E enjte, 25.04.2024, 09:11 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Shprushje nëpër dhembjet e mia

E marte, 11.09.2012, 07:58 PM


Sejdi BERISHA:

SHPRUSHJE NËPËR DHEMBJET E MIA

(OSE, STINË TË KËPUTURA...)

... Lypësi m’u afrua
Si në rrënjë lulen
Ma këputi mendimin
Me një fjalë e dorë të zgjatur:
Nuk ke, a...
U hamenda këto vargje t’ia ofroj
U frikësova
Se nuk do t’i pranojë
Se mos do ta lëndoja
Me vargun tim lakuriq ...  

...

...Pse kaq ftohtë
Mbi lapsin tim
Kur desha ta shkruaj
Vetëm një varg...

...

...Në dimër
Kurrë mos më ngrohni
Se acari do të hidhërohet
Qiriu i akullt do të çmendet
Pse gjakun e trupit s’ma mërdhinë
E rrugët rrëshqasin
Pakuptim vjedhin
Diçka nga jeta ime...

...

...Ti, e paemër
Më zgjo nga gjumi
Se shumë gjatë kam pritur
Buzëqeshjen e hënës për ta shijuar
Për ta prekur sythin
Që në pranverë çmendet
Për ta mësuar fshehtësinë e shkëmbit
Blegërimën e deleve për ta deshifruar
Gëzofin e bariut për ta përqafuar...

...

...Nën një hije pushoj
Pres freskun e atdheut
Për ta përkëdhelur varrin e nënës
Edhe djepin plotë lule gdhendur
Shokën e leshtë të babait
Brezin për t’ma ngrohur...

...

...Në udhëkryq
As ora nuk e mat kohën
As shikimi nuk ka drejtim
Kënga shndërrohet në pritje
E pritja në heshtje
Kohës i lëndohet gjuha
Në udhëkryq
Fjala e djeg vetveten...

...

...Një letër të vjetër
Tek dera e mbyllur
Dikush ma kishte lënë
Shkruaj e shprush në te
Gjeje vetveten nëse mundesh
Merr frymë thellë
Or pus i vargut
Or shpëtimtar i jetës
Or dashnor i dritës
Që pa ty nuk bën
As në tokë
As në qiell
As në terr
As në dritë...

...Gëzuar loti i jetimit
Për dritën e gjakut të babait
Gëzuar pesha e fjalës
Që kam frikë se po harxhohet...

...

...Sa kohë të kam kërkuar
Edhe tash të kërkoj
Më trego çfarë je Ti
Që kaq shumë të dua
Që kaq shumë më mundon...

...

...Gjithmonë i hidhëruar me ecjen
E, koha nuk më pret
Prapa dua të kthehem
Kohën e shkuar
Ta shtrydh edhe njëherë
Hidhërimin tim
Legjendë ta bëj...

...

...Sa madhështore
Toka ime plotë helm
Tejpërtej pezëm...

...

...Nëse vjeshta të detyron
Bukurinë ta rrëzosh
Ta plandosesh në tokën e etur
Atëherë përqafoje trungun
Se i ka rrënjët kryeneçe
Sërish të sjellë në kurorën e lisit
Me pamje dhe ngjyrë jeshile
Që ta shton madhështinë...

...

...Gjethi im
Të pres ose me prit
Si të duash
Por të lutëm mos ik
Se nuk kam këngë për vajtim...

...

...Në një kuti bakfoni
Duhan shafran plot
Edhe disa letra të trasha
Në cigare për ta mbështjellë jetën
Në te
Babanë sikur e pashë
Në dritare duke pritur ishte
Mos ma humb kutinë e bakfonit
Është kujtim nga stërgjyshi...

...

...U ktheva në dhomën time
Shfletova libra e defterë
Të gjithë qeshnin për lypjen time
Sertshëm i mbylla
Ato qeshen me mua
Asgjë nuk kupton
O, mëkatari i vargut poetik...

...

... Kërkoj kripë
Etjen për ta shuar
Nuk është kjo
As ironi as çmenduri
Por është etje
Që askush s’e di...

...

...Një mik imi më pat thënë
Se i frikohet vargut tim
Atëherë nuk dyshova në vetvete
Se lumturinë do ta hasi
Edhe në  plasaritjet e gurit
Edhe në rrugën
Pa fillim as mbarim
Edhe në vrapin e territ
Dritën për ta gjetur...



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora