E enjte, 28.03.2024, 11:53 PM (GMT)

Speciale

Sabile Basha: Procesi gjyqësor ndaj grupit ilegal ''Grupi i Lidhjes së Prizrenit'' më 1950

E merkure, 12.09.2012, 04:55 PM


PROCESI GJYQËSOR NDAJ GRUPIT ILEGAL “GRUPI I LIDHJES SË PRIZRENIT” MË 1950

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-BASHA

Duhet theksuar se edhe pas përfundimit të LDB, organizatat ilegale të cilat filluan të vepronin në Kosovë karakterizohen me programet e tyre që kryesisht kishin mbështetje në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Patjetër duhet përmendur ONDSH-në, e cila vepronte në Kosovë dhe në pjesën Lindore të Maqedonisë, dhe kryesisht ishte e përcaktuar për luftë të armatosur kundër robërisë së re jugosllave dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet. Organizata udhëhiqte një politik kombëtare e demokratike pro-perëndimore, dhe kryesisht udhëhiqej nga patriot dhe intelektual të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahiu, Selman Riza, Gjon Serreqi e shumë të tjerë. Programi i saj ishte i përbërë prej pesë pikave të cilat kryekëput përputheshin me pikat e LSHP.

Menjëherë pas zbulimit dhe arrestimeve të anëtarëve të organizatës së NDSH-së (1947), në Kosovë filloi të riorganizohej dhe të konsolidohej Lëvizja ilegale gjithë andej ku jetonin shqiptarët. Por, ndodhte edhe kjo, kur shumë organizata të sapo formuara, edhe pse kishin programin e LNDSH-së, ato filluan të pagëzoheshin me emra të tjerë. Bile për të qenë sa më besnike ndaj kërkesave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në disa pjesë të Kosovës e Dukagjinit, organizatat i pagëzuan me të njëjtin emër.

Procesi gjyqësor i mbajtur me 24, 25 dhe 26 korrik të vitit 1950, dëshmonte të dhënën për ndikimin e madh të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tek populli i cili padrejtësisht kishte ngelur nën okupimin Serb e Jugosllav. Në bazë të këtyre dokumenteve, vijmë deri te të dhënat shumë me rëndësi dhe me interes për historinë më të re të popullit shqiptar që deri më 1999 luftoi për të drejtat e veta elementare njerëzore e kombëtare.

Vazhdimisht, duke iu referuar dokumenteve të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, thuhej se Organizata “Lidhja e Prizrenit”, ishte formuar diku në muajt e verës të vitit 1949, nga anëtarë të pjekur politikisht dhe që të gjithë ishin atdhetar të shquar dhe që kishin eksperiencë të bollshme politike. Bile, disa nga anëtarët e organizatës qysh më herët kishin qenë anëtarë të një organizate ilegale që kishte vepruar më herët (1945-1947), në Prizren. Organizata në fjalë, programin e vet e kishte bazuar kryekëput në kërkesat e LSHP, që për bazë kishin të vërtetën historike, të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e vet, dhe në parimet e demokracive perëndimore.

Siç e thamë më lart, organizata ishte formua me 1949, ndërsa veprimtaria dhe anëtarët e saj u zbuluan me 1950[1]. Disa nga anëtarët e saj u arrestuan dhe u dënuan në procesin gjyqësor të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, më 1950.

Pushtetarët, duke e parë se situata politike në rrethin e Prizrenit në vitet e pas luftës e deri më 1950, po iu ikte nga dora dhe veprimtaria atdhetare e ilegale po shtohej dita më ditë, udbashët filluan me të madhe të shtonin survejimin dhe të përcillnin çdo atdhetar se kah shkonte dhe se me çfarë po merrej. Përcjellja e udbashve ishte e thellë dhe shumë e fshehtë, andaj nuk vonoi shumë dhe në muajt shkurt e mars nëntë anëtarë të organizatës “Lidhja e Prizrenit” u hodhën në burgun hetues të Prishtinës.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në përbërje nga Dushan Staniqi, kryetar dhe nga gjykatësit porotë: Qedomir Iliqi dhe Muharrem Agja, që të dy punëtor nga Prishtina dhe me procesmbajtësen Dosta Popov-Regjepagiqin, sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut me numër 79/50 nga 27 qershori 1950, të cilën aktakuzë e përfaqësonte Bora Stanojeviqi.

Mbajtja e procesi gjyqësor

Procesi gjyqësor për këta të akuzuar u mbajt gjatë ditëve 24,25 dhe 26 korrik të vitit 1950. Ndërsa aktgjykimi për këta persona u shpall me 27  korrik, po të njëjtit vit. Gjykatësi, mbylli procesin gjyqësor,  duke i shpallur që të gjithë të akuzuarit fajtor dhe duke ia shqiptuar dënimin në bazë të nenit 13 të ligjit penal të Jugosllavisë gjëja se që të gjithë kishin kryer vepra penale kundër popullit dhe shtetit.

Ata u shpallen fajtor, ngase kishin planifikuar se me dhunë do të rrënonin  rendin shoqëror në RFSJ, dhe me dhunë do ti bashkoheshin Shqipërisë duke kthyer përsëri rendin kapitalist në atë shtet. Nga kjo e dhënë shihej qartë se çfarë farse i shiste pushteti jugosllav popullit shqiptar dhe se sa “mëshirëplotë” ishte treguar për Shqipërinë dhe për frikën që aty do të instalohej sistemin kapitalist. Dhe, kjo nuk ishte e vetmja farsë, po në këtë mënyrë në Konferencën e tretë të PKJ-së për Kosovë e Metohi (siç quhej në atë kohë), edhe Bllagoje Neshkoviqi ishte arsyetuar para delegatëve, duke thënë se “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, tani për tani është i pamundur, ngase forcat reaksionare e kapitaliste janë në fuqi në Kosovë dhe ekziston rreziku se poqese bashkohet kjo krahinë me të, mund të rrënohej edhe rendi komunist në atë shtet”, përfundon ai. Po edhe me këtë dokument dëshmohej se, sa “qëllimmirë” u tregonin okupuesit duke u “kujdesur “ për rendin shoqëror në Shqipëri. Kjo organizatë, sipas këtij dokumenti kishte veprua që nga viti 1949 e deri më 1950, duke riorganizuar organizatën atdhetare NDSH-në, dhe duke e pagëzuar këtë grupim me emrin e ri “Lidhja e Prizrenit”. Organizata ilegale vlen të përmendet se veprimtarin e saj e kishte shtrirë në shumë rrethe të Kosovës e të Dukagjinit, duke përfshirë dhe anëtarësuar disa qindra anëtar. Veç punëve atdhetare si aktiviteti, besnikëria dhe angazhimi i anëtarëve që sa më shumë të propagandonin punën në teren dhe të angazhonin sa më shumë anëtarë. Si detyrë parësore ishte edhe pagesa e anëtarësisë. Duhet theksuar, se që të gjithë anëtarët e saj ishin shumë të rregullt dhe të përpiktë në pagesën e tyre. Bile, kishte raste kur anëtarët paguanin edhe më tepër se sa ishte e caktuar por, edhe sillnin donacione të ndryshme, që më vonë, atyre iu mundësonte që me parat e grumbulluara të furnizoheshin me materiale të mjaftueshëm propagandistik por edhe për nevoja të tjera të organizatës.

Në dokument, thuhej edhe kjo, se pas një kohe, organizata kishte rregulluar edhe vulën e vet me inicialet e organizatës. Kryesia e organizatës ilegale, kishte rregulluar edhe vula tjera të posaçme të cilat shërbenin për të vulosur materialet e ndryshme apo letrat që këmbenin me anëtarë të tjerë. Para anëtarëve të kryesisë anëtarët e rinj, para se të pranoheshin bënin betimin për besnikëri që do të kenë gjatë punës në këtë veprimtari.

Organizata ilegale-politike “Lidhja e Prizrenit”, dallohej sidomos me rregullsinë dhe angazhimin e pa kompromis të anëtarëve të saj. Anëtarët e Kryesisë, por edhe anëtarët e tjerë ishin shumë aktiv në hartimin dhe shpërndarjen e afisheve të ndryshme në qytet por edhe në fshatrat tjera për rreth të Prizrenit por edhe më larg. Kryesisht, me anën e tyre apelonin tek qytetaret për situatën e rëndë politike dhe për padrejtësitë e shumta që iu bëheshin shqiptarëve. Shpesh ndodhte, që në mbledhjet e organizatës, merrte pjesë një numër i konsideruar  i anëtarëve. Të gjithë ata që merrnin pjesë mbahej evidenca në një fletore të posaçme, e cila ruhej në një konspiracion të thellë nga ana e anëtarëve.

Sipas dokumentit, thuhej se për të gjithë ata që ishin të akuzuar, kishin pasur pozita të rëndësishme në organizatë dhe sipas aktgjykimit që të gjithë ishin të ngarkuar për veprimtari “armiqësore”.   Se, çdo kërkesë që kishte karakter të barazisë dhe lirisë kombëtare, për pushtetarët ishte herezi, dhe pa ngurruar ata shqiptonin dënime drakonike duke i shpallur se ishin kundër popullit dhe shtetit.

Sipas aktgjykimit, dhe çdo logjike të shëndosh, dënimet që iu shqiptuan të akuzuarve ishin me prapavijë politike dhe jashtë çdo normaleje, vetëm e vetëm që tek popullata e pafajshme të fusin frikën dhe panikun. Gjykatësi serbë që kishte një lloj paranoje të pa definuar ndaj atdhetarëve shqiptar, atdhetarit të orëve të para, Shaban Mazrekut i shqiptoi dënimin, hiç më pak se me burg të përjetshëm (101 vjet burg), ndërsa Shaban Dërgutit, Mustafa Nixhës dhe Jakup Hoxhë Murtezit, i shqiptoi dënimet, me nga 20 vite burg të rëndë.

Para trupit gjykues dolën këta të akuzuar :

1. Shaban Dërguti, student i agronomisë, nga Rahoveci. Po aty, ishte edhe i lindur më 1924. Babai i tij quhej Vesel dhe nëna Sanije e quajtur Sharku. Shabani, në kohën kur u arrestua (22 shkurt 1950), ishte i pa martuar. Vinte nga një familje e mesme e kamur. Për veprimtarin ilegale atdhetare, në procesin gjyqësor iu shqiptua dënimi prej 20 vjetësh burg të rëndë.

2. I akuzuari Mustafa Nixha, me profesion ishte nëpunës në Prizren, ndërsa i lindur në Gjakovë më 1918. Babai i tij ishte Emini, dhe nëna Naxhija e lindur Zërza. Para se të arrestohej (19.02.1950), ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e lëshuar me 27 korrik 1950, Mustafa Nixhën e dënoi me 20 vjet burg të rëndë.

3. I dënuari i tretë, Shaban Mazreku, bujk nga fshati Sopin, nga rrethi i Suharekës, ishte i lindur me 1919, nga babai Ibrahim dhe nëna Ajshe. Ishte i martuar dhe në burgun hetues ndodhej që nga 19 shkurti 1950. Në procesin e grupit të “Lidhja e Prizrenit”, me 27 korrik, iu shqiptua dënimi  me burg të përjetshëm, apo 101 vjet burg.

4. Biter Dehalla, zejtar nga Prizreni, ku edhe ishte i lindur më 1929 nga babai Tushi dhe nëna Mone. Në kohën kur u arrestua ishte i pa martuar, dinte shkrim-lexim dhe vinte nga një familje e varfër  që, jetonin nga të ardhurat që i fitonte ai. Nga organet e ndjekjes u arrestua me 1 mars të vitit 1950. Më 27 korrik gjykatësi Dushan Staniqi, iu shqiptua dënimin prej 17 vitesh burg.

5. I akuzuari i pestë Tomë Mjeda dhe i dënuari i katërt Biteri ishin shokë të pandarë, njëheritë ata merreshin edhe me të njëjtën zeje, andaj edhe ndikimi politik ishte i pashmangshëm nga njëri tek tjetri dhe anasjelltas. Toma kishte lindur në Prizren më 1923 nga babai Krista dhe nëna Cecilije e lindur Gjinaj. Ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Nga organet e ndjekjes u hetua dhe u arrestua më 20 shkurt 1950. Më 27 korrik gjykatësi i gjykatës së Qarkut në Prishtinë i shqiptoi dënimin prej 17 vitesh burg të rëndë.

6. Jakup Hoxhë Murtezi, ishte i akuzuari i gjashtë i këtij procesi. Ai ishte i lindur në qytetin e Prizrenit, më 1919 nga babai Vesel dhe nëna Zejnije. Ishte i martuar. Në burgun hetues ndodhej që nga 19 shkurti i vitit 1950. Po në këtë vit (27 korrik) u mbajt procesi gjyqësor ku Jakupit iu shqiptua dënimi prej 20 vjetësh burg të rëndë.

7. Sefë Zeka, i dënuari i shtatë i këtij grupi, ishte bujk nga Suhareka. Ishte i lindur më 1921, po në këtë qytet. Prindërit e tij ishin: babai Ibrahimi dhe nëna Shahe e lindur Idrizi. Ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Në burgun hetues të Prishtinës ndodhej që nga 19 shkurti 1950 dhe, Gjykata e Qarkut, në procesin gjyqësor më 27 korrik i shqiptoi dënimin në kohë zgjatje prej 17 vitesh burg të rëndë.

8. I akuzuari i tetë ishte Nezir Maksut Hoti, nëpunës në Krushë të Madhe, po në këtë fshat kishte lindur më 1921 nga babai Maksut dhe nëna Habibe. Në kohën kur u arrestua ishte i martuar. Më 21 shkurt 1950, u arrestua për shkak se ishte anëtarë i organizatës “Lidhja e Prizrenit”. Më 27 korrik, në procesin gjyqësor, Nezirit iu shqiptua dënimi prej 15 vitesh burg të rëndë.

9. I akuzuari i fundit i këtij procesi, ishte Bajram Dehari, i lindur më 1924, në qytetin e Prizrenit. Njëherit ai, këtu edhe punonte si nëpunës. Babai i quhej Sulejman dhe nëna Ifete. Ishte i martuar dhe dinte shkrim lexim. U arrestua s’bashku me shokët në natën e 21 shkurtit 1950. Ndërsa Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në procesin gjyqësor i shqiptoi dënimin prej 3 vitesh burg të rëndë.

Sipas aktgjykimit, thuhej se që të gjithëve iu konfiskua pasuria që ishte e regjistruar në emrin e tyre, po ashtu humbën edhe të drejtat qytetare duke humbur të drejtën për votim, të drejtën për punësim në organet shoqërore e shtetërore, ndalimin për të mbajtur ndonjë thirrje nderi, shpërblim apo dekoratë dhe ndalimin e shumë të drejtave të tjera. Gjykatësi shkoi aq larg në shqiptimin e ndalimit të të drejtave, sa  Shaban Mazrekut, ia ndaluan të drejtën edhe për tu kujdesur për fëmijët e vet dhe të drejtën për pension.

Gjykata si shkak për t’iu shqiptua dënimet tej mase të rënda prej 210 vitesh burg, apo mesatarja për çdo të dënuar ishte 23 vjet e 2  muaj burg të rëndë.  Në shqiptim i këtij lloj dënimeve ishte e pritur dhe e çart, ngase ata u dënuan duke marr për “bazë” vetëm të të qenunit shqiptar dhe se ishin intelektualët e parë, që futnin frikën tek pushtetarët. Rreziku ishte se që të gjithë të dënuarit gëzonin autoritet tek masat e gjëra dhe në angazhimin e tyre populli kishte besim. Ata, veç që ishin të shkolluar, kishin edhe një moshë të re, ku mosha mesatare e tyre sillej rreth  26.8 vjeçe.

Akuzoheshin se, që nga vera e vitit 1949 dhe deri sa u zbuluan nga organet e hetuesisë, kishin vazhdua veprimtarin e tyre ilegale në organizatën “Lidhja e Prizrenit”. Pas zgjedhjes së organeve drejtuese, shumica e anëtarëve të kryesisë për detyrë iu kishte caktua që të dalin në teren për të formua degë të reja.

Po në të njëjtin vit 1949, u formuan degët në Gjakovë, Pejë, Drenicë, Rahovec. U zgjodhën kryesit të cilat në radhët e veta përfshin një numër të konsideruar anëtarësh. Të gjithë degët në terren aplikuan dhe obliguan anëtarësin që të paguanin një shumë të konsideruar parash. Fillimisht paguanin nga 20 dinar e më vonë kaluan në 50 dinar. Me parat e grumbulluara, degët siguronin makina shkrimi, armë të ndryshme dhe material propagandues. Herë-herë ndodhte që të mblidheshin edhe donacione të tjera në baza vullnetare që kishte arritur shumën deri në 30.000 mijë dinar. Vlen të përmendet se sa të guximshëm ishin veprimtarët, ta zëmë se anëtarja e organizatës Shahide Kabashi për t’i ndihmuar organizatës, kishte rrezikuar edhe jetën, duke kryer punë shumë të rrezikshme për të dhe familjen e saj.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, thuhej se anëtarja  Shahide Kabashi, e cila ishte e punësuar në Gjykatën e rrethit të Prizrenit, më makinën e shkrimit të gjykatës, kishte shkruar gati të gjitha proklamatat, afishet dhe vendimet e organizatës. Më të, ishte shkruar edhe teksti i betimit, të cilën e thoshin anëtarët gjatë ceremonisë së pranimit. Shahide Kabashi për nevoja të organizatës siguronte edhe dokumente të rëndësishme që i merrte nga gjykata. Ndërsa anëtari i grupit ilegal në Krushë të Madhe, Jusuf Dellova, nga ndërmarrja “Stoçar”, në Vushtrri, kishte marr librin e procesverbaleve të organizatës së partisë komuniste të datës 1.04.1949.

Programi i organizatës ”Lidhja e Prizrenit”

Veç tjerash, organizata kishte edhe programin e vet të quajtur “Dymbëdhjetë pikat”. Në këtë program, bëhej fjalë që, çdo anëtar para se të pranohej në organizatë duhej ti plotësoj këto kushte: 1. Duhet të jetë i vendosur për ruajtjen dhe formimin e kombit shqiptar, 2. të jetë i disiplinuar, i vendosur për marrjen dhe kryerjen e detyrave që e ngarkon organizata. 3. Duhet të jetë agjitator dhe propagandues , konspirativ dhe i përgatitur për çdo gjë deri në pikën e fundit. 4. Duhet të jetë konsekuent në qëllimet e aspiratave të popullit shqiptarë deri në vet sakrificë. 5. Duhet të jetë i gatshëm që me pushkë në dorë, të luftojë kundër të huajve që okupuan tokat shqiptare, duke bashkëpunuar me aleatet dhe duke i bashkuar të gjithë shqiptaret rreth flamurit kombëtar kuq e zi.

Betimi i anëtarëve të organizatës

Teksti i betimit të anëtarëve të organizatës, përputhej me tekstin e programit të saj. Në mesin e shumë fjalive që kishin karakter atdhetar, thuhej edhe kjo se “... betohem se do te luftojë deri në momentin e fundit të jetës kundër partisë anti-popullore (PKJ-së, shënim i S.K-B), të popullit shqiptar, dhe poqese tradhtojë le të më dënojë plumbi i shokëve...”. Duhet theksuar se, gjatë kësaj periudhe, të gjitha materialet, dokumentet dhe proklamatat i kishte nënshkruar Mustafa Nixha, me pseudonimin “Fani”.

Nga materialet që ekzistojnë, në dosjen e këtij grupi, shihej çart se, ky grup ka veprua edhe në Suharekë, dhe ka qenë shumë aktiv. Në dokumente thuhej se që të gjitha të dhënat që i kanë shkruar ilegalistët janë bërë në formë të koduar, që vështir mund të deshifrohen. Qysh nga mbledhja e 5 shtatorit 1949, e cila është mbajtur në Krushë të Madhe dhe kishte karakter të përgjithshëm të organizatës, për kryetar ishte zgjedhur Shaban Mazreku, ndërsa sekretar i saj ishte Sefë Zeka, ndërsa si udhëheqës i mëhershëm i organizatës, thuhej se kishte qenë Mustafa Nixha. Sipas udhëzimeve që kishte marr dega që vepronte në Suharekë, nga qendra, ajo kishte formuar edhe Komitetin Ushtarak të Vendit. Sipas të dhënave, thuhej se, nën pikën 4. qëndronte emri: J. Murmurima. Kuptohej, që ky emër ishte ndonjë pseudonim, e pastaj vinte e dhëna se ai person ishte caktuar Komandant Ushtarak për rrethin. Më pas, nën pikën 6. po ashtu qëndronte emri ilegal: L. Rrëfeja, që ishte caktuar përgjegjës për Skuadrën ushtarake. Po ashtu, nën numrin rendor 18, pran emrit Eslopi, qëndronte, përgjegjës për  Komandant  Rrethi.

Duhet përmendur edhe këtë, se, shumë anëtarë të kësaj organizate, edhe më herët kishin vepruar në organizata të tjera ilegale. Ta zëmë, kryetari i organizatës Shaban Mazreku qysh nga viti 1947, kishte bashkëpunuar e vepruar me Xhemil Shehun në një grupim ilegal, por, pas zbulimit të Xhemilit, ai angazhohet që të formojë organizatë tjetër ilegale, që i kishte ndihmua Mustafa Nixha. Fillimisht, Kryetarit të organizatës, Gjykata i kishte përgatitur dënimin me vdekje –pushkatim, mirëpo më vonë ndërroi qëndrimin, ngase, Shabani gjatë procesit gjyqësor i kishte pranua që të gjitha, duke iu thënë se: “Kosova është tokë shqiptare dhe i takon Shqipërisë. Të gjithë ata gabohen, poqese mendojnë se shqiptarët do të pajtohen një ditë, që të jetojnë nën okupimin serbë...”. Gjykatësi, i mllefosur, në atë moment, ia kishte ndaluar, që të fliste më tej, dhe për sinqeritetin e treguar, e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.


[1] Aktygjimi I anëtarëve të organizatës ilegale “Grupi I Lidhjes së Prizrenit”, 1950



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora