Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jahë Sadrija: Naim Frashëri (1846-1900)- Jeta dhe vepra (I)

| E merkure, 05.09.2012, 06:03 PM |


Veprimtaria letrare e Naimit

Naim Frashëri (1846-1900)- Jeta dhe vepra

Nga Jahë Sadrija

Naim Frashëri, shkrimtari më i madh i Rilindjes, lindi në Frashër më 1846.  Mësimet e para i mori te hoxha i fshatit në gjuhën arabishte e turqishte.  Më 1865 u vendos në Janinë, ku punonte Abdyli si nëpunës.  Regjistrohet në gjimnazin Zosimea.  Aty njohu letërsinë greko-romake.  Lexoi Homerin, Virxhilin, Danten e Petrarkën.  Njohu edhe illuministët frëngë: Volterin, Didroin, Rusoin etj.

Më 1870 Naimi kreu gjimnazin dhe shkon në Stamboll për të kërkuar punë.  Dy vite më vonë i shqetësuar nga sëmundja, kthehet në Janinë.  Shëtit në atë natyrë që e adhuronte shumë.  Nga vitet 1874-77, Naimi punon si nëpunës të dhjetash në Berat, pastaj drejtor dogane në Sarandë.  Më 1875, ngase ishte i sëmurë nga reuma shkon në Ilixhat e Badenit të Austrisë.  Në muzeun e Belvederës së Vjenës, ai sheh shpaten dhe perkrenaren e Skënderbeut, të heroit që e adhuronte shumë.  Naimi qëndron në Shqipëri deri në vitin 1881.  Në vitin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mori pjesë në komitetet e rretheve krahinore të Lidhjes, e në mbledhjet që organizoheshin prej tyre.  Kur shuhet lidhja 1881, Naimi detyrohet të shpërngulet me familje në Stamboll, ku punonte edhe Samiu.  Nga ky vit poeti më nuk kthehet në atdhe. Në Stamboll, Naimi punon në cenzurën e Ministrisë së arsimit , dhe më 1884 mori leje për botimin e revistës “Drita”, më vonë “Dituria”, që ishte edhe drejtues i saj. Naimi ndihmoj edhe në formimin e shoqërive kulturo patriotike të Egjiptit, Bukureshtit e Sofjes.  Më 1886 boton veprën “Bagëti e Bujqësija”, më 1890, “Lulet e verse”, më 1894 “Parajsa dhe fjala fluturake”, më 1898 “Historinë e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë”.  Tani poeti kishte bërë emër si krijues i madh.  Shkonin shumë njerëz për ta vizituar.  Ai i këshillonte, i mësonte, u jepte zemër.  Vdiq në Stamboll më 1900.

Veprimtaria letrare e Naimit

Vepra shqipe e Naimit përfshihet Brenda 10 viteve 1884-94. Eshtë kjo një kohë e shkurtër dhe e vrullshme.  Ai nisi të shkruajë në gjuhën persishte, turke e greke, po pas Lidhjes së Prizrenit i  kthehet shqipes.  Veprat më të rendësishme artistike të tij janë: Poema “Bagëti e Bujqësija”më 1886.  Përmbledhja e vjershave “Lulet e verësë” më 1890, “Parajsa dhe fjala fluturake” më 1894 dhe Eposi “Historia e Skënderbeut” më 1898.

Botëkuptimet e Naimit

Epoka e madhe e Rilindjes kërkonte njerëz me mendje të ndritur.  Naimi si mendimtar dhe veprimtar, shquan me një botëkuptim të përparuar për kohën. Ai përkrah synimet e afirmimit të koncepteve dhe rrymave përparimtare të filozofisë, të shkencave të natyrës dhe të vështrimit kritik të paragjykimeve të dogmave dhe fesë. Naimi si illuminist që ishte, një vend të rendësishëm në përparimin e kombit dhe të njerëzimit, i jep shkencës dhe diturisë. Ngritet kundër errësirës fetare, që dominonte në shtetin osman të kohës.

Poeti sipas botëkuptimit të tij panteist(përkrahës i Perëndisë e Zotit), Zotin do ta identifikoj me gjithësinë, “Gjithësia është vetë Perëndia”.  Zoti, siç del nga vepra e Naimit, ai nga një qenie, a një fuqi e mbinatyrshme,  shndërrohet në një fuqi apo koncept etik. Naimi nuk u çlirua asnjëherë nga ideja e Zotit dhe botëkuptimi i tij mbeti idealist.

Botëkuptimi shoqërorë i Naimit përkufizohet nga pikëpamjet e tij politike e shoqërore.  Njeriu sipas tij lind i lirë dhe duhet të jetojë i lire.  Shkalla e lirisë së tij përcaktohet nga shkalla e diturisë, që është nëna e përparimit.  Sipas tij me anë të kulturës, do të arrihet mirëkuptimi shoqëror e njerëzor. Poetin e karakterizon edhe botëkuptimi demokratik, që është përcaktuar nga afërsia që pati ai me Lëvizjen Patriotike Popullore, dhe idetë e përparuara , që kishin nisur të depërtonin edhe në Turqi. Edhe pse Naimi ngritet mbi baza idealiste, pikëpamjet e tij filozofike, në thelb ishin përparimtare.  Ato përshkohen nga dashuria për atdheun e popullin, për lirinë e njerëzinë dhe nga besimi në të vërtetën e shkencës për udhën e së ardhmes.

Poema “ Bagëti e Bujqësija”-Subjekti i poemës

Poema atdhetare”Bagëti e Bujqësija”, është botuar në Bukuresht më 1886.  Eshtë vepra e pare poetike e Naimit.  Ajo ndahet në dy pjesë: Në pjesën e parë i këndohet bagëtisë, në të dytën bujqësisë.  Poema i ngjan veprës së Virgjilit “Bukolika dhe Gjeorgjika”. Dy janë shkaqet që e kanë nxitur poetin të shkruaj këtë vepër,” Subjektive dhe Objektive”, dashuria dhe malli për atdhe dhe fati i bashkëkohasëve, që të mërguar në dhe të huaj, të shtyrë nga propaganda, kishin filluar ta harrojnë dhe ta mohojnë dheun e tyre.

Në këtë poemë, Naimi, si dhe romantikët evropianë, shpreh pakënaqësinë dhe shqetësimin shpirtëror të njeriut të tëhuajsuar, mërzitur nga jeta rrëmujë e qytetit.

“Mendje merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,

Nga brengat, nga thash e themet, nga rrëmuja nga rrëmeti”

Në vepër përshkruhet plot harmoni natyra.  Pamja dhe peizazhi idilik i atdheut.  Jepet bukuria e saj parajsore, të cilën e mbush: bagëtia, bariu dhe baresha. Dëgjohet zëri i fyllit dhe xhurasë. Qengji me gas ndjek delen, meme e bir, simbolikisht dashuria ndaj memes, atdheut.   Te kjo poemë, autori, në imagjinatë, krijon parajsën ku do të mbedheshin të gjithë shqiptarët.  Përtej pamjeve idilike të kësaj natyre, përshkruhet ndonjë detaj, që s’ka të bëjë me subjektin e poemës, siç është:” Lypsi i vetmuar” apo “Varri i një udhëtari”. Këtu autori prek dy çështje: Atë të mëshirës për të varfërit dhe admirimin ndaj punës dhe çështjen e vdekjes, që e kishte trajtuar edhe te disa poezi te tjera të vepra “Endërrimet”.

Naimi, në këtë poemë, shpreh me mburrje identitetin e tij kombëtar, ngase kishte në kohën e tij të tillë, që e kishin mohuar atdheun dhe u vinte keq ta quanin veten shqiptarë.

“Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar,

Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarrë”

Malli i madh për viset e Shqipërisë e nxit poetin, që së paku në kujtime, të bredhë atje ku e ka kaluar dhe lënë fëmijërinë.

“Ashtu dhe zemra ime më lë këtu, tek jam mua

Vjen me vrap e më dëshirë aty në viset e tua…”

Poeti i strukur në megrim, vetëm në imagjinatë bredh nëpër atë natyrë të qeshur dhe të lulëzuar, ku lozin qengjat, kecërit, dhentë e dhitë, ku vasha bukuroshe përkujdeset për ta. Eshtë një natyrë e tillë, ku poeti gjen gëzimin, që i ka munguar në jetë.  Poeti, pastaj, i drejtohet edhe malit Tomorr, që është si dëshmitar ngjarjesh të lashta, ngase është dëshira e tij që ta shoh gjithë Arbërinë.

Çështja e dytë, për të cilën do të këndojë Naimi, është bujqësia.  Atdheu i tij nuk është vetëm i bukur, por edhe i pasur.  Ai, me një angazhim të bashkombasëve, mund të marri fizionominë e vëndit të zhvilluar dhe të lumtur. Poeti himnizon këtu punën e bujkut dhe fshatarit.  Ajo e begaton jetën, prandaj njeriu vazhdimisht duhet të punojë, siç punon, vepron çdo qenie në natyrë.  Poeti predikon kultin e punës.

Bujku i cili punon në verë, në dimmer rri e prehet.  Naimi prapë fut këtu një detaj (degresion), një udhëtar ka mbetur jashtë dhe ngrinë.  I zoti i shtëpisë e merr dhe e fut Brenda.  Trajtohet këtu mikëpritja shqiptare sin jë veçori e lashtë kombëtare.  Pastaj, kur në verë, vajzat lajnë rrobat te lumi, një prej tyre rri mënjanë dhe vajton motrën e vdekur.  Edhe nëna plakë, diku në një skutë të jetës, e qan të bijën.  Prap çështja e vdekjes, e cila do të dali sin jë motiv më vete në disa poezi të tij të mëvonshme.  Pjesa e dytë e poemës përfundon me disa mësime moralizuese të autorit.  Mbyllet me dëshirat e shumta të poetit për ta pare vendin e lire, të pasur dhe të lumtur.

“Tregom’u dhe Shqipëtarët udhën’e punës së mbarë

Bashkom’i, e bëmi vëllëzër, edhe fjeshtë Shqipëtarë

Falmi Shqipërisë ditën’e bardh’e lirisë…”

Poema, “Bagëti e Bujqësija”, edhe përkundër të metave që ka, si nivelet e ndryshme artistike mes të pjesëve, digresionet, numracioni etj, ka një rendësi të madhe për kohën kur është shkruar, jo vetëm për ndërgjegjen kombëtare, apo dashurinë e thellë ndaj atdheut, por edhe për gjuhën e pasur dhe të pastër, për formën e lartë artistike.

Ponoshec, 04.09.2012