Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dy poezi nga Drita Lushi

| E premte, 07.09.2012, 07:00 PM |


Drita Lushi

MIRËSIA
 
Unë e pashë!
Mbrëmë Ajo
këputi zinxhirët e dyshimeve,
të brengave,
të hamendjeve
e të vuajtjeve.
Po, po!
Besomëni ç’po ju them!
 
Mbrëmë Ajo,
Ia thau lotët vuajtes,
syve njerëzorë,
e buzeqeshjen çeli
në qiellin e tyre...
 
Unë e pashë Ate!
Ajo mori përdore dy femijë
ulur në trotuar,
dhe atë të moshuarin rrudheshumë
me dorën grusht nën mjekër.
 
Ish në të perënduar ...
Besomëni ç’ju them!
Ajo erdhi...!
E njerëzit më lehtë frymuan.
 
Ajo erdhi!
Retë u shpërndanë
nga sytë këmbët,
u gremisën, vrapuan...
 
Ajo nuk puthi njeri,
prandaj ndoshta ju nuk ndjetë gjë.
Ajo puthi tokën, ajrin dhe qiellin..
Une e pashë ate puthje Mirësie dhe Paqeje!
E ndjeva
në ajrin tim.
 
Besomëni  ç’ po ju them!
Prandaj dita sot është më e bardhë ...
 
Prandaj!

PËR BABAIN 

Ti s’je më.
E tashmja me ngjyra lulesh
shkruan emrin tënd
në vitet, muajt dhe ditët e mia.

Flladi i  mallit
përkëdhel shpirtrat tanë
e ata bisedojnë
me gjuhë engjëllore
mbi një det kujtimesh.

Kujtimet përkëdhelin fjalët,
që unë të them në heshtje.
Të shoh me sy malli
dhe duart zgjas.

Dua të prek përjetësinë tënde
me fjalë, me sy, me shpirt,
të të kem pranë,
afër të të ndjej …

Kështu,
ndërtoj një lapidar
brenda qenies sime,
një lapidar mbrujtur
me kujtime, mall, lotë
për ty, i dashur baba;
një lapidar
ku të vij çdo ditë
e të të përkëdhel me kurorat e fjalëve
të mbledhura viteve
të mungesës  tënde …

E di …
Ti do më përkëdhelësh me vështrimin
e butë e t’ëmbël,
ashtu siç bëjnë gjithë ëngjëjt,
që dikur baballarë kanë qenë.
Do të shtrish dorën
për të prekur një grua …
… e do më njohësh
që jam unë ajo,
bija jote,
që  e re ish atëherë …

Ajo, që more në vështrimin tënd
para se ëngjëjt të të mbyllnin sytë,
e ti do më njohësh,
do më njohësh patjeter,
e me lotë ëngjëllorë
do ujitësh kurorat e fjalëve
mbi lapidarin tënd;
atë çast,
ditët e mia tokësore do të çelin,
i shtrenjti baba.