E enjte, 25.04.2024, 08:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Vlera të përjetshme letrare

E enjte, 13.09.2012, 07:46 PM


DISKURS LIRIK ME VLERA TË PËRJETSHME LETRARE

(Ramiz Kuqi, Heshtje biblike, Bukuresht, Amanda Edit, 2012)

Ramiz Kuqi është poeti i stinëve, poeti i dhembjes, misionar i mallit dhe nostalgjisë, poeti i detit dhe i valëve të fjalëve. Poeti sipas autorit është “engjëlli i natës”. Një natë e mrekullueshme dhe e yjëzuar: “Fle qetë ëngjëll nate/ Të kërkoj  kur të shoh/ Trokas atje/ Ku shpirti dhemb/ Fle e qetë/ Sonte nata ka hyrë/ Në unazë/ Një zë i heshtur përpëlitet/ Mes dy zjarresh/ Njëqind vjet/ Një ëndërr atdheu kam”.

Nga Baki Ymeri

Ekziston një lloj heshtje mistike që është një element parësor, paqësor dhe miqësor, një kushtrim i pazëshëm që e mban fjalën dhe peshën e saj, që nga koha antike e deri në zemrën e Dardanisë biblike. Ramiz Kuqi vjen para nesh me një diskurs të mirëfilltë lirik që i anashkalojnë portat e heshtjes dhe gulçimin e saj. Poezia në këtë konteskt shndërrohet në një urë të shëndetshme për fisnikërimin e fjalës. Zëri i vargut të tij është zëri i një pëshpëritje e ëmbël që krijon admirim, josh kuriozitet dhe i hap portat e shpirtit e të mëndjes. Mesazhi është i qartë si ujërat e kristalta të Sharrit: „Zgjohu moj ditë/ Dita po ikën/ Edhe sot/ Prek rrezet e diellit/ Shtrihu mbi barin e njomë/ Erëra jargovanësh/ Në çdo varg/ Mos hyn tinëzisht/ Në dritaren e fjalës/ Zgjohu/ Ëndrra s'i ka dy faqe/ Buzëqesh si di vetë/ Në rasën thirrore/ Zgjohu/ Unë rri zgjuar! (Mesazh).

Autori kaherë e ka braktisur moshën e adoleshencës letrare duke dëshmuar maturi, bindshmëri, sinqeritet dhe pjekuri. Sipas Faik Shkodrës, vargjet e tij ”na dalin të ngjeshura në ide dhe mendime të peshuara” cilësi me të cilat ”poezia e Ramizit ruan tiparet e një poezie që flet për dashurinë ndaj atdheut, lirisë, ndaj së mirës dhe ndaj kohës dhe për kohën që i lindi këto poezi.” Ai e përjeton kohën si një eveniment/ngjarje shpirtërore, që të detyron të dalish në log të mejdanit me vlera dokumentare. Pjesa dërmuese e poezive janë të shkruara në Osllo të Norvegjisë, por në to defilojnë ëndrrat, shungullimat, jehonat dhe trokitjet e zemrës shqiptare. Secila germë ”Rrokulliset si ortek bore/ Ishte a s’ishte një stinë/ U futën në thonjza/ Fjalët e bukura grishjet/ I mori era/ I shkuli me rrënjë?/ Zot/ S’i  të besoj më!/ Isha në ëndërr?” Vepra është ajo që e mbron dhe ruan autorin në hipostazën e tij të përjetshme, ngase vepra, sipas një poeteshe të huaj, është një ”dëshmi e mahnitshme e pjesëmarrjes plenare në mrekullinë e ekzistencës.” Që nga ajo kohë, krijuesi është në universin e ekzistencës që e krijon vetë, me vlera reale, objektive dhe subjektive, që e bëjnë të pavdekshëm.

Ramiz Kuqi është poet i dhembjes dhe dashurisë, një misionar i interpretimit të rrugës së tij në letërsi e jetë. Ai është i implikuar shpirtërisht për përshkrimin e ngjarjeve të jetës si një aventurë e shkrimit, çdo varg i tij duke patur një kuptim të veçantë. ”Portë dhembjesh është jeta” sipas tij, kur me ethe e mështjell vetminë. Nuk është as nga Shipkovica e autorit të këtij shkrimi, as nga Boboshtica e Viktor Eftimiut, dhe as nga Drenica e Adem Jasharit. Ramiz Kuqi vjen në faqet e bekuara të letërsisë nga Kaçaniku i Skënderbeut të Karadakut (Idriz Seferi), atje ku ”portë malli është jeta”, derisa ti ”bëhesh hi”, në qiellin tënd. Autori nuk ka frikë, as nga varfëria dhe as nga vdekja, sepse ”poetët janë të pagjumë”, ”lajmëtarë të agimeve të bardha”, që hirin e përpushin me fjalë, duke u ngjitur në qiell, duke u fshehur mes reshë. Sipas Agim Vincës, ”nga pikëpamja e konceptit krijues, kjo poezi sillet mes lirikës si ditar intim i poetit dhe poezisë, si vetëdije e ekzistencës kolektive.”

Janë përfshirë në këtë vëllim poemash selektive, principe dhe norma të jetës, metafora e trope dhe figura tjera stilistike që e anashkalojnë sentimentalizmin dhe nostalgjinë, rimën klasike dhe monotoninë. Poeti shkruan për këtë tokë, ”ku shekujt grinden”, ku ”Gjyshi mori shenjë në gur/ Gjyshja më thuri çorapë leshi/ Nga dashi ogiç/ Që printe në ballë të kolonës“, ku ”Retë të iknin nga qielli/ Muret bënin veshë/ Rrugët kishin sy”, ku ”Kufiri/ Ruhej me gjemba/ Për një fjalë e flamur/ Në gojë të Goli Otokut/ Kur u linda/ Gjyshi mori shenjë në gur”. Ramiz Kuqi është poet i kohës, ku ”Njerëzit janë zhytur/ Në strofuj kujtimesh”, duke depërtuar në botën e fjalëve që ëndërrojnë një jetë të qetë, duke dëshmuar se shqiptari ka energji krijuese, dhe nuk bëhet aq lehtë pre e defetizmit jetik apo fanatizmit fetar. Pse? Sepse kjo tokë, sipas tij, në çdo pore të saj ka gjak brezash, kur poeti bëhet zogu i natës, për zbutjen e dhembjeve të botës.

Ramiz Kuqi është poeti i stinëve, poeti i dhembjes, misionar i mallit dhe nostalgjisë, poeti i detit dhe i valëve të fjalëve. Poeti sipas autorit është “engjëlli i natës”. Një natë e mrekullueshme dhe e yjëzuar: “Fle qetë ëngjëll nate/ Të kërkoj  kur të shoh/ Trokas atje/ Ku shpirti dhemb/ Fle e qetë/ Sonte nata ka hyrë/ Në unazë/ Një zë i heshtur përpëlitet/ Mes dy zjarresh/ Njëqind vjet/ Një ëndërr atdheu kam”. Përfundimisht mund të themi se, nga të gjitha ngjarjet e jetës, momenti më magjepsës është lindja e poetit, sepse atëherë, paralelisht me lindjen e fjalës, zanat zbresin në tokë, për ta rrumbullakësuar përrallën e shpirtit, të shndërruar në një botë yjesh për lumturimin e botës. Fjala e frymëzuar e poetit ta përkujton moshën e fëmijërisë me dimensione homerike të një kohe të qetë, si një hyrje e dalje nga një parajsë e humbur, diku, në brigjet e fshatit, ku ka lindur përjetësia.

BIBLIOGRAFI

Ramiz Kuqi u lind në fshatin Kotlinë të Kaçanikut. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe Kaçanik, të mesmen në Ferizaj, kurse Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Shkup dhe në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar në Gjimnazin "Skenderbeu" në Kaçanik për vite të tëra. Nga viti 2005-2010 ka qenë drejtor i Kolegjit "Aga Xhite" dhe bashkëpunëtor në universitetin privat "Universum" në Ferizaj. Është magjistër i Letërsisë dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.  Bëlbëzimet e para poetike i ka bërë si student. Poezinë e parë "Një natë" e ka botuar në revistën letrare "Jeta e re", në Prishtinë (1977). Ka bashkëpunuar me shumë gazeta dhe revista letrare në Kosovë dhe në Maqedoni.  Ka botuar vëllimet me poezi "Degë e ndarë", "Rilindja", 1997, "Asnjë zog", "Rozafa", 2000, Prishtinë, "Një copë diell", "Rozafa", Prishtinë, 2006, "Atdheu, metaforë e dhembjes", Prishtinë, 2012. “Heshtje biblike”  (shqip-rumanisht), është libri i pestë i tij që e sheh dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë. Në botim e sipër është edhe monografia "Aspekte të krijimtarisë letrare të Ndre Mjedjes", punim i magjistarturës. Është prezent në antologjinë “Zjarr i pashuar” (grup autorësh), Amanda Edit, Bukuresht 2012. Shkruan herë pas here vështrime për autorë dhe vepra letrare.  Nga viti 2010 jeton dhe krijon në Oslo të Norvegjisë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora