E merkure, 24.04.2024, 02:23 PM (GMT+1)

Editorial

Ymer Halimi: Oligarkia politike dhe privatizimi

E diele, 09.09.2012, 08:02 PM


OLIGARKIA POLITIKE DHE PRIVATIZIMI

Nga Ymer Halimi

Varfëria po rritet, borxhet e shtetit po shtohen

Filozofi i antikës, Aristoteli, formimin e shtetit e përshkruante si “shkak të mbajtjes së jetës dhe ekzistencës për arsye të lumturisë”, ndërsa mundësinë për të punuar e quan “lumturi”. Ekzistencën e mbështeteste në siguri, dhe “veprat e njerëzve të drejtë, qëllimmira, për njeriun janë vlera që i çmon shteti”. Atëherë, cili do të ishte përkufizimi për shtetet shqiptare, Kosovë e Shqipëri, karshi këtyre mendimeve aristoteliane, që janë themel edhe i demokracisë së sotme. Sigurisht ka ende shumë për të punuar. Me vetë faktin se puna është “lumturi”, e kjo i mungon gjysmës së popullatës së aftë për të, shteti nuk e kryen funksionin e duhur në rrafshin që bie ky segment. Shteti nuk arrin të përmbushë detyrimin kushtetues për të mbrojtur ekzistencën biologjike të njerëzve të tij, se mbijetesën qytetarët po e kërkojnë jashtë shtetit, se punësimi ka degraduar tejmase, aq më shumë me rastin e transformimit të pronës shtetërore e publike në pronë private. Megjithatë, shtetit, për detyrim kushtetues i mbetet sot e përherë mbrojtja e ekzistencës sociale e biologjike e kombit, por ndërkohë kombi i ynë po tkurret. Prandaj shtrohet pyetja: A e kemi të qartë konceptin e procesit në të cilin jemi, konceptin për shtetin!? Sigurisht koncepti për shtetin është i paqartë, kur mungojnë konceptet për përgjegjësinë, zbatimin e ligjit, zhvillimin e ekonomisë. Funksionimi i shtetit mbështet te ligjet e shkruara, por nuk bëhet fjalë vetëm për ligjet e shkruara, se të tilla kemi me bollëk, por për veprimin me ligje. Prandaj, veprimi i ligjeve apo i përgjegjësisë morale ngelin vetëm dëshirë e qytetarëve, ndërsa moszbatimi i tyre mbetet veprim pretendues i oligarkisë politike, i atyre që i kanë në dorë t’i zbatojnë.

Këtë gjendje e pasqyrojnë edhe deklarimet e diplomatëve të demokracive perëndimor, ku hapur kanë thanë më së njëherë: “Partitë në Kosovë nuk punojnë për shtetin. Ato janë të korruptuara”. Ndërsa Shqipërisë : “Merruni vesh mes veti e hiqni korrupsionin. Evropa po ju pret”.

Prandaj, oligarkia politike sot ka përgjegjësinë e theksuar për korrupsion te gjyqësori e privatizimi, po edhe kudo në shtet. Kjo shihet edhe tek udhëheqja e ndërmarrjeve publike, të cilat u trajtuan dhe trajtohen si pronë për grabitje nga grupe të caktuara. Pastaj zelli tepër i lartë qeveritar për privatizim mund të ndërlidhet me “ shkallë të lartë interesi me mundësi korruptimi”, ku “lidhen grupe mafioze që veprojnë nëpërmes frikës, duke pasur dorë kontrolli edhe në Qeveri”. Kështu e thonë sociologët e politikologët. Efektet e tilla po i ndjemë edhe te ne.

Prandaj, shqetësimi sot është i shumëfishtë, përkundër ca të arriturave që kemi, se: pasuria po shitet, arka e shtetit zbrazet, varfëria po rritet, borxhet e shtetit po shtohen, rinia po ik nga atdheu, grupe veprimi informate po shtohen. Të gjitha pasojë e qeverisjes jo të mirë të shtetit nga një oligarki politike autoritare me votë të kriminalizuar.

Privatizimi ka marrë një domethënie absurde

Për krahasim, vlen të veçojmë praktikat e shteteve demokratike, e veçmas me pronën shtetërore e kompanitë publike. Ato i ruajtën me gjelozi, bile edhe Greqia, që është në prag të falimentimit. Shtetet shqiptare, me shumë lehtësi kërkojnë të lirohen nga këto kompani e prona shtetërore, duke ua shitur dikujt tjetër e këto u takojnë, jo vetëm neve sot, por edhe brezave që vijnë.

Po cili është kapitali i një shtetit, kur u shitet të tjerëve nëntoka e toka, e kompanitë me fitimprurëse? Sigurisht “pasuri” do mbetet vetëm ajri dhe njerëzit që do ta shesin djersën e trupit. Askush nuk është kundër privatizimit, si element në kohën që po jetojmë, por kundër formës dhe strategjisë së privatizimit. Një është e saktë: Shtetet, me rastin e privatizimit të disa kompanive apo konzorciumeve, nuk shkuan në shitje të tërësishme të tyre, por në përqindje të caktuar, duke lënë mbi to dorën e shtetit, për interesin e qytetarit. Ato shitën mundësinë e shfrytëzimit por jo pronën. Prona ngeli kapital i shtetit. Por, te ne, një privatizim kaq i thellë, i pakontrolluar, del kundër interesit qytetar e logjikës ekonomike.

Te shqiptarët privatizimi ka marrë një domethënie absurde: shteti i askujt. Shit sa të mundesh! Dhe kjo bën përshtypje të veçantë. Shqiptarët, kur ishin në kampin socialist, oligarkia politike mori njërin nga sistemiet shtetërore me të vrazhda, po edhe pas kalimit në sistemin pluralist po shfaqin shenja të një shoqërie pluraliste më të papranueshme për një shtet demokratik. Dhe përsëri për shkak të një oligarkie politike.

Dhe sa shihet, injoranca e oligarkisë politike dhe heshtja intelektuale po e hedhin fatin tonë në rrugë të pritjeve, të vështirësive, të pasigurive. Ndërsa qytetaria e shtyrë nga presioni i mbijetesës, e frikësuar, po hesht. Këtë e dëshmon fakti se një numër i konsiderueshëm të personaliteteve tanë kanë dy shtetësi duke i vendosur familjet e tyre jashtë shteti (ata duan siguri).

Çfarë kishim dhe si vepruam

Ia vlen t’i vemi ca argumente. “Ferronikeli”, në ish Jugosllavi, arkës së shtetit i ofronte në vit deri 120 milion dollarë. Pas lufte, për t’ia rivitalizuar procesin e punës, nevojiteshin rreth dhjetë milion euro, dhe do të mbante në punë punëtorët dhe shtetit do t’i ofronte të ardhura. Tregu ishte i sigurt. Kosova për te ndërtuar shpenzoi 530milion dollar, Ndërsa e shitëm për 33.2 mil.€,  të gjithë industrinë e saj, me gjithë trungun e xehes, bile edhe ajo e pazbuluara do t’i takojë kompanisë blerëse. Domethënë, nuk u shit mundësia e shfrytëzimit, por u shit e gjithë pasuria nëntokësore me feronikel, po aq sa do të shitej për skore në ndonjë shkritore hekuri gjithë metaliku i saj e blerësit iu bënë koncesione tek energjia elektrike, të cilën do ta shfrytëzojë, e që arka e shtetit varfërohet për miliona euro në vit. Sot, vetëm 1/3 e aksioneve të “Feronikelit” në bursë kap shumën 170 milionë euro. Kontrata e shitblerjes ka mbetur “kuti e zezë”, e mbyllur, që askush nuk e di pse...?

Në anën tjetër, gjigandi “Trepça”, që dikur Jugosllavisë i ka dhënë mbi 230 milionë dollarë, duke mos llogaritur miliona dollarë prodhim që armata Jugosllave ka marrë pa u konvertuar kurrë në llogari çmimi. E gjithë industria që ishte funksionale pas lufte u shkatërrua nga dora e njeriut tonë. Atje po bëhet një luftë konspirative për privatizim, dhe sa shihet po e pret i njëjti fat - i Ferronikelit. I njëjti fat, në mos edhe më i keq, po i pret basenet e thëngjillit, dhe Korporatën Energjetike të Kosovës që shtetit dikur i ka dhënë miliona dollarë e sot “është” vrime e zezë dematrializuese e buxhetit, për shkak të oligarkisë qeverisëse. Në ditët e sotme nënproduktet e thengjillit arrijnë mbi njëqind lloje, e ne me lehtësi i tjetërsojmë. Besueshmëria në “ekspertët” e jashtëm po e bën gjendjen “të pashpresë” për resurset tona kapitale, me të vetmin qëllim që vetë ata ose klientët e tyre t’i blejnë. Çka mund të flasim për “Ballkanin” në Therandë, Uzinën e “Baterive” në Gjilan, Uzinën e “Tubave” në Ferizaj, uzinat në Pejë, Prizren, Han te Elezit, Prishtine, Gjakovë, Rahovec e gjetiu.

Çfarë të themi sot për PTK-në?!

Po çfarë të themi sot për PTK-në, ku shteti ka kompaninë me fitimprurëse, edhe përkundër një udhëheqjeje tejet të dobët, me një bord jo profesional e me penalizëm të kodit. Po të jetë se krijon humbje nuk do ta blinte askush. Ku është analiza, çka fitohet e çka humbet me shitjen e saj në staza afatgjata? Askush nuk e thotë me saktësi, përveç asaj që duhet: të shitet !? Qeveria ka hyrë në borxhe, ndoshta, apo dikush nga oligarkia politike do ta marrë riskun (!?). E vetmja është oligarkia politike udhëheqëse te shqiptaret, qe pa analiza te eksperteve vendor, bën shitjen e pronave publike dhe shtetërore.

Shokues është privatizimi me një ofertues të vetëm, siç ka ndodhur, duke mos vënë as çmim limit, e as interes shtetëror. E gjitha e kundërligjshme. Mund të shiten për një euro të vetme, por prodhimi të mos ndërpritet. Dhe kjo nuk ka ndodhur te privatizimet e deritashme. Këtu duhet te shihet strategjia shtetit, por ajo që po shihet në mënyrën më të mirë, së paku deri sot, është kriminaliteti nga dora e shtetit.

Ditë më parë lexove shkrimin e profesor V. Kici, gjeolog nga Shqipëria që shkruante: “Sipas ligjit të naftës, çdo kompani e huaj, që zbulon naftë dhe gaz, përfiton rreth gjysmën e prodhimit. Madje, në rastin e pusit pozitiv Shpirag -1, shteti shqiptar në marrëveshje përfiton vetëm 30% të prodhimit! Sikurse shihet, nga ky zbulim nafte nuk ka pse të gëzohemi. Pra, ne u japim të huajve qyl mbi gjysmën e rezervave të mundshme të naftës dhe të gazit të gjithë Shqipërisë”. Profesori sqaron: “Për krahasim, të tjerët te zbulimi i naftës, u jep liçensa kompanive të huaja, të drejtë të marrin vetëm 25% të prodhimit, kurse pjesa tjetër i takon popullit”. Dhe sot, Shqipëria bën përpjekje ta privatizojë “Alpetrolin”, një kompani e interesit strategjik shtetëror, e Kosova PTK-në, nëntokën e Trepçës dhe basenet e thëngjillit, por jo të bëjnë kompani të fuqishme, të përbashkëta. Prandaj, sipas veprimeve të derisotme, shqetësimi për privatizim del tepër i arsyeshëm.

Të ndërrimet e rendeve shoqërore, shkulen rrënjët e së vjetrës, por te sistemet ekonomike shkohet edhe te ridrejtimi e jo te shkatërrimi dhe tjetërsimi me çdo kusht, siç po veprojmë.

Po e përmbyll këtë shkrim me mendimin e artistes dhe aktivistes shqiptare, me përgatitje të shkëlqyeshme akademike, Alma Ajazi, thënë ditë më parë : “Të gjithë shqiptarët duhet të ngrihen në këmbë, të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Është pikërisht ky moment që qytetarët shqiptarë duhet të mendohen mirë, sepse brezat e ardhshëm do të na gjykojnë”. Kemi nevojë për një demokraci me vlera te mirëfillta e jo pushtet prej individi autoritar, se nesër do e ndjejmë peshën e vettradhtisë nga ditët e sotme.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora