E premte, 19.04.2024, 08:56 AM (GMT+1)

Editorial

Edgar Frashëri: Shqipëria jashtë Evropës edhe për shkak të gjakmarrjes

E enjte, 13.09.2012, 06:31 PM


Shqipëria jashtë Evropës edhe për shkak të gjakmarrjes.

Nga Edgar Frashëri

Në fillimet e viteve nëntëdhjetë, bile para se të përmbysej sistemi dhe kur ai ishte në grahmën e fundit të një falimenti që zgjati një dekadë, në Shqipëri u duken  afaristët e parë të thirrur nga shteti socialist, si përpjekje  e dëshpëruar të shpëtonin anijen që po mbytej. Pra erdhën lloj lloj fytyrash të cilët sillnin përvojat personale nga një botë të cilën ne e kishim sikterisur për gati gjysëm shekulli dhe që tani i ketheshim si varkë shpëtimi. Ndërmjet emrash  si  ai i Hajdin Sejdisë, e te tjerë të pa dëgjuar, më kujtohet që erdhi edhe një personazh me origjinë kosovare që jetonte në New York, i cili lehtësisht takoi edhe anëtarët e qeverisë së fundit moniste, për të dhënë këshilla se si duhej dalë nga kriza e stërzgjatur. Pa u futur në hollësitë e ngjarjes, në shërbim të temës që trajtoj, ky personazh, ndërmjet të tjerash solli në kujtesë një fenomen të cilit i ishte shuar emri për gati gjysëm shekulli; atë të gjakmarrjes. Porosia ishte sa e pergjithëshme aqë dhe specifike: Ruhuni se mos ndizni gjakmarrjen se do tju sikterisë ajo botë nga e cila unë vij.

Thënja e tij në atë kohë dukej se ra në vesh të shurdhër sepse kuptohej që Shqipëria kishte të tjera problem reale të mprehta, por ato, sot mund të them se kanë qënë gati profetike, Fatkeqësia është se edhe tani mbas dy dekadash qeverisjeje të zgjedhur nga populli, fenomeni i gjakmarrjes duket sikur i takon një kohe tjetër dhe jo realitet të mprehtë të ditëve tona. Personalisht në fillimet e viteve nëntëdhjetë kam pasur mendimin qe gjakmarrja ne Shqipëri ishte zdukur mbas nje periudhe të gjatë gjysëm shekullore ndalimi nga regjimi komunist. Rezulton që kjo ka qënë vetëm një dëshirë, e pa bazuar ne vlerësime realiste dhe të argumentura të fenomeneve social-politike që morën rrugë në atë kohë në Shqipëri. Bile në një farë mënyre jam ndjerë mirë, kur shqiptarët e vëndit tim, nuk ranë pre e hakmarrjeve të ngjizura nga dhuna gjysëm shekullore e ushtruar brutalisht nga një pjesë e popullsisë ndaj pjesës tjetër, gjë që mund të ishte e pranueshme. Me të tillë optimizmi naiv kam debatuar dhe kundershtuar nje mikun tim në SHBA profesor universiteti në Kaliforni,në atë kohë ndërsa ai ngulmonte se ne do ti ktheheshim përsëri gjakmarrjes.

Faktet fatkeqësisht vërtetojne se sa të bazuara ishin dyshimet e atëherëshme. Sot ne mbajmë rekordin besoj të të vrarëve dhe të ngujuarve për arësye gjakmarrje jo vetëm për rajonin ( ndoshta vetëm ne Kosove është vepruese) por edhe ndaj atyre vendeve në botë ku ky fenomen primitive mesjetar ende mbahet gjalle për motive të ndryshme. Vetë nuk jam studjues i fenomenit. Fatmirësisht kam një kopje origjinale të Kanunit të Lekë Dukagjinit nga At Shtjefen Gjecovi, te cilin e kam lexuar disa herë dhe vetëm kaq. Por jam i ndejeshëm se si dhe për cfarë arësye u ringjall ky Kanun I cili duhej ti përkiste vetëm muzeut dhe historisë.

Kur u rrëzua sistemi komunist në Shqipëri, te parët që menduan për mbijetesën në një sistem të ri, ishin pikërisht vetë komunistët, të cilët kishin të drejtë të dridheshin për të ardhmen e tyre, kur mendonin se cfarë kishin punuar në periudhën e gjatë të sundimit të tyre. Pa qënë nevoja të ripërsëris ato që janë thënë e stërthënë për këtë konvertim, kur menjëhere u hoq lëkura e ujkut dhe u vesh ajo e qinjgjit, dhe në vallen e pushtetit u futën si viktimat dhe persekutorët krah për krah. Kjo u quajt demokraci. Tani vazhdojmë qetesisht në të njëjtën rruge. Por si erdhi Kanuni në fushë betejë?-lind pyetja. Them fushë betejë sepse për këtë qëllim është përdorur. Kripto komunistët menjëherë  kuptuan se nuk mund te riktheheshin ose të mbanin pushtetin tashma si dikur me 99.99 %  por me zgjedhje të lira ( qofshin edhe të vjedhura) dhe me përqindje shumë më pak por që fatin e vendosnin numurat. Pikërisht për të rregulluar numurat rifilloi periudha e tranzicionit të cilën ne një shkrim e kam quajtur Tranzicioni në Shqipëri si “Revansh krahinor” i rradhës pas të cilit filloi fluksi i lëvizjes demografike pa rregulla e ligjësi i Veriut drejt Qendrës se Shqipërisë. Në këtë cast u thirr edhe Kanuni për “ndihmë”. Lidershipi i Partisë Demokratike, per medjelehtësi ose dhe dashakeqësi, këtë nuk e kam qartë të përcaktuar, ringjalli pjesë te Kanunit sic ishte “besa e dhënë” për të mbledhur rreth vehtes numurat që vinin nga Veriu, ku ishte dhe djepi i këtij ligji mesjetar, dhe për ti përdorur pastaj në fushata elektorale, mercenarë dhune, mbushës administrate, përfitues privilegjesh të pamerituara te paligjëshme e si këto. Pra në këtë mënyrë forca politike në pushtet i dha “status ligjor”  Kanunit.

Kanuni tani vepron për inerci, jashtë kontrollit dhe në mënyrë të parikthyeshme. Asnjë forcë politike në vënd nuk ka tentuar deri më sot dhe ka gjasë se nuk ka për ta bërë këtë gjë, që Kanuni të kthehet në muze. Këtu ka më shumë dashakeqësi sesa papërgjegjshmëri. Atëhere pse Kanuni vazhdon të bëjë kërdinë në formë bile edhe të shëmtuar e të shfytyruar krahasuar me origjinalin, edhe tani mbas dy dekadash, kur jemi anëtarë të strukturave të botës së qytetëruar dhe shpresojmë të bëhemi pjesë e familjes së madhe Evropiane, ku gjakmarrja lexohet vetëm në Wikipedia?

Sepse politika shqiptare që tashma e ka vërtetuar botërisht që është shumë e paskrupullt, në terma afatshkurtër e keqpërdor fenomenin për qëllime të mbrapshta elektorale duke mbajtur të ndezur një konflikt të cilit  mbase i jepet padrejtësisht edhe ngjyrim social ose politik, për të ushtruar presion ndaj shtresash të ndryshme të popullsisë.  Në termin afatgjatë politika shqiptare punon nën rrogoz që ne të mos i bashkohemi familjes evropiane, sepse kjo do të ishte humbje privilegjesh, pushteti, pasurish të pakontrolluara dhe në fund edhe dënim për mëkatet e bëra. Ky sinjal duhet te jete dërguar pa zë por fare qartë nga Evropa në adresë  të atyre që kanë pushtetin dhe bëjnë ligjin në Shqipëri, se nuk mund të pranohemi në familjen e bashkuar evropiane me një inventar prej rreth 170 vrasjes te pandeshkuara nga ligji vetëm këto dy vitet e fundit si dhe rreth 1400 familje te ngujuara për gjakmarrje, edhe sikur të kemi bërë mirë 12 porositë e tyre.   Ishte mjaft interesant permendja e këtij fakti në një nga gazetat më të mëdha të SHBA, “USA Today”, në artikullin e datës 30 Korrik 2012 nga Nadia Shira Cohen ku jo në mënyrë te rastësishme trajtohej gjakmarrja në Shqipëri dhe pasojat e saj. Gjakmarrja duhet të jetë një nga provat dëshmitare se jemi ende larg nga bërja e shtetit. Mefshtësia e popullit dhe pafytyrësia e kastës politike bëjnë që me gjakmarrje të ulur këmbëkryq, sot në situatën aktuale të harxhohet frymë, energji, resurse të humbura në kujtim të 100 vjetorit të nje shteti që ende realisht nuk e kemi bërë! Kjo është hipokrizi tipike në një popull lehtësisht te manipuluar dhe trushpëlare, të cilit i ka humbur zëri. Aqë i paskrupullt është qëndrimi i shtetit ndaj këtij fenomeni saqë, kur Ministria e Arsimit (Shteti, Qeveria) deklaron me mburrje se do të dërgojë dy herë në javë mësuesë në shtepitë e fëmijëve të ngujuar, dhe harron se me këtë akt zyrtar konfirmon se vetë shteti i ve vulen e tij fenomenit dhe mosdashjes për ta zgjidhur atë. Ky është dështim i ligjëruar dhe cinizëm i pakufi nga ana e shtetit shqiptar ndaj kësaj cfaqje te urryer. Jo rastësisht nuk përmënda këtu përgjegjësitë që bien mbi pjesët e tjera të shtetit, si Gjyqësori dhe Legjislativi, te cilët janë tërësisht nën kontrollin e pushtetit Ekzekutiv, sepse edhe këta nuk kanë dhënë ndonjëherë llogari për moskryerjen e funksioneve të veta. Parlamenti asnjëherë nuk ka marre mundimin ta analizoje fenomenin deri më sot dhe të nxjerrë përgjegjësitë.

Shqipëria vazhdon të jetë vënd i paradokseve e kontradiktave. Për një mesazh kërcënues në celular të një deputeti ngrihet tërë sistemi dhe jep dënim ne miliona lekë ndaj dhunuesit, dhe nga ana tjetër nuk  luan të bëjë drejtësi ndaj familjeve ose personave (edhe femijeve!!!) të ngujuar të cilët realisht janë të kërcënuar me status ligjërisht të konfirmuar nga vetë shteti. Mos vallë nuk vepron se ka frikë… por nga kush? Ky shtet me te njëjtët njerëz që e kanë uzurpuar atë, ka mbajtur lehtësisht të shtypur të njëjtin popull i cili sot mburret se ka një histori të pasur 100 vjecare trimërish  ndaj armiqve rreth e rrotull dhe harron që nuk e ka luajtur gishtin për gjysmë shekulli ndaj një diktatori, që tani për konfromitet duket se e kanë braktisur edhe ithtarët e tij. Një shtet sado i pafuqishëm të jetë në dukje, po ti  mbushet mëndja, individin e shtyp si mizë. Shembuj të mos veprimit të shtetit ndaj gjakmarrjes ka pambarim.

Përfundimisht dhe me shumë dëshpërim mund të them se shteti shqiptar ende eshte  primitiv dhe i pakultivuar, pavarësisht nga fasada, për sa kohë që gjakmarrja do ta shtojë rradhët e të vdekurve dhe të ngujuarve. Si i tille, i ka te gjitha shanset të qëndrojë për goxha kohë të gjatë jashtë Evropes se civilizuar.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora