E enjte, 18.04.2024, 06:58 PM (GMT+1)

Editorial

Shefqet Dibrani: QIK - Është katandisur

E diele, 13.04.2008, 07:58 PM


LETËR PUBLIKE

QIK-u ËSHTË KATANDISUR

Shkruan: Shefqet DIBRANI*

Shefqet Dibrani
Më 21 mars 1999 pata trajtuar  temën "QIK-u NË SHËNJESTËR", ku pata qitur në pah parandjenjën për një gjë tragjike që do të ndodhte kundër QIK-ut. Me të vërtetë ashtu ndodhi sepse vetëm dy ditë më pas ndodhi më e keqja, kurse një e keqe shumë më e madhe kundër kësaj qendre pat ndodhur nja dy muaj më parë kur ia pushkatuan drejtorin e saj gazetarin dhe publicistin e shquar Enver Malokun.

Herën e dytë kam shkruar më 20 tetor 2001, me analizën “QIK-u NË PËRSPEKTIVË” kam shprehë bindjen se për këtë qendër informative kanë ardhur ditë të reja, pasi aty patën filluar disa ndryshime që më inkurajuan të shkruaja, ngase doja e dëshiroja një përparim të QIK-ut si një qendër me përmasa nacionale.

Tash pas gati tetë vjetësh detyrohem ti bëjë publike zhgënjimet e mia, dhe jo vetëm të mijat, pasi QIK-u jua ka mbyllur derën të gjithë veprimtarive lokale të LDK-së dhe të gjithë bashkëpunëtorëve e veprimtarëve të saj. Kjo armiqësi e pashembullt është treguar sidomos kundër atyre veprimtarëve (të cilët janë edhe krijues) që kurrë nuk gabuan dhe me stoicizëm i kanë sfiduar të gjitha periudhat e errëta që kaloi Kosova, e sidomos Lidhja Demokratike e Kosovës, që ishte themeluese e kësaj qendre, që mban edhe sot barrën e financimit dhe që i ka rezervuar edhe ashtu lokalet e veta tepër të ngushta.

Unë skam asnjë inati personal me drejtuesit e QIK-ut, e as të LDK-së, sepse proceset i shohë në një prizëm tjetër, por sjelljet dhe qëndrimet e drejtuesve të tyre janë irrituese dhe të papranueshme. Me këtë politikë të ngathtë, me këtë anomali që po zgjat prej sa vitesh drejtuesit e saj është dashur që moti të pensionohen ngase i kanë larguar të gjithë bashkëpunëtorët dhe i kanë irrituar pothuajse të gjithë lexuesit e saj, ndonëse për nostalgji secili anëtar dhe veprimtar i LDK-së bënë qasje në te por vazhdimisht ndeshet në përbuzje, në neglizhencë profesionale, në trysni komunistësh që tashmë u ka dal boja, sepse injorim kaq të skajshëm që bëjnë drejtuesit e kësaj qendre është i papranueshëm dhe profesionalisht dhe politikisht i destinuar të dështojnë ashtu sikurse që nuk kanë arritur të sigurojnë as pesë reklama të firmave të ndryshme, ata nuk i kanë ruajtur e siguruar as pesë bashkëpunëtor, dhe nuk kanë asnjë analist të saj, e madje, madje edhe ata që kanë dashur të gjallërojnë dhe ta përparojnë QIK-un i kanë irrituar dhe nënçmuar deri sa i kanë detyruar që të largohen. Drejtuesit e QIK-ut vazhdimisht i kanë injoruar shkrimet e tyre, nuk i kanë publikuar në faqet e QIK-ut. Por për çudi vazhdimisht janë përpjekur të mbushin këtë vakum me emra të panjohur e madje edhe me emra anonim.

Për të qen sa më konkret jam i shtrënguar t’i paraqes disa nga faktet e mia personale, për të parë lexuesi, e sidomos udhëheqja qendrore e LDK-së se çfarë torturash dhe çfarë injorimi është bërë kundër meje si veprimtar, poet, dhe analist i zhvillimeve politike në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Analizat e mia kurrë s’kanë pas vend të përhershëm në dritaren e QIK-ut, kurse  drejtuesit e saj as qëndrim profesional dhe qytetar. Nuk e di pse ka ndodhur dhe pse vazhdimisht po ndodh kundër meje. Por më duket se dikush vazhdimisht ka kujdestaruar, dhe vazhdimisht i kanë bllokuar shkrimet informative, kulturore dhe analizat politike. Madje shpeshherë i kanë sakatuar me përmasa tragjike.

Nuk mund t’i përmend të gjitha padrejtit që janë bërë kundër meje, dhe shumë veprimtarëve të tjerë, por mund t’ua them disa: Nga data 1. 11. 2004 e deri më 31. 12. 2005, një herë në javë ia kam dërguar QIK-ut dhe disa nga anëtarëve të kryesisë së LDK-së në Prishtinë koment që i shkruaja për gazetën Illyria që botohet në Nju Jork. Ato analiza janë të strukturuara në njësi tematike të ndryshme dhe secili shkrim përbëhet prej 3 – 5 njësive të tilla, ku për 62 javë sa e kam mbajtur këtë rubrikë janë shkruar mbi 200 njësi të ndryshme  tematike të cilat kjo qendër nuk e pa të arsyeshme asnjërën syresh ta publikoj. Se për çfarë analizash, dhe sidomos për çfarë kritikash bëhet fjalë, jo vetëm atyre që ua kam dërguar, por secili qytetar mund t’i gjej në libraritë dhe pikat e shitjes anë e kënd Kosovës, ngase Sh. B. “Faik Konica” e Prishtinës i pat botuar si libra më vete “Zhgënjimi ballkanik 1” (2005), dhe “Zhgënjimi ballkanik 2” (2006).

Tash rubrika e “Opinioneve” arnohet me emra anonim, me autor fillestar si dhe me pak emra që pak a shumë janë të njohur por që kurrë s’kanë qen veprimtar dhe anëtar të LDK-së. Shtrohet pyetja pse po ndodh prej kaq e kaq vitesh kështu dhe ku është thelbi i inatit kaq hakmarrës ndaj emrit dhe personalitetit tim në njërën anë, dhe në anën tjetër kundër të gjithë atyre që kanë bërë shumë për LDK-në dhe Kosovën, prandaj po pyes publikisht ku është qëllimi i marrëzisë kundër LDK-së dhe Kosovës përgjithësisht, sepse në këtë qendër informacionet botohen me aq vonesë sa nuk ia vlen t’i lexosh më fare. Ta zëmë letra e Kryetarit të Francës Sarkoz, që ia drejton Presidentit Sejdiu me rastin e njohjes së Pavarësisë së Kosovës më parë është publikuar në të gjitha mjetet e informacionit publik, internet, radio e televizione si dhe herët në mëngjes edhe nëpër gazeta) dhe vetëm pas orës 11.00, diku pas 24 orësh është publikuar edhe në këtë qendër. Këso marifetesh kemi në vazhdim dhe me bollëk, kurse për veprimtaritë e shumta që i bëjnë degët, nëndegët dhe veprimtarët e LDK-së anë e kënd Kosovës as që mund të gjejmë që prej sa kohësh ndonjë fjalë të vetme. Kurse për aktivitetet e shumta që bëhen kudo në botë nga Degët dhe nëndegët e LDK-së as që mund të diskutojmë.

Në këtë qendër informative që i ka pasur të gjitha mundësit të bëhej një qendër nacionale duhet të nisin ndryshimet demokratike dhe rrënjësisht të ndryshohet koncepti i punës dhe qasjeve të të gjitha zhvillimeve në Kosovë dhe jo kështu siç po ndodhë që prej sa vitesh. Tashmë dihet se QIK-u është katandisur nga dy-tre pensioner, me dije e veprime të ngathëta të cilët nuk botojnë qoftë edhe një lajm kulturor për ndonjërin nga veprimtarët e LDK-së.

Më duket se më shumë kanë punuar për ta zvetënuar qëndrim militant dhe të papërkulur, siç është rasti me mua, me krijimet e mia, me librat e shumtë që nuk kanë zënë kurrë vend në dritaren e QIK-ut, dhe të gjitha përpjekjet e mia që nga themelimi i LDK-së e gjerë në ditët e sotme sikurse dëshirojnë ti mohojnë dhe prolongojnë pa asnjë arsye.

Për çudi të të gjithave edhe QIK-u ka mbajtur një qëndrim armiqësor, ashtu siç ka mbajtur edhe gazeta “Bota sot”, si dhe kryesia qendrore e LDK-së ndaj një gjykimi maratonik, kundër veprimtarit të njohur të LDK-së, që u zhvillua për 5 vjet radhazi në gjykatën e Qarkut në Cyrih të Zvicrës, ku shkas ishte Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Degës së LDK-së në Zvicër, kurse kryesia e Degës së LDK-së, kryesia Qendrore e LDK-së në Prishtinë, redaksia e gazetës “Bota sot” si dhe Qendra për Informim e Kosovës (QIK) edhe pse ishin mirë të informuar nuk e kanë thënë asnjë fjalë as në mbledhjet e tyre ku viktima e këtij procesi ishte anëtar i kryesisë së LDK-së. Madje nuk është shkruar asnjë rresht në procesverbalet e tyre, edhe pse veprimtarët dhe anëtarët e kryesisë së kësaj dege kanë qenë dëshmitar të drejtpërdrejt në seancat e gjata dhe maratonike të këtij procesi gjyqësor i cili për pesë vite është zhvilluar në Zvicër. Madje për çudi të të gjithave nuk e ka shkruar as edhe një fjalë të vetme edhe  gazeta “Bota sot”, ku u nis sherri, kurse gazetarët e saj dhe vet botuesi Xhevdet Mazrekaj kanë qenë po ashtu dëshmitar të drejtpërdrejt të këtij procesi. Këto injorime dhe këto trysni kundër personaliteteve të shumta të LDK-së janë bërë përditshmëri e injorimit kundër shumë e shumë krijuesve dhe veprimtarëve të LDK-së, dhe nuk qojnë peshë fare, por enigma pse nuk e tha asnjë fjalë as QIK-u dhe as gazeta “Bota sot” mbetet e pazgjedhur. Në anën tjetër për të gjitha proceset gjyqësore që janë mbajtur kundër gazetës “Bota sot” e ku ajo ka dështuar është quar aq pluhur dhe është bërë bujë me pompozitet të madh, kurse një procesi që u mbajt para hundëve të tyre nuk iu kushtua qoftë edhe një fjalë, ndonëse përfundimi ishte tejet pozitiv dhe lumturues për viktimën e kampanjës së shërbimeve serbe që bënin “diplomaci të fshehur” edhe në Zvicrën e praruar dhe të përsosur me drejtësi dhe demokraci praktike.

Më shumë se kushdo tjetër këtë embargo është dashur ta thyejë  QIK-u por as kjo nuk ndodhi, dhe nuk do të ndodh kurrë sepse drejtuesit e saj nuk mund t’i durojnë kritikat që kanë mundur të ndodhin në adresë të tyre, sigurisht reformat dhe demokracinë ata e kuptojnë duke iu bërë temena mendjes së tyre tashmë të plakur dhe të demoluar nga faktori kohë. Kritikat kundër tyre nuk mund ti durojnë as kryesia e LDK-së në Prishtinë kur atyre u bëhen për anomalit e shumta, për neglizhencën dhe për paaftësinë e theksuar në menaxhimin, drejtimin dhe zhvillimin e pikëpamjeve dhe veprimtarive të shumta të cilat duhet t’u nënshtrohen reformave dhe ndryshimeve të mëdha, qoftë në qasje a përmbajtje nëse dëshirojnë që kjo qendër të ketë primatin dhe besueshmërinë që e pat dikur, në kohën kur aty punonte Enver Malokut.

Si autor i më se dhjetë veprave në fusha të ndryshme, (poezi, kritikë letrare dhe analiza politike), si veprimtar shumëvjeçar dhe si njohës i mirë i zhvillimeve politike në Kosovë, me theks të veçantë i proceseve politike brenda LDK-së dua të deklaroj se çdo gjë e kam bërë me ndërgjegje dhe vetëdije të lartë, dhe jam i sigurt se deri më tash asnjëherë s’kam bërë ndonjë veprim që më shtyn me u penduar. Prandaj deklaroj publikisht se nuk do të mund të përballet askush me ndonjë fakt, qofshin këta drejtuesit e QIK-ut, të kryesisë qendrore të LDK-së, por nuk do të mundet askush as nga politikanët e shumtë që kanë braktisur LDK-në, sikurse as kryesitë e LDK-së dhe të LDD, pjellë e së cilës është kjo e fundit, madje, madje as anëtarësia e gjerë që më njohin më mirë, syrit të të cilëve nuk kam mundur t’u fshihem, nuk do ta gjejnë asnjë fakt, asnjë veprim që do të më detyronte të skuqem a që do të më bënte të ndjehem keq.

Përkundrazi unë ndihem krenar për punën time që kam bërë, ndihem krenar për qëndrimet politike që kam mbajtur, po më shumë ndihem shumë krenar për shkrimet letrare (poezitë, poemat, për kritikat e shumta letrare), që ua kam dedikuar veprimtarëve të LDK-së, dhe dëshmorëve të shumtë anë e këndë Kosovës, e veçmas ndihem krenar për ato që ia kam kushtuar Presidentit Historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës të cilat ose nuk zunë vend, ose u shëmtuan në prezantimet publike që ua ka bërë QIK-u.

Prandaj thirrja ime “mjaftë me këtë inkuizicion bolshevik”, le të kuptohet si thirrje morale për t’u vetëdijesuar, për t’u këndellur dhe për të dal nga latergjia që ka pllakosur mendjen e drejtuesve të kësaj Qendre Informative Kombëtare, dhe qe pesa edhe të mjaftë personazheve të tjera që do të trajtohen herëve të tjera.

St. Gallen / Zvicër, 13 prill 2008.

*Autori është veprimtar, poet dhe publicist i njohur, që jeton në Zvicër. Autor i 9 librave të publikuar, (poezi, kritikë letrare dhe komente politike). Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Zvicër dhe anëtar i mjaftë asociacioneve të tjera kulturore, si dhe që nga fillimi veprimtar dhe aktivist i njohur i LDK-së Dega në Zvicër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora