E shtune, 05.12.2020, 02:48 AM (GMT)

Personalitete

Artur Zheji: Pa simbolin e Terezës

E shtune, 08.09.2012, 10:58 AM


Pa simbolin e Terezës

Nga Artur Zheji

Në 5 shtator të vitit 1997, u nda nga jeta Nënë Tereza. 15 vite më parë planeti u vesh në zi, sepse vdekja mori një nga armiket më të mëdha të saj. Pa dashur të biem në romanticizmin naiv, që një Nënë e shumëkujt dhe një Nënë e gjithkujt si ajo, nxit dhe trondit, nuk mund të mos themi që kjo vogëlushe shqiptare trupvogël, është katarsisi moral, publik dhe ndërkombëtar i imazhit të ne shqiptarëve.

Nënë Tereza është, e thënë në mënyrë pothuajse të pahijshme, një brand, një markë dhe një simbol që fisnikëron. Ne shqiptarët ndoshta jemi në dilemën paradoksale nëse e meritojmë ose jo, nëse duhet të identifikohemi ose jo, idealisht me më të mirën pjesë të geneve tona, që janë koncentruar në ADN e Terezës së Kalkutës. Genet tona kanë pjellë falë kombinimeve të tyre shumë vrasës, mashtrues dhe tempujshkatërrues. Në vitet ’90, kam ndeshur shumë shqiptarë, që gjëja e parë që këshillonin ishte t’u rrinim sa më larg shqiptarëve. Në po ato vite kam ndeshur shumë të tjerë që në mënyrë shtiranake dhe vetëmbrojtëse, vetëdeklaroheshin jo shqiptarë, nga sikleti, turpi apo kamaleonizmi i luftës banale për ekzistencë.

Në po ato vite, Tereza shqiptare e Kalkutës, ishte një Vend pelegrinazhi. Turmat e preknin, e nduknin, e ledhatonin dhe e adhuronin me vështrime. Ajo shpërndante ca medaljone të thjeshta nikeli me imazhin e Shën Mërisë dhe i puthte, në mënyrë simbolike duke transportuar frymën e saj dhe qenien e saj. Dhe njerëzit e merrnin sumbullën e nikelit, të puthur nga ajo, të transformuar mistikisht nga ajo në diçka tjetër. Në diçka tjetër realisht të transformuar apo mistikisht të perceptuar, pak rëndësi ka.

Në 15-vjetorin e largimit të saj nga kjo botë, në të njëjtin vit me largimin e gjyshes sime nga nëna, ajo mbetet sërish një ikonë. Ndërkohë që atdheu i saj faktik dhe genetik, Shqipëria, ishte i sapodalë nga një pothuajse luftë civile.

Është shkruar dhe do të shkruhet edhe shumë e shumë kohë më vonë për Terezën e Kalkutës, do të shkruhet me frymëzim dhe shumëkush do të zgjojë te vetja më të mirën pjesë, që të hyjë në rezonancë me më të Mirën Nënë të Njerëzimit sëpaku të Mijëvjeçarit të fundit. E prandaj është sa e thjeshtë po aq e vështirë, të shkruash për Të. E thjeshtë, sepse ajo është e famshme dhe frymëzuese, e vështirë, sepse është shumë e madhe dhe shumë e largët nga e zakonshmja njerëzore.

Në shumë debate, përgjithësisht mediokre që janë bërë e bëhen në Shqipëri për Nënë Terezën, është vënë në dyshim nëse ne, duhet ose jo, të investojmë më shumë ose më pak, për t’u identifikuar me imazhin planetar të kësaj femre të jashtëzakonshme.

Kam qenë dhe mbetem pa dilema, se po, Nënë Tereza, duhet të shndërrohet në një identitet të dyfishtë të shqiptarëve modernë për disa cilësi laike dhe jo mistike që përfaqësojnë vullneti dhe shpirti i saj, për disa cilësi të përbotshme dhe jo vetëm kristiane të saj.

Ajo kishte një vullnet të hekurt për të cilën ne shqiptarët nuk mund të krenohemi. Ajo ishte besnike e një besimi, me moral të fortë dhe të paepur, cilësi të cilën ne shqiptarët nuk po e kultivojmë dot në kulturën tonë kombëtare, shpesh pa bosht dhe po shpesh me një pragmatizëm të pështirë.

Nënë Tereza kishte një modesti të thellë, burimore dhe filozofike, një modesti që buron nga esencializmi, nga përkushtimi i gjërave thelbësore, që nuk lë kohë dhe hapësirë formës, vanitetit dhe lëvozhgës. Ndërkohë që kultura e lëvozhgës dhe rendja mbas lëvozhgës, është një trend pothuajse kombëtar që duhet korrigjuar kulturalisht. Sepse ne ka kohë që nuk rendim mbas diçkaje me të vërtetë shpirtërore dhe me të vërtetë ideale. Ne këtë e dimë, sepse nëse na teket, rrallë e tej një ditë, e të kërkojmë një institucion apo një person tek i cili të besojmë, të besojmë në ndershmërinë e thellë apo në të vërtetën e një përgjigjeje, do të ngeleshim padyshim të vetmuar. Pa atë të vërtetë, pa atë akt të ndershëm, pa koordinata.

Nënë Tereza është një institucion i tillë. Dhe vepra e saj do të jetë.

Pavarësisht se është vetëm e krishterë, ajo është e të gjithëve, është një ndërmjetëse e përkryer ndërmjet Zotit dhe Njeriut dhe do të mbetet shenjtërisht e tillë.

Në këtë kontekst, nëse për 15-vjetorin e largimit të saj nuk u kujtua askush, përjashto disa fjalë të Kryeministrit, do të thotë se sëpaku kemi ndershmërinë të turpërohemi që ta risjellim midis nesh. Rrëfen kjo harresë, një bashkëjetesë të zjarrtë me demonët e panumërt që parapëlqehen më shumë se një shenjtore, qoftë edhe një herë në 15 vjet.

Një vend i pashpresë. Pa Nënë Terezën.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora