Gilgamesh” modern... Shkaku i mos-harresës së “Lum Lumit” është i njëjtë me shkakun e mos-harresës së “Gilgameshit” të lashtësisë.

“Gilgameshi” u krijua në pllakëza të argjilës, “Lum Lumi” në letër, por që të dyja këto vepra do t’i qëndrojnë kohës së krijimit elektronik, e cila secilën herë e më shumë po ngadhënjen mbi mënyrat tjera të shkrimit.

Dhe, krejt në fund. Ali Podrimja në jetën e tij bëri shumë për ne. Por ai sikur e ndjeu se Arbërisë i ka ngelur borxh, ndaj me vdekjen në kryeqytetin e Evropës, sikur deshi t’ia kthejë asaj sytë nga vendi i tij, nga Arbëria e tij, e cila për shekuj kishte fatin tragjik; që Evropa t’ia japë dorën popullit të tij, sepse, një popull që ka poetë si Ali Podrimja meriton të ketë një fat më të mirë...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora