E merkure, 24.04.2024, 06:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Myrvete Dreshaj - Baliu: Imazhi i krijuesit

E marte, 04.09.2012, 06:58 PM


IMAZHI I KRIJUESIT DHE I INTELEKTUALIT

Nga Prof. dr. Myrvete Dreshaj - Baliu

Ka disa dekada që studiuesi e kritiku i përkushtuar i letërsisë, profesor Shyqri Galica, veprat letrare e shkencore i përcjell në forma nga më të ndryshmet, nga shkrimi i teksteve me karakter përgjithësues në shtypin ditor, deri te studimet e thelluara historiko-letrare për autorë dhe vepra, si dhe nga tekstet për përurime të rastit deri te vlerësimet dhe analizat e tyre me karakter shkencor. Vëllimi me titull "Mesazhi intelektual" është përmbledhje studimesh, vlerësimesh e recensionesh të shkruara në kontekst të zhvillimeve të ndryshme kulturore dhe shkencore të dekadës së fundit.

Sigurisht, kjo është arsyeja pse tekstet e këtij vëllimi janë ndarë në tre kapituj që nuk janë as vetëm tematikë, as vetëm të një zhanri dhe, më në fund, as vetëm kodues. Sigurisht, për shkak se tekstet e këtij vëllimi janë shkruar në kohë dhe rrethana të ndryshme, apo për aktivitete dhe paraqitje të cilat kushtëzohen prej konferencave, diskutimeve letrare e shkencore, përurimeve dhe pse jo edhe prej leximeve miqësore. Prandaj, nuk ka dyshim, kjo është edhe arsyeja që titulli i këtij libri del nga mesazhi i atyre ideve që reflektojnë veprat, autorët dhe mendimi a vlerësimi i kritikës së kohës për to, për t’u përmbyllur në këtë libër përmes të të menduarit kritik dhe krijues gjatë procesit të të lexuarit dhe të të shkruarit të profesor Shyqri Galicës.

Motive dhe struktura të mëdha poetike

Kapitulli i parë merret me qasje të më­dha të letërsisë shqipe, të para gjithashtu nga aspekti historik dhe metodologjikisht krahasues. Fjala është për motive dhe struktura të mëdha poetike të krijuesve tanë, si: liria, kulti i Skënderbeut, poetika moderne të poezisë së Fatos Arapit dhe konteksti europian i poezisë së tij, raportet historike, letrare dhe shpirtërore të Dritëro Agollit me Kosovën, gjendja dhe përfaqësimi i letërsisë në librin shkollor, që në këtë vëllim paraqesin vlerat më përfaqësuese dhe më cilësore të shkrimit. Fjala është për tema dhe objekte studimi, një pjesë të të cilave madje profesor Galica i ka trajtuar edhe më parë në projektet e tij shkencore, prandaj kjo është arsyeja që këto tekste në këtë vëllim jo njëherë paraqesin sinteza serioze, dhe më tej njëkohësisht aspekte të modeleve të kërkimit dhe të mesazheve ideore e intelektuale.

Kapitulli i dytë merret me vepra, autorë dhe kërkime tematike të tyre. Fjala është për tekstet recensionale, vlerësuese dhe aktualizuese të kohëpaskohshme për vepra letrare dhe historiko-letrare me dimensione të veçanta në jetën tonë shkencore, si me: përmasën teoriko-letrare të tekstit të romanit "Dashuria e Filanit" të Adem Demaçit, përmasën aktuale të dramës së Gjergj Fishtës "Juda Makabe", temën e madhe të dramës së lirisë në romanin e Ramadan Rexhepit, përmasën e kërkimit dhe të sintezës së biografisë së Elena Gjikës në monografinë e Vehbi Balës, fatin jetësor të shkrimtarit Kasëm Trebeshina, si fat i një shekulli në jetën e një populli në veprën e Nuri Dragojt. Fjala është për tema të mëdha dhe të veçanta që dalin në vepra me karakter historik dhe letrar njëkohësisht, të cilat përfaqësojnë vlera të një kohe dhe të një hapësire, që përtej vlerave teoriko-letrare, estetike e historike përfaqësojnë edhe një zë e një mesazh intelektual.

Esencat e mesazhit liridashës

Kapitulli i tretë përfshinë tekste, të cilat trajtojnë tema me mbizotërim kur autorët e kur veprat e tyre, për t’iu lënë hapësirë, shpesh, më parë autorëve sesa veprave. Fjala është për autorë të caktuar, jeta e të cilëve shpesh na ka bërë të mendojmë, të lexojmë dhe të flasim për veprën e tyre. Në historinë tonë, janë disa individualitete të cilat me jetën e tyre kanë bërë që të ndryshojë për shumë dekada fati ynë historik, prandaj m’u për këtë ndiejmë nevojë të lexojmë dhe të vlerësojmë jo vetëm bëmat e tyre historike, por njëkohësisht edhe ato intelektuale, krijuese dhe estetike. Në këtë seri shkrimesh hyjnë kërkimet dhe vlerësimet për veprën poetike të atdhetarit Azem Beqiri, për poezinë e studiuesit e poetit Ali Ahmeti dhe historianes e poeteshës Sabile Keçmezi - Basha, krijimet e eseistit dhe prozatorit të temës së madhe të mërgimit shqiptar Shpend Osmani, kujtimet e dhembshme për vdekjen e hershme të poetit, prozatorit e mikut Iljaz Prokshi, përvjetorët e shumëmotshëm të bardit të prozës shqipe Ramiz Kelmendi, qasja e studiuesit të përkushtuar në fushë të historisë së letërsisë Isak Ahmeti etj.

Kjo është arsyeja pse tekstet e profesor Shyqri Galicës për disa shkrimtarë i lexojmë jo vetëm si kërkime teoriko-letare e estetike, po më shumë si vlerësime të mesazhe të dala nga krijues që përtej përimtimit poetik të vargut, me shkrimet e tyre, kanë synuar esencat e mesazhit liridashës.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora