E enjte, 28.03.2024, 07:13 PM (GMT)

Mendime

Miftar Mehani: Reagimi kundër zjarreve

E premte, 14.09.2012, 05:58 PM


Ah, po të reagonim kundër zjarreve sikur ndaj kërkesave për përgjegjësi

Nga Miftar Mehani - Profesionist i emergjencave

Në një konferencë rajonale me temë “Menaxhimi i zjarreve për mbrojtjen e pyjeve dhe ambientit”, ndër analizat e shumta që u bënë për zjarret e ndodhura në këtë vit në rajonin tonë, me theks të veçantë në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Maqedoni, u përmend edhe çështja e dhënies së përgjegjësisë nga institucionet e vendit. Forma se si u kërkua çështja e dhënies së përgjegjësisë, gjegjësisht ndëshkimin që duhet dhënë kësaj qeverie nga qytetarët përmes votës së lirë, e bëri nervoz përfaqësuesin e institucioneve, i cili për këtë çështje ai as që deshi të diskutohej. Kërkuesi i përgjegjësisë, pjesëmarrës në debat, shprehu një qëndrim tejet parimor karshi institucioneve.

Besim Zogaj, zyrtar i Agjencisë Pyjore të Kosovës në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe  Zhvillimit rural, pjesëmarrës,  mund të kishte të drejtë që nuk donte të merrej me konstatimin e profesorit dr. Faton Berisha, se kjo qeveri do të duhej të ndëshkohej nga vota e elektoratit për këtë dëm që i është shkaktuar vendit. Është e qartë që po kërkohej një ndëshkim për mungesën e gatishmërisë së institucioneve për t’i mbrojtur resurset kombëtare nga ata që janë caktuar për menaxhimin e tyre. Për më tepër, ngase vetë zyrtari në fjalë po thoshte se në Agjencinë e tij i kanë pasur planet mbrojtëse, por është tjetër gjë realizimi i këtyre planeve. Por edhe dr. Berisha ka të drejtë që kërkon llogari për pyjet e shkrumbuara. Planet nuk bëhen për t’u dekoruar me to, por që të jenë të realizueshme teknikisht dhe financiarisht. Apo planet i bëjmë sa për t’u shfajësuar nesër para dikujt tjetër që ne dimë, mundemi por s’ia dalim se nuk po kemi mjete?!!... Apo, edhe më qartë, nuk po na japin mjete!? Ne i kemi bërë përgatitjet, por janë ata të eurove që po na e zbehin planifikimin për mbrojtje të resurseve. Dhe, me që ra fjala, të kujt janë këto resurse: të Agjencisë, të Ministrisë përkatëse, të Qeverisë apo janë pasuri kombëtare? Nëse është menaxhuar një pasuri që nuk është jotja,  vetëm sa je duke e kryer punën për të cilën je i ngarkuar, për këtë je i paguar. Nëse për mungesë menaxhimi apo menaxhim të keq e ke humbur atë resurs ose të është dëmtuar, duhet dhënë përgjegjësi para pronarit se nuk bën  ndryshe. Ç’është të menaxhuarit e një pasurie nëse nuk është mbrojtja e saj brenda atij menaxhimi? Po nëse gjenden duke prerë pyllin varfanjakët sa për ta siguruar nxehjen gjatë dimrit në pjesën e shpallur të ndaluar, i sanksiononi? Patjetër, që po! Atëherë ju që me (mos)veprimet tuaja shkatërroni me mijëra hektarë (3400 vetëm sivjet, siç e thonë vetë), a askujt nuk duhet t’i jepni përgjegjësi? Është e qartë që zjarre ka edhe në vende të tjera, edhe në rajone gjithandej. Kishte thatësi me temperatura të larta, kishte pakujdesi që nuk mund  ta zhbësh me asnjë formë të tërën. Pastaj, zjarre do të ketë edhe në të ardhmen, po puna është çka kemi bërë? Numërojini vetëm tri aktivitete konkrete vjetore që parandalojnë zjarret dhe më thoni a është më e madhe kostoja e tyre apo harxhimet vjetore të karburanteve që i ka dikasteri përgjegjës për mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare? Çështja qëndron në qasjen që kemi formuar, në radhë të parë si institucione qendrore dhe lokale, për to:

?          Nuk ka mjete financiare për parandalim të tyre;

?          Planet mbrojtëse më shumë u ngjasojnë një dyfletëshi si urdhëresë administrative;

?          Thirrjet stereotipe të qytetarëve për vetëdijesim (zakonisht post festum);

?          Harxhime më të larta në emër të aktiviteteve sesa për vetë realizimin e tyre.

Para disa ditësh në lidhje me çështjen e përgjegjësisë lexuam  këtë deklaratë për media të Ahmet Zejnullahut, kryeshefit të Agjencisë Pyjore në Kosovë: “...Gjatë kohës kur në të gjitha komunat e Kosovës ka pasur zjarre, kryetarët e tyre gjatë tërë kohës i kanë pasur të mbyllur telefonat, duke mos e pranuar përgjegjësinë për zjarret”. Si bëhet që pushteti lokal të mos i përgjigjet pushtetit qendror? A nuk po kthehemi prapë te Qeveria që duhet vënë rend e të dihet kush ha e kush pi? T’ia kthejë shpinën zjarrit ai që është përgjegjës për masat parandaluese e lëre më reaguese?!! A duket të lejohet kjo?! Në fund të fundit, përse të hapen telefonat e të merret me zjarret, kur nesër askush s’i kërkon përgjegjësi për këtë?

Në konferencën e përmendur ku thirren për të trajtuar shkencërisht çështje të rëndësishme të pasurisë kombëtare, mungojnë shumë institucione, shtëpi mediatike e individë që nuk do të duhej të mungonin. Se përse është kështu ka disa shkaqe të cilat duhen analizuar posaçërisht, porse që është një pasqyrë e mirë e sjelljeve tona të papërgjegjshme, nuk do shumë mend për ta konstatuar. Mu sikur papërgjegjësia e individëve që, të gjendur në afërsi të pyjeve, mund t’ua  japin flakën. Me ligj të gjithë kanë përgjegjësi për mbrojtje nga zjarri. Edhe individët, edhe institucionet.

Në shumë komunikata lexohet për dyshimet në zjarr-vënie të qëllimshme, e  me të cilat raste janë duke u marrë policia. Formulime të tilla, të lëshuara nga organet e rendit, më tepër më duken justifikim, sesa kontribut real në mbrojtjen nga zjarret: të dyshojmë jemi ne, popullata; organet e rendit duhet t’i kapin të pandërgjegjshmit, piromanët. Profesor dr. Kudusi Lama i quajti të papërgjegjshme deklaratat e shumta të lëshuara nga institucione të ndryshme për situatën me zjarret.

Debati  në këtë konferencë mbaroi me opinionet dhe pyetjet e bëra nga të pranishmit, të cilat ishin tejet konstruktive dhe ç’është më e rëndësishmja prekën esencën e problematikës: menaxhimin e zjarreve.

Dr. Faton Berisha nuk e kërkoi përgjegjësinë e askujt, as të qeverisë, as të pushteteve apo udhëheqësve lokalë që ia kthejnë shpinën zjarreve; ai mbase e di mirë që përgjegjësia te ne rri vetëm në fjalor, përgjegjësinë ne nuk e vëmë në funksion fare, andaj ai këtë problem e barti në ditën e zgjedhjeve. Athua, e mbajmë në mend deri atëherë? Do të shuhen zjarret, se bien temperaturat, lindin telashe të tjera të reja dhe ne nuk do të kujtohemi...

Në dalje të konferencës një kolegu im më tha: kishte edhe shumëçka të thuhej! Po ti, e pyeta, kishe për të thënë gjë? Po, - ma ktheu. Po, mirë, ruaje për vitin e ardhëm, se njëjtë do ta kemi, - ia ktheva!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora