E premte, 29.03.2024, 07:46 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Edith Durham - Mikesha e përjetshme e shqiptarëve

E marte, 11.09.2012, 05:01 PM


EDITH DURHAM – “MIKESHA E PËRJETSHME E SHQIPTARËVE”*

NGA PËLLUMB GORICA

Krahina e Sulovës, që shtrihet rrëzë malit të perëndive, Tomorrit hijerëndë (në pjesën veriore dhe perendimore të tij) në shekuj nuk i ka shpëtuar syrit të huajve. Udhëtarë, studiues, historianë, ushtarakë të lartë, shkrimtarë, inxhinierë, të kombësive të ndryshme: anglezë, austriakë, italianë, gjermanë, francez, etj. Dhe nuk janë të paktë ata që kanë shkruar: Ami Bue, Pukvili, Johan Georg Fon Hann, Edith Durham, Gjergj Veith, Dayrrell Oaklej Hill, D Thurn etj. Janë interesante përshkrimet e tyre. Një pjesë, duke e përmendur kur ua donte qëllimi apo misioni i caktuar, të tjerë, duke shkruar të impresionuar nga peizazhi, dukuritë, gjëndja sociale e ekonomike. Përshkrimet e Edith Durham flasin për këtë krahinë, me detaje interesante dhe informacione për gjeografinë, ndërtimet, traditat, karakterin origjinal të banorëve, probleme të kohës siç ishin gjakmarrja, mjerimi i ulur këmbëkryq, për vështirësitë e udhëtimit etj.

Edith Durhami udhëtoi nëpër shumë krahina, fshatra, qytete, male, fusha e lugina lumenjësh në territoret shqiptare. Asaj i pëlqente të futej në krahina të thella, rrallë të shkelura. Duhet theksuara se ishin udhëtime të rrezikshme e me plot të papritura dhe sidomos për një grua në vështirësitë e gjëndjen që ndodheshin territoret shqiptare në atë kohë. E frymëzuar nga gjeografia, historia, mikpritja shkroi me simpati për popullin shqiptar, për virtytet e larta morale, të besës, zakoneve dhe trimërive të tyre, por edhe gjëndjen ekonomike, sociale, fetare, etj. Edith Durham ishte realiste me dëshmit e saj për të cilat janë të domosdoshme për të ditur më shumë për të kaluarën tonë tragjike. Edith Durhamin e kanë përshkruar si mbretëreshë e pakurorëzuar të çështjes shqiptare. “Mikesha e përjetshme e shqiptarëve.” e cilësonte Faik Konica. Mbreti Zogu i Parë e dekoroi me titull nderi me motivacionin: “Ajo na fali neve zemrën e saj dhe fitoi si këmbim vëmëndjen e malësorëve tanë.”

Po kush ishte Edith Durham? Eksporatore, humaniste antropologjike rreth jetës në trojet ballkanike. Lindi më 1863 në Angli. Ajo rrithte nga një familje e madhe dhe e pasur.  Edith ishte më e madhja nga 8 fëmijët e kirurgut Artur Eduart Durham. Pothuajse të gjithë nga shtatë vëllezërit dhe motrat e saj u bënë të njohur në profesione të tilla si mjekë, inxhinier, avokat, mësues. Në moshë të re, shëndetlige, me vullnetin e përkulur  Edith Durham udhëtoi në Ballkan.  Ajo bëhet dëshmitare e shumë ngjarjeve historike në Ballkan, rreth të cilave shkroi 7 libra, duke u fokusuar më shumë në çështjet shqiptare. I tregoi qartë botës për Shqipërinë dhe shqiptarët në një kohë kur kombi ynë rrezikohej të shuhej e kur villej vrer nga armiqtë, e sidomos kur i kanoseshin rreziqe të shumta si në Jug nga shovinistët grekë ashtu dhe në Veri nga serbët e malazezët, që kishin shkelur trojet tona e kryenin masakra ç’njerëzore kundër popullsisë së pambrojtur.  Dihet nga historia se në fillim të shekullit XX, dyndja e ushtrive ballkanike dhe ndërluftuesit e Luftës së Parë Botërore e vunë fatin e Shqipërisë në tehun e mbijetesës. Perandoria turke e dobësuar shumë, ndodhej në buzë të greminës dhe në terrotiroret me popullsi shqiptare i kishte ditët e numëruara. Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia sipas një marrëveshjeje midis tyre, shfaqën lakmitë grabitqare për përvetësimin e tokave shqiptare.

Edith Durhami udhëtoi nga Berati në Elbasan, brigjeve të lumit Devoll në fillim të shekullit XX,(viti 1906) e shoqëruar nga një suvari (xhandar kalorës). Nga botimi “Brengë e Ballkanasve’’ faqe 293-294 po sjellim përshkrimin e saj:

...“U larguam nga Berati për në Elbasan në orën 6 të mëngjesit, unë me kalin tim më të dobët që kam parë, sepse ai as vraponte, as mundte të ecte, por lëvizte gjithnjë duke u hedhur. Nuk mërzitem nga hedhjet e një mëzi për një farë kohe, por kur kjo zgjat për 12 orë rresht është e lodhshme. U gëzova që rruga ishte shumë e keqe që kali të ecte ngadalë, përndryshe udhëtimi qe i këndshëm. Shpejt arritëm në lumin Devoll dhe vazhduam gjatë bregut të tij.

Suvaria (xhandar kalorës), një djalë i qeshur i zhdërvjellët i cili e quante udhëtimin tim çështje sporti, për qejf, gjë për të cilën ai e aprovonte plotësisht. Tha se përveç një pengese të vogël të tij private, rruga ishte plotësisht e sigurt. Prindi i tij plak e i mjerë, i cili në atë kohë nuk mund të zgjidhte vetë atë çështje nderi i qe dashur të largohej nga ai rreth. Gjendjen e tij djali nuk e quante aq të keqe përderisa ishte futur në xhandarmëri. Kjo ishte një mbështetje mbrojtëse për të sepse ishte i armatosur mirë. Për hatrin tim ai tha që shpresonte që të mos hasnin atë ditë me ndonjë nga armiqtë e tij dhe derisa fliste kështu ai shikonte nga të gjitha anët me sytë e tij boje hiri prej shqiponje. Për fat të mirë ai nuk banonte për gjatë rrugës që do të kalonim në, por po ta shihte njeri mund ti zinte pritë kur të kthehej. Sigurish ai s’ishte i marrë që të kthehej prapë nga kjo rrugë. Numrin e varreve të humbur që gjendeshin rrugës ishin dëshmitë e atyre fjalëve që na thoshte ky djalë.

Të gjithë burrat që lëronin tokën mbanin gjeverdarë (pushkë). Barinjtë e kodrave kishin martina dhe gjerdanët plot me fishekë. Disa prej tyre ishin shumë të rinj, çunakë të errët, fort të pashëm, të hedhur dhe sqimatarë me paraqitje krenarie sikur donin të thoshin “veri gishtin kokës, jam unë këtu” Jeta në këtë krahinë është shumë e rëndë, prandaj ata më të fortët mund të mbijetojnë. Gati një çereku i tokës ishte i punuar, por brenda disa pyjeve shihej se po hapnin toka të reja të cilat ishin të shëndosha. Dolëm në një shesh të gjerë në mes të cilit gjendeshin dy drunj arrash të mëdhenj. Këtu suvaria ndali për t’u kënaqur me kujtimin e shenjave të plumbave në qitje me pushkë që kishin pasur bërë në këtë vend njerëz të ndryshëm. Një vit më parë dy katundarë, atë e bir qenë qëlluar nga të zotët e asaj shtëpie në kodër derisa u vranë të dy. Tani s’kish mbetur gjë veç qivuri i tyre, një grumbull i madh me gurë. Pse i vranë ? Suvaria nuk e dinte ndoshta kishin armiqësi gjaku. Po të kenë qenë ashtu ata duhet të kenë qenë të marrë që s’kanë qenë të armatosur. Që të dalësh jashtë pa qenë i armatosur në këto rrethana është aq budallëk sa si të dalësh jashtë pa pasur ombrellë në Angli dhe pastaj të ankohesh pse u lage. Gjykatësit i kishin çuar në ferr. Ky një vend paganë, që quhet Myslim, por as kishte as xhami, prift a hoxhë. Nuk gjendet në katundet e shumta të shpërndara nga të gjitha anët.

Në çdo kryqëzim degësh të pemëve gjatë rrugës ka të vendosur nga një gur si shenjë për të përforcuar besimin e njerëzve. Ata vendosën mbi degët që të mos shkelin për çlodhje njerëzit e tyre të vdekur kur kalojnë fluturimthi. Ndër të gjitha rrugët ka shumë nga këta gurë, më duket se edhe qiraxhiu im vendosi një mbi degët e një lisi.

Kur thirren ushtar njerëzit e kësaj krahine shpesh e deklarojnë veten të krishterë për t’u përjashtuar dhe pastaj kur vijnë tagrambledhësit për të kërkuar taksa ata i përzënë me duar thatë e me kërcënimin e armëve, duke thënë se nuk i paguajmë taksa se jemi myslimanë.

Më në fund zbritëm në luginë dhe hasëm në ca hunj dhe një qemer të cilat tregonin se këtu kishte qenë urë. Ju drejtuam bregut të lumit dhe suvaria, duke bërtitur e llomotitur me disa katundarë në anën e përtejme pyeti se ku ishte lumi i kalueshëm dhe pastaj preu dhe hyri i pari në lum. Kurajua që më dha ky më detyroi të ndjek nga pas pa asnjë dyshim. Uji na arriti deri aty sa nuk na u desh të notojmë, porse të tjerët u zhytën duke nguruar. Prej këtej vazhduam drejt një rruge të mirë dhe pamë Elbasanin që shtrihej në një fushë të gjerë me minare të bardha, një xixëllim në mes qiparisave që na dukej se nuk do të mundeshim ti aviteshim kurrë…”

Duhet të shkruhet e të rifreskohet kujtesa për miken tonë të madhe Edith Durhamin, për këtë zonjë të devotshme, që vështroi deri në imtësi e admirim të vërtetën e popullit tonë të vuajtur, por fisnik e fatin e tij tragjik nga shumë padrejtësi të mëdha ndaj kombit tonë në fillim  të shekullit XX.



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora